Lutfi Alia: 29 shtator 1943, aksioni te Kroi i Pishkashit, kundër ushtrisë gjermane dhe historia e kolonës Gamucci
| E Enjte, 07.12.2017, 08:31 PM |

29 shtator 1943, aksioni te Kroi i Pishkashit, kundër ushtrisë gjermane dhe historia e kolonës Gamucci

Nga Prof. Lutfi ALIA

Më 3 shtator 1943, kryeministri i Italisë, mareshalli Badoglio, firmosi armëpushimin me forcat aleate anglo-amerikane, të cilët i dhanë urdhër, t’ia komunikonte menjëherë popullit italian, këtë vendim. Badoglio hezitoi e nuk po e shpallte armpushimin, por anglo-amerikanët i bënë presion duke bombarduar Romën dhe Napolin.

Më 8 shtator 1943, në orën 18 : 30, gjenerali Dwight Eisenhower, në Radio Algjeri, proklamoi kapitullimin e Italisë Fashiste. Një orë më vonë dhe kryeministri Badoglio u detyrua ta njoftoi popullin italian, për kapitullimin dhe firmosjen e armëpushimit.

Gjenerali Maitland Wilson, komandanti i forcave aleate në Mesdhe, urdheroi trupat italiane t’i dorezonin armët partizanëve dhe të luftonin kundër gjermanëve, ndërsa Gjenerali Dalmazzo komandanti i ushtrisë italiane, bëri të kundërtën, mori nje vendim fatal. Ndërsa një perfaqesues i tij, në takimin me kapitenin britanik Seymour (agjenti i SOE në Shqipëri), diskutonte mundesitë e bashkëpunimit të italianëve me aleatët, vetë gjenerali Dalmazzo më 12 shtator firmosi marrëveshjen me Komanden gjermane në Shqipëri, per transportimin e ushtareve italianë ne Manastir, nga ku do të merrnin trenin për në Beograd.

Shpallja e armëpushimit krijoi konfuzion në ushtrinë italiane, pasi shumica e konsideruan si fundin e luftës. Në mungesë të urdhërave të sakta, komandat dhe ushtarët italianë, u ndjenë të braktisur dhe të çoroditur. Shumica e ushtrisë u kapën nga gjermanët, që i dërguan në kampet e shfarosjes në Gjermani; oficerat e Divizionit “Peruxhia”, që kundërshtuan t’i dorëzojnë armët, u pushkatuan nga gjermanët; ushtaret e divizionit “Brennero” i hodhën armët dhe nga Durresi u kthyen në Trieste; ndërsa një pjesë, si rasti i Divizionit “Firence”, u lidhën me lëvizjen nacional-çlirimtare dhe së bashku luftuan kundër pushtuesve gjermanë.

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, sapo u informua për kapitullimin e Italisë, menjëherë i drejtoi thirrje forcave partizane dhe popullit, të vazhdonin luftën kundër pushtuesit të ri: “Sot më tepër se kurrë, duhet t’i tregojmë armikut tjetër, invazorit gjerman, fuqinë dhe vendosjen tonë, për luftën e shenjtë çlirimtare”. Në udhërin e Shtabit të Përgjithshëm, drejtur komandave të formacioneve partizane, theksohej të godisnin pushtuesit gjermanë dhe të merrnin në mbrojtje ushtarë italianë, që ishin çoroditur nga situata e armëpushimit, pasi rrezikoheshin të ndëshkoheshin nga gjermanët, ose të dërgoheshin në kampet e shfarosjes në masë në Gjermani.

Pikërisht ato ditë, komanda e Batalionit të Martaneshit, mori urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm, që së bashku me Batalionet e Çermenikës, të Berzeshtës dhe me Çetën e Shëngjergjit, të sulmonin kolonën gjermane, që shoqëronte mbi 1000 karabinierë, financier, roje me kuaj e 450 këmishëzinjë italianë, të komanduar nga kolonel Gamuçi, komandant i Legjionit të Karabinierëve të Tiranës.

Largimi i ketyre forcave italiane, u urdhërua nga gjeneral Lorenzo Dalmazzo, Komandanti i Armatës IX, pas akordit me komandën e pergjitheshme gjermane. Kolona u nis nga Tirana për në Manastir, ku do të merrnin trenin për në Beograd, nga ku shpresonin të riatdhesoheshin.

Një pjesë e ushtarëve marshonin në këmbë, të tjerët në kamiona. Autokolona paraprihej nga batalioni 26° i këmishëzinjëve, që udhëtonte një kilometër para kësaj kolone masive e skortuar nga forcat gjermane.

Forcat e bashkuara partizane, organizuan pritë te Kroi i Pishkashit, 3 km mbi Qukës. Në një pjesë të ngushtë të rrugës, para një kthese, partizanët e bllokuan kalimin me gurë, që i rrokullisen nga shkëmbi përballë. Të gjithë partizanët u pozicionuan në anën lindore për gjatë shpatit të malit, duke vënë nën kontroll tërë gjatësinë e kolonës, ndërsa në anën perëndimore ndodhej lumi i Shkumbinit dhe shpati i pjerrët e i pakalueshëm.

Pritën te Kroi i Pishkashit, e përshkruan në ditar nëntogeri Franko Galiardi (regjimenti 49° i artilerise, i Divizionit Parma: “Pas një ndalimi të shkurtër në Librazhd, rifilluam marshimin … Në Qukës, autokolona e jonë, i la pas karbinierët e Legjionit të Tiranës. Rrugës shohim ushtarë që ecin në këmbë, të lodhur, të djersitur e të revoltuar. Në orën 12 : 30, një masë ushtarësh u kthyen me nxitim prapa duke thirrur: “Rrebelët! Rrebelët!” Në largësi 50 m para meje, rruga ishte bllokuar me gurë. Batalioni 26° i këmishëzinjëve, e shtyu prapa masën e ushtarëve dhe të mushkave që ktheheshin me rremujë. Autoblindat gjermane përpiqeshin të dilnin në krye, por ishte e pa mundur. Partizanët janë shumë afër, të pozicionuar në bregoren e kodrës, me armët drejt nesh, por nuk qëllonin. Një zë i fortë na ftonte të shkonim në mal së bashku me ata, për të luftuar pushtuesit gjermanë. Partizanëve nuk u interesonim ne, por karabinierët dhe kemishëzinjët, që ishin të armatosur…”  (Ditari i nentogerit Franco Galiardi)

Thirrja e partizanëve, që të dorëzoheshin e të luftonin së bashku kundër gjermanëve, u përsërit disa herë. Të parët u dorëzuan ushtarët dhe karabinierët, që kishin marshuar në këmbë, më pas oficerat. Autoblindat gjermane hapën zjarr kundër pozicioneve të partizanëve. Në qendër të luftimeve, ishin partizanët e Batalionit të Martaneshit, aty ku ishte përqëndrimi më i madh i ushtarëve gjermanë. Hysen Koxherri me breshëritë e mitralozit dhe zjarri i dendur i armëve të partizanëve, e bllokuan mësymjen e forcave gjermane.

Shkëmbimi i zjarrit vazhdoi disa orë. Sulmi i gjermanëve në krye të rrugës vazhdoi me përleshje trup më trup, ku u vranë disa ushtarë gjermanë, ndërsa në rradhët e partizanëve mbetën të vrarë Shaban Kenga dhe Emin Balla.

Dy kompanitë e ushtarëve gjermanë e braktisën kolonën me ushtarë, dhe pasi morën një pjesë të ushtarëve dhe milicëve italianë, vazhduan rrugën në drejtim të Prrenjasit, kaluan Qafë Thanën dhe arrijtën në Strugë.

Për luftimet te Kroi i Pishkashit, Komanda e Përgjithëshme e Xhandarmërisë, me shkresën Nr. 28/1 – Rezervat, dt. 29. 09. 1943, informonte Ministrinë e Punëve të Brendëshme: “.... Më 29 shtator 1943, në vendin e quajtur Kroi i Pishkashit, 3 km larg Qukësit, asht atakue një çetë partizane me një autokolonë me ushtarë italianë, që udhëtojshin prej Librazhdit për në Strugë, një pjesë me makinë e pjesa tjetër në këmbë...”

Për aksionin te Kroi i Pishkashit, në veprën “Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar: prill 1939 - nëntor 1944, Tiranë 1984”, është shkruar: “Forcat partizane hapën zjarr të befasishëm dhe një autoblindë e dy makina u përfshinë në flakë. U ndezën luftime të ashpra. Armiku kundërsulmoi disa herë, por kur e pa se po pësonte humbje të ndjeshëme në forca e në mjete, u detyrua të tërhiqej drejt Qafës së Thanës. Në këtë aksion u vranë 20 ushtarë gjermanë dhe u kapën rreth 1000 ushtarë, karabinierë, nënoficerë e oficere italianë, 700 pushkë, 39 mitrolozë të lehtë e të rëndë, 14 mortaja, 51 kuaj e mushka dhe 16 makina të ngarkuara me municione, me ushqime e veshmbathje. Gjatë luftimeve mbetën të vrarë dy partizanë, Shaban Kenga nga Martaneshi dhe Emin Balla nga Shëngjergji”.

Trupi i partizanit Shaban Kenga nuk u gjet. Rreth vrasjes së tij, u krijuan shumë hamendësime. Thanë se u plagos dhe e morën gjermanët në një kamion, të cilët e çuan në një kamp përqëndrimi në Gjermani, por kjo nuk ishte e vërtetë. Ngjarja u sqarua në vitin 1970, kur një fshatar nga Prrenjasi, tregoi, se pasi ishin larguar partizanët, e kishte gjetur trupin e Shaban Kengës dhe e kish varrosur në varrezat e fshatit.

Pas përfundimit të luftimeve, forcat partizane dhe kolona e ushtarëve italianë që u dorëzuan, nisi marshimin në drejtim të Çermenikës, të shoqëruar nga partizanët e Batalionit të Martaneshit, të Çer-menikës dhe të Çetës së Shëngjergjit. Armët, municionet dhe materialet e tjera u ngarkuan në disa kamiona, ndërsa ushtarët e të gjitha njësive që u dorëzuan, vazhduan udhëtimin në këmbë.

Këtu fillon historia dhe fati tragjik i kolonës Gamuçi.

Ndonëse kjo histori nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me Martaneshin, por përderisa në disa rrethana e në disa ngjarje, janë të pranishëm dhe partizanët e Batalionit të Martaneshit, po prezantoj një panoramë të shkurtër, si e trajtojnë autorë te shumte, me synim për të hedhur dritë mbi disa aspekte ende të errëta dhe të pa sqaruara rreth kësaj historie.

Intermexo

12 shtator 1943, gjenerali Dalmazzo firmosi marreveshjen me Komanden e Pergjitheshme te

Ushtrise gjermane ne Shqiperi, per evakuimin e trupave italiane.

15 shtator 1943, forcat ushtarake të Tiranës filluan pergatitjet per marshimin e gjate.

25 shtator 1943: Kolona Gamuçi la Tiranën e pas udhëtimit me shume peripeci per në Elbasan,

vazhdoi rrugën për në Librazhd, Strugë, me destinacion Manastirin.

Në Qafë Kerrabe (km 17), kolona u sulmua nga partizanët. Mbi 500 ushtarë italiane iu dorëzuan

forcave partizane. Pjesa tjetër e kolonës vazhdoi marshimin drejt Elbasanit.

Pas një pushimi të shkurtër në Elbasan, kolona vazhdoi rrugën për në Librazhd.

29 shtator 1943: Prita e partizanëve te Kroi i Pishkashit, dorëzimi masiv i ushtarëve dhe i oficerëve

italianë.

