Poezi nga Pal Ndrecaj
| E Marte, 28.11.2017, 11:17 AM |

PAL NDRECAJ

U lind në vitin 1960 në Moglicë të Gjakovës. Ka  studiuar Letërsinë dhe Gjuhën Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Ka botuar këto libra: “Lule mbi Plagë”, poezi, Rilindja, Prishtinë 1993; “Akti i krijimit”, poezi, Rilindja 1995;  “Lista e zezë”, roman, “Gj. N. Kazazi”, Gjakovë 2010; “Gdhendja e përmasave”, poezi, Nju Jork, 2014. Ka punuar si mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe si dhe gazetar në të përditshmet kosovare “Bota sot’, “Zeri” dhe “Koha ditore. Jeton dhe vepron në Nju Jork.

 

DEMANT MËKATIT TË RRJEDHSHËM

 

Nuk di edhe sa udhë duhet bërë që të lë mbretërinë tënde

kam provuar shtigjet që bien më trup

dhe ato që shpiejnë për së largu

në jetë kështu nuk udhëtohet

thonë ata që të gjitha caqet

i kanë gjetur të gatshme si mëkatin e rrjedhshëm

prej të cilit nuk u lirua njëherë njerëzimi

 

Nuk pendohem pse desha të gjithat t`i provoj vetë

Ai që mblatoi baltën për ne

rrugët nuk i bëri të rrafshta

kodrat kthesat presin syrin tënd

ato nuk lojtën vetë as dje as kurrë

 

Më beso më i mirë është një dyshim që tmerrësisht të trazon

se besimi i dhuruar që ta fal rahatinë

që nuk ia shplon rrënjët as një fije bari!

 

Shprish gjithçka qoftë vetëm për ta parë njëherë

edhe dheun me të cilin je mblatuar trup e shpirt

ty vetë të takon të njohësh atë përbërje

Dhe mos çaj kokën nëse ndonjëherë lodhesh në gjysmëudhë

a nëse ndonjë hap prapa të kthen

mjaft që shtigjet janë provuar nga hapat tu

e dheu ka gjurmën e shputës sate

ashtu që tjerët që mblatohen prej tij

të jenë poashtu të gatshëm për fillime

 

MARTINI MË SHKRUAN PASI MBËRRIN NË ATDHE

 

Demarkacioni nuk ishte punë e kontestueshme

veç në Çakorr, babi!

 

Mate kah ta masësh

atdheu im nuk ishte tamam

ai që ndante me majat

tash kishte zbritë në rrëzë

 

Në vargun e tij të vlerave

dikush i paska luajtur gurët e kufirit

i kanë zbritur ku s'ishin kurrë

dhe atdheu im ish' tkurrë

atdheu që i kishte kufijtë matanë

një gur në diell

një tjetër në hanë

 

I kanë luajtur gurët i kanë luajtur

gurët që i kishin rrënjët thellë në zemër

njërin që ishte farë

tjetrin që ishte emër

 

Gurët qe merren në qafë i kanë luajtur...!

 

TABLLO ME ATDHEUN NË JAVËN E MADHE

 

Të hënën atdheu i sapoformësuar

për herë të parë me sytë e saj buzëqeshi

atdheu fytyrë e saj e gatuar nga baltë e zgjedhur...

në përngjasim të Zotit

 

Te martën ajo krehu flokët

ia hodhi atdheut mbi supe

pastaj u lëshoi pakëz të kuq buzëve

e mërkura lindi e puthur në të dyja faqet

 

Dikurë vonë

shfaqen shenjat e ndërrimit të motit

te enjtën në Moglicë bie borë

duken në male ujqit

arave studiove bie natë e ndjekjeve

ajo nxjerr dashurinë e vet

ia hedh atdheut përmbi

ai merr frynmë i strukur nën të

 

Të premten atdheun tonë

e çojnë për ta vënë në kryq

prej Nishi deri në Janinë

bie muzgu i vdekjes

(këtu bihet në gjunj dhe mbahet një mot heshtje)

 

E shtuna e varrit

natë e gjatë sa shekujt

shpejt do të kalojë

sipas profecisë së shenjtë

dhe gdhihet agimi i bardhë i së Dielës

së Pashkëve

dhe atdheu ynë ngritet nga varri

lehtë si ngritesh ti nga shtrati

një mëngjes që ende nuk të kanë prekur

dhimbjet për mua

dhe me buzët e shkrumbura

na shpërndan puthje të gjithëve

 

Të dielën më shumë se kurrë

atdheu të përngjan Ty

Ai është trupi dhe shpirti Yt

që më mban në jetë

 

POEZI PËR NJË FLUTUR DHE PËR NJË IDE

QË DIGJEN NË FUND TË FLUTURIMIT TË TYRE

 

Një flutur sillet rreth dritës mbi tavolinën time...

ndoshta duke besuar

se është dritë e agimit

 

Aq moskokëçarëse

sa më bën të frikësohem

se do të digjet

 

Pas pak pikërisht kjo ndodh

 

Pastaj s'lëvrin gjë më

heshtje

gjithcka ndalon në çast

edhe mendimet që silleshin rreth një ideje

që mundohej të bëjë  një poezi

të cilën pastaj e gëlltit terri i pasigurisë

e djeg

 

Mbyll kështu ditën time të sotme

me këto shkrumbe

dhe shkoj të flej

 

Nesër do të ngushëllohem

se ishin fluturime të rastësishme

që provokojnë para kohe

dhe se është e zakonshme dëshira me u sjellë

edhe nëse ke me u djegë në fund

 

TEK FUNDI KUR TË MBËRRISH

 

Kur të mbërrish tek fundi

duhet t'u kesh ardhur në fund synimeve...

jam kundër listave të gjata pa mbarim

 

Tek fundi kur të mbërrish

nuk është e dobishme të klikosh

kujtesën në fillim

është vonë

s`ka kohë të ndryshosh gjë

 

Tek fundi kur të mbërrish

mbërri qetë e pa brenga

çka ka mbetur në gjysmë

s'ka gjysmë tjetër që e bën tamam

 

As mos thuaj sa shpejt

gjërat që na tejkalojnë

nuk kthehen prapa të na presin

është defekt i pranuar ky

 

Pranë fundit mos mbërri papritur

shko shpesh e vizitoje atë

dhe kthehu ku ke mbetur

se do e gjesh masën e duhur

të saktësisë

nuk është e pamundur

bile është mirë te bëhet ritual

do ta shohësh se bën t'u ndërrohet

vendi i gabuar i gjërave

dhe nëse i vendos mirë

do ta shohësh se fundi

nuk është doemos fundi

 

TORTURË

 

Po! Kam me u varë për fjale

për secilën që ka ku me iu vu litari

S'ashtë në rregull me mendue

se e ke të drejtën e saj

se mundesh me i dhanë shpirt

po s'qe në gjendje me ia sjellë te fyti

në mënyrën ma mizore

n'torturat e gdhendjes!



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: