Dedaj: Nderi i Fushë-Arrëzit e mirënjohja e Gjakovës
| E Marte, 02.01.2018, 08:31 PM |

DEDË QAFA, NDERI I FUSHË-ARRËZIT

E MIRËNJOHJA E GJAKOVËS

NGA NDUE DEDAJ

Në mesin e dhjetorit u shua një nga njerëzit më të njohur të rrethit të Pukës e më gjerë, fisniku Dedë Qafa, që mbante titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, nderuar gjithashtu dhe me titullin “Mirënjohja e Gjakovës”. Dhe pse i lindur në një nga familjet më të njohura të atyre anëve, e përmendur për bujari, trimëri dhe sidomos për tregtinë shumëvjeçare me Kosovën e Shkodrën, Deda nuk mundi ta realizonte siç dëshironte karrierën e tij intelektuale, por vetëm t’i mbijetonte regjimit komunist. Pavarësisht pengimit të vazhdueshëm politik ai u mbrujt si njeri i virtytshëm, sportist i pasionuar në rininë e tij, mjeshtër në fushën e elektricitetit dhe familjar model. Kurse 1990-a do ta gjente misionar të demokracisë, i zgjedhur në forumet lokale të Pukës e ato të qarkut të Shkodrës, drejtues ndërmarrjeje, biznesmen i zoti. Rrallë mund të takoje njerëz si ai, me një urtësi që të linte pa fjalë. I mençur, i matur, që dinte vetëm t’iu falë njerëzve miqësi, dashuri, mirënjohje e mbi të gjitha bujari. Geni i lashtë i maleve tona kishte ardhur i pashprishur te njerëz si Dedë Qafa. Në vargun e veprave humanitare të tij, ka mbetur në kujtesën mbarëshqiptare veçanërisht për trajtimin me fjetje e ushqim në hotelin e tij familjar në Fushë-Arrëz të 700 kosovarëve gjatë genocidit serb të 1999-s. Ishte dhe tradita, një fill ndërlidhës mes atyre bujtinave të vjetra të Qafajve dhe hotelit, që për ata njerëz të dyndur me përdhunë nga regjimi i Milosheviçit u bë “me pesë yje”. Shtëpia e Qafajve ishte patriote herët e vonë. I ati i Dedës, Nikollë Ndrecë Qafa, me 1944 kishte pritur Brigadën e 22 Sulmuese me ushqim e vëshëmbathje, ku ish- Komandanti i saj, Sali Verdha, do të thoshte se te Nikolla ai dhe partizanët kishin parë kulmin e patriotizmit shqiptar.

Po kështu i përmendur kishte qenë në periudhën e kryengritjeve për liri e Pavarësi gjyshi i tij, Ndrecë Ndue Qafa, fotografia e të cilit kishte qëndruar për rreth një shekull në arkivin e Marubëve, si një nga prijësit e luftimeve në rajonin e Pukës e Mirditës. Deda ndihej fort krenar për origjinën e tij dhe për këtë shkroi dhe një libër të spikatur me kujtime e shënime historike me titullin “Zani i të parëve të mi”, ky që në rreshtat e parë shkruhet: “Na jemi shtëpi tash pesëqind vjet, qysh nga koha e Skanderbegut”. Ai thoshte gjithnjë “ideali im ka qenë me shkue te origjina”, që rrok filozofinë e çdo familje shqiptare autentike, që iu devijua dhe deformua rrjedha historike nëpër travlimet politike të shekullit XX. Qafajt kishin qenë ushtrues të sipërmarrjes private dhe me këtë kishin rrojtur e ishin fuqizuar deri në mbarimet e Luftës II Botërore, për t’u rikthyer aty vetëm pas gjysmë shekulli me 1990. Lufta e klasave do të binte pa mëshirë mbi Qafajt e Fushë-Arrësit, me 10 të dënuar politikë dhe tjerë të arratisur e të përndjekur nga kjo familje, si Preng Pjetër Qafa, Pal Preng Qafa, Dodë Ndrec Qafa, Nikoll Ndue Qafa, Ndue Zef Qafa, Mark Preng Qafa, Viktor Ndue Qafa, Gokë Dodë Qafa, Pashk Dodë Qafa, Frrok Ndrec Qafa, nga të cilët dhe i ati e xhaxhai i Dedës. Njëri nga të dhjetë, Pal Qafa, i martirizuar, tretet nën dhé diku në bjeshkët e Tërbunit, deri në agun e demokracisë. Goditja ndaj Qafajve kishte filluar me procesin e “sabotimit në sharra” në vitin 1949, kur me një grup “armiqësor” të kryesuar nga kryemjeshtri Rrok Mazreku nga Shkodra, u dënua dhe Gjok Qafa etj. Nuk ishin këta që donin të hidhnin në erë sharrat e Pukës, por regjimi që e kishte hedhur ne erë demokracinë me anë të dikaturës së proletariatit. Thirret dhe Dedë Qafa më vonë në zyrat e Sigurimit, si “spiun i amerikanëve”, sigurisht pa asnjë lidhje me çfarë akuzohej. Për regjimin komunist, armik i popullit mund të ishte si një punëtor miniere apo bari malesh, si një komunist i 41-it. A nuk pati qenë në Fushë-Arrës i internuar dhe dramaturgu i njohur Fadil Paçrami, një nga ish-drejtuesit politik të vendit.

Por në kulmin e triumfit të njeriut të ri brenda kullës së bjeshkëve nuk kishte dhënë shpirt asgjë themelore e jetës shqiptare, e origjinës së tij, që nga ritualet pagane të buzmit bujar që gjallinin për çdo Krishtlindje. Uratët thuheshin gjithmonë në orët e vona. Ndizeshin qirinj në ditën e të shumëve, por pa rënë në sy. Pagëzoheshin fëmijë nga priftërinjtë etj. Ndaj Dedë Qafa e sivllaznit e tij kishin vërtetë një andërr të madhe, me u kthye sërish te origjina. Me i ndigjue prapë ato kumbonët e kishës së Kalivares e asaj të Shmisë, nga vinte si jehonë shekujsh zani i të parëve. “Një nga tiparet më të çmuara të Dedë Qafës ishte toleranca”, thonë bashkëqytetarët e tij. Pavarësisht përsekutimit familjar, ai asnjëherë nuk shfaqi shenja hakmarrje, dhe pse erdhi koha të administronte një ndërmarrje me 400 punëtorë e specialistë, ku gjysma kishin patur tesëra të PP-së. Një tjetër tipar i tij është bamirësia e pafundme ndaj njerëzve në nevojë, po dhe zgjidhja me urti e shumë konflikteve, që mund të kishin përfunduar tragjikisht. Në një fletore të thjeshtë janë shënuar emrat e qindra kosovarëve që kanë ngrënë bukën e tij në pranverën e 1999-s, të cilët mbajnë mbiemrat: Gashi, Zeka, Beqiraj, Shala, Gjonaj, Vila, Mula, Syla, Babi, Kosumi, Telaku, Gjokaj, Kabashi, Ndreca, Kastrati, Sudi, Salihi, Miraka, Pepa, Kacoli, Emini etj.

Janë emra të shkruar me dorën e Dedës në atë kohë, po që sa më shumë të kalojnë vitet, aq më vlerë marrin për brezat që vijnë. Kanë ardhur disa prej tyre më pas për ta falenderuar më shpirt mikpritësin e tyre dhe familjen e tij, që u vu e gjitha në shërbim të vëllezërve që i kishin dëbuar nga toka e tyre e Gjakovës. Ata do të vijnë sërish, tashmë si turistë, do ta kërkojnë njeriun që i priti bujarisht e që nuk është më, duke u ndarë nga jeta në moshën 68-vjeçare. Por dera e Dedë Qafës do të jetë përherë e hapur, nga bashkëshortja e tij Xhina, dy djemtë Floridi e Shkëlzeni dhe vajza Elsa, si nga mot me urimin “Ardhsh i bardhë”. “Jam e bindur, - thotë Xhina, - se fëmijët e mi, nuset, nipërit e mbesat do të ndiejnë gjithmonë nderim për Dedën, pasi ai e meriton si rrallëkush mirënjohjen familjare, duke bërë gjithçka për ne, e natyrisht dhe për të tjerët”.

Padyshim dhe bashkëqytetarët e tij do ta kujtonë pareshtur Dedë Qafën, njeriun që e kishin gjithnjë në krah, në të mirë e në të keq...



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: