http://www.zemrashqiptare.net/
Zemra Shqiptare

Gani Mehmetaj: Shkodra - si e imagjinoja dhe si ishte (1)
| E Merkure, 06.12.2017, 09:16 PM |

Shkodra - si e imagjinoja dhe si ishte (1)

Nga Gani MEHMETAJ

Shkodrën e kam njohur nga fëmijëria sikur të kisha jetuar në të, ndërsa e vizitova në moshë të pjekur. Janë disa rrëfime që ma kanë dhënë imazhin e Shkodrës si për asnjë qytet tjetër në botë.

Rrëfimin e parë e kam dëgjuar për legjendën e Kështjellës së Rozafës. Me dhimbsej deri në lot përvëlues nusja e vëllait të vogël, që pranoi të flijohej për t'u forcuar themelet e ngrehinës. Rrëqethesha e mrekullohesha njëkohësisht, kur dëgjoja për guximin e gruas me foshnjë në gji. Rrëfimi emocional e pikëllimtar i nënës sime tregonte se gruaja që po e flijonin nuk iu frikësua vdekjes sa i druante së ardhmes së foshnjës. Në çastet e fundit para se ta murosnin ua la porosinë kunetërve: Gjirin e djathtë jashtë të ma lini, që ta ushqej foshnjën me qumësht; dorën e djathtë mos ma mbuloni, që ta përkëdhel të voglin kur të më kaploj malli; këmbën e djathtë mos ma gurëzoni, që ta përkund djepin kur foshnjën të mos e zërë gjumi. S'merrja frymë nga kureshtja, bebëzat më zgjeroheshin.  "Asht nji kru në murin e kështjellës që pikon tamel në vend të ujit", tregonte nëna në fund të rrëfimit. Aq shumë më kishte lënë mbresa rrëfimi tronditës nga fëmijëria, sa provova më vonë disa herë ta rirrëfeja në letër, ashtu si e kisha dëgjuar. Nuk ia dola. Nuk i kapja nuancat magjike të rrëfimit për sakrificën e besën. Nëna ime kurrë nuk e kishte parë Kështjellën e Rozafës, nuk dinte as shkrim e lexim, ndërsa e dinte aq mirë legjendën sa më linte gojëhapur.

Rrëfimin e dytë e kam dëgjuar për Norën e Kelmendit. Mrekullohesha me këtë vajzë trime. Nga rrëfimi i tretë mësova për malësoren, që u martua në qytetin e Shkodrës, por burri ia preu në besë vëllezërit. Nuk tronditesha as kur ajo vrau burrin spiun të turkut, por kur ajo vuri dorë mbi djalin, gjakun e vet, më shushati për javë të tëra. Më vonë e dëgjova qindra herë këngën "Fryni era na u çel taraba...", e lexova edhe dramën, mora pjesë në përgatitjen e shfaqjes në shkollën fillore në Pejë, sa shumë grindeshim mes vete, sepse askush s'donte të luante rolet e turqve.

Këngët shkodrane dëgjoheshin në lagjen time, dëgjoheshin në qytet e më gjerë. Luçie Miloti, Marie Kraja, Bik Ndoja, Violeta Zefi, Shyqri Alushi etj. ishin aq popullorë. Në shkollën fillore mësuam poezinë "Marsi" të Luigj Gurakuqit për plakën që tha: Po marr gjanë e n' bjeshkë po dal, me çka pat e ngrini n'mal", por unë tashmë e kisha dëgjuar nga gjyshja ime fatin e plakës kryeneçe, që s'pyeti për kohën. I tregova gjyshes që këtë përrallë e shkruante në vargje edhe Mjeda, ajo e pa me vëmendje fotografinë e tij dhe m’u përgjigj: sa i përgan (ngjan) kushëririt tonë, Ramës. Gjyshja ishte e sigurt se kjo fatkeqësi kishte ndodhur sipër burimit të Drinit të Bardhë. Plaka e delet e gurëzuara aty ishin, në shkëmbin e skalitur, disa kilometra larg nga Peja. Dhe unë e kam besuar një kohë të gjatë, sepse të gjithë e thoshin në Rrafshin e Dukagjinit.

Shkrimtarët, që nga Marin Barleti, Frano Bardhi, Pjetër Budi, Filip Shiroka, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Migjeni, Gjergj Fishta, i pata në tryezën e leximit gjatë tërë fëmijërisë e rinisë së hershme. Mbaj në mend se “Lahutën e Malcisë” e lexonim me aq frikë se mos na spiunonte kush. Kur e deklamonte para nesh mësuesi i letërsisë, Ludvig Nekaj, poezinë "O moj Shqypni", të Pashko Vasës, zëri i dridhej, fytyra i skuqej, në klasë askush s'merrte frymë.

Ndërkaq, poezinë "Andrra e jetes- Trina" të Mjedës edhe sot e di përmendsh dhe e recitoj me mall. Dy personazhet-  Zoga e Lokja - të kësaj poeme të dhimbshme, i kujtoj si atëherë, si sot.  "Poemën e Mjerimit" të Migjenit  e mësova përmendsh, por çuditërisht nuk provova të shkruaj si ai, imitoja Mjedën e Shirokën.

Kur e mësonim historinë e klasës së pestë sa shumë i urreja romakët që e sulmuan dhe e pushtuan Shkodrën, ndërsa më mrekullonin mbretërit ilirë, Teuta, Agroni, Genci. Sa me zemëronin venedikasit që ua hëngrën shpirtin arbërorëve e Gjergj Kastriotit, në vend që t'i ndihmonin kundër armikut më të madh të qytetërimit evropian, Perandorisë Osmane. "Rrethimi i Shkodrës" e "Shkodra e rrethueme" ishin librat që i lexova me një frymë, me gjithë vërejtjet e më të mëdhenjve se ata nuk ishin libra për moshën time.

Baba, rrëfimtari i tretë në familjen time, kishte stil epik të tregimit të ngjarjeve e të përjetimeve. Kurrë s'pushoi së foluri për Shkodrën, qytetin e përjetshëm, më të mirin, më të madhin, qytetin e pashoq, që nuk e ka kush në botë. Por kur e mbërthente shkulm pafuqie, që s'mund të shpërthente pengesat kufitare e ta vizitonte, thoshte: Mos më daltë shpirti pa e pa! Me gjithë mallin që e gërryente, asnjëherë nuk e pa Shkodrën, nuk e pa as shtëpinë a rrënojat që kishin mbetur nga shtëpia e të parëve.

Tregimi për ikjen e të parëve të mi nga qyteti më i bukur në botë ishte sa i pikëllueshëm, po aq i mjegullt për mua, sepse kurrë nuk e mora vesh pse ikën dhe pse i lanë të gjitha.

Ndërkaq, bëmat e Ernest Koliqit, ministrit që i hapi shkollat shqipe nga Dardania e vjetër deri në Pazar të Ri, Tetovë e Strugë, nuk i hiqte nga goja asnjëherë. S'ka me shkollat e Shqipnisë së vjetër, na thoshte në çdo bisedë kur binte fjala për arsimin e djeshëm e të sotëm. Nga rrëfimet e tij e kisha imagjinuar Shkodrën, qytetin më të madh e më të bukur në botë. Për ta ilustruar zotësinë e korrektësinë e shkodranit, e tregonte rrëfimin për austriakun ushtar, i cili e la orën e dorës te një orëtar shkodran para se të mbaronte Lufta e Parë. Kur u kthye oficeri në Luftën e Dytë më 1943, shkoi të orëtari  dhe ia kërkoi orën e lënë para 25 vjetësh. Shkodrani esnaf nxori orën e austriakut nga sirtari, ia dorëzoi të ndrequr dhe ia kërkoi hakun e dorës. Austriaku mbeti gojëhapur.

Në fëmijërinë time baba më fliste me dashuri për qytetin e Shkodrës, megjithëse nuk e vizitoi kurrë. Dinte diçka për qytetin e gjeografinë e shtrirjes nga rrëfimet e të parëve të tij, dinte se trungu familjar lidhej me Kolën a Nikollë Kazazin, por ç'bënin e ku ishte pjesa e mbetur e trungut, nuk e kishte idenë.

Shumë vjet më vonë (1982) u bëra xheloz në ciceronin (guidën) malazez kur na solli nga Cetina, kryeqyteti i vjetër malazez në një bjeshkë të lartë, ndërsa nisi të tregonte se atje tej mjegullës është qyteti i Shkodrës, vendi i përrallave, sikurse i kishin thënë pleqtë. Isha me një delegacion kineastësh ndërkombëtarë. Sa më sëmboi fjala e tij, sepse sllavi fliste me lakmi për qytetin tim të ëndrrave. M’u duk sikur ma mori një copë të qytetit të fëmijërisë.

Nesër: Shkodra e periudhës së lavdishme