Jak Përpali: Mos u dorëzo, Azgan!
| E Merkure, 06.12.2017, 07:24 PM |

MOS U DORËZO, AZGAN !

Nga Jak PËRPALI

Mora një lajm që më trishtoi…!

Familja e z. Azgan Haklaj largohet nga Atdheu për të gjetur siguri jete dikund në Perëndim, diku në Francë.

Ndërkohë kërkova për ta takuar Azganin.

Pak ditë më parë e kisha parë në televizion, në një Festival në Mal të Zi, me artistë nga të gjitha trevat shqiptare. Mendova se, po e përmbyllte aktivitetin e tij në drejtimin e Unionit Artistik të Kombit Shqiptar (UAKSH) dhe, ndoshta, i dëshpëruar, po ikte edhe ai Vet duke lëshuar një zbrazti të pazëvendësueshme.

Kjo, duke gjykuar se askush si Azgan Haklaj, për një çerek shekulli nuk ka arritur të krijojë një organizëm të ngjashëm kaq të gjallë me frymën e shpirtit të trashëgimisë së interpretimit të instrumenteve të lashtë, të këngës e valles  popullore shqiptare. I përkushtuar e i respektuar nga interpretuesit e këngëve e valleve të mbartura që nga hershmëria e rracës shqiptare nëpër shekuj.

Kisha bashkëpunuar prej kohe me Azganin si këshillues për tekste të këngëve e për gjithçka tjetër që iu shërbente aktiviteteve që ai i organizonte kudo ku banonin shqiptarët. Kurrë nuk arrita të shquaj tek ai: tërheqje, pesimizëm apo rënie të shpresave.

Azgan Haklaj kishte një ndriçim aq të gjallë sa më mahniste. Ai nuk i përmendte kurrë vuajtjet e rreziqet që kishte kaluar dhe as ato që i kishte të pranishme. Jo. Ai kishte dritë në sytë e tij, në bisedat e tij.

A thue ishte thyer ai Azgan, që kishte dalë në krye përmes kaq kurthesh e ligësish kishte përballuar disa atentate?!

Isha duke ndërmendë, ashtu në përzijshmëri të mugullt, kohën e shtresuar mbrapa, ngjarjet, përballimet dhe po përpiqesha me kapë një fill ku mund të jenë ringjallur qëniet e egra të errësirës me kërcënime ndaj tij dhe familjes së tij.

Ndërkohë e takoj Azganin aty në kafe, te Opera, në Tiranë. E pata të vështirë ta pyes dhe, ngaqë nuk u ndjeva mirë aty i kërkova të ngriheshim pasi kishte shumë të njohur artistë që vinin dhe më ngjante se prania e përshëndetjet e tyre do më pengonin të kuptoja diçka. Sy ndër sy u kuptuem dhe dolëm në rrugë. Ecëm të heshtur aq sa mendohesha për të thënë diçka, po prapë mbetesha i ndrydhur pa arritur ta pyes…!

Azgani kishte ulur kokën e ecte më i rënduar se kurrë që kur njiheshim bashkë. Një heshtje aq sa s’mund të shkëputesha, aq sa s’mund të flisja, por ashtu, në ecje, arritëm në një kafe të vogël dhe në mirëkuptim të heshtur u ulëm aty. Heshtje dhe trishtim në sytë e tij. E kishte kuptuar çfarë po endja nëpër mendime…

Ajo, egërsia që ishte shfaqur e ç’thurur në ato fillime, në shndërrimet e para, të cilat i besuem demokratike, kishte ecur përpara, ishte rritur, ishte pjekur dhe kishte pushtuar jetën tonë. Ata, që në ato fillime i menduem si çlirime të vuajtjeve tona, duke i ikur diktaturës me vjedhje të rëndomta e spekullime, ishin sythet e një peme kanceroze që do të pushtonte trupin e rrënuar të Shqipërisë. Do të bëheshin kafshët e egra që do të shqyenin gjithçka me forcën e banditëve, që i majmte pushteti i pushtave. Kështu, këta, u bënë zotëruesit e ekonomisë dhe të institucioneve të një shteti. Ata intelektualë, që u bënë qëndrestarë në ideale të demokracisë, u rrënuen apo me kohë u përkulën dhe u nënshtruan. Të tjerë, që u mbajtën pa u thyer, u rrënuen e sot mund t’i takosh të mjerë e të pashpresë. Të tjerë prehen në varreza. Të tjerë e lanë Atdheun para se të endeshin rrugëve të përçmuar apo para se t’i dorëzoheshin varrit, pa arritë me shpjegue se çfarë kishte ndodhur… Shpesh më është kujtuar ajo thënia: “Ja tregoj vetëm gurit të varrit”!

Ti me dhimbsesh miku im, Azgan, sepse me përpjekjet e tua ke qëndrue këtu, në Shqipëri, edhe kur mund’ të të përpinte varri, por tashmë fëmijët e tu dhe nëna e tyre, bashkëshortja jote, nuk mund të mbrohen…!

Më thue se nuk ke ndërmend të tërhiqesh, se do ta drejtosh Unionin Artistik të Kombit Shqiptar. Dhe, ja… Me Ty, dikush, gjithmonë, duhet të qëndrojë deri në fund edhe në kontributin tënd në politikë, por druej se do të zhgënjehesh edhe më tej…!

A e di pse?! Është fryma e ligë që nuk do largohet pa e kryer ciklin e saj. Një mbrapshti e madhe sundon kudo. Një popull në ankth që nuk ka kohë e energji të reagojë. Liri e marrë peng.  Shquaj se, asgjë nuk është aq e fortë sa të gjëmojë e të shpojë veshët e ndërgjegjes së një populli të rënë në gjunjë nga klikat ekonomiko-mafioze. Partitë janë trinia e një valleje që luhet duke shkelmuar çdokënd që nuk është në vallen e tyre.

Vërtetë e rëndë shtypja kudo, por prapë po ta them: Druaj se kërcënimi me vdekje i familjes tënde, o Azgan, është drejtpërsëdrejti për Ty, për rrënimin Tënd.

Miku im i çmuar,  Azgan Haklaj, unë e kam të vështirë të ulem e të shkruaj për asgjë, çfarëdo qoftë, në këtë çerdhe të harbuar horrash, por kam fatin që jam futur në shpirtin e poezisë dhe me lëndën e saj mbaj gjallë shpirtin tim. Kam hedhur në fletoret e mija edhe lodhjen time deri pranë shuarjes nga vuajtja e një kohe të marrëzishme dhe shpesh kam menduar se, nëse një ditë-natë mos vinte policia e pasi të më merrte mua do të m’i rrëmbente të gjitha shkrimet e mija dhe do m’i zhdukin ato. Nuk kam mundur të kuptoj përse kjo gjendje, kjo trandje, që ka shuar shpresat në këtë vend !  Kudo vërej fytyra të mbytura në vuajtje, në pamundësi me ja dalë jetës. Kudo frika, për pa u ndjerë kërkund fajtorë. Po, frika është nëse nuk përshtatesh, nëse nuk dorëzohesh më dhe tek e liga!

Këto, miku im, Azgan, t’i kam shprehur vite më parë, por Ti kishe më tepër shpresë. Ja që zhytja në thellësi të së ligës vazhdon. Rrjetat e merimangës bëhen më të shpeshta dhe mbulojnë me mburoja njëra- tjetrën. Ngado që të shkosh rrjetën e ke mbi kokë, gati për të ta hedhur e për të të mbajtur brenda në përpëlitje. Bile, e tërë Shqipëria është brenda një rrjete të thurur mjeshtërisht dhe cilido që nuk e ushqen me përulje do t`i zihet fryma në një rrjetë të vogël brenda së madhes.

Në një hapësirë kaq të madhe drite, që vjen nga Perëndimi është edhe më e rëndë dhe e pabesueshme se do mundte një bandë politike të terrorizonte një popull.

Kjo është çudia si erdhi kështu një diktaturë mjerimi, duke krijuar një popull të paligjshëm në Atdheun e tij.

Kjo është më e dhimbshmja, të ligjshëm janë ata që duhet të ishin duke dhënë llogari para drejtësisë.

Unë e kam shpallur kredon time në poemën “Spitali : “Këtu njerzit kanë frikë të vdesin jo nga vdekja, por nga fyerja e vdekjes”.

Çfarë ti bësh, kështu erdhi dita të largohen të gjithë nga Atdheu ! Jam i bindur nga bisedat e mija me të njohurit se, nëse do kishin mundësi do ta linin përjetë Atdheun dhe kjo tokë do t`u mbetej vetëm horrave. Gjithë mundimi i këtyre viteve nuk të jep kurrfarë sigurie gjithçka mund të rrënohet në çast.

Ti, o Azgan, besoj se e ndjeve rrënimin në ajthin e shpirtit, por nuk je lëshuar e vazhdon të mbahesh, edhe kjo është e mrekullueshme, e besoj por sa pak gjallëri sa shumë tkurrje dhe venitje aq sa të mos i shquash stinët që vjinë e shkojnë!

Po miku im aty ku dhimbja është fatale për një popull, shpresa ka marrë humnerën bash atherë kur shpresohej më tepër, kur ndriçimi i dritës për shqiptarët ishte më afër e më ndjellës se kurrë, kur sytë e vëmendja e perëndimit u kthyen drejt nesh më fort se kurrë më parë, dhe  një e keqe e përbrendëshme në vend që të tkurrej e të thahej u rrit aq me ngulmim sa ngado që të vështrosh e ke të pranishme në momentet, kur koha punonte për ne. Mu aty brenda nesh u gjet kundërkoha, kundërfati dhe detyroi mendjet më të ndritura të lëshojnë Atdheun ndërkohë është kultivuar një pseudoelitë në shërbim të drejtpërdrejtë e të përnenshëm ndaj klasës politiko mafjoze, duke i ndjekë me vëmendje mund të dallosh këto mendje të shkulura se si aktrojnë në teatrin e mafjes. Shqipëria nuk ka mafje përveç asaj politike.

Gjithçka është nën kontrollin e tyre të paligjshëm, nga fshati më i  largët e në qendër të kryeqytetit, ky vend është në duart e njerëzve më të ligj të Atdheut, është shprishur thelbi, ata mbajnë nën kontroll gjithkënd, gjithçka, çdo lek që qarkullon. Andaj Miku im, Azgan, shfytyrimi ndihet kudo edhe njeriu më i thjeshtë , ai që e gjykojmë më të paditur sot të thotë këtu nuk ka të ardhme, sepse nuk ka asnjë vlerë puna e bujkut, e marangozit, e muratorit, e specialistit, sepse nuk ka shije arti kur artisti është në përpjekje mbijetese, sepse zëri i atij që thotë të vërtetën është i pavlerë sepse njerzit kanë frikë nga jeta e nuk jetojnë sepse nëse i shqetson djajtë ata të kafshojnë, të shqyejnë, të thyejnë qafën bile të hedhin dikund në një anë rruge pa shpirt apo të japin një qortim duke të burgosur, sepse ke shkelur dikund apo, sepse ju duhen të burgosur për të trembur të paburgosurit bile edhe burgosjet janë me numët: sot duhen kaq, nesër aq, për të njoftue popullin se burgu është gati.

Ky çerek shekulli po mbulon një gjysëm shekulli diktaturë me një diktaturë tjetër që, as u kishte shkue ndërmend shqiptarëve atë të poshtrimit më të skajshëm të mundshëm. Këtu nuk je askushi sepse njeriu është futur në një fermë si ushqim për ujqërit.

Gjithherë jam ndier në çudi çfarë duan të arrijnë këto qenie njerëzore të kthyera në lubi kundër njeriut, atij që përpiqet të jetojë me dinjitet, të mbajë fëmijët e tij, të bëjë të vlefshëm për veten e shoqërinë, çfarë fshehin në zemër që duan poshtrimin e popullit të tyre, çfare sëmundje kanë trashguar në shpirt që duan të rrjepin çdo lekurë të njeriut, ta lënë lakuriq të pafytyrë të tejdukshëm.

Ti, Azgan, ke qëndruar fort, por kësaj here ndiej një rënie të dritës së shpresës edhe në sytë e tu, më i heshtur se kurrë, një hije ngrirjeje në fytyrë, por nuk të kanë mundur…Ndoshta diçka e tillë të rëndon në shpirt, por ti je këtu e ndeshja do të vazhdojë edhe më e fortë dhe me patjetër majmëria do të qelbet, do t`i mbulojë qelbi kur të pëlcasë cipa e të pacipëve. Kështu ka ndodhur gjithmonë dhe do të ndodhë prapë.

Këta teksa flasin për Nënën e Shenjtëruar Terezë e urrejnë në shpirt, sepse janë në krahun e djallit, janë pushtuesit e pamëshirë të një populli të shumëvuajtur. Por me patjetër fryma e saj është këtu dhe do të rritet. Dhe ne do të jemi këtu me të gjithë ata që e duan jetën dhe njeriun me dinjitet. Vërtetë këtu Shqipëria e gjitha kontrollohet nga celula që, njëkohshëm janë brenda institucioneve dhe jashtë tyre, një organizëm që kontrollon gjithçka dhe vërtitë në mënyrë të pazbërthyeshme. Sido që të kërkosh do të biesh në rrjetën e tyre. As zgjursia, as guximi nuk kanë vlerë, pasi do të të përthithin ashtu me të mirë e me të keq dhe do të gjendesh brenda.

Brenda çdo strukture të administratës shtetrore gjendet struktura e krimit e menaxhuar me përpikmëri për të përthithur paratë dhe për të ushtruar terror mbi pjesën tjetër dhe për t`i burgosur kur ta kërkojë nevoja. Një skemë banditeske mafjoze që të rrënon, të nxjerrë në media gjithçka me skemë, me plan, kështu hajdutët e lubishëm të dërgojnë te hajdutët e tjerë dhe të gjykojnë ata para drejtësisë.

Më thuaj Azgan çfarë është diktatura?! A thue jemi nën një diktaturë Trio?! Ndoshta nuk të vjen përshtat pasi jeni njëri ndër ish deputetët e së djathtës që sakrifikuat aq shumë në kohë të vështira por unë ti them këto nga përvoja ime në administratën Tatimore të Tiranës. Për trembëdhjetë vite e njëjta valle. Më vjen mirë që shpreson Azgan se e djathta do të vijë ndryshe, e gjithë klasa politike janë në të njëjtën valle.

Në këto caste, që po hedh këtë gjendje të trazuar mendimesh, më gjallohen ndjenjat e më ndërlidhen kohët e them aty në ato muguj që bëjnë me marrë dritë e me sjell atë gjëmim që ka përshkue qënien tënde dhe të banorëve të pallatit ku banoje në Bajram Curri.

Ti gjithë këto vite në krye të Unionit Artistik Kombëtar Shqiptar ke qenë edhe duke çlirue atë tronditje të asaj nate dhe atë tronditje që kishte marrë në thellësitë e veta e gjithë treva e Tropojës në përgjakje që lanë dhimbje më të rënda se dy apo tre shekuj njëherësh, duke ndjellë një tjetër botë me koncertet me kënge e valle e ndërkohë duke e shtrirë në çdo pëllëmbë toke, ku u krijuen për me ngjallë shpresën dhe me shërue shpirtërat.

Por kësaj here, kur familja Jote Azgan sulmohet po aq ligësisht, ndoshta je duke përjetue diçka edhe më të rëndë, krimi është bërë më i fuqishëm dhe i paparashikueshëm, që të mund t`i vesh pritë e ta shmangësh është thuajse e pamundur.

Tashmë shoqëria është ndarë së pari në dy shtresa, njëra që ka në dorë gjithçka dhe tjetra që nuk ka në dorë asgjë. E para që mbledh të ardhurat nga tatime, taksa, dogana, energjia elektrike dhe i shpërndan si i don zemra me një grup oligarkësh, por në shtresën tjetër nuk vjen asgjë që t`i ndikojë në përmirësimin e jetës. E si nënshtresë, kjo ka edhe lukuninë e kriminelëve përjashta zyrave që kryejnë aktivitetet e tyre me fitimprurje të mëdha në bashkëpunim me kupolën. Në këto rrethana shtresa e dytë, populli normal, gjen atomdet në një qerthull pa rrugëdalje përjashtue me lënë Atdheun ose të bëhen shërbëtorë të së keqes për të mbijetuar. Kushdo që nuk pajtohet dhe reagon është në rrezik. Kjo gjendje kaq e rëndë që po vjen duke u rënduar më tej i ka tkurrur qytetarët shqiptarë saqë duke i vështrue në fytyra duke i parë në rrugë, duke i takue në një dasëm ndjenë kundërmim mortor…

Tashmë nuk ka rëndësi fjala e të diturit e të mjerit e ankesa e të sëmurit. Fjala e kërkujt, përveç një kolonie opinionistësh që lëpihen nëpër media me përdredhje të neveritshme, të shpërblyer edhe për të share, edhe për të lavdëruar. Rrotoll kupolës vërtitet shtresa më e pabesë me popullin. Jargaviten si kërminjët, për të lëshue në dritë dashurinë e thellë për udhëheqësit e partive, ku marrin përfitime apo presin nga opozita të vijë e t`i ngjiten pas si shërbëtorë në hajni.

Miku im, Azgan ! Ti vazhdon të jesh zëri i fuqishëm demonstrativ i Partisë Demokratike.

Miku im, Azgan, e ndiej se bashkshortja e fëmijët e Tu e kanë të vështirë të mësohen me mungesën tënde dhe do të rrinë me drojë e ankth se diçka mund të të ndodhë, por edhe do të ndihen krenarë që vazhdon të mos tërhiqesh. Ti je heroi i tyre, por dhe i demokratëve të Shqipërisë, i farkëtuar si qëndrestari i paepur që vlerson idealet kombëtare dhe vlerat demokratike më shumë se vet jetën tënde.

Miku im, Azgan! Shumë të liga e kanë ndjekur këtë popull, por të gjithë të liqtë do të bien shpejt. Ky popull i yni në këtë tokë të shqipeve do të jenë këtu, me energji të reja, me inteligjiencë të re, me vizione të reja, me një klasë politike të re. Le të shpresojmë te Opozita, tek e Djathta e Bashkuar, për kthimin e saj në pushtet nga mazhorancë morale në mazhorancë politike, që të realizojmë ëndrrën e integrimit në botën e Perëndimit.

Jak PËRPALI

Poet, shkrimtar, publicist



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: