Ryzhdi Baloku: Reshat Nurboja - Unë, dëshmi kohe
| E Marte, 02.01.2018, 06:44 PM |

LIBËR QË DËSHMON PËR RRJEDHAT HISTORIKE TË KOHËS

Reshat Nurboja: "Unë, dëshmi kohe", botoi LQK-Pejë, 2015

Nga Ryzhdi Baloku

Libri "Unë dëshmi kohe" i autorit Reshat Nurboja është botuar në vitin 2015.

Shikuar si tërësi, "Unë dëshmi kohe" është një libër që dëshmon për rrjedhat historike të kohës, si refleksion i përjetimit personal të autorit.

Në këtë libër të formatit B5 me 932 faqe, autori Reshat Nurboja i ka përmbledhur kujtimet dhe përjetimet e përzgjedhura gjatë periudhës së viteve 1987-2014, të momenteve më kritike e vendimtare lidhur me fatin e kombit, para, gjatë dhe pas suprimimit të autonomisë së Kosovës, përfshirë këtu edhe rezistencën paqësore të shqiptarëve e deri te Lufta Çlirimtare, si dhe angazhimet e përgjithshme rreth rimëkëmbjes pas çlirimit të vendit.

Libri "Unë dëshmi kohe" është një kronikë me elemente autobiografike, i cili na ofron të dhëna të vlefshme për ngjarjet e një rëndësie të veçantë nga qyteti i Pejës e më gjerë, përfshirë këtu edhe situatën e përgjithshme politike e dramatike të vendit.

Pos kujtimeve në trajtë memoaresh, kontributin e tij kombëtar për t'i dalë zot atdheut në një situatë të tillë në të cilën ndodhej vendi, autori i këtij libri e argumenton edhe me dokumente e fotografi, faksimile dhe artikuj të shumtë të shkëputur nga gazetat ditore të kohës.

Reshat Nurboja, rrëfimin e tij kronologjik në librin "Unë dëshmi kohe" e nis me ngjarjet nga koha e rinisë, atëherë kur në vitin 1987 i ishte ofruar mundësia e inkuadrimit në politikë dhe ngritja hap pas hapi në karrierë përmes shokut të klasës, i cili asokohe ishte Kryetar i Lidhjes së Rinisë në qytetin e Pejës.

Pas zgjedhjeve të reja në këtë Organizatë Rinore, autori i këtij libri do ta fitojë mandatin e Kryetarit të Lidhjes së Rinisë të këtij qyteti, i cili përmes kujtimeve nga prizmi i tij përshkruan rrjedhat e situatave dramatike në kohën e vlimeve politike, kur Serbia i kishte nisur shantazhet politike ndaj kuadrove shqiptare, në mënyrë që përfundimisht ta realizonte platformën politike të Akademisë Serbe për krijimin e Serbisë së madhe, si dhe në anën tjetër përpjekjet e një pjese të kuadrove shqiptare për ta ruajtur autonominë që asokohe e kishte Kosova, e që i gjithë ky vlim i këtyre ngjarjeve do të na përkujtojë fjalën e urtë: "Koha i nxjerr liderët, ndërsa lufta i lind heronjtë".

Ja se si autori Reshat Nurboja në librin "Unë dëshmi kohe" e përshkruan nismën e tij të inkuadrimit në politikë:

"Ishte vera e vitit 1987, isha në lagjen time, në rrugën »Ramiz Sadiku« me plot gropa dhe pluhur, rrugë kjo e gërshetuar me shtëpi të vjetra të ndërtuara nga »qerpiçët«, por edhe me objekte të reja shumëkatëshe, që ndërlidhnin të vjetrën me të renë, gjë e cila e simbolizonte fazën e kalimit të një epoke në një epokë tjetër... gjegjësisht, kalimin prej një statusi shtypës dhe injorues në një status proaktiv... Në një ditë dhe rrethanë të tillë filloi jeta ime politike...

Pra, në vitin 1987 - Agim Kurmehaj, një shok i imi i kasës nga shkolla e mesme ishte Kryetar i Rinisë së Pejës, dhe një ditë prej ditëve të nxehta verore më takoi në rrugë dhe më ftoi që të inkuadrohem në aktivitetin e rinisë së Pejës, me argumentin se është i interesuar ta krijojë një ekip të aftë të të rinjve që e duan qytetin e vet dhe të cilët kanë dije dhe guxim që të ballafaqohen me sfidat dhe problemet në interes të popullit në përgjithësi e të rinisë në veçanti..." (faqe13 e librit).

Atmosferën politike në Pejë, e cila në një mënyrë ngjasonte edhe me situatën e përgjithshme politike të asaj kohe në Kosovë, që dirigjohej nga Beogradi, autori i këtij libri, e pasqyron si vijon:

"Me 17 nëntor 1989, në një mbledhje solemne të Kuvendit komunal të Pejës, i cili ishte mbledhur për shënimin e Ditës së Çlirimit të Pejës, në kundërshtim me rregullat dhe rendin e ditës, meqenëse ishte mbledhje solemne, kryesuesi i kuvendit dhe Shoqata e Veteranëve të Luftës Nacionale Çlirimtare të viteve 1941-1945, propozuan edhe disa ndryshime të emrave të rrugëve dhe të institucioneve publike, të cilat bartnin emra të patriotëve dhe intelektualëve shqiptarë... Ky propozim ad-hoc, i cili paraprakisht ishte shqyrtuar dhe miratuar nga një komision tre-anëtarësh, ku nga ta dy ishin shqiptarë (njëri anëtar, gjegjësisht, Kryetar i Komisionit ishte Kryetar i Lidhjes së Luftëtarëve të LNÇ-së, e tjetri-tjetra, ishte drejtoreshë e një shkolle fillore të qytetit), habiti delegatët e kuvendit dhe mysafirët e pranishëm...

Kryesuesi i kësaj seance solemne të Kuvendit Komunal, propozimin deshi ta qetë në votim jashtë çdo rregulle e procedure, por njëri  nga delegatët, profesori i nderuar i gjuhës shqipe, Osmon Kelmendi, u ngrit dhe me këmbëngulje të ashpër kundërshtoi një propozim të tillë, sa që, në mbledhjen solemne të kuvendit u krijua një atmosferë e jashtëzakonshme, që nuk kishte asgjë të përbashkët me festën, kështu që, në një atmosferë elektrizuese dhe armiqësore dhe në mënyrë të parregullt, u miratua propozimi për ndërrimin e emrave të rrugëve dhe institucioneve publike që bartnin emrat e patriotëve, shkrimtarëve dhe intelektualëve shqiptarë, të cilët, shovinistët serbë e malazezë dhe "argatët" e tyre, i etiketonin si nacionalistë dhe irredentistë... Për fat të keq, të mos "harrojmë", pro këtyre ndërrimeve kishte edhe shumë delegatë shqiptarë të asaj përbërje të kuvendit. Ky ishte shkas i fillimit të organizimit të protestave masive të qytetarëve..." (faqja 96 e këtij libri).

Autori i këtij libri vazhdon maratonën e rrëfimit të tij dhe të dokumentimit për ngjarjet e rëndësisë së veçantë nga koha e shkuar, duke filluar me pasqyrimin e situatave që nga hapat e parë fillestarë të pluralizmit në Kosovë, me rastin e themelimit të partive politike, e deri të shfaqja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe momentet më delikate me rastin e arrestimit dhe burgosjes së tij nga inspektorët e Operativës së Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Pejës.

Reshat Nurboja shpeshherë i vizitonte zonat e luftës, ku edhe dërgonte medikamente medicine. Në atë kohë disa ushtarë të UÇK-së, që ishin banorë të lagjes sonë, kishin ardhur për vikend në shtëpitë e veta, por nuk mund të ktheheshin në zonën e kontrolluar nga UÇK, ngase rruga nëpër të cilën kishin ardhur në Pejë tashmë ishte bërë e pakalueshme prej forcave serbe. Unë (R.B.) dhe shoku im lagjes Ramiz Popovci në bisedë e sipër menduam se Reshati ishte personi adekuat i cili mund t'i shpinte në atë zonë, ngase e njihte terrenin si në shuplakë të dorës, për çfarë edhe u morëm vesh me të, e të cilin rast ai e përshkruan si vijon:

"…Ramiz  Popovci me ata katër ushtarë më kishte pritur disa orë në shtëpinë e Isë Muqollit, por pasi nuk kisha shkuar aty ku e kishim lënë takimin, ai vetëm i ka përcjellë në Zonën e Lirë… Ishte hidhëruar që nuk ishim takuar sipas marrëveshjes dhe kishte shkuar tek një bashkëveprimtar, shok dhe mik imi, Ryzhdi Baloku. I kishte thënë Ruzhdiut se  jam befasuar nga Reshati, jemi marrë vesh se në ora 12 të takohemi të Isë Muqolli e ai nuk erdhi. Na ka lënë ta presim me orë të tëra, ...nuk është korrekt dhe e drejt prej tij… Ryzhdiu, i kishte thënë: Jo Ramiz, sigurisht diçka i ka ndodhur se ai nuk e kishte lënë pa ardhur aty ku të ka thënë,... sigurisht diçka i paska ndodhur… Në orët e vona të mbrëmjes, bashkëshortja ime, Adnora, Ryzhdiun e kishte thirrur në telefonin e shtëpisë dhe e kishte pyetur a mos dinte diçka për Reshatin, se nuk është kthyer në shtëpi dhe askush nga shokët e tij nuk po e din se ku është…

Ryzhdi Baloku, si intelektual, si veprimtar dhe anëtar i një familjeje atdhetare e cila tradicionalisht ishte ballafaquar më probleme të tilla, e kishte ndërlidhur menjëherë mos shkuarjen time në takimin e planifikuar me Ramizin dhe moskthimin tim në shtëpi, dhe e kishte kuptuar se sigurisht më kishin burgosur… Ryzhdiu, menjëherë ishte përgatitur dhe kishte shkuar tek të gjithë anëtarët e Shtabit të Emergjencës t’u tregojë se unë sigurisht jam burgosur dhe t’u sugjerojë të mos e kalojnë natën në shtëpitë e tyre derisa nuk e kuptojnë çfarë ka ndodhur me Reshatin, sepse, ekziston rreziku për t’u bastisur dhe burgosur… Por Ryzhdiu, asnjërin prej tyre nuk e ka gjetur në shtëpitë e tyre … Fati ka deshtë se ata e kishin marrë vesh që më kishte burgosur UDB-ja serbe dhe me kohë ishin larguar! Po ashtu, edhe të nesërmen në mëngjes, Ryzhdiu kishte dalë në qytet mos eventualisht po e takon apo sheh ndonjërin nga anëtarët e Shtabit të Emergjencës dhe t’i njoftojë me burgosjen time, sepse, tani më e kishte kuptuar se më kishin burgosur, meqenëse duke kaluar andej pari kah shtëpia e mallrave, i kishte parë forcat e shumta të inspektorëve serbë të veshur me rroba civile, por të armatosur me automatik, që e kishin rrethuar lagjen ku ndodhej shtëpia ime." (faqet 406 dhe 407).

Konsideroj se, në këtë libër, momentet më prekëse janë ngjarjet e përshkruara lidhur me masakrën që është kryer ndaj të burgosurve nga gardianët në burgun e Dubravës, e që një ndër përjetuesit e kësaj ngjarjeje të dhimbshme ka qenë edhe autori i këtij libri.

Autori, këtë libër e rrumbullakon me ngjarje të pas luftës atëherë kur lirohet nga burgu, kyçet në rrjedhat e jetës, duke kontribuar edhe në shtet-ndërtimin  dhe pavarësinë e vendit.

Përpos përshkrimit të ngjarjeve, autori në shumë raste, si një politikan me përvojë, merret edhe me analizën e tyre, për të qartësuar, për brezat e rinj dhe ata të ardhshëm gjendjen e rëndë politike të asaj kohe dhe krajatat dhe vuajtjet nëpër të cilat ka kaluar populli ynë.

Pra "Unë, dëshmi kohe" i Reshat Nurbojës është një libër me tematikë historike, i cili mund të shërbejë si një kronikë  e ngjarjeve nga historia më e re e Kosovës.

Libri  mëton që t’ i përjetësojë ngjarjet e viteve dramatike të Kosovës dhe të popullit tonë,të cilat nuk bën t'i lejojmë të bëhen pre e harresës, ato duhet t'i mbajmë gjithmonë të gjalla përmes librave që do të jenë dëshmi e shkruar ngaqë kanë të bëjnë me përjetime e sfida të shumta nga periudha më e re, nëpër të cilat kanë kaluar qytetarët e Kosovës, e bashkë me ta edhe autori i kësaj vepre, si një dëshmitar autentik i tyre.



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: