Xhavit Kryeziu: Fehmi Sinella - Mësues në trojet etnike
| E Diel, 24.12.2017, 12:08 PM |

FEHMI SINELLA – MËSUES  NË TROJET  ETNIKE SHQIPTARE

NGA XHAVIT KRYEZIU

Fehmi Sinella është njëri ndër veteranët e arsimit nga Shqipëria që ushtroi detyrën e mësuesit me shumë zell e respekt nëpër shumë shkolla këndej dhe andej kufirit. Kudo që punoi në mendjen e shpirtin e nxënësve solli dritë e dituri, durim e vetëbesim tek nxënësit, prandaj me të drejtë pohonte Viktor Hygo, kur thoshte:” Mësuesit janë kopshtarë të inteligjencës njerëzore”. Ai është nga Kavaja dhe rrjedh nga një familje  intelektuale e patriotike.  Ai u lind në Kavajë, më 16.IV. 1923. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, ndërsa një klasë e kreu në Durrës. Pastaj vazhdoi shkollimin në Medresenë e Naltë në Tiranë, në Liceun Real ku studiohej në të gjitha degët. Pasi u informua nga Komisioni Kosovar për kërkesat për mësues në shkollat e Kosovës dhe në viset tjera shqiptare jashtë Shqipërisë, kjo nismë e iniciuar dhe realizuar nga profesori e Ministri shumë i respektuar- Ernest Koliqi, pa hezitim  iu përgjigj kësaj thirrje.

Për grupin e mësuesve nga Kavaja, rrugëtimi për në Kosovë ishte shumë i vështirë e me plotë befasi. Nëpër kokë iu silleshin mendime të ndryshme, se si duket natyra atje- në Kosovë, si do të jetë sjellja e njerëzve atje, si do t`i pritnin, në çfarë vështirësi do të hasnin e tjera. Nga ky grup 5 mësuesish ishin të sistemuar në Gjilan dhe rrethinë. Kështu tre nga ata: Kadriu, Shemsedin dhe Bejtja

do të punonin në Gjilan, Sala në Cërnicë, Xhavit Veizi në Pogragjë,  ndërsa Fehmiu në Hogosht, afër 4 orë rrugë në këmbë nga Gjilani. Nga Hogoshti në Gjilan për ta pritur kishte ardhur Qazim Latifi dhe që ta ndihmojë të akomodohet në rrethin e ri ku do të ushtronte detyrën e mësuesit. Një fjalë e urtë popullore thotë: Kur shkon, shkon mirë puna. Atë ditë ishte një dasmë në Hogosht, aty shkon edhe mësuesi Fehmi i shoqëruar nga Qazimi, ku oda ishte plot burra që të gjithë e pritën me bujari, po aty ishte edhe Myderrizi, Haki Sermaxhaj, arsimdashës, patriot e vizionar që kur ishte drejtor i Atik Medresës në Gjilan e bëri lëndë të obligueshme për medresantët Gjuhën shqipe. Ai i këshilloi vendasit që të sillen mirë me mësuesin dhe ta ndihmojnë në mirëvajtjen e procesit edukativo-arsimor. E kjo ishte e mirëseardhur për mësuesin. Lokali ku duhet të mbahej mësimi nuk ishte i përshtatshëm, nuk kishte as banka e as karrige, prandaj vendasit e formuan një komision për ta rregulluar një dhomë mësimi. Në Komision u caktuan: Osmani i Xhemailit, Sadri Ahmeti, Sali Xhaferi, Shefki Xhaferi  e Myderrizi Haki Sermaxhaj. Mungesa e lokalit shkollor dhe mjeteve  mësimore e ka përcjellë vazhdimisht punën në shumë shkolla shqipe e në shumë mese shoqërore, që nga shkolla e parë  shqipe në Korçë e këndej. Komisioni me ndihmën e vendasve që sollën do dërrasa, i rregulluan ato në atë mënyrë që improvizonin bankat shkollore. Fehmi Sinella në shkollën e Hogoshtit mësimin në gjuhën shqipe e rifilloi (mësimi  në gjuhën shqipe  për herë të parë në këtë shkollë ka filluar në vitin shkollor 1941/42), më 18. 12. 1945, me tri klasë përnjëherë: klasa e parë, e dytë dhe e tretë me afër 50 nxënës e prej tyre vetëm dy ishin femra. Mësuesi për të banuar u vendos në shtëpinë e Osman Xhemailit (për nder që ka ardhur nga Shqipëria dhe për të mirën e fëmijëve të tyre)- pa pagesë gjatë tërë vitit shkollor tregon i nipi i Osmanit- Alia që tash jeton në Kamenicë. Krahas mësimit të rregullt mësuesi mbante nga dy herë në javë mësim me të rriturit në fshatrat: Kopërnicë dhe Dazhdincë për zhdukjen e analfabetizmit.  Sa ishte mësues në Hogosht, i erdhi në inspektim bashkëvendësi tij, inspektor Apostoli dhe e mori për t`i ndihmuar në inspektimin e shkollave në: Desivojcë, Rogaçicë dhe Pogragjë. Kudo e pritën shumë mirë, me përshëndetje: ”Mirë se ju ka pru Zoti, o vëllezër nga Shqipëria”- shkruan vetë Fehmi Sinella në librin : “Kur më, kur” , Prishtinë, 2011, f. 124, titulli  shtron pyetjen se kur do të ndriçojë liria mbi qiellin e Kosovës. Në Desivojcë në vitin shkollor 1945/46 mësues ishte Mulla Tefiku, ndërsa në Rogaçicë ishte Xhevat Alia nga Gjilani të cilin inspektori e vlerëson- mësues të shkëlqyeshëm dhe kuzhinier shumë të mirë ku qëndruan aty disa ditë.

Fehmi Sinella gjatë pushimeve verore, në vitin 1946 vijoi Kursin Special Arsimor në Prizren. Pas një viti pune në Hogosht , shumë i përmalluar e me kujtime të paharruara, në vitin shkollor 1946/47 emërohet mësues në Shkollën fillore të Zymit në Prizren. Në Vitin shkollor 1947/48 pati fatin të themelojë Gjimnazin e ulët në Carallukë. Sa punoi aty, ka një kujtim të veçantë se e bindi familjen nga Kijeva që fëmija i tyre, Riza Gashi, të vijojë në Carallukë duke ia siguruar edhe banimin aty që më vonë ai kreu fakultetin dhe arriti në pozitën e drejtorit në Entin për Botimin e Teksteve dhe mjeteve mësimore të Kosovës. Në vitin 1948 kualifikohet, pasi mbaron Normalen dhe emërohet inspektor i arsimit për komunën e Rahovecit në të cilën detyrë punoi vetëm dy muaj.

Pasi e kishin vërejtur se Fehmiu kishte prirje për letërsi, emërohet  kryeredaktor i revistës për fëmijë “Pioneri” në Prishtinë në të cilën detyrë punoi deri në vitin 1950. Kështu me botimet e tij dhe të krijuesve të tjerë, si që janë: Rexhep Hoxha, Anton Çetta, Tajar Hatipi e të tjerë vihen themelet e letërsisë për fëmijë në Kosovë.   Fehmiu bashkëpunoi me revistat që  botoheshin në Shqipëri, si: Zani i Naltë, Kultura Islame, Njeriu, Fatosi e të tjera, ndërsa në Kosovë botonte shkrimet e tija në: Pioneri,  Jeta e Re, Rilindja e Zëri.    Fjala e urtë popullore thotë: Ujku fle, ndërsa armiku nuk fle.  Fehmiun e shpallin si kundërshtar të vëllazërim- bashkimit dhe e pushojnë nga puna për disa javë. Pastaj caktohet mësimdhënës i gjuhës shqipe në një  shkollë në Vushtrri.

Pas dy muaj pune aty, një mbrëmje shkon në teatrin e qytetit për ta shikuar  një shfaqje të artistëve nga Mitovica. Gjatë asaj kohe ndodhi një eksplodim brenda teatrit  dhe u plagosën disa njerëz e pati edhe të vdekur, Fehmiu pati një plagosje në këmbë dhe për shërimin e saj 3 javë qëndroi në spital. Pastaj shkon në  Mitrovicë dhe pas dy ditësh arrestohet nga dy  oficer serbë. Përjetoi tortura të egra e çnjerëzore nga kryetari i UDB-s  Çedo Topalloviçi. Pastaj e futën nëpër burgjet e Prishtinës dhe Prizrenit ku përjetoi tortura të ndryshme. Pas një kohë në Prizren e vendosin me një burg-shtëpi ku aty kishte shumë të tilla. Aty mësuesi sheh dhe njeh edhe shumë mësues të tjerë që kishte njohur gjatë punës nëpër shkollat e Kosovës. Shumë prej tyre iu qan zemra e shpirti, kur e shohin se në çfarë gjendje shëndetësore e kishin bërë mësuesin nga torturat e ushtruara ndaj tij. Aty dëgjohet si shkruante Ndre Mjeda- Vaji e trishtimi, i të burgosurve. Pas dy muaj qëndrimi në atë burg, me ndërmjetësimin e Legatës shqiptare në Beograd, nisi këmbimi  i shqiptarëve me jugosllavë, kokë- për kokë dhe kështu mësuesi Fehmi kthehet në Shqipëri  më 28 korrik të vitit 1950.

Në Shqipëri vazhdon punën në procesin edukativo-arsimor nëpër shumë shkolla, si në Barbullinje, punoi së pari e në vitin tjetër shkollor në Fiershegan që të dy  këto ishin në rrethinën e Lushnjës. Pastaj një vit punoi mësues, ndërsa vitin vijues shkollor ishte  drejtor i shkollës 7 vjeçare po aty. Pastaj transferohet në detyrën e drejtorit në Shkollën 7 vjeçare  në Luzin e Vogël. Duke e vërejtur  se ishte i angazhuar shumë në procesin e mësimdhënies ku edhe arrinte suksese  të konsiderueshme, Fehmiun e angazhojnë në mbajtjen  e kursit për mësuesit e rinj te Plepat e Durrësit. Ai  asnjëherë nuk u shkëput nga krijimtaria letrare  duke lënë të botuara  e në dorëshkrim shumë  poezi, ndërsa në Kavajë botoi librin me tregime të titulluar: ”E bardha mund të zezën”.

Kështu mësuesi  Fehmi e kaloi shekullin e punës së tij me ditar në dorë, e disa herë duke qenë drejtor shkolle, duke përhapur dritë e dituri te gjeneratat e reja, këndej e andej kufirit, nëpër kohë mjaft të turbullta e të tensionura, por kurrë nuk u përkul para vështirësive dhe përherë qëndroi ballëlart, krenar dhe besnik ndaj profesionit të mësimdhënësit.

Për angazhimin e pakursyer në procesin e mësimdhënies  dhe sukseset e arritura shteti shqiptar  e dekoroi mësuesin Fehmi me Medaljen e Punës dhe me Medaljen Naim Frashërit, kurse  në Kavajë  nderohet me titullin: Krenaria e qytetit.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: