Anton Marku: Njëqind ditë vetmi
| E Diel, 24.12.2017, 12:25 PM |

Njëqind ditë vetmi

Shkruan Anton Marku

Në ditën e nëntëdhjetë e nëntë të qeverisjes, Neo-Kryeministri i Kosovës i bëri pyetje unit të tij nëse ja kishte dalë që të mbijetonte stuhinë të cilën e kishte shkaktuar vet. Përgjigjen nuk e priti. Shteti kishte halle dhe ai ishte i thirrur që t’i vendoste gjërat në binarët e duhur. Ashtu, në mënyrën e vet: Diku me fjalë e diku me muskuj.

Tre muaj më parë

Para se të kishte dhënë betimin para Kuvendit të Kosovës, ai kishte lënë shumëçka peng. Më së shumti premtime. Atyre kotësirave ju besuan një pjesë e vogël e qytetarëve, gjë që u dëshmua edhe në zgjedhjet në nivelin qendror, në të cilat partia e tij u rendit e katërta. Megjithatë, kjo i mjaftoi që të marrë postin më të rëndësishëm politik në vend, duke qenë në koalicion në partinë e tretë, të pestë, të gjashtë e disa ‘‘minipartitha’’ tjera të vogla anonime. Bëri si ja bëri dhe dy partitë më të mëdha i dërgoi në opozitë.

Pas një çasti dobësie, doli në foltore dhe tha: ‘‘Do ta luftoj korrupcionin, do zgjidh çështjen e demarkacionit, asociacionit, nuk do të keqpërdor buxhetin, do zhvilloj ekonominë, bujqësinë, shëndetësinë, arsimin e gjithçka tjetër që do të teprojë. Do na njohin ata që ende hezitojnë, me Brukselin do takohem në Washington e në Bruksel do të shkoj vetëm për të sjellur vizat. Partnerët e brendshëm do vazhdoj t’i dua ashtu si më parë, sepse edhe në kohërat kur isha divorcuar asnjëherë nuk hoqa dorë nga dashuria për ta.’’

Në fund gjuajti disa fjalë në drejtim të atyre me të cilët kishte udhëtuar dy vitet e fundit me gaz lotësjellës në xhep, duke ju thënë: ‘‘Ky vend ka nevojë për idealistë të pashëruar, por jo dhe për të sëmurë.’’

Dhe duke kryqëzuar këmbët u ul në vendin që kishte ëndërruar tash e sa vite.

Tre muaj më vonë

Burgjet vazhdojnë të mos vizitohen nga VIP-at, me bekimin e tij ligji për demarkacionin tashmë kaloi në qeveri, asociacioni gjendet në ethet e lindjes, buxheti po përdoret pa kursim, administrata ka trashur qafën, varfëria po thellohet, bujqit nuk po bëjnë vezë si dikur, mjekët po alivanosen, pacientët po vdesin pa u zgjuar nga narkoza e PISA ka një vit që po qesh me ne. Në anën tjetër, njohjet po vazhdojnë të jenë ‘‘aksidentale’’ apo me efekt ‘‘prapaverprues’’, Brukselit ende nuk arriti të ja mësoj gjuhën, ndërsa Amerika po lundron gjithnjë e më larg. Në të njëjtën kohë, ministri i jashtem i tij po bën politikë të ‘‘jashtme’’, ai i brendshmi më shumë po rri brenda se sa në teren, përderisa policia ende zjarrin po e merr për tym e tymin për mjegull.

Përderisa Kryeministri këmbëngul që të mbyllë gropat e vjetra duket hapur gropa të reja, portali më i klikuar në Kosovë vazhdon të mbetet ai harro.com.

Dita e njëqind

Në ditën e njëqind të marrjes së postit, Kryeministri organizoi një gala-darkë. Në të morrën pjesë të gjithë nëntëdhjetë e nëntë zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zëvendësministrat e zgjedhur prej tij. Ai vet ishte i njëqindi..

Ajo nuk ishte Darka e Lames. Ishte e ‘‘Lamagjinjëve’’.

Në paqe, ashtu si dhe në luftë, të gjithë janë të domosdoshëm, por askush nuk është i pazëvendësueshëm.

Prapë, për të satën herë në histori, po dëshmohet se ndryshe jo gjithmonë do të thotë më mirë.

Pyetja që kosovarët i bëjnë vetes në këtë fundvit është: Sa ka të nesërme në të sotmen e tij?

Vjenë: 17 dhjetor 2017



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: