Tefik Selimi: Rukije Haliti, shembull e edukatores
| E Enjte, 14.12.2017, 08:20 PM |

Në 47-vjetorin e vdekjes

Rukije Haliti – Gjakova, ishte një shembull e denjë e edukatores...

Nga Tefik Selimi

Thonë, arsimi është zemra e popullit. Pa arsim, s’ka popull të emancipuar e të edukuar. Vetëm me arsimim të mirëfilltë, populli i atij shteti mund të ec përpara. Nuk ka më mirë se të investosh në arsim. I gjithë “stafi” i një shteti buron nga arsimimi i tyre. Kjo është e vërtetë. Këtë të vërtetë e kanë mbrojtur edhe njerëzit e mëdhenj të dijes. Pse jo? Vetëm me njerëz të shkolluar, bota ec përpara.

Rukije Haliti – Gjakova është e lindur në Gjilan, më 1945. Rrjedh nga një familje bujare qytetare. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje. Që nga bankat e shkollës fillore, ajo  është dalluar si nxënëse e shkëlqyeshme. Gjimnazin “Zenel Hajdini” e kreu më tepër në gjuhën jo amtare, përveç gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe historisë. Këto lëndë për te ishin më tepër shkak që ajo të ishte më insistuese për arritjen e rezultateve më të mëdha në jetë.

Pas kryerjes së gjimnazit, Rukija aplikon në fakultetin e Mjekësë në Beograd bashkë me një shoqe vendase, ku regjistrohet. Por, pasi shoqja e saj nuk mundi të pranohet dhe me faktin se për një femër shqiptare ka qenë shumë vështirë të sdudiojë, shkollimi i femrës në atë kohë ka mund të jetë vetëm një ëndërr, edhe pse e ka pasur përkrahjen e plotë e të fuqishme të familjeve, ajo detyrohet që të orientohet në ndonjë fakultet ekzistues në Prishtinë.

Pra, Rukije Haliti, “ndërron” mendjen dhe regjistrohet në  fakuletin e Prishtinës në Degën e Hisotorisë në vitin 1961. Siç mësojmë nga të afërmit e saj, fakultetin e kryen në afatin rekord, e pas kryerjes së studimeve, në vitin 1965, ajo kthehet në vendlindje dhe punësohet në Shkollën e ish- Normale “Skënderbeu” në Gjilan.

Gjatë kësaj periudhe kohore, krahas punës dhe angazhimit të saj pedagoogjik, ajo tërë kohën ka qenë ngusht e lidhur me shkollimin dhe emancipimin e femrës shqiptare. Kontributi i Rukijës  është shprehur duke shkuar prej shtëpie në shtëpi tjetër, prej një fshati në fshatin tjetër për të biseduar dhe për t’i bindur familjarët se femra shqiptarre duhet ta vazhdojnë shkollimin për t’i kontribuar kombit shqiptar.

Vepra dhe angazhimi i Rukije Halitit depërton edhe jashtë komunës së Gjilanit, kur në vitin 1967, bashkë me një grup profesorësh, pranuan që çdo ditë të udhëtonin në Komunën e Vitisë me qëllim që të hapin paralelen e ndarë të Gjimnazit të Gjilanit me mësim në gjuhën shqipe, me të vetmin qëllim që të kontribuojë në shkollimin e nxënësve shqiptarë, edhe pse ishte e  vetmja femër. Kështu, ajo për herë të parë u ligjëron nxënësve për historinë e kombit shqiptar, e cila, kjo lëndë me interes të veçantë, deri atëherë nuk është mësuar në shkollat e Gjilanit.

Viti 1968 dhe demonstratat e studentëve në Prishtinë dhe të nxënësve në Gjilan,  Rukije Haliti paraqitet mbrojtëse kryesore e nxënësve të saj, të cilët akuzoheshin për pjesëmarrje në demonstrata. Në vitin shkollor 1970/71, ajo kalon në Gjimnazin “Zenel Hajdini” si profesoreshë e lëndës së Historisë, po në të njëjtin vit shkollor, rruga, puna dhe entuziazmi i saj ndërpritet nga një sëmundje e rëndë dhe e pa shërueshme. Ajo ndërroi jetë më 22 .XI. 1970 në spitalin e Shkupit, tash e 47 vjet më parë.

Vlen të ceket një gjest humaniteti i nxënësve dhe profesorëve të gjimnazit të Tetovës, të cilët ishin të njohtuar se Rukije Haliti gjendet në spitalin e  Shkupit për t’u shëruar dhe se asaj i duhet gjak. Nxënësit dhe profesorët e gjimnazit të Tetovës, në mënyrë të organizuar e vullnetare, kanë udhëtuar me autobus për në Shkup për t’i dalur në ndihmë, duke dhuruar gjak për shërimin e saj.

Rukije Haliti ishte femra e parë shqiptare e diplomuar në Fakultetin e Filozofik në Prishtinë nga Regjioni i Anamoravës. Puna dhe angazhimi i saj ka lënë gjurmë të pashlyera në shkollimin dhe emancipimin të femrave shqiptare. Respekti i qytetarëve të Anamoravës ndaj Rukijes, si profesoreshë e parë në Anamoravë dhe kontributi i saj në emancipimin e femrës shqiptar, e tregon më së miri, ku pjesëmarrja masive në varrimin e aj, masivitetit  i atij varrimi edhe sot mbahet në kujtesë të gjeneratave të asaj kohe. Ajo ishte një engjull e dijes dhe shembull e rrallë e një edukatore e arsimit shqip.

Sot një rrugë e Gjilanit e mban emrin e saj dhe me  respekt të posaçëm kujtohet nga nxënësit e saj, e cila ka qenë udhërrëfyese dhe shembulli i rrallë i edukatores me ditar në dorë. Vetë fakti që një rrugë e Gjilanit mban emrin e saj, trego qartë se ajo ende kujtohet nga ish nxënësit, kolegët dhe bashkëvendasit e saj me një respekt të posaçëm për punën dhe  angazhimin profesional që bëri si punëtore e zonja në profesionin e saj me ditar në dorë. Ajo i takon pljejadës së historianëve të njohur kosovar, siç janë: Muhamet Pirraku, Femi Pushkolli, Abdyl  Tahiri, Hysen Latifi etj.

Edhe pas kësaj jete të saj plot “dritë”, institucionet e komunës nuk i kanë kushtuar pak kujdes personalitetit dhe shembulit të rrallë të një femre, e cila e meritoi së paku një institucion ta ketë emrin e saj. Sepse, meritat e Rukije Halitit, tash e ndjerë, janë të mëdha, sidomos në zhvillimin dhe hapjen e shkollës shqipe, e cila pa hezitim punoi dhe zhvilloi aktivitet të denjë e të palodhshëm në emancipimin e femrës shqiptare, që është fakti që ajo ishte e para femër shqiptare me fakultet të kryer në Regjionin e Anamoravës.

Edhe Aliriza Selmani, profesor i  historisë,  tash në pension, për Rukije Halitin, ka shtuar se, “Rukija ka qenë një femër me të gjitha tiparet e larta njerëzore. Ajo ka pasur dije të jashtëzakonshme. I pati hije ditari në dorë, por edhe punën e bëri punë. Dinte ta organizojë orën mësimore. Ora e saj (mësimore) ishte një “takt” me vlera të larta mësimore e pedagogjike. Ia patëm lakmi punës së saj prej një femre intelektuale dhe e zonja. E donin shkollarët, por qe e respektuar edhe nga kolegët e punës ku punoi e veproi ajo.

Më kujtohet se, në gjeneratën saj të studimeve, ajo ishte e vetmja femër shqiptare. Si profesoreshë me diplomë të historisë ka qenë e para në Anamoravë e mbase edhe në Kosovë. Unë isha në gjeneratën e tretë dhe si i diplomuar, pas vdekjes së Rukijes, isha i vetmi në Komunë dhe ndoshta edhe në Anamoravë me diplomë prej historiani. Profesoresha Rukije i ka pasur hije fjala e puna. Në shkollën Normale ka punuar, ku edhe sot e përmendin nxënësit qëndrimin dhe disciplinën që ka mbajtur tek shkollarët e rinj. Rukija ishte femër me trup mesëm, pak e dobët nga shëndeti, por ishte mendje të hollë dhe zemërgjerë. Ishte një Afërditë e ditëve të kaluara...”

E, po poeti gjilanas, Haxhi Vokshi, në pllakën përkujtimore te varri i saj, pati shkruar këtë epitaf:

Këtu është mbyllur një zemër rinore;                                                                                                    Këtu është  shkëputur një dëshirë e madhe;                                                                                       Këtu është heshtur një pranverë  gazmore;                                                                                         Këtu pushon një lule e kësaj ane... (H.V)

Gjilan, 4 dhjetor 2017



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: