Florim Zeqa: Si t'i lirojmë shpirtërat e robëruar!?
| E Marte, 05.12.2017, 07:35 PM |

Si t'i lirojmë shpirtërat e robëruar!?

Shkruan Florim Zeqa

Për fatin e keq të popullit tonë, "patriotët" më të mëdhenj na dalin përçarësit më të rrezikshëm, të cilët në emër të një patriotizmit të rrejshëm luftojnë atdhetarët e vërtetë dhe veprimtarët më të devotshëm, duke shkaktuar kështu dilema dhe konfuzion në mesin e popullatës përmes lojës së shtrigave duke krijuar "patriotin" inekzistent dhe tradhtarin imagjinar.

Mbase sikur një ditë të filloja shkrimin e radhës me lëvdata për pushtetarët; Qeveria e Kosovës më e mira dhe më e madhja në Ballkan, kryeministri zemërgjerë do t'ua plotësojë çdo kërkesë dhe dëshirë të qytetarëve, kryeparlamentari (mbreti i xhunglës politike) do të organizojë çdo 6 muaj zgjedhje në Kosovë, presidenti do t'i dekorojë të gjithë miqtë dhe armiqtë e pavarësisë së vendit tonë, ministrat dhe zv.ministrat do të organizojnë "Gala Humanitare" për të varfrit, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë marrë vendim për përgjysmim të pagave të tyre, kryetarët e komunave të Kosovës nuk do t'i punësojnë të afërmit e tyre nëpër komuna,...e kështu me radhë, me siguri, përveç gëzimit të qytetarëve, do të "rrezikoja" marrjen e ndonjë çmimi nga pushtetarët apo opozitarët e zhurmshëm të Republikës së Kosovës.

Meqenëse nuk ka gjasa që të ndodhë asnjëra nga ato që ceka më sipër, nuk më mbetet të pres të marr as çmim, andaj më mbetet të vazhdoj trendin aktual të shkrimeve në funksion të interesave të qytetarëve të vendit, pa dallime partiake, fetare apo rajonale. Nëse i referohemi asaj që shihet në horizont, Kosova është larg, do të thosha shumë larg depolitizimit të shoqërisë njerëzore.

Kthjellimi i mendjes dhe trurit të elitave intelektuale

Pra, edhe më tutje, përveç familjarizimit të institucioneve shtetërore, do të vazhdojë politizimi i skajshëm i arsimit, shëndetësisë, kulturës, sportit, etj. Këtë që ceka më sipër, po e ilustroj me një postim që e hasa ditëve të fundit në rrjetet sociale; "Një darkë festive me kolegët e shkollës së mesme "AA" me rastin e fitores së kandidatit "X.Y"! Kjo është shprehja më e keqe e shpirtrave të robëruar nga politika provinciale në Kosovë, e klaneve dhe grupeve, të cilat interesin e tyre personal e vënë para interesave të shoqërisë dhe shtetit të Kosovës.

Pa çlirimin e shpirtrave të robëruar me përgatitje të lartë dhe superiore (fakultete dhe studime pasuniversitare), s'ka si mendohet çlirimi i shpirtrave të shtresave më të ulëta të shoqërisë.

Pyetja më e shpesh që i parashtroj vetes është kjo: kur dhe si do të çlirohen këta shpirtra të robëruar nga kusarët e politikës!?

Përgjigjja e parë që të vjen në mendje është, me largimin e kusarëve politikë nga pushteti! Pas kësaj përgjigje, parashtrohet pyetja tjetër, kush do t'i largojë kusarët politikë nga pushteti? Pa çlirimin e shpirtrave të robëruar, nuk do të ketë gjasa për largimin e kusarëve politikë nga pushteti. Çlirimi i shpirtrave të robëruar fillon me kthjellimin e mendjes dhe trurit të elitave intelektuale, nga epshet negative për karrierë dhe privilegje nga politika.

Mungesat e panumërta të deputetëve në Kuvend

Kjo është e mundur të bëhet përmes rifreskimit të memories duke kujtuar kohën jo shumë të largët (të viteve të 90-ta) kur të gjithë ndjeheshim të barabartë me njëri-tjetrin, kur i besonim njëritjetrit, kur e ndanim kafshatën e gojës me njëri-tjetrin. Një gjë duhet ta kenë parasysh, të gjithë ata që u pasuruan në kurriz të këtij populli të varfër, përveç logjikës dhe arsyes e kanë humbur atë çka është më e rëndësishmja në këtë jetë-kënaqësinë e tyre shpirtërore.

Kënaqësinë shpirtërore dhe harmonin familjare nuk e sjellin dot paratë e pista dhe pasuria sa do e madhe qoftë ajo. Janë gjërat e thjeshta, siç janë; dashuria dhe barazia ndërnjerë- zore, sinqeriteti, humanizmi dhe solidariteti me shtresat e ulëta e të nëpërkëmbura të shoqërisë.

Populli i ngjet një liqeni të madh, pastërtia e të cilët varet nga përbërësit e brendshëm (populli) dhe faktorët e jashtëm atmosferikë (miq dhe armiqtë). Populli shqiptar disa herë gjatë historisë ishte në prag të realizimit të aspiratave të tij shekullore për çlirim dhe bashkim të trojeve etnike, por pikërisht shkaku i përçarjeve dhe padrejtësive brenda popullatës i rrëshqitën prej dore! Për fatin e keq të popullit tonë, "patriotët" më të mëdhenj na dalin përçarësit më të rrezikshëm, të cilët në emër të një patriotizmit të rrejshëm luftojnë atdhetarët e vërtetë dhe veprimtarët më të devotshëm, duke shkaktuar kështu dilema dhe konfuzion në mesin e popullatës përmes lojës së shtrigave duke krijuar "patriotin" inekzistent dhe tradhtarin imagjinarë!

Krejt rastësisht, duke e lexuar një shkrim për një mësimdhënës në pension, i cili për 46 vjet punë nuk e kishte humbur asnjë orë të vetme të mësimit, m'u kujtuan mungesat e panumërta të deputetëve në Kuvend, jo me ditë, por me javë e muaj dhe nuk ndjejnë asnjë përgjegjësi morale para popullit që i votoi.

Edhe përkundër mungesave në vendin e punës (Parlament), atyre nuk u mungojnë pagat e majme. Të marrësh pagë mujore mbi 1500 euro pa qenë në vendin e punës, është pak më tepër se imoralitet. Në botën perëndimore për mosprezencë 4 ditore në vendin e punës, qoftë zyrtar shtetëror apo privat e ka të humbur vendin e punës dhe të drejtën e çdo kompensimi material.

Mirëpo, në vendin e paradokseve të quajtur Kosovë çdo gjë është e mundur; dikush mund të mos shkojë fare në vendin e tij të punës me ditë, me javë dhe me muaj dhe prapë të shpërblehet në fund të muajit me rrogë të majme nga buxheti i shtetit, pasi këtë ua bënë të mundur kaosi dhe vakumi ligjor në vend.

Të fortët e politikës i diktojnë të gjitha "rregullat" e lojës në vend, përfshirë këtu edhe ato të organit ligjvënës në vend siç është Parlamenti i Kosovës. Nga loja e pandershme e kësaj kaste politike, është popullata ajo që duhet të nxjerr mësimet e duhura, që i bie, të lirohet sa më parë nga vargonjtë e këtyre kusarëve politikë. Kjo fillon me lirimin e shpirtrave nga varësia e politikanëve, sa të korruptuar po aq të shantazhuar politikë.

Në zgjedhjet e radhës, cilat do qofshin ato, qytetarët nuk guxojnë të mashtrohen nga premtimet boshe, nga ofertat (gënjeshtrat) parazgjedhore, por të bazohen në programet dhe vizionin politik, traditën atdhetare, pastërtinë morale dhe politike të kandidatëve për organet shtetërore. Ngase,politikanët pa integritet moral, janë gjysmakë, e shkatërrojnë shtetin !


27.11.2017

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: