Ndue Lazri: Natë pa gjumë
| E Hene, 04.12.2017, 04:58 PM |

Ndue Lazri

 

NATË PA GJUMË

 

Nuk e di pse gjumë nuk kisha sonte,

ndonëse orët iknin me nxitim,

ndoshta pse në tel një sykaprolle

më fliste që tej detit gjer n' agim.

 

Me magjinë e zërit femëror

detin e shterron si t'ish një gurrë,

me buzëqeshjen shkrin akull e borë,

meridianin e kthen në një urë.

 

Dhe nuk është, ajo, maga Circè

që i magjepsi grekërit e lashtë,

veç kur buzët hap si orkidè

m'i sjell pranë të gjitha stinët bashkë.

 

ANKESA E MJELLMËS

 

Nga shkrehja e blicit, mjellma ktheu kokën drejt bregut,

shikonte e pyeste: -Nga soji yne të jetë vallë ?

Ndërsa ti pozoje e lozje nën hijen e shelgut

e fotografin e lodhur e sillje vërdallë...

 

Mjellma u afrua lehtë me lëvizje prej princeshe,

xheloze ndaj syrit të zi, që shponte gurin në zall,

T 'u lut:- Ma fal pak krifën e zezë prej luaneshe,

e mbretërinë e liqenit të tërën do të ta fal...

 

-Jo, qafëbardhë, krifën ja fal vetëm erës,

liqeni është lutur të ma krehë me valën e tij,

puplat e bardha ne i shpupurisim pranverës

e të përbashkët kemi dhe...ah, syrin e zi...



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: