Gani Mehmetaj: Lezha, qyteti i ëndrrave fëmijërore
| E Premte, 22.12.2017, 04:09 PM |

Lezha, qyteti i ëndrrave fëmijërore

Nga Gani Mehmetaj

Kur e mësova në klasën e pestë të shkollës fillore nga arsimtari i gjeografisë se Drini i Bardhë nga vendlindja ime shkonte në Lezhë, net me radhë imagjinoja se si notoja fshehtas të tjerëve rrjedhës së lumit për t'iu mrekulluar qytetit të ëndrrave. Sikur ta kisha vizituar Lezhën në fëmijëri, atëherë kur digjesha nga malli, do të çmendesha nga gëzimi. Të gjithë pëshpëritnim në mësonjëtore për këtë qytet, ndërsa askush nuk e kishte idenë si dukej dhe sa banorë kishte. "Drini atje bëhej i madh, shumë i madh, më i madh se lumi ynë kur tërbohet pas shirave të rrëmbyeshme të verës, apo kur shkrihej bora", na thoshte arsimtari. Por ajo që na entuziazmonte ishte fakti se nëpër Drinin e bashkuar me Drinin e Zi lundrohej me barka deri në det.

Mësuesi i historisë ishte edhe më mbresëlënës. Ai na rrëfente si në këngët epike të Mujit e Halilit: "Me një të rënë shpate Gjergji i këpuste në dysh tre turq gjakatarë", rrëmbehej nga bëmat mësuesi ynë. Lufta e fitoret kalonin anë përtej Lezhës me arbërorët kundër turqve, me princër që u betuan në shpatë e në nder. "Lezha mban në gjirin e vet heroin më të madh të Arbërisë", buçiste zëri i tij patetik në mësonjëtoren ku nuk dëgjohej as miza. E imagjinoja Gjergj Kastriotin hipur në vraç, duke kalëruar rrugëve të qytetit, ndërsa populli e përshëndeste i entuziazmuar. Në mesin e lezhjanëve e shihja veten në majë të gishtave, duke zgjatur kokën që të shquaja të parin e arbërorëve. Këto imazhe më iknin shpejt, përderisa mësuesi vazhdonte me bëmat e Skënderbeut. Por pedagogu ynë asnjëherë nuk na tregoi për zhvarrimin e heroit, nuk na foli për përdhosje të varrit, nuk donte të na pikëllonte, apo nuk e pranonte përdhosjen e mbretit të shqiptarëve, nuk e kam kuptuar kurrë. Mësuesi i rrëmbyer na fliste edhe për gjëra që ne s'para i kuptonim. Kur përpiqeshim t'i kapnin se si na  mjegulloheshin. Gjithnjë kur fliste për epokën e lavdishme të Gjergj Kastriotit, ne druanim se mos na përgjonte dikush prapa derës së mësonjëtores.

Nga rrëfimet gjak e flakë natën shihja ëndërr sikur notoja lugut të Drinit drejt Lezhës, turqit me shallvare e xhupa prej leshi Anadolli më gjuanin me shigjeta, ndërsa flisnin herë turqisht, herë serbisht. Zgjohesha i larë në djersë.

Lezha edhe më vonë më dukej si në ëndrra: e afërt e magjike, e lavdishme e pikëllimtare. Dyzet vjet më vonë, kur u hap ‘’Rruga e Kombit’’, shkova në Lezhë, duke u nisur nga vendlindja ime, rrjedhës së Drinit të Bardhë, ashtu si e kisha imagjinuar dikur udhëtimin maratonik. Drini më priu deri në qytet. Ende pa u afruar iu gëzova faktit që kësaj here cak të parë kisha Lezhën. Dhjetëra herë të tjera kthehesha nga Shkodra, Shëngjini, apo vija nga Durrësi.

Lezha natyrisht nuk ishte ashtu si na e kishte shpjeguar mësuesi i historisë me boritë e alarmit e kuvendin e princërve. Drini nuk ishte disa herë më i madh se sa lumi i njëjtë i vendlindjes sime. Qyteti kishte trafik të dendur, vapa më përcëllonte. Ndërkaq, mësuesi i historisë dhe ai i gjeografisë kurrë nuk kishin qenë në Lezhë. Edhe ata mund ta kenë parë qytetin në kartolina që shiteshin atëkohë në kioskat e qytetit të Pejës, ndërsa ne i blinim e i grumbullonim kartolinat me qytetet shqiptare si pullat e rralla postare.

Lezha m’u duk me tipare dalluese që e veçojnë nga qytetet e Arbërisë. Është i rrallë dhe i veçantë. Drini i jep sharmë. Kodrat sipër me kështjellën e lavdishme e bëjnë qytetin më hijerëndë, ndërsa e shquan Mauzoleu. Katedralja e Shën Kollit nuk është më, ndërsa dikur në të u mblodhën princër e kontë, burra të dinjitetshëm e kryelartë. Në të thuhet se u varros heroi më i madh i shqiptarëve.

Imazhe nga filmi "Skënderbeu" më kalonin para syve mu si atëherë kur e shikova për herë të parë në kinemanë e qytetit të Pejës, ndërsa i duartrokisnim e brohoritnim për filmin më me zjarrmi se sa në fushën  e futbollit kur luante ekipi i qytetit tonë me rivalin më të madh, me "Vllaznimin" e  Gjakovës. Më kapërcenin në sytë e mendjes edhe pamje me shpejtësi filmi, ndërsa ajo që më ka cytur gjithnjë ishte heshtja e arsimtarit të historisë lidhur me zhvarrimin. Ndonjë vit më vonë e kisha lexuar librin "Skënderbeu" të kronistit të famshëm Marin Barleti. Ai shkruante, ndërsa mua më pikëllonte kjo gjë, se pas vdekjes së Gjergj Kastriotit turqit e sulmuan me tërbim Lezhën, e pushtuan dhe e dogjën qytetin, banorët i vranë, ata që shpëtuan ikën përmes limanit të vogël drejt Italisë e Evropës Perëndimore. Shumë familje morën malet, ku u strehuan me qindra vjet. Barleti shkruante se turqit e hapën varrin, e përdhosën, eshtrat i bënë hajmali.

Ndërkaq sot, kur futem nëpër rrugët e qytetit me trafik të dendur që herë-herë të paralizon me ngathtësinë e lëvizjeve, prapë më paraqiten imazhet e qytetit të vjetër, aty ku Gjergj Kastrioti i mbajti fjalim ajkës së Arbërisë. Sa mirë do të ishte sikur fjalimi i tij të shpirtëzohej në shirit filmi, të shfaqej netëve të verës në monitorin gjigant në ballin e Memorialit, të ndërroheshin edhe pamjet e zgjedhura nga filmat artistikë e dokumentarë.

Në vendvarrimin -Mauzoleun e Gjergj Kastriotit kam qenë dhjetëra herë, e kam mbartur me duar shpatën e heroit tonë, kopjen e asaj shpate që është në Vjenë. Pesha e shpatës nuk ishte as për shtatin, as për dorën time, më duhej ndihma e dorës tjetër, por edhe atëherë nuk bëhesha dot shpatar. Përkrenaren nuk e di pse nuk e provova, nuk më kujtohet a lejohej a jo, sepse kokën duhej ta kisha të madhe, mbase sa të Skënderbeut, por jo edhe trupin.

Memoriali ta ngjallte kujtimin e lavdishëm, por edhe të hidhur. Ambienti ka diçka të veçantë. Është një vend i shenjtë pelegrinazhi, ku duhet të shkojnë e ta vizitojnë të gjithë shqiptarët, duhet t'i bëjnë nderimet e ta kujtojnë trimin tonë. Grup i veçantë i pelegrinëve do të duhej të ishin fëmijët e të rriturit që janë pagëzuar me emrin e Gjergjit, por edhe ata që e kanë emrin Skënder, sepse prindërit e tyre në kohën kur i pagëzuan, Skënderbeun e kishin parasysh. Për këtë jam i sigurt, të gjithë Skënderat që i kam takuar ma kanë thënë këtë gjë.

Sa herë futem në Kompleksin e Memorialit, ajo që më intrigon në mënyrë të veçantë është dyshimi: athua u varros mbreti ynë në Katedralen e Shën Kollit, apo vendvarrimi është fshehtësia më e madhe e pesëqind e pesëdhjetë vjetëve. Ishin të interesuar arbërorët ta ekspozonin varrin e trupin e tij në një sarkofag madhështor, ashtu sikurse thuhet që iu bë varrimi, ose ceremonia u bë për të mashtruar armikun. Ditën e zymtë, pas 17 janarit 1468, e varrosën, ndërsa në njërën nga netët edhe më të errëta e nxorën nga varri, e dërguan në një vend të panjohur, që nuk u mor vesh kurrë.

Lezha është vend i shenjtë për shqiptarët, qendër e pelegrinazhit, vend të cilin duhet ta vizitojnë së paku një herë në vit, jo vetëm në kohën kur shkojnë apo kur kthehen nga bregdeti. Por në qytetin e Lezhës duhet të investohet, të rregullohet në mënyrë të organizuar, të krijohet një tërësi, që t'i joshë pelegrinët. Memoriali me hapësirën ka mundësi  të bëhet vendtakim i manifestimeve të ndryshme, ashtu si mund të organizohen ngjarje kulturore në kështjellë.

Vështrimi panoramik më së miri shijohet nga kështjella, nga mund të shihet tërë hapësira deri në mjegullat e detit. Drini është pasuria e Lezhës.

Ndërkaq, gati i tërë qyteti shtrihet mbi zonën arkeologjike ilire. Lissusi ka kështjellën antike e mesjetare. Thuhet se muret rrethuese të Lissusit janë të trasha nga 3.50 deri në katër metra. Vlerësohet ndër qytetet më të shquara të Ilirisë. Arkeologët raportojnë se deri më sot janë zbuluar 12 porta dhe 48 kulla mbrojtëse. Arkeologët janë të sigurt se kështjella është ilire, por ka  edhe gjurmë romake, bizantine dhe osmane.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: