Ndue Dedaj: Të gjitha rrugët të çojnë në Alpe
| E Enjte, 04.01.2018, 08:53 PM |

TË GJITHA RRUGËT TË ÇOJNË NË ALPE

NGA NDUE DEDAJ

Bukuritë shqiptare janë të përveçme, secila e ndryshme nga tjetra. Alpet, Lura, Syri i Kaltër, bregdeti Jon, Driloni, Dardha, Dajti, Qafë - Shtama, Divjaka, Gjiri i Lalzit, Rana e Hedhun, Viluni etj. E thënë nga të gjithë, Shqipëria është fund e krye me potenciale turistike, mjafton që ta shohësh me këtë sy dhe të punosh për ta kthyer çdo pishë, shkrep e ujëvarë në funksion të turizmit. Në këtë atlas natyror mahnitës, kurora alpine është unike dhe e papërsëritshme në vlerat e saj të jashtëzakonshme ekologjike, historike dhe turistike. Cili shkoi njëherë atje dhe nuk shkroi si për një parajsë tokësore. Sidomos udhëpërshkruasit e huaj u dhanë pas tyre me shpirt. Amerikania Rose Wilder Lane në vitet ’20 të shekullit të kaluar u ngjit me këmbë dhe me penë në “Majat e Shalës”, siç titullohet libri i saj me përshkrime nga Thethi, Shala e Shoshi. Po në atë kohë një tjetër i huaj, albanologu italian Ernesto Kozi i kishte shkelur me pëllëmbë malësitë alpine shqiptare për më shumë se një çerek shekulli, duke i përshkruar me imtësi traditat e zakonet dhe e kishte lënë amanet që pas vdekjes të prehej në Shqipëri, ndaj, mbasi ishte varrosur në Bari, e kishin mbartur për këndej Adriatikut. I fundmi i albanologëve që “shtegtoi” drejt Alepve për të bujtur përjetësisht në to, në thelb të etnosit shqiptar, ishte Robert Elsie para dy muajsh.

Botën alpine e ka zbuluar e para letërsia, Eposi i Kreshnikëve, “Lahuta” e Gjergj Fishtës, tregimet romantike të Ernest Kolqit, perlat folklorike të Bernardin Palajt e Donat Kurtit, lirikat poetike e prozat mistike të Martin Camajt, rrëfimet origjinale të At Zef Pllumit etj. At Marin Sirdani, njëri nga françeskanët e njohur, historian e kulturolog, përshkruan magjitë e Razmës, Bogës dhe në veçanti të Thethit, qysh në vitet ’30 të shekullit të kaluar, duke parashikur se ky vend “do të fitojë një randësi mjaft të madhe si qendër turistike”, ngaqë “turista të huej, gjithfarë kombesh, përvjetë përshkohen nëpër Theth me shumicë”, kurse ndër shqiptarët vizitorë të parë në vitin 1931 qenë zotnitë Nush Topalli, Pjetër Pistulli e Ernest Koliqi”. Autori na thotë se numri i turistave shqiptarë mandej shkoi përvjetë tue u shtue, sidomos nga grupe stundetësh, ku në vitin 1932 një grup “Antonian” prej katërdhetë vetësh erdhën në Theth prej kah përshkuan Dukagjinin, kurse një vit më pas një grup i “Shoqnisë Bogdani” gjithashtu vizitoi Thethin. Sirdani përshkruan dhe Bjeshkët e Namuna, që sipas gojëdhanës, njëherë e një kohë, para se t’i nemte Zana e malit (për nji faj të randë qi kishte pas ba nji i parë i tyne) “kishin qenë plym me aha e me brej, me kullosa të mira e kroje të shumta, e Zot’ynë i kishte pasë begatë me gjithfarë lulesh e me shpend e zogj…” E, megjithëse Thethi qe shndërruar në kamp pushimi veror në vitet e “socializmit”, zbulimi i tij i vërtetë nisi aty kah vitet 2000, kur banorët filluan t’i kthenin kullat e tyre tradicionale në bujtina turistike. Rreth 90 vite qendruam në vendnumëro përsa i përket turizmit në Alpe.

Alpet shqiptare nuk janë më një bjeshkënajë ekzotike orësh fatlume, ato kanë filluar të hyjnë në (t)rendin e ri të turizmit, ku alpet e Europës janë futur prej kohësh. Sensiblizimit për turizmin alpin ka vite që i ka prirë projekti “Majat e Ballkanit”, i mbështetur nga një fondacion gjerman dhe GIZ Tiranë, me shtegtime në këmbë nëpër Alpet trikufitare: Pejë - Plavë - Theth etj. Me strategjinë e fundit qeveritare, shpallur në Shkodër në fillim të dhjetorit, në vigjilje të Ditës së Maleve, pritet që Alpet të jenë destinacioni kryesor turistik malor i vendit. 60 milionë euro deklarohet se do të jetë investimi nga institucionet shtetërore në fazën e parë (2017-2022), pa llogaritur ato private që nuk do të jenë të pakta. Madje, sipas burimeve nga Ministria e Turizmit, qysh tani janë paraqitur dy investitorë strategjikë që duan të investojnë në hotele katër dhe pesë yje në zonën e Alpeve. Në fillim investimet do të fokusohen te rrugët, strukturat e akomodimit, zgjërimi i llojeve të shërbimeve etj. Synohet një paketë e standardeve europiane për turistët, që në një të ardhme jo të largët ata të mund të qëndrojnë jo më pak se dhjetë ditë në Alpet tona, duke u ofruar prodhime “bio” të agroturizmit ende në hapat e parë.

Rëndësia e Alpeve shtohet dhe për pozicionin gjeostrategjik, që ndonëse male krejtësisht shqiptare, janë në kufi të tri shteteve: Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi. Përherë e më shumë adresat e panjohura të alpeve po bëhen pjesë e guidave dhe destinacioneve turistike. Sot njerëzit shqiptojnë disa emra të ndjeshëm alpinë, si Valbona, Gryka e Rugovës, Thethi, Razma, Vermoshi, Plava, por më të interesuarit dhe pasionantët e turizmit alpin kanë skeduar dhe emra të tjerë për ekspolorim, jo dhe aq të njohur në këtë pikë, si Lëpusha e Kelmendit, Vuthajt e Plavës, Curraj i Epër i Tropojës etj.

Ishte e pritshme që pas urbanizimit të bregdetit dhe shuarjes së “urisë” për turizmin bregdetar, të ktheheshin sytë nga malet. Por nuk mund të mos ndjesh trishtim kur gjithë kjo bukuri natyrore është braktisur nga njerëzit që kanë ikur gjithandej, brenda dhe jashtë vendit. Takojmë një burrë dhe një grua në Vermosh, të cilët pesë fëmijët e tyre, dy djem dhe tri vajza, i kanë në Amerikë, Itali dhe Angli. Kjo është pak a shumë pamja e përgjithshme e bjeshkëve të nalta, pa banorë, vetëm me bujtës. Zonat e banuara alpine dhe ato rreth e qark tyre janë zbrazur kohë pas kohe nga popullsia, në të tri shtetet. Ndërkohë që në Valbonë ka ardhur të jetojë një amerikane, apo grupe turistësh çekë e polakë janë bërë të shtëpisë në Curraj Epër, duke ngritur kampingjet e tyre vit për vit dhe aty ku shkohet vetëm me mushkë. Zhvillimet në lëmin e turizmit patjetër që do t’i kthejnë disa nga të ikurit për ta ndërtuar aty të ardhmen e tyre.

Na duhet ta mirëprojektojmë e zhvillojmë industrinë e turizmit, në vend të “industrisë” së paligjshme të hashashit, çka vitet e fundit i tjetërsoi malësitë tona, me qëllim që Alpet të shndërrohen në një bankë të ardhurash për shqiptarët. Problemi numër një është që të iket nga spontanja në ndërtimet turistike. Nëse në bregdet keqndërtuam e betonizuam dhe plazhet e detin, të paktën të shpëtojmë malet nga “bathorizimi”, duke krijuar infrastrukturën dhe urbanistikën e duhur në fshatrat, zonat dhe parqet turistike. Mjerisht anarshia e tranzicionit nuk ka lënë pa prekur dhe Alpet, ku margaritari i tyre, lumi i Valbonës, është futur nëpër tuba e betonuar si kanal vaditës. T’ia bësh këtë Valbonës së kaltër do të thotë t’ia nxjerrësh me duart e tua sytë bjeshkës alpine. Por kështu ndodh kur dhe një mjedis i tillë turistik unik ndotet e shpërdorohet nga interesat politike dhe oligarke.

Kultura është një tjetër domosdoshmëri e turizmit të qendrueshëm dhe elitar në Alpe. Ministria e Kulturës kohët e fundit e ka shpallur Thethin qendër historike të mbrojtur, me banesat tipologjike, kullën autentike të ngujimit etj. Thirrjet për ta shpëtuar natyrën alpine kanë qenë gjithfarësh. Përmes mediave, protestave, por dhe përmes artit. Më fort se për argëtimin e turistëve, bash për këtë, kantautorja e mirënjohur Elina Duni, e cila i ka përftuar si rrallëkush perlat e folkut shqiptar në muzën dhe pentagramin e saj modern, ka ardhur nga Zvicra me koncerte, vitin e kaluar në Valbonë dhe sivjet në Theth. Ashtu siç ka vite që në Kelmend zhvillohet festa tradicionale e “Logut të Bjeshkeve”, apo “Mis Malësia” në Razëm etj. Shtoju këtyre lojërat sportive dimërore, alpinizmin, skitë, patinazhin etj.

Të gjitha rrugët të çojnë në Alpe. Veçse turistët, para se të shëtisin relievin e mrekullueshëm shqiptar, para se të dëgjojnë historitë tona shpesh të ekzaltuara me kreshnikë e heronj, para se të shijojnë kuzhinën e shijshme vendase, verën, rakinë dhe frutat e pyllit, duan të “shijojnë” bujarinë tonë, pasi me të janë mbrujtur nga udhëpërshkruesit e vjetër europianë. E kjo nuk bie ndesh as me kohën moderne, parimet e biznesit dhe të fitimit në turizëm etj. Bujaria nuk vjetërohet kurrë si ato monedhat e arit, varet si e shpreh e shpalos atë sot, përfshi dhe përmes dhuratave me motive e stilizime të traditës sonë.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: