http://www.zemrashqiptare.net/
Zemra Shqiptare

Elvi Sidheri: Krishtlindje
| E Marte, 26.12.2017, 11:35 AM |


Krishtlindje

Nga Elvi Sidheri

Duan të thonë të mirëditurit, se fjala shqipe e vjetër për të cilësuar këtë ditë të shenjtë, pra Kërshëndellat, vjen pikërisht nga origjina latine e këtij termi “Christi Natale”. E faktikisht më vjen mirë që të jetë kështu, duke dëshmuar një vijimësi jetëgjatë të ndërlidhjes së shqiptarëve sa me vetë Krishtin dhe ditën e tij të lindjes 2017 vite më parë, gjeneruesit, frymëzuesit e sakrifikuesit të të ngjizjes së fesë më të madhe në rang botëror, me mbi 2 miliard e gjysëm pasues “worldwide”, aq edhe me romakët 2 mijë vite më parë, të cilët së pari e përndoqën dhe kryqëzuan Birin e Zotit, por që më pas u “pushtuan” në vetvete nga fryma e paqes dhe mëshirës e mirësisë e përçuar anë e kënd perandorisë së stërmadhe nga dishepujt e hebreut nazaretas të lindur në Betlehem.

Sepse si një ndër dëshmitë më të forta të vazhdimësisë iliro-shqiptare në trojet tona stërgjyshërore, shërbejnë pikërisht mijëra huazimet latine të mbetura gjer sot në gjuhën shqipe, të datueshme veç me periudhën e gjatë të pranisë romake në Iliri, Dardani e Epir, tre pjesët e pandashme të trungut të lashtë ilir.

Termat fetarë në veçanti, gëlojnë nga termat latinë, ku sigurisht që fjala Kërshëndella bie edhe më shumë në sy.

Hebre, Nazaret, Betlehem, paqe, mirësi, Krishtlindje, festa...

Janë kaq fjalë aq të përjetshme sa edhe aktuale të ngërthyera fort këto ditë e jo vetëm në nënvetëdijen e shumëkujt në këtë rruzull tokësor, të formësuar paskëtaj pazgjidhshëm me kryefjalën e gjithë kësaj garniture tokësore-hyjnore, me emrin e qytetit të kryeshenjtë të Jeruzalemit.

E kështu menuja tashmë serviret e plotë në tryezën e aktualitetit gjeopolitik dhe zbret gjer në tavolinat e kthinave të rrugicave më të humbura jo veç të Lindjes së Mesme, por edhe të këndeve plehëra-plotë të rruginave shqiptare gjithaq.

Sot (e mot) hebrenjtë mbeten në qendër të vëmendjes jo thjesht për faktin se përmenden në të tre librat e mëdhenj të shenjtë monoteistë si “popull i Zotit”, pra të përzgjedhur, por edhe si të paftuar në tokën dhe kryeqytetin e tyre, të gjykuar dhe paragjykuar rregullisht si të tillë nga shumica smirëplotë e OKB-së, dhe dënuar pandalur nga një asamble në dukje pluraliste shumëkombëshe e OKB-së prej dhjetëvjeçarësh, me rezoluta të sajuara përherë nga vende “kampione demokracie” si Jemeni, Egjipti, Malajzia, Irani apo edhe Turqia.

Ndërsa në Nazaret, në shenjë “respekti” të theksuar ndaj vendit të origjinës së Krishtit buzë liqenit të Galilesë ku Biri i Hyut do të bënte disa ndër mrekullitë e tij kryesore, si shumëfishimin e bukës dhe të peshqve e ku do të njihej edhe me pasuesin e tij Shën Pjetrin peshkatar, kryebashkiaku arab-izraelit ndalon festimin publik të Krishtlindjeve në shenjë solidarizimi protestonjës ndaj vendimit sovran të SHBA për ta shpënë ambasadën e vet ku t’ia thotë mendja më mirë kësaj superfuqie sa demokratike, aq edhe ushtarake dhe ekonomike.

E për ta mbajtur mirë ison në këtë këndvështrim, në vendlindjen e Jezusit, në Betlehem, autoritetet palestineze, urojnë gjithashtu Krishtlindjet protestueshëm duke pretenduar se i respektojnë thellësisht bashkëkombasit e tyre palestinezë të krishterë, ndërkohë që ky qytet i banuar dikur nga 82% të krishterë, tanimë banohet veç në masën 12% prej tyre, si pasojë e një politike të vazhdueshme përçmuese ndaj tyre, ndërkohë që në Izraelin e nëmur, të krishterët (palestinezë shumica) shtohen dita-ditës duke arritur në 150 mijë syresh e gëzuar të drejta dhe liri si askund tjetër në Lindjen e Mesme.

Por gjithësesi, Krishtlindjet janë sinonim i paqes dhe mirësisë, i shpirtit të mirë, i drekës në familje, i zbukurimeve festive, i ngjyrës së kuqe, i Babagjyshit të Krishtlindjeve, këtij personazhi kaq të dashur edhe për ne të rriturit, përveçse të miturve, që xhaxhi Enver dikur, me një lëvizje tejet skuthe, arriti ta zhvendosë, ashtu si edhe pemën e festave, dhuratat, ngyjrën e kuqe, e plot simbole të tjera të Krishtlindjeve, pak ditë më vonë te festa madhështore e Vitit të Ri.

Sidoqoftë, diktatori ynë gjakatar, mes shumë gjëmave që na bëri si popull, do pranuar se të paktën na la ta festonim të qetë Vitin e Ri, duke e lejuar gjindjen që mes njëmijë vështirësish, të gëzonin, hanin e pinin (nëse ia dilnin të gjenin ushqimet e duhura, njëherë në vit, mes asaj ngushtësie ekonomike e ushqimore që pllakosi vendin, sidomos në vitet 80).

Për Vit të Ri, siç mbaj mend vetë ndonëse në moshë tejet të mitur, edhe TVSH-ja çoku ngjallej dhe përzgjidhte (veçanërisht në kohën e shokut Ramiz), filma të huaj më të këndshëm (Romancë në Orient Ekspres, për shembull), dhe ndërkohë humori i mrekullueshëm i estradave të Shkodrës me Zef Dedën, Paulin Prekën, Tano Banushin, Gjosho Vasian, Zyliha Milotin, etj, të Durrësit me Fadil Hasën, etj, i trupës së Fierit, me Parodistët e Vlorës, të Korçës e padyshim Tiranës, na bënte t’i harronim andrallat e kohës së vështirë.

Kështu që, fryma e Krishtlindjeve, e lindjes së shpresës, e dëshirës dhe synimit për diçka të re më të mbrothët, qe transferuar e mishëruar te festa e Vitit të Ri, duke bërë sakaq që kalimi sërish për te festa e Krishtlindjeve, për të krishterët shqiptarë në veçanti, të vinte krejt normalisht, si diçka që kurrë nuk kishte arritur të zhbëhej nga marrëzia moniste gjatë atyre 45 viteve regjim.

Ishte një gjë e nënkuptuar, që Krishtlindjet kurrë nuk patën dalë nga natyra jonë, pasi ikonat kishtare (si në rastin e stërgjyshes sime, për shembull) qenë fshehur mirë prapa dollapeve dhe aty kishin vijuar të kryenin rolin e tyre fetar, mbrojtës e pritës të lutjeve dhe shpërndarës të besimit e bekimeve për shqiptarët që Zotin s’e kishin harruar aspak, pavarësisht përndjekjeve shtetërore ndaj besimtarëve.

E për më tepër, Zoti kurrë nuk i harroi shqiptarët gjithashtu!

Siç nuk i pati harruar në Kohë të Errta mesjetare, barbare, turke osmane apo enveriste.

Kryqi vazhdoi të bëhej në fshehtësi, si në rastin tim, kur para çdo përgjumje netëve verore e dimërore, nuk mungoja të soditja habitshëm sesi më bëhej kryqi nga prindërit, pa ia kuptuar fare sensin kësaj shenje, gjest bekues ky, i shoqëruar gjithnjë nga paralajmërimi për të mos bëzajtur lidhur me këtë veprim me askënd, sepse ky ishte sekreti ynë i patregueshëm.

E në fakt, u desh të vinin Krishtlindjet e para pluraliste, kur në dhjetorin 1990, i gjendur para Kishës ende ish magazinë moniste te Rruga e Kavajës, do të kuptoja se çfarë kuptimi kishin ato gishta që kryqëzoheshin ashtu në ajër para çdo gjumi timin nator, sepse tashmë liria, jo vetëm fetare, por edhe e mendimit dhe fjalës kish ardhur në Shqipëri.

Besimi kish mbijetuar, kishat qenë rrënuar masivisht, qenë hedhur në erë, ishin përdhosur, shkatërruar dhe kockat e priftërinjve, ashtu si edhe të dedeve apo dervishëve tjetërkund, ishin hedhur lumenjve dhe nxjerrë nga dheu i varreve të tyre.

Por në shpirt asgjë nuk kish ndryshuar dhe furtuna moniste, paçka se pati lënë shumë gjurmë dhe shtrembëruar e fetishizuar shumë gjëra lidhur me fenë, apo edhe shkaktuar devijanca pafund, gjithësesi kjo stuhi tanimë i përkiste të shkuarës.

Krishtlindjet e para kështu i kujtoj, ndonëse po dilja nga fëmijëria e hershme, kisha filluar shkollën dhe mund të thuhej se qeshë mësuar me ateizmin dhe mungesën e Zotit, prapëseprapë Krishtlindjet i prita si pjesë timen, të origjinës sime dhe të përditshmërisë time më normale.

Dhuratat për më tepër i merrja tashmë disa ditë më parë se Viti i Ri, zbukurimet e festave nisëm t’i vendosnim më herët, dhe festat na u shumuan.

Ku kishte më mirë se kaq!

Një tjetër mrekulli Krishtlindjesh padyshim.

Kjo është përgjithësisht edhe lidhja e shqiptarëve me fenë fundja. Në origjinë jo “paganë” si rëndom propagandohet, por besues në të tjera dukuri qiellore e hyjnore, në hyjnitë e tyre ilire, në orakujt e tyre dhe të ndikuar padyshim nga fqinjët helenë, trakë e romakët më pas, shqiptarët pasardhës të ilirëve, mbetën të hapur për fe dhe shpërfaqje të reja të Perëndisë, duke i pranuar ato në ekzistencën e tyre njëra pas tjetrës, e duke i mishëruar dhe jetësuar ato në mënyrën tonë aq origjinale, pa eksese apo ekzagjerime të kota, por duke e mbajtur gjithmonë të gjallë lidhjen me qiellin.

Kështu ndodh që ndonëse ortodoksë në trashëgimi dhe bindje fetare, ashtu si edhe në frekuentimin laik të kishave autoqefale shqiptare të këtij riti, por gjithaq ta njohim shumë prej nesh dogmën fetare më tepër nga katolikët, për shkak të kontaktit me realitetin italian përmes formimit tonë kulturor dhe ndikimit televiziv, që kryqin ta bëjmë nga ana ortodokse, por ta shikojmë Papën çdo të dielë tek i flet gjindjes romane dhe audiencës botërore nga ballkoni i tij mbi sheshin Shën Pjetër.

Ndërkaq nuk mungojmë të ndihemi krenarë për etërit e kanonizimit të krishtërimit, ligjërimit dhe koncileve të tij para, si ai historiku i Nikesë, ku perandori ilir Konstandin, i biri i Shën Elenës, do t’i jepnin kësaj feje trajtat që ajo gëzon akoma sot, siç edhe do të ngrinin kryeqytetin e dytë perandorak Konstandinopojën, bashkë me Perandorinë Bizantine që do të jetonte edhe 1000 vjet pas rënies së Romës së Perëndimit.

Kujtojmë perandorin Justinian, reformatorin, mbrojtësin e Ilirisë nga vërshimet barbare me qindra kështjella në Ilirik, ngritësin e Kishës madhështore të Shën Sofias, kishës dikur më të madhe e imponente të krejt Krishtërimit, Hagia Sofias që një tjetër personazh historik me rrënjë shqiptare si Ataturku, pati largpamësinë ta kthejë në muze, për hir të trashëgimisë së saj madhore si ish kishë dhe ish xhami, e kthyer në të tillë nga turqit pushtues.

Njëlloj kujtojmë edhe papët e shumtë me origjinë shqiptare, Papa Klementin XI Albanin, Nënë Terezën, Gjon Buzukun, Frang Bardhin, Gjergj Fishtën, Fan Nolin, Kristofor Kisin e gjithë klerikët njerëzit e mëdhenj të kishës dhe krishtërimit shqiptar në shekuj.

Po kaq me nderim kujtojmë edhe klerikët e feve të tjera që lulëzojnë mes shqiptarësh, në këtë mozaikun e vëllazërisë fetare të shqiptarëve, që paçka ndasive të stisura, manive të protagonizmit dhe grindjeve të importuara, mbetet e tillë përkundër gjithçkaje.

Sot gëzojmë tre kisha shqiptare, ortodokse, katolike e protestante elemente kushtetues të shtetit shqiptar, të njohura, gjithëpranuara e respektuara së pari nga vetë besimtarët e krishterë shqiptarë si të tilla, pavarësisht kundërshtive të stisura krejt pavend e pakuptim nga ndikime të jashtme që aspak nuk kanë të bëjnë me këto komunitete dhe që pikësëpari nuk e njohin (apo s’duan ta njohin) e s’përputhen fare me realitetin.

Qofshin këto Krishtlindje të lumtura, me plot të mira, bekime e mbrothtësi për gjithë shqiptarët.