29 - 30 shtator 1943: Marshimi nga Kroi i Pishkashit, në intinerarin Qukës, Skroskë, Përroi

Bushtricës, Guri Stafës, Vlash, Qarrishtë, Fushë Studen, Lunik, Orenjë, Fushë Gurrë.

1 tetor 1943: Kolona Gamuçi arrin në Lunik. (203)

2 tetor 1943: Kolona arrin në Orenjë. Karabinierët me disa oficerë i dërguan dhe i sistemuan në Fushë

Gurrë, ku ishin nën kontrollin e rreptë të rojeve partizane të Batalionit të Çermenikës.

Rrugëtimi i kolonës Gamuçi, nga Tirana deri te Kroi i Pishkashit (vija me ngjyrë blu) dhe udhëtimi deri në Orenjë (vija ngjyrë të zezë). (T. Mereu, L. Mereu. La Colonna Gamucci. Alla ricerca della Verità. Alcione, Trento 2014)

2 tetor 1943: Partizanët e Batalionit të Martaneshit, pasi morën një sasi armësh, dy mitroloza

Bredda, municione dhe ushqime, u kthyen në Ballejë. Gjithashtu morën një togë me ushtarë

italianë, disa prej të cilëve i mbajtën në Ballejë, ndërsa të tjerët i shpërndanë në shtëpitë e

fshatarëve.

3 tetor 1943. Forcat partizane të Batalionit të Çermenikes, i çarmatosen të gjithe karabinierët dhe

ushtarët e tjerë, ndërsa oficerave iu lanë vetëm pistoletat.

8 tetor 1943: Kolonel Gamuçi dhe grupin e oficerave i izoluan në ndërtesën e komunës së Zdrajshës,

ku ishin nën kontrollin e rojeve partizane të Batalionit të Çermenikës.

10 tetor 1943: Oficerët e misionit anglez Smiley e McLean kryen një vizitë të shkurtër në bazën e

robërve italianë te Guri i Muzhaqit dhe pas një bisede me Kadri Hoxhën, u larguan për në Fushë

Bizë, ku pritej të zbarkonte gjeneral brigade ‘Trotsky’ Davies.

15 tetor 1943: Në orën 14:00, nëntoger Galiardi dhe kapiten Karboni, u takuan dhe biseduan me

komandantin Kadri Hoxha, i cili pyetjes së tyre: “Çfarë do të bënin me oficerët italianë”, iu tha:

“Per quanto riguarda gli ufficiali, una soluzione definitiva è in via di attuazione – për sa i përket

oficerëve, është në rrugë zgjidhja përfundimtare”. (Intervista televizive e Kadri Hoxhës më 1996)

16 tetor 1943: Në Fushë Gurrë arrin Xhelal Staravecka me Batalionin II të Brigadës I Sulmuese, me

detyrë: “Zbatimin e urdhërit të Dushan Mugoshës dhe të Mehmet Shehut: Pushkatimi i

karabinierëve dhe i oficerave”. Xhelal Staravecka qëndroi në Fushë Gurrë 48 orë.

16 tetor 1943: Komanda e Batalionit të Çermenikës, urdhëroi kolonel Gamuçin dhe kapiten

Ramiddin, që ende ndodheshin ne Zdrajsh, të paraqiten në Fushë Gurrë, për t’u nisur me kolonën

e karabinierëve për në Burrel. Sipas ditarit te nëntoger Galiardi, kolonel Gamuçi dhe kapiten

Ramiddi, u larguan nga Zdrajsha në orën 16 : 00, të datës 16 tetor.

Guri i Muzhaqit

17 tetor 1943: Me një letër, me firmë apokrifa të Kolonel Gamuçi, ftohej grupi i oficerëve të tjerë, të

izoluar në Zdrajsh, të shkonin në Fushë Gurrë, për t’u nisur dhe ato për në Burrel.

Në mëngjesin e 18 tetorit, ky urdhër u anullua përkohësisht, me motivin se udhëtimi për në Burrel

nuk ishte i sigurtë.

17 tetor 1943: Atë ditë, u ekzekutuan 111 karabinierët dhe 10 oficerët italianë, si ka dëshmuar Xhelal Staravecka, komandanti i Batalionit II të Brigadës I S: “Më zgjuan në mesnatë e më thanë të paraqitem në shtab. Kur hyra brenda më priste Dushan Mugosha, me sytë që i ndrisnin. Ai më tha: Në Orenjë të Çermenikës janë 111 karabinierë italianë, merr batalionin tënd dhe shko e pushkatoi, sepse kemi nevojë për uniformat, që të veshim partizanët. Mos fol me asnjë se është sekret e në rast se e zbulojnë të tjerët, do të protes-tojnë kundër nesh, sidomos tani që janë miq të aleatëve. Më keq do të jetë, nëse e zbulojnë ata të Ballit Kombëtar, do ta kenë një armë më shumë kundër nesh. Gjithçka që tha Mugosha ishte urdhër, nuk diskutohej. Shkova në Orenjë, në qendrën e Batalionit të Çermenikës … ku të gjithë ishin në dijeni. Të nesërmen, mora 111 karabinierët së bashku me kolonel Gamuçi, komandantin e tyre dhe rreth 10 oficerë. Iu thashë se do të shkojmë në Burrel. Pas dy orë udhëtimi, ndaluam, i lidhëm karabinierët dhe pasi i ndava në 5 grupe, i zhveshëm e më pas i pushkatuam … Për pushkatimin e karabinierëve dhe oficerëve të tyre, u angazhua Kadri Hoxha, duke përdorur batalionin tim, ndërsa 17 prej tyre i kam pushkatuar unë me dorën time …”

Praninë e Kadri Hoxhës në pushkatimin e kolonel Gamuçi, të oficerëve dhe të karabinierëve, e dëshmon dhe ushtari italian Mario Erriko, i vetmi që shpëtoi nga pushkatimi. Mario Erriko, nuk ishte karabinier, andaj Kadri Hoxha e largoi dhe ia shpëtoi jetën. Pas dy ditësh e caktoi magazinierin e uniformave, armatimeve, paisjeve dhe objekteve personale, të sekuestruara karabinierëve.

Kjo masakër, nuk mund të jetë vepër vetëm e një apo dy personave. Sigurisht në dy javët e para të tetorit, Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Dushan Mugosha, Tahir Kadare dhe Ramadan Citaku etj, së bashku e kishin vendosur pushkatimin e karabinierëve dhe të oficerëve, çka konfirmohet me letrën, që Mehmet Shehu i dërgoi komandës të Batalionit II, më 29 tetor 1943, ku theksonte: “Komandanti ishte kolonel Gamucci, zv-komandanti i Gjykatës Supreme të Karabinierëve (Gjykata Ushtarake)... ”

Nuk është rastësi, që kjo masakër iu ngarkua Xhelal Staraveckës, i njohur për agresivitetin, për akte violence dhe pushkatimet në grupe të robërve italianë, sidomos të karabinierëve.

Pas këtyre qëndrimeve dhe masakrës në Fushë Gurrë, Xhelal Staravecka e tradhëtoi luftën Nacionalçlirimtare dhe shkoi në Xhandarmërinë e regjimit fashist, të cilet e shpërblyen duke i dhënë gradën kapiten i parë, me detyrë në komandën e Xhandarmërisë të Tiranës.

Pas luftës u arratis në Itali, por emri i tij ishte i njohur për aktet kriminale, andaj e arrestuan, e gjykuan dhe e dënuan me burgim.

Jetën e tij si partizan, pushkatimin karabinierëve dhe të oficerëve italianë dhe aktivitetin si oficer xhandarmërie, i ka treguar në librin, e botuar në Tiranë në vitin 2006, nga Shtëpia Botuese “Naimi”.

