Milazim Kadriu: Poezi për Nobelisten Nënë Tereza
| E Marte, 05.12.2017, 07:23 PM |

POEZI PËRKUSHTUESE PËR TË VEÇANTËN E KOMBIT TONË, NOBELISTEN NËNË TEREZA

Ismet Krasniqi -“Çelna udhë”, botoi “Rozafa” - Prishtinë, 2017

Nga Milazim F. KADRIU

Figura e Nënë Terezës si humaniste, bëri mrekulli të rrallë tek njerëzit e botës dhe bëri jetën në mesin e të varfërve dhe jetën ua fali atyre. Andaj ky ishte misioni i sajë i shenjtë që i ka frymëzuar me qindra e mijëra krijues të të gjitha gjinive letrare e artistike të krijojnë vepra kushtuar asaj.

Një vepër e tillë është edhe përmbledhja me poezi “Çelna udhë”, të cilën e ka përgatit Ismet Krasniqi. Në poezitë e këtij vëllimi poetik figura e Nënës Terezë paraqitet si një misionare e madhe e botës njerëzore. Andaj edhe ky libër është një vëllim poetik, që përmban veçori karakteristike të shumta ngase autorët këto poezi i kanë shkruar në shenjë respekti dhe kujtese për të madhen e kombit tonë .

Në këtë përmbledhje poetike janë prezantuar poezi të poeteshave dhe poetëve shqiptarë nga Kosova dhe trojet tona përgjithësisht, të cilat i kushtohen Nënë Terezës.

Nënë Tereza tani është kthyer në një simbol, në një virtyt që shpreh tiparet më të larta të popullit që e ka lindur.

E veçanta e këtij libri është ngase autorët e këtyre poezive bënë përpjekje për të thurur vargjet më të mira, më të përkushtuara e më të dashura për Nënën Terezë, sepse të shkruash për personalitete të njohura të kombit është privilegj, pavarësisht sa arrin ta thuash atë që ke në mendje, e në zemër. Dhe sado ta kesh shkruar bukur një poezi të tillë, sado të pretendosh ta bindësh veten se ke arritur ta shprehesh, atë që ke menduar, prapëseprapë nuk të duket se ke bërë mjaft, nuk të duket se ke arritur ta shprehësh në tërësi ndjenjën e përkushtimit, përmes fjalës poetike.

Librat përkushtues përbëhen nga tharmi i shpirtit njerëzor drejt arritjeve kulmore të artit letrar.

Edhe pse janë shkruar edhe libra tjerë të kësaj natyre kjo përmbledhje me poezi është e veçantë sepse është për të veçantën e popullit tonë që dha shembull në gjithë botën se çka është humanizmi dhe sakrifica për ndihmë të tjerëve.

Kjo përmbledhje poetike është dëshmi e përkushtimit të poetëve tanë për të nderuarën e kombit tonë, përmes së cilës bota na njohu e kjo është nobelistja  Nënë Tereza.

Kështu Musa Jupolli në poezinë e tij “Nënë Tereza” ndër tjera thotë :

At-Dhé Gjergj Kastrioti

Mëmë-Dhé Nënë Tereza

Rrugë e gjatë, hap pas hapi

Dita e kombit është sot

Ti themi botës së jemi

Të parët e Evropës

Ne bijtë e Arbërisë !

Ndonëse të gjithë dinë mjaft për jetën dhe veprimtarinë e saj ,me këtë rast do të them vetëm disa fjalë për përmbledhjen me poezi përkushtuese “Shënë Tereza” të autori Ismet Krasniqi.

Teksa lexon këtë libër me poezi përkushtuese, përjeton jo vetëm përmasën reale të Nënë Terezës të cilës i janë dedikuar këto poezi. Këto poezi janë refleksione me vlera të shumëfishta, për të sotmen dhe të nesërmen, dhe njëherësh sfidon harresën kolektive ndaj bijës së kombit shqiptar, Nënë Terezës.

Mentor Thaqi në poezinë e tij “Plot një shekull “ thotë :

Plot një shekull, fanarë drite,

ti Hyjneshë shumë breza rrite,

Shenjtëri është Jeta Jote,

N´pavdekësi jeton ndër mote.

Nënë Tereza i shfaqi njerëzimit virtytin që i kish marrë me qumështin e nënës shqiptare që e mëkoi.

Nënë Tereza para njerëzimit tregoi në mënyrën më të devotshme si askush tjetër virtytin e një shqiptareje humaniste ngase këtë virtyt e kishte marrë me qumështin e nënës shqiptare që e mëkoi. Ajo me veprën e saj humane, lartësoi dinjitetin dhe bëri të njohur e të respektuar popullin shqiptar kudo në botë, dhe po ashtu tregoi se ky popull human meriton një jetë më të dinjëtetshe se që kishte deri atëherë.

Naxhije Doçi në poezinë e saj kushtuar Nënës Terezë, “Idhull i dashurisë së zotit mbi dhe”, shprehet :

Gonxhe Anjezë Bojaxhiu

agmi e purpurt shëmbëllimi

që në lutjen e parë të hirësisë.

Në pikturimin e madhështisë së ngjeshur

ujëvarë e dehur e krenare

me rrënjë e gjak shqiptare,

Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë, një nënë shqiptare, që do të jetë e pazëvendësueshme, u lind për të mos vdekur kurrë. Ajo do të jetë e pavdekshme jo vetëm ndër shqiptar por edhe në zemrat e popujve tjerë skamnorë që aq shumë u ndihmoi.

Dibran Fylli në poezinë e tij “Aty ku ishe ti” ndër tjera shprehet :

... aty ku ishe Ti

ishte një jetë e shpëtuar

një sëmundje e shëruar

aty loti e mrrolet e fytyrave

shndërroheshin në buzëqeshje...

Të gjithë poetët e këtij vëllimi poetik në poezitë e tyre mundohen që Nënë Terezën ta paraqesin me tërë madhështinë e saj prej humanisteje që ishte unikate në tërë botën. Ajo ishte një misionare bamirësie para së cilës u përkul bota me krenari duke ia dhuruar Çmimin Nobel për Paqe.

Dan Ibrahimi në poezinë e tij “Nënëmadhes” shprehet:

Nënëmadhes
nuk i duhen lulet
as përkëdheljet
as epitetet ...

Edhe poezitë e autorëve tjerë janë pothuajse të nivelit të njëjtë me poezitë e autorëve të cituar dhe të gjitha bashkë krijojnë një vlerë të mirë letrare ngase poezitë e këtij libri përpos vlerës letrare e artistike kanë vlerën dhe peshën historike.

Këtë tufë të poezive i karakterizon një motivim i thellë, një notë e theksuar atdhetare dhe një adhurim për humanisten që sakrifikoi jetën për të ndihmuar të tjerët. Këto poezi janë shprehje e shpirtit të tyre krijues, të shkruara me një frymëzim të thellë, për të madhen e kombit tonë.

Këto poezi u shkruan nga poetë të ndryshëm për një bijë të shquar të kombit shqiptar që pati merita të mëdha që bota ta njoh më mirë shpirtin human të shqiptarëve . Qasja e poetëve me këto poezi është një nderim por edhe obligim që ne duhet të kemi ndaj figurave të mëdha historike, siç është ajo e Nënë Terezës.

Në këtë libër kemi poezi të poetëve të ndryshëm nga e gjithë gjeografia jonë, ka poetë me një përvojë të gjatë krijuese por edhe poet me më pak përvojë në krijimtarinë letrare, mirëpo të gjitha këto poezi janë krijime zemre, poezi respekti e adhurimi, tekste të mbushura me emocione dhe simbolikë të këtij ngjyrimi.

Në këtë përmbledhje përfshihen poezi të këtyre autorëve :

Musa JUPOLLI, Mentor THAQI, Ramadan MEHMETI, Sabit RRUSTEMI , Xheladin MJEKU, Zyra AHMETAJ, Sami SHERIFI, Mevlyde MEZINI - SARAÇI, Alush KAMBERI, Gjon GJERGJAJ, Hajdin MORINA, Nikollë KËRHANAJ, Neil RUCI, Sherife BERISHA - THAÇI, Halil GASHI, Zymer MEHANI, Sahit SHALA, Brahim AVDYLI, Bilall MALIQI, Ismet KRASNIQI, Agim DESKU, Hysen BERISHA, Idriz BERISHA, Servet BYTYÇI, Rrahim GANIU, Milazim F. KADRIU, Eshref BERISHA, Mikel GOJANI, Nexhmije HASANI, Ibrahim SKENDERI, Naxhije DOÇI, Dibran FYLLI, Ermira R. JUSUFI, Ramë SMAJLAJ, Ragip DRAGUSHA, Sheremet PROKSHI, Dan IBRAHIMI, Nezir PROKSHI, Ismet TAHIRAJ, Aqif ISAKU, Hajrulla H. BUZANI, Ajete PAVATA, Fadil H. CURRI, Shaip BLLACA, Maxhun OSMANAJ, Remzije J. ZEKOLLI, Mirvete KABASHI LEKU, si dhe disa tekste këngësh nga rapsodi Viktor PALOKA e Lekë e Gjokë DUHANAJ.

Këto poezi do të qëndrojnë dhe do të kenë krenari ngase të gjithë autorët nëpërmes vargjeve të tyre kanë shprehur gjithat që ndjejnë për Nën Terezën.

Andaj të gjithë autorët e përfshirë në këtë libër pasqyrojnë jetën dhe veprën e Nënës Terezë secili në mundësinë e tij dikush më drejtë e dikush më thellë por që të gjithë ndjejnë dhe bashkëjetojnë me veprën e sajë. Pa dyshim se më meritori është autori Ismet Krasniqi që i mblodhi dhe i botoi në një libër të gjitha këto krijime të autorëve që kanë për qëllim që të nderojnë veprën e të madhes Gonxhe Bojaxhiu - Nënë Tereza.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: