http://www.zemrashqiptare.net/
Zemra Shqiptare

Klajd Kapinova: Ne nuk jemi vëllezër me turqit
| E Hene, 04.12.2017, 07:48 PM |

Ne, nuk jemi vëllezër me turqit, por kemi histori të kundërt, sepse ato kanë bërë gjenocit barbar shumë shekullorë tek populli ynë

Nga Klajd Kapinova

Në kishën Zoja e Shkodrës në New York, pas meshës për deshmorët e lirisë u kënduan himnet kombëtare amerikane e shqiptare dhe u ringrit flamuri kuq e zi

Sipas traditës shumë shekullore, në kishat katolike shqiptare në Shqiperi, Kosovë dhe diasporë gjithëmonë thuhet një meshë e veçantë drite, në përkujtim të martirëve shqiptarë, që dhanë jetën për idealet liridashëse kombëtare, kundër pushtuesve të huaj.

I pari që e filloi këtë traditë në New York ishte themeluesi i kishës katolike shqiptare në Amerikë mons. dr. Zef Oroshi (1912-1989), i cili, në kishën Zoja e Këshillit të Mirë (sot Zoja e Shkodrës, NY), ngriti flamurin e heroit kombëtar Gjergj Gjon Kastriotit.

Edhe këtë vit, që ishte ditë e zakonshme pune komuniteti shqiptaro amerikanë pa dallim feje, sipas traditës së mëparshme u bashkua pranë kishës katolike shqiptare Zoja e Shkodrës, në Hartsdale, New York, për të përkujtuar 28 nëntorin, Ditën e Flamurit  dhe 105-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Për festimin e Pavarësisë së Shqipërisë, si çdo përvjetor meshtari i dalluar dom Pjetër Popaj, sëbashku me besimtarët, u mblodhën në një meshë të shenjt, dedikuar Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, ndërsa përjashta saj në oborrin e kishës në kompanjelin e saj u ngrit me respekt dhe krenari flamuri i kuq kombëtar me shqiponjën dy krenare.

Qysh në hyrje të fillimit të ceremonisë së meshës shenjte, kryqi u shoqërua nga tre gjakoj shqiptarë, të lindur dhe rritur në Amerikë, të cilët ishin të veshur me kostume tradicionale shumëngjyrëshe popullore të krahinave të Malësisë. Ato shoqëruan kryqin dhe meshtarët e famullisë sonë dom Pjetër Popaj dhe ndihmësin e tij dom Viktor Dedajn, të cilët udhëheqën meshën e shenjtë kushtuar të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptarë të rënë gjatë shekujve për idealet e pastra kombëtare.

Shumë djem e vajza të reja ishin veshur me xhubleta të lashta 5000 vjeçare të Malësisë, të cilat i dhanë pamje më festive kishës, në përkujtimin e ditës së flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, e cila u bë realitet nga patriotët shqiptarë më 28 nëntor 1912, në qytetin historik të Vlorës.

Dom Pjeter Popaj, pasi ka kremtuar meshën e shenjtë, kushtuar dëshmorëve të, të gjitha kohërave, ka bekuar Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.

Meshtari dhe lideri kryesor i komunitetit katolik në NY dom Pjetri, qysh në fillim uroj të gjithë shqiptarët: Gëzuar Ditën e Pavarësisë! Gezuar Dita e Flamurit!

Famullitari Popaj, falë kulturës së gjërë dhe të thëllë evokoi historinë e popullit tonë nga lashtësia deri në ditët tona, ku ndër të tjera tha se: “Ne sot të gjithë këtu flasim shqip, pikërisht në saj të gjakut të derdhur për liri dhe pavarësi nga dëshmorët tanë kundër pushtuesve të huaj shumë shekullorë, duke filluar nga periudha ilire dhe deri në Pavarësinë e Shqipërisë më 1912 dhe lirinë e plotë të Kosovës në vitin 1999.

Pretku i sotshëm, ka përputhje me shumë ngjarje reale historike midis popullit të Izraelit dhe atij shqiptar, të cilët kanë vuajtur ndër shekuj nga pushtues të ndryshëm dhe kanë mbijetuar falë Zotit deri në ditët tona.

Ne, jemi një popull i fortë, sepse nuk dorëzohemi lehtë, mbasi i kemi mbijetuar vuajtjeve të njëpasnjëshme. Perandoria mizore osmane, në mënyrë barbare shkatërroj popujt dhe kulturat e tyre mijëravjeçare.

Një gjë të tillë me masakra të pa mëshirshme dyndjet barbare osmane e bënë në Turqi, duke shkatërruar Konstandinopojën, qendrën e civilizimit dhe kulturës përparimtare të kohës në Lindje. Përmes krimeve dhe gjenocidit shumë shekullorë osmanët pushtues krijojnë Perandorinë e themeluesit të tyre, që kishte emrin Osman, duke vrarë, djegur dhe plaçkitur banorët e hershëm në Turqi dhe e shtrijnë sundimin e tyre si oktapodi i zi drejt shteteve të tjera të krishtera në Ballkan, në Shqipëri dhe më gjërë në Afrikën Veriore...

Motoja e tyre udhëheqëse ishte përca dhe sundo. Këtë aksiomë ato e praktikuan me shumë sukses dhe më së shumti në trojet tona shqiptare, duke qëndruar për 500 vjet deri sa patriotët tanë shpallën pavarësinë e vendit të shqiponjave.

E rëndësishme është që të dihet historia e popullit tonë, sepse Zoti na ka dhënë heronjtë tanë për mbijetësë. I tillë ishte dhe mbeti kryetrimi i Arbërisë heroi kombëtar Gjergj Gjon Kastrioti, i cili nga 30 beteja që zhvilloi kundër turqve barbarë arriti të fitonte 29 të tilla, në saj të mbështetjes së fuqishme të popullit të vogël shqiptar.

Është detyra e historianëve tanë të flasin për këto vlera dhe jo të hidhën kundër simboleve tona kombëtare. Të flasësh shqip kundër heroit kombëtar Gjergj Kastriotit, Nënë Terezës etj., është vërtetë një absurditet i ditëve tona.

Turqit, gjithëmonë dhe tradicionalisht, përmes shpatës dhe islamit janë munduar të asimilojnë popullin etnik shqiptar, i cili, është shembull në Europë për luftën e pareshtuar kundër pushtimit të tyre.

Ti bësh ballë një Perandorie të fuqishme të kohës, sikurse ishin osmanët nuk ka qenë e lehtë për popullin heroik shqiptar… Historia e flamurit shqiptar, simbolit tonë të dashur kombëtar është shumë interesante.

Atë e kanë mbajtur në zemër gjithëmonë shqiptarët edhe pse kanë qenë të pushtuar ndër shekuj nga osmanët, të cilët asnjëherë nuk na lejuan të mbanim flamurin dhe të flasim gjuhën tonë shqipe.

E këto fakte kokëforta historike nuk duhen harruar, sepse pikërisht në saj të heronjve tanë antiosmanë, ne dhe vetëm ne të mbijetuarit sot flasim gjuhën e bukur shqipe, pra kemi identitetin e pastër shqiptar.

Ne, nuk flasim për imagjinata, por për histori me plot vuatje dhe sakfrica sublime dhe mbijetesë stoike të popullit heroik shqiptar.

Arsyeja, që jemi mbledhur sot këtu është se ne duhet të falënderojmë me mirënjohje të thellë dëshmorët paraardhës, të cilët kanë derdhur gjakun e pastër arbëror për identitetin tonë që gëzojmë sot.

Ne flasim sot shqip, në saj të heronjëve tanë martir… Zoti i bëkoftë shqiptarët! Gëzuar Ditën e Pavarësisë të të gjithë shqiptarëve!”

Edhe në Qendrën Nënë Tereza, e cila është dekoruar nga shteti amë me urdhërin Mjeshtëri i Madh nga Presidenti i Shqipërisë, famullitari i palodhur patriot dom Pjetër Popaj, si gjatë predikimit dhe më pas, ka folur për rëndësinë e kësaj feste, duke e quajtur me të drejtë atë si festa me e madhe e identitetit të mirëfilltë kombëtar shqiptarë.

Gjatë, kësaj ceremonie, e cila u shoqërua edhe me disa fjalime përshëndetëse nga folësit, të cilët në esencë kanë rikujtuar rëndësinë e 28 nëntorit, u dha  një koncert festiv nga Shoqata Rozafat, në Qendrën Kulturore Nëna Tereza.

Në këtë ceremoni lider të komunitetit, përfaqësues të organizatave të ndryshme shqiptaro amerikane dhe veprimtar të dalluar, mbasi e kanë përshendetur këtë veprimtari, folën me fjalë të zgjedhura për rëndësinë e 28 nëntorit 1912, ndërkohë, që e uruan kishën katolike shqiptare Zoja e Shkodrës, famullitarin e përkushtuar të saj dom Pjetër Popajn dhe të gjithë shqiptarët kudo janë.

Midis folësve të tjerë, në këtë ceremoni ka përshëndetur politikani zoti Mark Gjonaj antar i rizgjedhur pak kohë më parë në Asamblenë e New York-ut.

Aktivisti i palodhur komunitetit shqiptar, studiuesi dhe publicist Tomë Mrijaj (prej shumë dekadash Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Prizrenit), gjatë një interviste të zhvilluar pak minuta pas mbarimit të ceremonisë së ngritjes së flamurit, ndër të tjeta tha, se: “Pavarësia dhe ngritja e flamurit nga patriotët shqiparë, është ngjarja më e madhe në historinë e popullit tonë.

Për të nderuar këtë ngjarje, Shoqata Mbarëkombëtare Trojet e Arbërit, pak kohë më parë ka mbajtur një Simpozium shkencor kushtuar tërësisht patriotit dhe klerikut të shquar shqiptar imzot Nikollë Kaçorrit zv/Kryeministër në Qeverinë e Ismail Qemalit, pas Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.

Shoqata në fjalë, me qendër në Prishtinë, në aktivitetin e mbajtur në Durrës, iu kushtua tërësisht personalitetit të shquar të botës shqiptare, prelatit imzot Kaçorrit, i cili, padrejtësisht gjatë periudhës së errët të komunizmit të zi në Shqipëri 1944-1990, ishte lenë qëllimisht në harresë, sepse ishte një klerik i shquar katolik dhe një shqiptar i devotshm i shqiptarizmës.

Në këtë aktivitet të rëndësishëm kumtuan me ligjerat e tyre shumë interesante 19 studiues nga e gjithë bota shqiptare brenda dhe jashtë trojeve etnike.

Ky sesion shkencor u zhvillua në kohën dhe vendin e duhur, pasi është viti jubile  155-vjetori i lindjes së dom Nikollë Kaçorrit (21 shkurt 1862-21 shkurt 2017), 100-vjetorin e vdekjes së tij dhe 105-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Studiuesit e ardhur nga të gjitha trevat shqiptare, por dhe diaspora na sollën punime shkencore serioze, për vënjen në vend të figurave kombëtare.

Më 21 nëntor 1912, në Portin e Durrësit, zbritën një grup patriotësh të kryesuar nga Ismail Qemali, imzot Nikollë Kaçorri, të cilët vinin me misionin historik që të shpallnin Pavarësinë e shtetit shqiptar, ku më 26 nëntor në qytetin e Durrësit ngrihet flamuri i Pavarësisë.

Përndjekjet, gjyqet, kërcënimet kundër bariut shpirtëror atdhetar vazhduan aq sa situatën e tij e raportonin jo vetëm gazetat shqiptare të mërgimit (Dielli), por edhe gazetat e hueja italiane, si “Corriere di Trieste” dhe shtypi austriak, me të cilin ishte i lidhur ngushtë, për shkak të njohjes së gjuhës gjermane.

Prelati katolik kishte një zgjuarsi të rrallë, në polemika me klerikë myslimanë dhe ortodoksë, të cilët predikonin, të parët gjuhën arabisht (turqisht më vonë), të dytët greqisht.

Meshtari shqiptar, i edukuar dhe frymëzuar me ndjenjën e pastër atdhetare nga paraardhësit e tij klerikë katolikë, ai porosiste:

“Të predikojmë në gjuhën shqipe, se Zoti na ndigjon edhe shqip!”.

Në nëntor të vitit 1912, si delegat i Durrësit, mori pjesë në Kuvendin e Vlorës dhe firmosi dokumentin e pavarësisë me siglën Kaçorri.

Në mbledhjen e 41 delegatëve, që kishin mbërritur në Vlorë, atdhetari Nikollë Kaçorri ngrihet e thotë: "Në qoftë për nesër, vdesim sot, o flamur o dekë!"

U zgjodh nënkryetar i Qeverisë shqiptare. Kuvendi i Vlonës, i hapur në orën 14,°° të datës 28 nëntor 1912, miratoi Shpalljen e Pavarësisë.

Firma e dytë, mbas Ismail bej Qemalit, ishte imzot Nikollë Kaçorri. Valvitja e flamurit të Kastriotit atë ditë të shenjtë, siç e dëshmon një fotografi e vjetër, e paretushuar nga komunistët, u ba pikërisht nga patriotët e mëdhanj si: imzot Fan Stilian Noli, liberatori i madh Luigj Gurakuqi, imzot Nikollë Kaçorri e deri tek më i riu Mustafa Kruja etj.

Eshtrat e imzot Nikollë Kaçorrit u përcollën drejt Shqipërisë në shkurt të vitit 2011, mbas 94 vjetësh kur u nda nga kjo jetë, në tokën për të cilën e shkriu tërë qënien e tij.”

Ngritja e flamurit në kompanjelin e kishës katolike shqiptare Zoja e Shkodrës, në Hartsdale NY, u shoqërua me këndimin e hymnit kombëtar amerikan dhe shqiptar nga pjesëmarrësit shqiptaro amerikanë dhe një grup fëmijësh me veshje të bukura popullore të krahinave dhe zonave të ndryshme të trojeve etnike.

Historikisht dhe tradicionalisht, komuniteti i madh katolik shqiptar, tashmë me këto aktivitete thellësisht kombëtare, ka treguar se është i bashkuar e i organizuar shumë mirë rreth vatrës së atdhedashurisë, që është kisha katolike në SHBA, duke pasur një lidhje të fortë mes fesë së hershme të të parëve tanë dhe kombit tone të lashtë.