Bashkim Saliasi: Dy emigrante të panjohura
| E Hene, 04.12.2017, 06:01 PM |

Tre skica nga Bashkim Saliasi

“Mësueskat”

Thanë se ishin mësuese. Hipën në autobus sa kalova shkollën e vjetër në Kamëz, porsa u ulën në fund të autobusit gjithë potere ia nisën nga thashethemet. Flisnin fort dhe nuk e vrisnin mendjen se ishin në autobus dhe po shqetësonin të tjerët që i qarkonin. Te kthesa e Bathores hipi një burrë me mustaqe më të mëdha se të miat. Më bëri shenjë që te dera nëse vendi ishte i lirë.

-Po, iu përgjigja, mund të ulesh.

Fatorinua nuk vonoi dhe erdhi për të prerë biletën e qytetarit që u ul pranë meje. Sa u afrua afër zotëria i zgjati dorën dhe u përshëndet me fatorinon gjithë mirësjellje, pa i treguar asnjë lloj dokumenti. Në moment fatorinua u largua dhe burri pasi u rehatua m`u drejtua mua.

- Mirë je?

-Faleminderit mirë, - po ju mirë jeni?

- Mirë.

Qëndrova indiferent i zhytur në botën time të meditimit. Ai, po sillej në sendile dhe kërkonte shkas për muhabet, por unë bëra sikur nuk e vura re dhe shikimin e kisha drejtuar jashtë dritares. Mësueset që ishin ulur pas meje ia kishin nisur një thashethemi që “nuk kishte anë e qoshe” si i thotë populli.

- Ua moj ti, si e kam shtyrë ditën sot!

-Ai Genti më vdiq sot, që në mëngjes e deri sa mbarova mësimin!

- Ee, - ia priti tjetra, - po ai imi që me zor mbahet kur fle gjumë dhe jo ta kesh në klasë...

Rituali i thashethemeve vazhdonte midis mësueseve dhe asnjëra  nuk lëshonte pe. Të gjitha flisnin njëherësh dhe nuk u vinin pikë fjalive dhe frazave që sajonin në momentet. Ato nuk e vrisnin mendjen, që dëgjuesit pranë tyre po shqetësoheshin nga bisedat me zë të lartë. Burri që ishte ulur në sedilje me mua kur e pa që unë nuk po i jepja muhabet u drejtohet mësueseve.

- Ju mësuska  mos flisni me zë të lartë se po na shqetësoni!

“Mësueskat”, heshtën një moment, e shikuan drejtë e në sy dhe nuk folën…., si të thuash  nuk ia vunë veshin dhe nuk reaguan ndaj burrit me mustaqe. Kur e pa që nuk mori përgjigje, burri u kthye nga unë dhe më pyeti:

- Nga je, zotëri?

Për mos i dhënë shkas për debat dhe bisedë të mëtejshme iu përgjigja:

-Jam nga Berati.

- Aha ti qenke andej nga burrat rrinë urtë mor burrë! - më tha ai me një theks malësori. -Po pse ju ka sharë Osman Gazepi ju beratasit mor burrë? - vazhdoi të fliste pa marrë aprovimin tim për ç’ka thoshte.

-Nuk e kam njohur Osman Gazepin, - i përgjigjem shkurtë.

Ai ndenji pak dhe dukej se nuk e nxinte vendi në sedilje, dukej nuk po ndihej mirë ngaqë unë s`po e përfillja.

-Ama dhe ju ç’keni një deputet…. - atë Erion..., pesë kile burrë, i futur në rrecka!

-Nuk e njoh zotëri këtë person, kam shumë vite që banojë në Tiranë dhe ai nuk është deputeti im.

-Edhe unë në Tiranë banojë, në Laprakë, që prej 17 vjetësh, por bëjë muhabet dhe ruaj zakonet e trevës sime, - vazhdoi në të tijën burri mustaqelli. Kur e pa që mbajta të njëjtin qëndrim të ftohtë, ai kush e di pse nisi të lëvizte buzët në mënyrë instinktive si fliste me vete.

Mësueset vazhdonin thashethemet me zë të lartë. Papritmas, njërës nga zonjushat që ishte ulur pas meje, i bie telefoni. Mësuesja pasi iu përgjigj, ia jep telefonin asaj më të resë dhe më llafazanes që nuk linte fjalë shqip-shqip pa përdorur me koleget e saja, edhe përse ato ishin më të vjetra se ajo dhe rreth saj dhe kolegeve gjendeshin dhe persona të tjerë.

Në muhabetet që zonjusha e re po këmbente me koleget më të vjetra, ajo e reja u thotë shoqeve: - Unë i thashë një nxënësi: “ Po dëgjomë mor djalë një herë mua të flas, pastaj fol ti!”

Këtë fjali ajo e përsëriti nja pesa apo gjashtë herë, ndërkohë që midis kolegeve të saj nisi një bisedë ku ato veçse flisnin dhe thuajse nuk e dëgjonin njëra-tjetrën.

Burri, i cili u mërzit ngaqë unë nuk po i jepja muhabet, i drejtohet zonjushës:

- Më falni ju mësuska, po ti me mënyrën se si flet më ngjason me një sekretare partie të kohës së Enverit...

Mësuesja e re në fillimi nuk reagoi, por kur pa që zotëria mori super xhiro, iu përvesh vençe.

-Ti zotëri kthe kokën përpara dhe shiko punën tënde. Ty nuk të foli njeri dhe mos fut hundët në punët tona. Se ç’themi ne është puna jonë. Ti nuk ke përse të shikosh nga ne se, po të shikojë dikush gruan tënde, kështu siç po vepron ti, ju andej nxirrni koburen dhe...

Mësuesja  e re i liroi frenat dhe po i jepte gaz me gjithë forcën e mushkërive batutave që nuk kishin të mbaruar. Zotëria kur e pa që nuk mund t`ia dilte mësuskës, që e mbyti me fjalë jo vetëm atë, por dhe pasagjerët që ndodheshin rreth e qark saj, e mbylli gojën dhe nuk u ndjen më.

Mësueset nuk reshtën gjithë rrugës duke bërë thashethemet më shumë se më parë.

-Ee, burrë gjashtëdhjetë e shtatë vjeç dhe rri e na bënë  gërrë-gërrë. Hapin sytë dhe kërkojnë muhabet, etj, etj….- vazhdoi mësuesja e re, që këputi dhe nja dy fjalë allapopullorçe…

-Moj, ç’është ky Edisoni që ti do të regjistrosh? -  i drejtohet mësuesja e re koleges, që ishte ulur pas meje.

- Epo është ai nxënësi moj, që kam unë në klasë, - tha ajo me një theks jugor.

-Ua, ai maskarai moj, që shkruan mesazhe në telefonat tanë dhe ti kërkon ti marrësh numrin!-e, duke thënë këto fjalë ajo lëshoi një mori fjalish që ngjasonin me fjalorin e rrugës. Zonjusha ngulte këmbë që t`ia regjistronte numrin se, njihte prindërit e fëmijës. Janë shumë të varfër dhe punojnë gjithë ditën për ta ushqyer atë fëmijë.

-Më mirë një këlysh, - foli zonjusha e re sesa një fëmijë si ai.

Batutat fyese për fëmijët, që mësonin këto mësuese ishin shumë të shpeshta, duke i quajtur fundërrina nxënësit e tyre dhe se në të ardhmen i takonin brezit të humbur.

I dëgjoja dhe pyesja veten: po veten e tyre ku e futin këto mësuese, mos vallë faki ishte më real cilësimi që u bëri ai burri me mustaqe duke  quajtur  “mësueska”?

Gjithsesi, ato që ç’farë do lloj mund të jenë, por jo  edukatore të brezit të ri.

Thashethemet vazhduan deri në momentin që unë zbrita nga autobusi. Në mendjen time mbetën “mësueskat”, që gjithë kohën që udhëtuan me autobus, nuk lanë muhabet dhe thashetheme pa  bërë…..Hajde “mësueska”, hajde, - mendoja me vete…..

Dy emigrante të panjohura

Ora shënonte 11 00. Zbritëm nga autobusi  linjës së Kombinatit, te fabrika e birrës “Tirana” dhe morëm autobusin e linjës së Vlorës. Një djalë i gjatë mblidhte pasagjerët për në autobusin e linjës.

-Jo, - kundërshtoj gruaja, - presim autobusin e Fierit, nuk kemi përse të udhëtojmë me autobusin e linjës së Vlorës, apo nuk e shikon se që të gjitha vendet janë zëna.

Djali ndiqte bisedën tonë “vjedhurazi” dhe nuk na u nda deri sa na siguroj dy vende nga mesi i autobusit. Zumë vend dhe, pasi rregulluam bagazhet poshtë këmbëve tona, po qëndronim në pritje të nisjes së autobusit. Në krahun e majtë në një sedilje paralel me tonën, u ulën dy gra, të cilat edhe pse nuk njiheshin fare me njëra- tjetrën, ja filluan një muhabeti që nuk kishte të sosur. Bisedonin me zë të lartë dhe na tërhoqën vëmendjen.

-Janë mësuese, - foli gruaja.

-Ku i njeh ti se, ç’farë profesioni kanë? - e pyes gruan.

-Duken nga muhabetet që bëjnë, - foli qetësisht gruaja.

-Uf! - mu drejtua gruaja, - shyqyr që shpëtuam nga urbani linjës së Kombinatit se dhe tani më ulërijnë veshët nga ajo “simfoni” e llamarinës së atij autobusi.

-Mos u ndiej, se për shtatë vjet ke udhëtuar me atë linjë dhe nuk ankoheshe asnjëherë, kur shkoje në punë te shkolla “Musene Kokolari”.

-Isha e detyruar ti dëgjoja ato “simfoni” dy herë në ditë dhe më ishin mësuar veshët, por tani nuk i durojë dot.

-S’kemi ç’farë të bëjmë moj grua se vetëm kjo linjë mban këta lloj autobusësh, të tjerët i ndërruan dhe morën autobusë të rinj.

-Uh,  moj xhane, sa pluhur e tym ka këtu te ne, po në Amerikë të kesh mall të shikosh pak tym… të gjitha rrugët janë të pastra, ti lëpish me gjuhë.

- E pse, vetëm Amerika ka rrugë të pastra, po Roma, Greqia, Turqia e Franca si i kanë rrugët, - ia nisi bisedës tjetra duke treguar pa mbarim historitë e tyre.

Unë moj motër kam qenë në Greqi emigrante për shumë kohësh dhe më në fund më doli lotaria për në Amerikë dhe shkova te vajza, e cila kishte shkuar më parë me burrin. Atje fitova azilin dhe më paguajnë pension 600 dollar.

-Po si e përballon jetën me 600 dollar ti moj motër, - e pyeti shoqja.

-Epo 600 dollar i marr unë dhe 600 dollar i merr burri, kurse qiranë na e paguan shteti. Vajzën e kam të martuar dhe punon në punë të mirë, kështu që më ndihmon dhe ajo kur unë kam nevojë.

- Dhe unë vajzën e kam të martuar në Romë dhe kalon shumë mirë me burrin, - e ka italian.

Të dyja tregonin për darkat dhe drekat që kishin ngrënë në lokalet e Greqisë dhe të Italisë dhe mburreshin, a thuaj se ishin milionere dhe kishin vizituar gjithë vendet e Europës.

Në një moment gruaja që banonte në Amerikë nxori celularin dhe zhvilloi një bisedë me dikë që në fund të bisedës i kërkoi një numër për mbesën e saj. Pasi shënoi numrin dhe e regjistroi në telefonin e saj, iu ankua shoqes se me kartën që kishte marr në Tiranë nuk e mbushte dot telefonin.

-Lëre se ç’farë kam hequr moj xhane në Tiranë, duke bredhur nga njëri cepi i rrugës në cepin tjetër, për të gjetur një kartë. Po kur pyes një që shiste fruta-perime, se ku mund të gjeja një kartë, - ajo më tha që kam unë. Sa u gëzova,  mu duk sikur ma fali atë kartë. Po këtu në Tiranë nuk ka një dyqan ku të mbushësh celularin moj shpirt, se atje në Amerikë i ke radhë dyqanet dhe e gjen në çdo moment që të nevojitet.

- Epo Shqipëri hesapi moj xhane, nuk u rregullua që s`u rregullua ky vendi ynë edhe pse kanë kaluar 20 vjet.

-Na moj shpirt dhe fol me telefonin tim, pse çfarë jemi ne!- i foli shoqja dhe i zgjati celularin që të fliste me të.

Mori telefonin dhe pasi formoi numrin iu drejtua mbesës:

-Dëgjo moj, shko në bankë e merr kredi dhe hiç mos ia shtri dorën atij “qeni”. Dhe na moj se të mora me telefonin e kësaj shoqes, që ta dish vetëm ti dhe mos i thuaj njeriu, dëgjove?

Falënderoi shoqen për telefonatën dhe biseda për darkat e drekat në vendet që kishin vizituar nuk kishin të mbaruar.

-Po na moj xhane, se nuk më the se ku ke punuar ti para viteve ’90?

- Unë moj shpirt, që ta dish ti kam punuar në Poliçan të Skraparit, atje ku bëheshin bomba e fishekë. Unë moj xhane kam punuar në një sektor të vështirë, që çfarë të tregoi se sa jetë njerëzish janë vrarë atje.

Bile një rast nuk më hiqet nga mëndja… Ishte ditë e hënë, kohë dreke  brigadieri ynë na dha pushimin e drekës dhe vet ndenji në dhomën e punës, aty ku punonim ne. Të dielën kishte qenë në dasmë dhe të hënën erdhi në punë. Punoi gjithë paraditen me ne dhe kur erdhi koha e drekës pasi na dha leje neve ai vazhdoi të punonte. Nuk kaloi shumë kohë dhe  ne dëgjuam një zhurmë shumë të forte, gati sa nuk na u çan veshët. U çan muret dhe tymi i zi delte nga reparti ynë. Ç’farë të tregoj moj shpirt, atij djali, që ishte i vetëm në familje, nuk ju gjet as nami e as nishani atë ditë. Të nesërmen se ku gjetën ca copa mishi dhe një krah me orën e dorës dhe i vendosën në arkivol. Ne për një muaj nuk dëgjonim të futeshim në repart. Pas një muaj na e shkurtuan kohën e punës me gjashtë orë dhe u detyruam të fillonim përsëri, sepse ishim specializuar një vit moj, e nuk i thonë shaka. U futëm në repart dhe u ulën në tavolinat e punës, po çfarë të shikoje moj shpirt, koka e atij djali ishte ngjitur në tavan. E moj shpirt sa djem e vajza kanë vdekur në atë uzinë!.. dhe ne që shpëtuam gjallë, na nxorën në pension para kohe me një pagë qesharake. Tani unë banojë në Vlorë dhe fëmijët i kam në Greqi dhe Itali, jam vetëm me burrin.

-A moj xhane sa kemi vuajtur ne ato vite t`ja tregojmë tokës dhe qiellit. Dhe mua ma dënuan burrin dhe ma futën në burg. Unë kam punuar në tregti se më pushuan nga puna, kur ra burri në burg…..

-Po pse çfarë pune bëje më pare,- e pyeti gruaja.

- Unë isha mësuese, por pasi më ra im shoq në burg nuk më lejuan të ushtroja profesionin. Më thirri sekretari i komitetit ekzekutiv dhe më tha që të shkosh të punosh në tregti.

-Po mirë, nuk paske qenë keq, se ata të çonin dhe në fermë, e ti bije lavares. Po, po por unë kisha një mik që më mbrojti dhe deri sa doli burri nga burgu punoja si “qeni”.

-Çfarë profesioni kishte burri moj shpirt?

- Burri im ishte mjek dhe diçka foli, pastaj, e merr vesh, spiuni bëri punën... Kur erdhi demokracia burri doli nga burgu dhe shkuam në Greqi. Dy punë kemi bërë moj xhane sa mblodhëm paratë e blemë një shtëpi, po do ti na doli lotaria dhe ikëm në Amerikë.

-Në cilën shtet të Amerikës je moj shpirt, - pyeti gruaja që banonte në Vlorë.

-Unë jam në Boston, po çfarë të tregoi moj motër sa mirë që jetohet andej, po këtu te ne i ka rënë tymi dhe flaka…

Më në fund ne arritëm në vendin e duhur, kurse biseda e tyre vazhdonte pambarim...

Në ëndërr mu faneps

Natë me shi.

Era frynte furishëm dhe degat e pemëve turfullonin lloje-lloje simfonish, që nga muzika popullore e deri te simfonitë e Bethovenit.

Dhelpra ishte shtrirë në cepin e shtratit e kthyer me sy nga tavani e, gjumi se zinte që se zinte.

Ashtu e menduar, nën simfoninë e fëshfëritjeve të gjetheve që lëviznin pa pushim nga era e fortë që frynte e vetëm frynte pa pushim, e kishte zënë gjumi.

S’kishte kaluar shumë kohë dhe ajo u gjend midis vogëlushëve, të cilët lodronin të lumtur.

Në një cep të oborrit rrinin dhelparakja me zonjushat drenusha, të cilat i bënin lajka ujkut për trupin e bukur që kishte. Afër fushës së volejbollit ujku me ujkonjat kishin filluar një lojë që s’kishte të mbaruar. Kafshët e tjera ishin strukur në një cep të pyllit dhe bënin tifo kur zoti ujk kërcente lartë dhe gjuante topin me sa fuqi kishte.

Ora e pushimit mbaroi dhe ujku urdhëroi që të mblidhnin rrjetën dhe të rreshtoheshin para shkollës. Dhelparakja pa me qesëndi nga zoti ujk dhe së bashku me drenushat u ngjit gjithë sëkëlldi në korridorin e katit të dytë.

Nxënësit u futën nëpër klasa dhe të gjithë mësuesit morën regjistrat dhe u nisën drejt klasave. Një makinë X 5 qëndroi para derës së shkollës dhe prej andej zbritën dy burra. Ai i kollarisuri ecte para dhe ai tjetri qëndronte dy-tre hapa pas tij, për të treguar se i pari ishte ai që ecte para.

Ngjitën shkallët e katit të parë dhe kur morën drejtimin e katit të dytë njëri nga mësuesit që e kishte vënë re makinën para portës së shkollës e kishte lajmëruar zotin ujk për ardhjen e inspektorit.

Urdhri ishte i prerë: Të gjithë mësuesit në sallë! Të gjithë mësuesit si me komandë u mblodhën në sallë dhe pas përshëndetjes inspektori, ai me kollare, mori fjalën dhe komunikoj se zoti ujk lirohet nga detyra dhe në detyrë emërohet zonja dhelpër. Të gjithë të pranishmit panë njëri-tjetrin në sy dhe futën bishtin ndër shalë dhe u larguan në drejtim të klasave pa thënë asnjë fjalë.

Një vetëtimë si një gjuhë gjarpri gjigant flakëriu  dhe dhoma ndriçoi e gjitha si me magji.

Dhelpra fërkoi sytë dhe me vete tha: -Jam unë apo s’jam unë!

Ëndrra nuk i largohej nga mëndja dhe fillojë ta përsëriste disa herë me vete, bile shkoi e hipi në karrige dhe foli me zë të lartë . “Të dashur koleg e kolege, kërkoi bashkëpunim dhe mbështetje nga ju. Unë jam shoqja juaj...”

Zoti ujk që banonte aty afër e dëgjoi që dhelpra po fliste me zë të lartë dhe afrohet poshtë dritares.

-Ç’të ka gjetur moj zonja dhelpër që qenke zgjuar kaq herët dhe fletë me zë të lartë.

-U zoti ujk pashë një ëndërr dhe më vjen zor ta tregojë, se ti more ujk je më i miri dhe më i forti i pyllit.

-Lëri moj ndrikull këto furça, por më trego përse po bërtisje me zë të lartë në majë të karriges?

-Po ja more zoti ujk, në ëndërr mu faneps sikur u bëra drejtoreshë.

-Ç’thua moj ndrikull, ke në mendje të më zësh vendin? - iu drejtua Ujku.

-Po jo more ujk, unë vetëm ëndrrën të tregova se, nuk e vendos unë, por ata …



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: