Kristaq Turtulli: Udhëtim në përvjetor
| E Diel, 03.12.2017, 08:58 AM |

UDHËTIM NË PËRVJETOR

NGA KRISTAQ TURTULLI

Është kohë e vranët. Ditë e ftohtë fund nëntori. Pika të rralla shiu lëpijnë me përtesë xhamin e madh të përparmë. Makina vrapon, përpin kilometra në autostradën 401, e cila është një nga autostradat më të gjata të Kanadasë. Nga të anët e rrugës shtrihen fusha të pafundme  të mbështjella me një mjegull e lehtë. Pyje gjysmë të zhveshura, ku tek tuk duken gjurmët e gjelbërimit të dikurshëm. Diku në sfondin e hirtë shfaqen qyteza të reja të ngritura me shtëpi të drunjta të stilit karakteristik. Me tej shohim ndonjë fermë të vjetër, me kullën e lartë të grurit dhe haurin e madh të bagëtive. Luadhin e shkretë të kuajve, të rrethuar me gardh të drunjtë. Të gjitha këto me madhështinë e trishtimin e dikurshëm. Pranë tyre ngrihet një tabelë të madhe, ku shkruhet në të: ‘Tokë në shitje’ dhe poshtë projekti i ndërtimeve, të shtëpive të reja si dhe çmimi pak i kripur i shtëpive të larta dy dhe tre kate që do ndërtohen së afërmi.

Makina vrapon në autostradë dhe nga radioja dëgjohet muzikë simfonike. I lutem të ndërrojë stacionin. Lëmë pas, në krahun e djathtë, rrugën që të çon në mrekullinë e papërsëritshme të natyrës: Të njëmijë e një ishujve. Dikush propozon që të kthehemi aty, të shohim Njëmijë e një ishujt, por unë nuk i kthej përgjigje, vazhdoj të kërkoj në radio ndonjë stacion me këngë qyteti.

- Në këtë përvjetor mirë është të bëjmë diçka më ndryshe, më të veçantë.- U thashë pardje miqve të mi. Dhe pas pak shtova:- Mendoj të shkojmë, të vizitojmë qytetin historik të Kingstonit. Të shohim fortifikatat nacional- historike të saj, si dhe shtëpinë muze ku ka jetuar kryeministri i parë kanadez John Aleksandër Makdonald.

Miqtë e mi u kthyen nga unë dhe më vështruan me habi përzierë me ironi.

-Ashtu! Në përvjetor!- ia bënë:- A nuk është pak larg prej Torontos?

-Pastaj! Ne do shkojmë ta ngremë si çdo vit flamurin dy krenare në Quins park, përpara parlamentit të Ontarios, dhe do dëgjojmë himnin tonë të flamurit. Ne gjithnjë do të respektojmë gjithçka të vyer tonën. Por gjithashtu duhet të njohim dhe të mësojmë diçka më shumë për vendin ku jetojmë dhe punojmë. Do zëmë disa dhoma me qira dhe mund të flemë një natë aty, - shpejtova ti sqaroja.

Dikush mblodhi buzët ngaqë i pëlqen të shkojë në mbrëmje dhe të rrëkëllejë ndonjë gotë me verë. Por nuk kundërshtoi. Tashmë është kryer pothuajse në traditë, këtu në mërgim, që ngjarja më e rëndësishme të atdheut, 28 nëntori, festohet me mbrëmje vallëzimi. Ku mblidhen shqiptarët të veshur bukur, burrat me kostume, gratë me tualet të rëndë dhe hanë e kërcejnë. Ftohen këngëtarë nga mëmëdheu, bëhet një atmosferë festive. Njëherë në vit bashkohen shqiptarët e mërguar në një sallë ku flitet shqip dhe këndohet shqip. Por ngandonjëherë mbrëmja degradon...

Por unë doja diçka më të veçantë dhe kështu mblidhemi rrallë. Bashkërisht shkuam në Quins Park dhe ngritëm flamurin. Kënduam himnin kombëtar, u emocionuam. E kuptuam, sa më shumë shkojnë vitet në mërgim, plakemi, aq më të malluar jemi me vendlindjen.

Tani po udhëtojmë drejt verilindjes të Kanadasë, të vendit të dytë në botë për nga hapësira territoriale. Pas disa orësh udhëtimi makina preu djathtas. Tabela e madhe në krah të rrugës na paralajmëronte se po i afroheshin qytetit të Kingstonit. Në qendër të qytetit ndaluam për të pinë kafe  dhe shpirë këmbët. Parkuam makinën. Përballë nesh ngrihej godina madhështore e hijerëndë bashkisë së qytetit, ndërtuar me gurë të gdhendur në stilin tradicional anglez. Pazari i madh si dhe godinat  përreth, të gjitha karakteristike, dy dhe tre katesh, të punuara me shije, të lyera me ngjyra pikante.

Shiu kish pushuar, por ndjehej era pak e ftohtë që vinte prej liqenit.

Pimë kafen e famshme të Tim Hortonsit, të themeluar nga lojtari i hakit. I hipëm makinës dhe u nisëm drejt bregut të qytetit.  Atje ku ndodhen fortesat e famshme dhe ku do të mësonim më shumë histori dhe ngjarje. Kingstoni është një nga qytetet më të vjetra të Kanadasë.

Qëndruam në copë herë në një verandë çlodhëse, shumë pranë liqenit, të lyer me ngjyrë të gjelbër, të ndërtuar prej vendasve. Grave tona u pëlqente të sodisnin liqenin prej aty. Kjo verandë të krijonte me të vërtet një ndjenjë intime dhe çlodhje. Gratë bënë disa fotografi, na u lutën dhe neve të pozonin me to.

Disa metra më larg prej verandës, ngrihej madhështore fortesa Murney. Fortesa ishte rrethuar me një kanal të gjerë, të punuar në gurë solidë. Kanali përqark kullës tashmë është pa ujë dhe fortesa lidhet me një urë të vogël metalike. Nuk më rihej pa hyrë në atë fortesë të rrallë, ndërtuar me gur e mure solidë. Kaluam urën e ngushtë, përkulëm kryet për shkak të hapësirës së ulët e të ngushtë të hyrjes. Korniza e derës dhe dera ishin veshur me çelik të trashë. Hymë pak me ndrojtje në fortesën e ngurtë. Përpara na doli një vajzë e pashme, me dy bishtaleca të trasha të verdha, e të hedhura mbi gjoks. Ajo ishte veshur me kostumin tradicional të asaj kohe.

-Quhem Stela,- u prezantua ajo. Na zgjati dorën bardhoshe, topolake, na takoi dhe buzëqeshi bukur. Përnjëherësh iu krijuan dy gropëza të vogla në faqet bardhoshe.

Paguam çmimin simbolik për person, për të hyrë brenda në fortesë dhe mësuar sa më shumë histori. Vajza e quajtur Stela, qëndroi përpara një hartë dhe filloi të na fliste për vendndodhjen, historikun e qytetit të Kingstonit e të fortesës në fjalë.

Ndoshta ky qytet mund të ish dhe sot kryeqyteti i Kanadasë. Kryeministri i parë i vendit John Aleksandër Macdonal, lindur dhe rritur në këtë qytet, së bashku me të tjerët, propozuan për këtë qytet. Ata ishin të mendimit, duke u nisur për nga vlerat historike, ta bënin Kingstonin kryeqytet, - nisi bisedën ajo:- Këtu u mblodhën nismëtarët, baballarët e kombit dhe morën vendimet e para historike për bashkimin e provincave dhe formimin e një shteti të ri që pritej të krijohej. Atëherë vetëm dy provinca ishin për bashkimin në federatë, provinca e Ontarios dhe provinca e Kibekut. Por nuk ishte i të njëjti mendim mbretëresha e Anglisë, Viktoria.  Ajo për shumë arsye kundërshtoi mendimin e tyre. Mendimet e saj ishin shumë të drejta e të rëndësishme. Së pari, kryeqyteti duhej të ishte sa më larg kufirit prej Amerikës dhe qendër midis dy provincave. Mbretëresha Viktoria propozoi për kryeqytet, kryeqytetin që është sot, Otavën.

Qyteti i Kingstoni ndodhet në lindje të provincës së Ontarios. Ja këtu tek ne liqeni i madh i Ontarios nisën e ngushtohet dhe shndërrohet në lumë të gjerë, bëhet lumi i Shën Lorencës. Kingstoni gjendet midis dy qyteteve të rëndësishme të Kanadasë: Torontos dhe Montrealit. Siç do ta mësoni qyteti i Kingstonit është një nga qytetet më të vjetra të vendit dhe me shumë histori dhe ngjarje. Siç ju thashë këtu u hodhën themelet e para të ardhmërisë së Kanadasë. Biri i këtij vendi udhëhoqi drejt bashkimit dhe përparimin shtetin e porsa krijuar të Kanadesë.

Qyteti i Kingstonit nisi të merrte frymë dhe jetë  e të zhvillohej në shekullin 17, për shkak të gjirit të ngrohtë. Nyje lidhëse e lundrimit e marrëveshjeve tregtare me banorët vendas dhe e ardhësve të tjerë. Aty nga viti 1673 kjo zonë ishte nën influencës e franceze dhe të guvernatorit të Francës së re Luis de Boade de Frontenak. Vite më vonë pas disa luftërave, përplasjeve dhe betejave midis francezëve e anglezëve, ndodhën ndryshime të rëndësishme,si pozitë strategjike, ndikim dhe qeverisje. Në vitin 1783 kjo zonë kaloi përfundimisht nën influencën Angleze dhe u quajt ‘qyteti i mbretit’ për nder të mbretit anglez të asaj kohe, George i III.(Gjergj)

Fortesa Murney u ngrit në këtë vend strategjik për të mbrojtur vendin prej pushtimit të armikut, Amerikës. Fortesa Murney përbëhej prej tre kate. Për çdo rast të mundshëm lidhet me dalje dhe kanale të nëndheshme. Në katin qendror janë ekspozuar stenda të ndryshme. Ky kat ka qënë vend pritje, qëndrimi, fjetjeje, veshje të ndryshme dhe shtretër. Luftëtarët qëndronin aty me gjithë familje. Ne pamë gjithashtu veshje të ndryshme femrash. Nëpër muret e ngurta ishin varur stenda të ndryshme ku paraqiteshin ngjarjet të rëndësishme të kohës. Kishte shumë ilustrime, pamje beteje dhe pamje të fortesës së viteve të shkuara. Tullumbi gjendej në krahun e majtë, në qoshe të fortesës, ku luftëtarët dhe familjarët laheshin dhe shuanin etjen. Gjithçka ishte e rëndë, impozante, me vulën  e kohës, në të cilën ishte ndërtuar kjo fortesë. Stufa e nxirë nga koha dhe përdorimi, vendi i gatimit, si dhe të gjitha orenditë e tjera shtëpiake. Të gjitha të ruajtura me besueshmëri.

Stela na udhëhoqi në katin e nëndheshëm. Te ky kat të çonte një shkalline e ngushtë metalike. Ndërtuar me gurrë të mëdhenj, dyer prej hekuri, të trasha, të rënda. Kati i përdhes kishte labirinte dhe shumë të ndara. Të katër anët e pjesës së nëndheshme të fortesës qenë  të mbushura me frëngji të ngushta. Prej aty kishe përpara një pjesë të liqenit, mund të mbroheshe dhe njëherësh zgjasje pushkën e të qëlloje. Kishte vende ku luftëtarët bënin roje dhe vigjilonin. Vende të veçanta, të mbrojtura nga lagështia ku vihej baruti. Depo armatimi, qyle çeliku, veshjet e natës, uniforma luftëtarësh, shpata, heshta. Pas çdo shpjegim të Stelës emocionoheshin dhe përnjëherësh përfytyronim afrimin e anijeve të kundërshtarit. Lëvizjet e nxituara të luftëtareve, mbushjen e pushkëve dhe topave, shpërthimin e gjyleve, zjarrin e luftës së madhe, tymin e barutit. Klithmat e luftëtarëve të plagosur, gjakun e derdhur, shqetësimin dhe frikën e familjarëve.

Më pas Stela na shoqëroi në katin e tretë. U ngjitën nëpër shkallë të trasha të ngurta. Ajo me vështirësi shtyu derën e trashë, të drunjtë e të thurur me kasë metalike. Nga brenda pamë që kish një lloz të madh, që futej thellë në mur. Kjo derë mund të mbyllej e të sigurohej mirë prej topçinjve, në mënyrë të vazhdohej lufta, e sikur kati i parë të pushtohej pabesisht prej armikut. Shumë pranë dëgjuam zhaurimën e ujit të liqenit. Kati i tretë ishte ngritur dhe shtruar me gurtë të mëdhenj për të përballuar edhe gjylet më të rënda. Në qendër të hapësirës të katit të tretë, vërtitej mbi shina një top i madh dhe shtrati i tij me trarë të trashë dhe kordon metalik.

-Aso kohe shembulla si ky top dhe fortifikim kishte vetën në disa ishuj, pika mbrojtëse në detin Mesdhe,- na shpjegoi Stela, pastaj vazhdoi:- E sikur nga secili skaj të liqenit të afroheshin anijet e armikut, përsëri mund të kapeshin dhe asgjësoheshin prej rrezes së topit.

Vështronim me vëmendje rreth e rrotull. Punimi dhe ndërtimi inxhinjerik i kësaj fortese dhe e topit të madh ishte vërtet i rrallë për kohën.

-Siç e shihni gryka e topit përfshin të gjithë hapësirën e liqenit që shtrihet përpara nesh,- na sqaroi me krenari Stela dhe shtriu krahun përpara: -Topi qëllonte drejt e në shenjë dhe mbrohej fare mirë nga këto mure të trasha dhe të larta.

Të emocionuar vështruam hapësirën e ujit të liqenit që shtihej përpara, si në pëllëmbë të dorës. Topin e madh dhe muret përreth. Nëpër xhepat e mureve kishte gjyle çeliku të madhësive të ndryshme. Për një moment përfytyruam afrimin e anijeve të kundërshtarit, thirrjet e topçinjve, vendosjen e gjyleve dhe gjëmimin e madh të zbrazjes së topit. Lëkundjen e anijeve të gjuajtura prej gjyleve të topit të madh. Klithmat e trembura të marinarëve dhe luftëtareve. Goditjen gjëmëmadhe dhe mbytjen e anijeve në ujërat e ftohta e liqenit.

-Në Kingston kemi gjithashtu dhe disa kulla fortifikimi të këtilla. Ato janë ndërtuar përgjatë bregut të qytetit dhe janë Nacional Historike për vendin dhe vlerat që kanë vlera. Këto kulla fortifikimi janë të rralla për llojin e vet, -vazhdoi të na sqaronte Stela:- këto kulla fortesë, janë pothuajse të njëjtë si kjo që shihni. Kullat fortesë:

Mortallo, Murney, Shoal, Cathkart, Fort Frederik. Më e madhja për nga mënyra e shtrirjes dhe rëndësisë është Kulla fortesë Fort Henry. Kjo fortesë është më strategjikja e mbrojtjes angleze të  Amerikës së veriut, që shkon deri në perëndim të qytetit të Kibekut. Gjithashtu kjo fortesë kontrollonte trafikun e lundrimit të lumit të Shën Lorencës dhe liqenit të Ontarios. Këto kulla, fortesa kishin një rëndësi të padiskutueshme fortifikuese, mbrojtëse dhe u ngritën nën kërcënimin e një ataku të mundshëm prej armikut të pritshëm. U ngritën, për të mbrojtur Kingstonin dhe Rideau Kanal. Fill pas luftës që u zhvillua në vitin 1812, pushtimit amerikan dhe mbrapsjes së tyre deri në kufijtë që janë sot...

-Ju lutem Stela, ka mundësi të më thoni, sa luftëra u zhvilluan, sa sulme u sprapsën fill pas ndërtimit të këtyre kullave të fuqishme fortifikuese? Sa beteja u bënë dhe sa anije të armikut u mbytën, aty në liqen? -pyeta i paduruar Stelën.

Stela më vështroi një copë herë me habi. Me gishtat e hollë trazoi gërshetin e madh. Pastaj buzëqeshi ëmbëlsisht. Përsëri iu krijuan dy gropëza të mrekullueshme të faqet bardhoshe.

-Hëm!- ia bëri:- Më pyetët sa luftëra u bënë, në mos gabohem apo jo?

-Po,- i thashë.

Stela u mor një copë herë me gërshetin madh. U mërzit, e hodhi pas shpine, pastaj foli me përtesë, gati me indiferentizëm:

-Fatmirësisht kullat fortifikuese të qytetit të Kingstonit nuk e provuan kurrë testin dhe shijen e luftës.

-Ah!- ia bëra dhe përnjëherësh më erdhën nëpër mend kullat dhe kështjellat e përzhitura, të rrënuara prej rrëmetit të vazhdueshëm të luftërave të vendit tim të dashur, Shqipëri, që gjendet mijëra kilometra larg prej këtu. Mijëra vjet përgjakje dhe histori. Si rrallë kush. Përgjatë shekujve ne kemi bërë mijëra përleshje dhe luftëra për ekzistencë. Kemi nxjerrë qindra dhe mijëra trima dhe heronj, por sa kemi lënë për brezat e ardhshëm, shumë pak fakte dhe histori. Një gur kështjelle e ka ngarkuar fshatari në gomar për të ngritur një avlli. I kemi ngritur heronjtë, vlerësuar dhe pas një kohe i kemi nëpërkëmbur dhe zhvleftësuar. Dikur në këtë vend u bë vetëm një luftë, në vitin 1812. Për këtë luftë kanë ngritur kudo lapidare dhe po lënë pas shumë histori...



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: