http://www.zemrashqiptare.net/
Zemra Shqiptare

Vangjush Saro: 'Shitja' e Shqipërisë
| E Hene, 04.12.2017, 07:49 PM |

“Shitja” e Shqipërisë

Nga Vangjush Saro

E di që përpara çdolloj radhe a opinioni, si qytetar dhe si shkrimtar, më së pari do të duhej të uroja sa më pak lëndime e dëmtime nga situata e jashtëzakonshme e përmbytjeve. Dhe këto që do të kumtoj më poshtë, nuk janë doemos në njëlloj lidhjeje shkakësore me çfarë ndodhi; por janë pjesë e saj. Duke u marrë me tema që e prodhojnë mirë bujën e, shpesh herë, edhe me pokeri - si atletet apo tirqet e Kryeministrit, përplasja e tij me mediat, etj. - në Shqipëri janë lënë pas dore një sërë probleme, midis të cilave, krahas ndëshkimit të korrupsionit, është me shumë peshë edhe grahma e pronave dhe, veças, shpronësimi i shtetit.

Në vështrimin tim, dukuria më e fundit, shpronësimi ekstrem i shtetit, është një nga arsyet e prapambetjes në vend, është shkaku kryesor për mungesën e elementit social në çdo qeverisje, por njëherësh, është edhe një nga burimet kryesore të konflikteve, në shkallë zyrtare apo vetiake, konflikte që kohë e pa kohë, prodhojnë beteja, nga të cilat vendi dhe qytetarët “në hije” kanë vetëm humbje. Është, siç mendoj unë, edhe një nga shumë arsyet pse ndodhin herë pas here përmbytje e fatkeqësi të tjera.

Kujtesë. Para vitit ‘91, në Shqipëri, shteti kishte e zotëronte pothuaj gjithçka; çdo objekt industrial, çdo copë toke e çdo vlerë, ishte e tij. (Megjithëse, siç doli më pas, pavarësisht të mirave e të këqijave të tij, ai shtet paskej qenë mjaft i përkorë në mbrojtjen e dokumenteve përkatëse.) Pas vitit ‘91, shteti filloi të lëshonte pronat dhe vlerat si të mundej. Ai i shiti apo i braktisi të gjitha, pasi më parë ishin lënë pas dore dhe ishin vjedhur njëherë: Ish-fermat, ish-fabrikat dhe uzinat, shërbimet (përfshi transportin publik,) kanalet dhe pompat, hidrovoret, pyjet, parqet e njohura dhe ato të pashpalluara… Me “sebepin” e rikrijimit dhe të çlirimit të pronës private, ia behu epidemia për të gllabëruar sa më shumë; mania përfshiu zyrtarë të lartë dhe njerëz të zakonshëm. “Presioni i sotshëm synon t’iu japë tregjeve një rol më të madh dhe qeverisë një rol më të vogël.” Milton Fridman. (“Kapitalizmi dhe liria”) Por a thua kuptonin kaq shumë ata që po bënin “reforma”, ndërkohë që shumica e shqiptarëve ishin dhe mbetën qytetarë “në hije”. (Hiset e Diellit ishin gllabëruar; dhe vazhdojnë të gllabërohen.)

Pa figura. Mendoj se qeveria shqiptare e fillimit të viteve ‘90, por edhe ato më tutje, ngase e kishin të pamundur të zgjidhnin alternativa të vështira, por të drejta, i ranë shkurt, duke shpërndarë me shpejtësi ç’të mundnin. Është folur shumë për Ligjin 7501, për faljen e kateve të para ku kishte pasur dyqane e shërbime gjithfarë, për faljen e ndërmarrjeve, frigoriferëve, reparteve ushtarake, etj. (Ndonjëherë, këto prona u dhanë për një çap buke. Mbaj mend, kur punoja në gazetën “Alternativa SD”, shpesh çereku i saj mbushej me njoftime pa fund për shitje pronash.) Pak edhe nga pak, vendi kaloi nga njëri ekstrem në ekstremin tjetër. Shteti mbeti pothuaj lakuriq.

Duke “besuar” se po bënin “reforma” dhe, në të njëjtën kohë, duke drejtuar një proces pasurimi për një palë e varfërimi për shumicën, krahas enteve shtetërore, qeveritë nuk lanë gjë pa shitur në natyrë: tokat po se po, ato bujqësore, ato në bregdet, përreth qyteteve dhe në zemër të tyre. Një sërë prona u shpikën nga hiçi, të tjera u mbivendosën (edhe deri në tre herë) në zyrat e Regjistrimit të Pronave. Lloj-lloj zyrtarësh, pa pasur asnjë lidhje me Bregdetin, u bën pronarë të “gjireve” dhe “lagunave”, duke krijuar një botë të padrejtë, vetëm për veten e tyre. (Kjo batërdi u pohua ditë më parë edhe përmes arestimit të 11 zyrtarëve e ish-zyrtarëve që “tjetërsuan 36 hektarë tokë publike në bregdetin e Spillesë në Kavajë”.)

E pabesueshme, por e vërtetë. Përpara ca kohësh, gjer edhe detit - është parë me sy dhe është dëgjuar me veshë në TV - i kishte dalë një pronar… Në sezonin e verës, qytetarët që nuk kanë vila apo ndonjë apartament diku në bregdet, nuk mund të ulen për plazh askund; çdo pëllëmbë toke, e ka një “zot”. E ndërkaq, për ta ftilluar sadopak këtë leshnajë, bëhen gjyqe pa fund, brenda dhe jashtë vendit. Gjyqet, por edhe vetëgjyqësitë, janë marrë dhe vazhdojnë të merren kohë e pa kohë me gjetjen e të “vërtetës” në këtë temë. Këtu dhe në tema të tjera, sa e sa njerëz kanë paguar me jetën e tyre, pikërisht sepse shteti nuk ka qenë i tyre në këtë çerek shekulli. Dhe ja se çfarë thotë Hernando De Soto, ekspert ekonomie: “Në Perëndim, çdo parcelë toke, çdo ndërtesë, çdo pajijse, çdo stok inventari përfaqësohet me një dokument pronësie që është shenja e dallueshme e një procesi të gjerë të padukshëm që lidh të gjitha këto asete me pjesën tjetër të ekonomisë.” Duhet thënë se edhe në Shqipërinë që tash i përket Perëndimit, ka disa përpjekje për ta përmbledhur pronën dhe hartën e këtij vendi, por me sa duket katrahura është e pamatë…

Një pamje tjetër dëshpëruese e kësaj batërdie të filluar bash në kohën e shpresave të mëdha, në fillim të viteve ‘90, ishin lëshimi azat dhe pastaj dhënia me koncension e minierave, sidomos ato në Pukë, Rrëshen dhe Bulqizë, ku pati aq pak investime dhe ku objektet u ndanë në copka e u bënë më keq nga çfarë kemi parë në dokumentarët që flasin për Shqipërinë e viteve ‘30. Më tutje, një tjetër epidemi, ajo e ndërtimit të HEC-eve të vegjël, gjithashtu kanë vënë në provë shtetin dhe pasurinë e tij. Zëra intelektualë dhe ndonjëherë edhe nga media, ankohen ndërkaq se për shkak të këtyre “epidemive”, ka dëmtime të mjedisit…

Se çfarë ka ndodhur, e pamë në rastin e Tepelenës (“punët” e individit Harri Lena) por edhe në Butrint, në Tomor, në lartësitë e Krujës, së fundi te përplasjet për HEC-in në Valbonë, për çka është shprehur tejet skeptik edhe eksperti i njohur Gjergj Bojaxhi, etj. Prirja edhe më tej, është t’i kapim të gjitha, t’i shesim, të ndërtojmë ku të mundemi, të fitojmë sa më shumë dhe sa më shpejt. Por ndërkaq, një studim i realizuar nga Fluvius, një agjenci konsulence për projekte të mbështetura nga OKB dhe BE, ka vënë gishtin mbi problemet mjedisore e natyrore që do të shkaktojë “edpidemia e HEC-eve”, (edhe pse studimi ndalet kryesisht te lumi i Vjosës në Shqipëri). Duam apo s’duam, edhe në përmbytjen e fundit, ka elemente nga kjo sjellje noprane.

Jemi në absurd? Shteti dhe qeveria kanë shumë pak në dorë; prona është fjala. Madje edhe për ato që po i mbajnë me zor (për shembull, Hekurudhën Shqiptare,) duken të gatshëm për t’i shitur sakaq. Por kjo s’do të thotë se nuk kanë (prona e pasuri) politikanët dhe zyrtarët e lartë të vendit. Shtypi pozon vazhdimisht pasuri të mëdha, jashtë e brenda Shqipërisë, të këtyre zyrtarëve, si dhe të shërbyesve të tyre në drejtësi, etj. Këtu qëndron çështja; që Shqipëria iu është shitur disa klasave e disa klaneve. Por ndërsa shteti (ndonjëherë) duhet të mendojë për zotërimet e veta - në emër të së drejtës për të ndërtuar politika sociale dhe për të ruajtur ekuilibret e duhura - epidemia koncensionare ka marrë rrugë. Për Check Up-in; për sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale në të gjitha spitalet e vendit; për shërbimin e hemodializës; për laboratorët e shërbimit spitalor; për targat e makinave; për mbledhjen e taksës së TVSH; për monumentet e kulturës…

Shpesh na duket vetja si në një vodevil. Me sa di, ka politika që mëtojnë të lënë çdo gjë në dorë të pronarëve dhe pastaj manovrojnë duke mbledhur taksa. Në këtë rast, së paku për ne, mendoj, privatët iu ikin shumë detyrimeve dhe kur të kujtohet shteti, vate puna. (Përvoja e koncensioneve në miniera.) Ka të tjera (politika) që e ngarkojnë shtetin me prona dhe detyrime, në mënyrë që të vendosë ekuilibret ekonomike dhe sociale. Në vështrimin tim, episodi i parë, superprivatizimi, shpie në një sistem të pasigurt. (Studimi që përmenda më lart, na thotë se ndërtimet e hidrocentraleve janë shtuar me 300 përqind rreth Ballkanit Perëndimor.) Këtu, ne jemi të parët. Dhe pasi të mos ketë mbetur pa pronar (daç edhe për 99 vjet) asnjë copë toke e çmuar, asnjë mal e asnjë pëllëmbë det, liqenet, lumenjtë po ashtu, por edhe asnjë shërbim, përfshi këto që thashë më sipër, edhe shumë të tjera madje, të gjitha mbase, shteti… do të jetë më i dobët apo më i fortë? (T’i kujtoj prapë koncensionet?)

Mendoj se rruga e zgjedhur për ta zhveshur shtetin edhe më tej nga pronat dhe detyrimet, është e gabuar; veças në kushtet kur shumë individë e biznese kanë treguar një oreks të paparë për t’u pasuruar brenda ditës. Në kushte të tilla, shteti humbet edhe më tej kontrollin mbi territorin dhe pasuritë e vendit, sepse më pas, në çdo paudhësi, dalin njëmijë e një arsye dhe sebepe për t’u fshehur, për t’i shpëtuar ligjit, për t’ia hedhur, që do të thotë se viktima është qytetari, toka, natyra e vendit, le të themi edhe vetë shteti.