Kadri Hoxha, në kujtimet e tij për vitet e luftës dhe në intervistën televizive në vitin 1996, ka akuzuar Xhelal Staraveckën për pushkatimin e karabinierëve dhe oficerëve italianë.

Xhelal Staravecka, pranon se ai e ka drejtuar pushkatimin dhe se i ka vrarë me dorën e tij 17 karabinierë, por thekson dhe praninë e Kadri Hoxhës në këtë masakër.

Praninë e Kadri Hoxhës e deshmon edhe ushtari Mario Erriko.

Kush ka të drejtë në këto akuza reciproke?

Partizanët e Batalionit II të Brigadës I, pjesëmarrës në ekzekutimin e karabinierëve italianë dhe partizanët e Batalionit të Çermenikës, që kishin dijeni për atë ndodhì të kryer ne territorin e tyre, për fat të keq heshtin, nuk prononcohen, duke e bërë edhe më enigmatike këtë ngjarje, madje, me kete qëndrim ia kalojnë përgjegjësinë dy komandantëve të tyre, Xhelal Staraveckës dhe Kadri Hoxhës.

Edhe një enigëm tjetër. Kolonel Giulio Gamucci kishte studiuar në Akademine Ushtarake të Napolit, bashkë me Mehmet Shehun dhe Kadri Hoxhën, pra njiheshim mes tyre. Atëhere përse e eleminuan “mikun e vjeter”?

A justifikohet pushkatimi i kolonel Gmuçit, pa një proçes gjyqësor dhe vetëm me akuzën, si nën-kryetar i gjykates ushtarake?

Po 111 karabinierët dhe 10 oficerat e tjerë, me çfarë akuze u pushkatuan?

23 tetor 1943: Dy oficerat e misionit ushtarak britanik, David Smiley dhe Billy McLean, shkuan në takim me Shtabin e Përgjithshëm në Labinot, ku takuan edhe gjeneralin Azzi, ish-komandanti i Divizionit “Firence”, që ishte përfaqësuesi i ushtrisë italiane pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, por asnjeri nuk jep informacione rreth ekzekutimit të kolonel Gamuçi dhe të karabinierëve.

Misioni ushtarak britanik, më 10 tetor e kishte vizituar kampin ku mbaheshin karabinieret, pra e njihte mire situaten, sigurisht dhe Kadri Hoxha i kishte i informuar për këtë ngjarje, por për të mos u akuzuar ortakë në këtë masakër ata kanë heshtur. 

Bibliografia 

1. Dokumenta të Shtabit të Pergjithshëm dhe të Komandës së Përgjithëshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare.

Tiranë. 1965

2. Proclama del Generale Lorenzo Dalmazzo, comandante del IX Armata. Tirana, 12 settembre 1943.

3. Tulio Mereu. Da Tirana a Fushe Gurra, la storia della colonna Gamucci. 2004

4. Franco Galiardi, S. tenente, 49o art. Div. Parma, autore del diario sui movimenti

della Colonna Gamucci. 1943.

5. A.Q.PPSH, Fondi 41, Dosje 20, Nr 5, viti 1943

6. Tullio Mereu, Laura Mereu. La Colonna Gamucci. Alla ricerca della Verità. Alcione, Trento, 2014.

7. Alessandro Serra. Albania 8 Settembre ’43- 9 Marzo 1944. Longanesi, Milano, 1974.

8. Xhelal Staravecka. Përpara gjyqit të historisë: 1912-1966” Botimet “Naimi”. 2012

9. Archivio Storico Dipl. Mininistero Esteri Itialiano. (Affari Politici 1946-1950 Albania -Busta n.15)

Dichiarazione autiere Mario Errico, datata 5 gennaio 1946.

10. Antonio Magnano. L’eccidio della Colonna Gamucci. Storia dei Carabinieri Reali comandati dal colonello

Giulio Gamucci. Roma, Herald Tribune, 2015, f. 30 – 120

11. David Smiley. Albanian Assignment. Hogarth Press, London, 1984



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: