Kristaq Turtulli: Aleko Likaj - Eva
| E Shtune, 06.01.2018, 06:59 PM |

Mendime për romanin EVA të shkrimtarit Aleko Likaj

Nga Kristaq Turtulli

Mademi i temave të kohës së komunizmit për krijuesit është pafund. Kjo është më se pranueshme, mbasi ky sistem i qëndroi popullit në shpinë për dyzet e pesë vjet. Dy breza e përjetuan e mbartën në shpinë. Lindën, u ritën, u martuan, lindën fëmijë, ju iku jeta zboreve, aksioneve, radhëve të gjata, për një copë bukë dhe gotë qumësht. Demagogjisë shterpë, boshe. Për një lugë të florinjtë që do mbarte në duar populli, do hante me të sa të ngopej. Por për fat të keq luga humbi, ra në pus, s’u gjend kurrë dhe barku mbeti bosh. Vuajtja e mos foljes, frikës së pritshme dhe e pasigurisë së nesërmes ishte në çdo hap të jetës. Ajo periudhë e gjatë la pas vragë të thellë në mendje dhe në zemër.  Ndaj ndodhi ikja e madhe nga sytë këmbët.

Krijuesit me të drejtë i janë kthyer dhe do ti kthehen herë pas herë këtij sistemi, bëmave, ligësive, poshtërsive, marrëdhënieve shoqërore dhe familjare. Kjo ka të mirën dhe të keqen e saj. E mira është se ke ç’të shkruash për atë koghë, që është si thes pa gjalmë. E keqja është se në një mënyrë ose në tjetër padashur ka rrezik të biesh në përsëritje. Ndaj nevojitet optika e kujdesshme e një shkrimtari të mirë.

Shkrimtari Aleko Likaj sjell përpara lexuesit një roman të ri. Eva. Qysh në titull të shtyn në ngasje, në mendime. Aleko me guxim dhe mençuri trajtoi në këtë libër temën në viteve të komunizmit.

Në qendër të librit autori ka një familje, marrëdhëniet e një çifti, dashurinë, prapaskenat, në sfondin e jetës së përditshme të asaj kohe që sot na ngjan sa e largët aq dhe e afërt, ndaj shpesh herë na bën të drithërohemi. E rëndësishme të trajtosh jo vetëm temën e asaj kohe, për krijuesin është Gjetja: Ky çelës luan një rol të rëndësishëm për çdo vepër letrare, të nxit, të jep materialin për ta shtjelluar më pas lirshëm dhe në mënyrë origjinale.

Vjen të përshëndetet autori mbasi kur nisi të shkruante këtë libër në duar kishte pak miell, por me aftësi ka mundur të gatuajë, ta pjekë dhe të na japë një vepër të mirë.  Di ta shtjellojë me qetësi ngjarjen, e mban lexuesit me kujdes pranë, dhe e tërheq pas vetes aty ku duhet dhe ku është e nevojshme. Këtu dallohet aftësia krijuese e shkrimtarit dhe vëzhgimi i tij origjinal.

Në qendër të librit ka vënë një grua, Evën. Po Kush është kjo Eva? Ky emër na kujton Evan e biblës dhe i shoqi i saj quhet Adem, vallë a ka ngjashmëri me Adamin, po të biblës? Eva a është një grua me dinjitet dhe a përcjell ndonjë mesazh të rëndësishëm te lexuesi për atë kohë? Them se po. Autori me penelata të kujdesshme qysh në hyrje na i jep portretin dhe botën shpirtërore të Evës si bashkëshorte e denjë dinjitoze, grua dhe nënë. Por Aleko me mençuri dhe kujdes nuk nxitohet, fillon na e shtjellon ngjarjen. Ngadalë sa vjen dhe e lartëson këtë grua, Evën, kur vjen e përplaset në situata të vështira.

Autori nuk e shtjellon ngjarjen me urrejtje patologjike me ngjyra bardh e zi, siç ndodh rëndom. Ai është i gjakftohtë, i paanshëm, punon ngadalë si kirurg me bisturi dhe me një rrjedhin logjik, hap, pret lëkurën dhe zbulon plagën, siç ka qenë vetë jeta e vërtetë dhe e helmuar e asaj kohe. Romani është shkruar me maturi, ngjarja rrjedh natyrshëm, pa cforcarje, me stil të shkathët dhe muzikalitet.

Në romanin Eva përplaset dashuria e sinqertë, besnikëria, bashkëshortja e denjë deri në vetëmohim dhe sedra e sëmurë, shterpëria, që nëpërmjet kësaj tregohet dhe vetë shterpërinë, hipokrizinë e sistemit dhe të shoqërisë shqiptare në tërësi.

Eva vetvete nuk ishte e lirë, edhe pse ishte superiore, ndaj bashkëshortit dhe shoqërisë që e rrethonte, ajo nuk ishte e barabartë. Ishte skllave e hijeve të rënda dhe të ndjenjave të ndrydhura.

Eva në emër të dashurisë, sakrificës, familjes dhe besnikërisë është gati të hipë mbi veten, të pranojë kompromisin, në kundërshtim me moralin e shenjtë dhe të emrit grua, femër, nënë.

Ademi i shoqi në libër jepet një pushtetar, partiak i vogël, njeri i dobët, cinik, i sipërfaqshëm, pa dinjitet. Ai nuk mund të pranojë realitetin ashtu siç është. E gëlltitën kompromisin në fillim por ky kompromis i mbetet në grykë i zë frymën i nxin jetën. Kjo e bën më të demaskues siç ishte dhe vetë sistemi që lamë pas.

I uroj suksese shkrimtarit Aleko Likaj për këtë libër të këndshëm.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: