Dedë Zhivani: Bisedë me Prof.Murat Gecaj
| E Hene, 27.11.2017, 12:09 PM |

“KAM NDJESHMËRI TË VEÇANTË, PËR KRAHINËN TONË TË BUKUR, NIKAJ-MËRTUR!...”

-Bisedë, me Prof.Murat Gecaj, publicist e studiues-

NGA DEDË ZHIVANI

1.Pyetja e parë, me të cilën po u drejtohemi është: A mund të na tregoni diçka, sigurisht shkurt, rreth origjinës e prejardhjes së familjes suaj.(Kjo për lexuesin e gazetës sonë,  jashte komunitetit nikajmerturas)?

-Me këtë pyetje, i nderuar mik Dedë Zhivani, ma keni çuar mendimin në fundin e shekullit të 19-të. Pikërisht në atë kohë, të parët e mi, ndërmjet tyre dhe babai, Zef Marash Gecaj, u larguan përgjithnjë nga vendlindja, pra fshati  aq i bukur Curraj i Epërm.  Nuk do  të ndalem këtu për  arsyet, por më pas ata u vendosën në fashatin Markaj, pjesë e Bujanit të Krasniqes, pra në Malësinë e Gjakovës (Tropojë). Në vazhdim, gjithnjë duke punuar tokat e të tjerëve, për gjysmën e prodhimit, u vendosën në lagjen Rosujë, ku kam lindur unë dhe, më tej, në lagjen Fang të Mulosmanajve, ku dhe i gjeti kolektivizimi i bujqësisë.

Siç mund ta përmendim edhe më poshtë, gjatë bisedës sonë, ngjarjet rodhën të tilla për mua, pra që jetova nga mosha 12-vjeçare larg Malësisë së Gjakovës, në Tiranë. Por dhe më dërguan student për specializim në dialektologji, në ish-Leningrad (Saint Petersburg), kur pashë dhe Moskën e Rigën, deri sa u ndërprenë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona. Ndërsa, pas vitit 1990, kam udhëtuar nëpër trojet amtare të Ballkanit, pra në Kosovë, Shkup, Preshevë e Ulqin dhe në disa shtete të Europës (Itali, Francë, Suedi, Londër,Vjenë etj) dhe dy herë në Nju Jork (1993 e 1994). Megjithatë, kudo e kurdoherë, kam patur ndjeshmëri të veçantë për krahinën  e Nikaj-Mërturit, nga e kam origjinën, si dhe fshatin Bujan e tërë Malësinë e Gjakovës, ku e kalova fëmijërinë, për shumë arsye, si për traditat e shquara atdhetare, luftarake e liridashëse etj. Prandaj, sa e sa herë, kur më është dhnë mundësia, jam rikthyer atje, por dhe kam shkruar në shtyp e në librat e mi, për ato kujtime të pashlyera. Pa përmendur mjaft figura të tjera të shquara historike, më kanë ngjallur krenari të ligjëshme edhe Heronjtë Legjendarë: Mic Sokoli (Bujan), Bajram Curri (me origjinë nga fshati Curraj i Epërm), Prelë Tuli (Salcë) e të tjerë, për të ardhur te luftëtarët e viteve të stuhishme të betejave për çlirim.

2.Si cdo individ tjetër edhe ju keni fillesat ,në rrugën e arsimimit dhe të dijes.A mund të na e përshkruani udhëtimin tuaj shkollor, nga klasa e parë dhe deri ne majat e arsimimit tuaj,parfshirë këtu dhe kualifikimet e ndryshme, gjatë veprimtarisë suaj profesionale?

-Klasën e parë, me mësues Rifat Domin nga Kukësi dhe tërë filloren i kam nisur e mbaruar në shkollën e Bujanit, së pari, në mejtepin e xhamisë e më pas në një ndërtesë të re njëkattëshe. Kurse arsimin 7-vjeçar, që nga lagja Fang, pra më shumë se një orë larg, e kam vazhduar në shkollën e fshatit Kolgecaj. Aty kemi patur mësues, të cilët kishin ardhur kryesisht nga Shkodra, me drejtor të ndjerin Ndoc Çurçia dhe mësues Mark Temalin, Burhan Hotin e të tjerë.

Më tej, arsimin e mesëm e përfundova në shkollën ushtarake “Skënderbej”, nga u largova për arsye shëndetësore. Kohë e paharruar ishte dhe viti arsimor, 1957-1958, kur shërbeva në shkollën 7-vjeçare të fshatit Tropojë. Atje isha bashkë me disa kolegë, si Elez Gashi e Fahri Doçi, të dy tani “Mësues të Popullit”.Ndërsa, në vazhdim, degën gjuhë-letërsi shqipe e nisa dhe e mbarova në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës. Isha studenti i parë, që mbrojta diplomën dhe me vlerësimin “shumë mirë”,  me temë nga dialektologjia, për të folmen e Krasniqes dhe udhëheqës kisha Prof.Jorgji Gjinarin. Ishte vlerësim e nder për mua që, në atë periudhë, e përshëndeta Konferencën e Parë Mbarëkombëtare të Studimeve Albanologjike, mbajtur në kryeqytetin tonë, në emër të studentëve të Universitetit të Tiranës.

3.Mbaruat studimet e larta për mësues…Ku shërbyet mbas diplomimit?

-Kisha nisur të shkruaja në shtyp që në moshën 14-vjeçare dhe këtë punë nuk  e ndërpreva as më vonë. Kjo ishte arsyeja kryesore, që mua më caktuan menjëherë të shërbeja në shtypin e kohës. Konkretisht, isha tre vjet redaktor në gazetën e fëmijëve “Pionieri”, botim i Komitetit Qendror të Rinisë. Mirëpo, kjo punë u ndërpre në pranverën e vitit 1966, kur më dërguan familjarisht në qytetin “Bajaram Curri”. Bashkëshortja ishte mësuese dhe kishim një fëmijë të mitur. Atje punova më shumë se tre vjet sekretar i  dytë i Komitetit të Rinisë së rrethit. Më kujtohet se e asaj priudhe është bsigada e rinisë “Gjelosh Rama”, me 108 vajza të krahinës Nikaj-Mërtur, të cilat punuan pa u lodhur, në ndërtimin e hekurudhës Rrogozhinë-Fier. Pas rinisë, më caktuan kryeinspektor të kulturës, ku shërbeva deri në dhjetor 1973. Përsëri ruaj një kujtim të asaj kohe, ku sigurisht dhashë ndihmesën time, se në qendër të Nikaj-Merturit u organizua një seminar kombëtar për kulturën. Gjithashtu, për herë të parë u festua përvjetori i shkollës në fshatin Gjonpepaj, e cila është e para në tërë Malësinë e Gjakovës (hapur më 1 maj 1918). Në kohën, kur shërbeja në atë rreth, më ftuan të merrja pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (nëntor, 1972), ku dhe lexova një temë.

Ndër librat e mi, për të cilin do të flas dhe më poshtë, është dhe ai jetëshkrimor (biografik): “Ëndrrat ‘e grisura’ të jetës sime” (Tiranë, 2010). Pra, si i thonë fjalës, asnjëherë “nuk  më zunë këmbët dhe”(ha,ha). Në janarin e vitit 1974, më caktuan redaktor në gazetën ditore “Bashkimi”, ku isha  dhe anëtar i kolegjiumit. Shërbeva aty deri në vitin 1980, kur më transferuan redaktor në gazetën “Mësuesi”, botim i Ministrisë së Arsimit e Kulturës. Me gjithë ndonjë shqetësim, që m’u krijua  aty për arsye “bografie”, pra se donin të më largonin nga shtyppi(?), aty shërbeva rreth 22 vjet radhazi, deri në nëntorin e vitit 2002, kur dola në pension. Për një periudhë, në Ministrinë e Arsismit e Kulturës kam qenë sekretar i Bordit të Vlerësimit të Botimeve Jashëshkollore, të cilin e kryesonte Prof.i ndjerë Bedri Dedja-Akademik (ish-kryeredaktori i parë i gazetës “Mësuesi”).

4.Çfarë grade ose titull  shkencor keni fituar,në rrugëtimin e dijes  dhe ushtrimit profesional, gjatë veprimmtarisë suaj jetësore?

-Puna  e gjatë në gazetën “Mësuesi”(por dhe më parë në “Pionieri” e më pas në gazetën “Bashkimi”, me rininë  e kulturën në Tropojë) më ka lidhur  shumë ngusht me jetën arsimore në vndin tonë.Pra, kam vizituar dhjetëra  shkolla, 7 e 8-vjeçare, të mesme e të larta, që nga Veriu dhe deri në Jug e anasjelltas. Kështu, kjo pjesë shumë e rëndësishme e jetës së fëmijëve, prindërve e mbarë shoqërisë shqiptare, la gjurmë të thella në mendjen e zemrën time.

Duke shkruar në shtyp, por dhe duke publikuar studime në revista të ndryshme shkencore, më lindi mendimi që ta nisja punën për të marrë një gradë shkencore. Së pari, duheshin dhënë 3-4 provime  pasuniversitare, për të kaluar nga dega gjuhë-letërsi, në profilin pedagogji-psikologji. Po kështu, më duhej të bëja përgatitje shumë serioze për të dhënë 4 provime pasuniversitare: Pedagogji, Psikologji, Histori e Arsimit Shqiptar dhe Gjuhë e Huaj. Pasi i kreva këto detyra, me notat maksimale, me dëshirën time, u caktua tema e disertacionit: “Faqe nga historiku i Normales së Shkupit”. U zgjodh pikërisht kjo  temë, sepas ajo ishte çerdhja e parë, ku mësuesit atdhetarë Sali Gjukë Dukagjini e Bedri Pejani,  tani “Mësues të Popullit” e “Nderi i Kombit”,  përgatitën mësimdhënësit e parë të shqipes. Pastaj,  ata shërbyen kudo nëpër shkollat e trojeve tona amtare, si në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri, nga Malësia e Gjakovës (Tropoja) dhe deri  në Berat, Vlorë e Sarandë. Përveç shtypit të kohës e disa botimeve tjera, në Bibliotekën Kombëtare, gjurmova për një periudhë relativisht të gjatë, në Arkivin Qendror Shtetëror. Aty  hapa dhjetëra dosje, mbuluar nga pluhuri i viteve dhe kalova nëpër duar qindra e mijëra dokumente me rëndësi, që kishin lidhje ose jo me temën e disertacionit  tim. Më në fund, temën e përfunduar e dorëzova në sektorin përkatës të Institutit të Studimeve Pedagogjike, ku më kishin caktuar udhëheqës Prof.Qazim Kasharin. Pasi punimi u shqyrtua dhe u miratua nga Këshilli Shkencor aty dhe në Komisonin e Lartë të Atestimit, pranë Këshillit të Ministrave, mora gradën “Kandidant i Shkencave”(konvertuar më pas, në “Doktor i Shkencave”). Sigurisht, puna nuk mbaroi me kaq, Unë vazhdova të publikoja artikuj studimorë, në revsta shkencore dhe të botoja librat e parë. Mbi këtë bazë, u shqyrtua puna ime e më dhanë titullin “Mjeshtër Kërkmesh”(“Prof.i asociuar”).

Sigurisht, që nga ai vit, pra 1992, unë nuk e kam ndërprerë punën time kërkimore e studimore, si dhe botuese, në revista e me libra të ndryshëm. Po kështu, kam udhëhequr me sukses punime të studentëve , universitarë e pasuniversitarë, në profilet e gjuhës e letërsisë, pedagogjisë e psikologjisë.

5.Duke u aktivizuar  në jetën shoqërore, jeni pjesëtar në disa shoqata kombëtare dhe mbarëkombëtare. Si e vlerësoni këtë pjesëmarrje, me dobi të ndërsjelltë?

-U mbushën rreth 20 vjet në kryesinë e Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë, me detyrën sekretar i Përgjithshëm. Po kështu, jam përgjegjës seksioni, në Institutin e Integrimit të Kulturës Shqiptare, me qendër në Tiranë. Në këto dy shqoqata kemi organizuar e zhvilluar mjaft veprimtari të dobishme: atdhetare, kulturore, letrare e shoqërore. Ndër të tjera, kemi bërë  udhëtime të bukura e të paharruara nëpër trojet tona shqiptare: në Shkup, Preshevë, Prishtinë e Ulqin.Me ato përshtypje të pashlyera, botova librin “Rrahin zemrat arbërore”(Tiranë, 2011). Për disa vite radhazi, kam qenë anëtar i  Lidhjes së Gazetarëve Shqiptarë të Diasporës, me qendër në Nju Jork; jam “Anëtar Nderi” i Shoqatës së Shkrimtarëve e Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI-Albani”, Suedi dhe “Anëtar-Nderi” i Shoqatës së Miqësisë e Bashkëpunimit Shqipëri-Itali e tjerë. Sigurisht, këto më kanë sjellë  kënaqësi dhe janë vlerësime, që më janë bërë për punën time shoqërore. Por, njëkohësisht, më kanë ngarkuar me detyra e përgjegjësi për t’i kryer ato, sa më mirë. Pra, është dashur të marr pjesë aktive në përgatitjen dhe zhvillimin e mjaft veprimtarive të larmishme të shoqatave të mësipërme dhe kam diskutuar e shprehur mendime, në tubime të tyre. Gjithashtu, kam bërë shumë publikime, në shtyp e në disa adresa të  Internetit, për veprimtaritë e zhvilluara ose kam ndihmuar në redaktimin e shkrimeve për libra të ndryshëm, si p.sh. disa numra të “Thesarit Kombëtar”, botim i ShShASh-Suedi etj.

Gjej rastin këtu t’i falënderoj e t’i përshëndes nga zemra, për bashkëpunimin frytdhënës, që kam patur me kolegë e miq të mi, në organizmat joqeveritare, si: me të ndjerin Dr.Ibrahim Gashi, Yllka Beçin, Hysen Ibrahimin, Albana Mëlyshin, Tajar Domin, Nikollë Lleshin, Av.Gjin Niklekajn etj.

6.Jeni punonjës i vjetër i shtypit, por dhe keni  ushtruar detyra të tjera…Pra, sa e si është vlerësuar puna juaj e përkushtuar shumëvjeçare?

-Është e ditur se, të flasësh për veten, është diçka e vështirë…Megjithatë, në respekt të pyetjes suaj, po u tregoj se Presidenti i Republikës së Shqipërisë më ka dhënë një Medalje “Naim Frashëri” e dy Urdhëra “Naim Frashëri”. Meqenëse ky fakt lidhet edhe me Shoqatën “Nikaj-Mërtur”, po shënoj këtu se dy herë jam propozuar prej saj, te Presidentët e Republikës  dhe një herë nga Shoqata e Arsimtarëve të Shqipërisë,(miratuar nga ministri i Arsimit), që të më jepet titulli “Mjeshtër i Madh”.  Por, fatkeqësisht, tash sa vjet nuk është dhënë asnjë sqarim ose përgjigje?!

Gjej  rastin që të falënderoj përzemërsisht disa shoqata e organizma joqeveritare, të cilat më kanë nderuar me “Mirënjohje” ose më kanë pranuar anëtar-nderi. Po përmendi këtu: Institutin e Integrimit të Kulturës Shqiptare(Tiranë); Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI-Albani” e Qendrën Atdhetare-Kulturore Shqiptare “Migjeni” (Suedi): Shoqatën Atdhetare për të Rënët e Kombit Shqiptar (Tiranë);  Komunen e Çairit (Shkup); Shoqatën Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes”(Fildedlfia-Amerikë); Shoqatën e Miqësisë e Bashkëpunimit Shqipëri-Itali; Klubin Letrar “Latif Berisha” dhe Komunën e Vushtrrisë (Kosovë) etj.

7. Një fushë mjaft e rëndësishme dhe e dobishme e juaja, është botimi i disa librave. Cilat janë temat, që ju tërheqin më shumë? Po, cilit punim do t’i riktheheshit edhe një herë, për ta plotsuar më mirë?

-Të merresh me studime, në fusha të ndryshme të diturisë njerëzore, është diçka e bukur, por dhe që kërkon shpenzim të fuqive e aftësive tua, mendore e fizike. Këtë gjë e përjetova edhe kur shkrova temën e disertacionit tim, në fushën e historisë së arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar. Siç e thashë dhe më lart, ajo trajtonte ndihmesën e mësuesve kosovarë për arsimin kombëtar shqiptar, duke përshkruar rolin që kanë luajtur në këtë drejtim, Normalja dhe Gjimnazi i Shkupit. Më pas, bazuar në këtë punim, shkrova dhe botova librin “Pishtarë të Normales së Shkupit”. (Kumanovë, 2002). Ndërsa një vit më parë kisha botuar librin “Nëpër udhët e shkollës shqipe”, ribotuar me përmirësime, në Tiranë, më 2008. Botime me karakter studimor e publicistik janë librat “Filologë që nuk harrohën”. (Tiranë, 2002), “Bedri Dedja: Në kujtesën tonë”. (Përmbledhje kujtimesh, (Tiranë, 2010) dhe “Mësuesi veteran Salih Myftar Kolgeci”. Monografi. (Tiranë, 2005). Nuk dua që të komentoj gjatë, për librat e botuar, për të cilët janë shkuar mjaft artikuj në shtyp e në Internet dhe është folur në  radio e TV. të ndryshëm.  Por vetëm shënoj se, pjesa kryesore e tyre janë, në tematikë e trajtim, me veçoritë e veta. Sigurisht, mund të bëheshin ndonjë redaktim ose shtesa tjera, në këta libra. Ndërsa, nuk mendoj as dëshiroj, që t’u rikthehem më atyre për ripunim, pasi u kanë qendruar viteve!

Po tregoj këtu se, viet e fundit, u kam kushtuar mjaft shkrime femrave krijuese, jo vetëm nga Shqipëria  e trojet amtare të Ballkanit, por dhe nga shtete të ndryshme të botës ku ato jetojnë e punojnë, si në Europë, Amerikë e Kanada. Këta libra janë: “Për ju, krijuese”. (Tiranë, 2015). dhe “Kur flasin zemrat”. (Tiranë, 2016). Javët e fundit kam dërguar në SHB “Erik”, me administratore Edlira Kamen,  librin e tretë antologjik, “Si ujëvarë bjeshke”, i cili flet për afër 70 krijuese tjera shqiptare, që kanë botuar librat e tyre,  në poezi e prozë.

Në mbyllje të fjalëve të mia, për 15 librat e botuar deri tani, nuk e lashë se e “harrova” atë, që kam më për zemër, librin jetëshkrimor: “Ëndrrat “e grisura’ të jetës sime”. (Tiranë, 2010). Ky libër u përurua në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit. Nga një orë, që ishte parashikuar, veprimtaria zgjati dy orë e gjysëm, me një pjesëmarrje shumë të madhe të familjarëve të  mi, kolegëve e miqëve, dashamirësve dhe njerëzve të njohur të arsimit, kulturës e artit, letërisë e shkencës, si dhe nga media e shkruar e ajo elektronike.

Sigurisht, kam të gatshëm për botim edhe libra  të tjerë, të cilët mund t’i botoja, në se do të kisha ndihma financiare. Ata u kushtohen disa figurave atdhetare dhe mësuesve veteranë nga Kosova. Pork am dhe me tematikë shoërore, portrete  dhe recensione për libra të kolegëve e miqëve të mi etj.

Dua të shtoj këtu, se jam bashkautor në disa libra të tjerë, ku janë botuar punime studimore e shkrime publicistike nga unë. Kam redaktuar ose kam bërë hyrjet për disa libra, që janë botuar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi e Preshevë. Por nuk dua t’i përmendi këtu ata, për të mos e zgjatur këtë bisedë tonën.

8.Ju keni vite ne pension. Por dimë, gjithashtu, se bëni një jetë aktive,jo vetëm shoqerore ,po dhe krijuese e publicistike,pasi pasioni ju ngacmon dhe ju shtyn në nje veprimtari të tillë.Si e organizoni diten e kohen ,në mes familjes ,shoqërisë dhe krijimtarisë, Profesor Murat Gecaj?

- Me këtë pyetje më kujtove profesorin e nderuar dhe shumë të dashur për mua, Akademikun Eqrem Çabej. Ai më tregonte: “Unë ngrihem herët dhe orët e para të mëngjesit janë më frytdhënëset, si në pësrgatitjen e leksioneve për studentët, por sidomos për studimet në fushën e gjuhësisë…”. Kështu, tani që nuk nxitoj të shkoj në punë në orët e para të mëngjesit, por dhe në mbrëmje, unë merrem me shkrime e lexime. Ndërsa gjatë ditës bëj takime për kafe, me miq e dashamirë; marr pjesë në përurime librash e festa ditëlindjesh të kolegëve e miqëve, shkoj në veprimtaritë e shoqatave të ndryshme etj. Në një kohë të përshtatshme të ditës u jam përgjigjur kërkesave për të folur në Radio-Tirana. (me gazetarë e moderatorë Kozeta Hoxhën, Jaho Margjekën, etj.), sidomos në emisionet për arsimin dhe në Radio-Kontakt e Radion “Zëri i Mitrovicës” etj. Gjithashtu, kam përgatitur shkrime dhe i kam postuar ato për publikim, në disa gazeta e qendra interneti, si brenda e jashtë Atdheut. Do të veçoja këtu publikimet në “Fjalën e Lirë”. (Londër), me Fatmir Terziun; “Diturinë”, në Boras të Suedisë, me Sokol Demakun; “Bota e Re”, me Vangjush Zikon; “Atuenis”, në Belgjikë, me Agron Shelën; “Dritarja online”, me Azem Osmanin etj. Pra, në një farë mënyre, përpiqem t’i jap jetë, fjalës së urtë popullore, se “koha është flori”, dhe mos të luj domino a letra, nëpër stolat e lulishteve a parqeve!

Pra, kohën time të ditës e zënë: shkrimet dhe publikimet në shtyp e Internet per perurime, ngjarje kulturore e shkencore etj., redaktimet dhe recensonnet ose hyrjet për botimet, portretet për kolegë e miq (kanë arritur mbi 300)…Kënaqësi më sjellin lidhjet e panumërta përmes Internetit, në Fb, e-maileve ose në Skype…

9.Çdo individ ka nostalegji e mallë për vendlindjen e krahinën e prejardhjes,e domosdo, edhe dëshira ,ndoshta të parealizuara,në atë vend e mjedis. A keni ndonjë dëshirë, te mbetur peng ose porosi, të cilën do  ua linit këshillë ose porosi brezave të rinj, të sotëm, në krahinën tonë Nikaj-Mertur e më gjerë, për t’i patur parsyshë nën ardhmen?

-Ndoshta, bëhem “i bezdisshëm”, që po e  përsëris faktin e përmendur më lart. Pra, gjatë jetës kam qenë në disa shtete të botës. Kam vizituar qytete e fshatra, institucione të ndryshme e shkolla etj. Kudo kam takuar e jam njohur me bashkatdhetarë tanë, pra mjaft prej tyre dhe nga Nikaj-Merturi, të cilët në kushte e rrethana të ndryshme kanë emigruar atje. Vërtet mund të bënin një jetë më të mirë, se më parë, por nuk ishin aspak të qetë, të gëzuar a të lumtur, që e kanë lënë pas krahëve Atdheun! Me mendje e me zemër, ata janë gjithnjë këtu, sepse  si Shqipëria jonë, me këtë shtrirje gjeografike,  nuk ka vend tjetër më të bukur e më të pasur në botë. Jam ndjerë shumë mirë, në shkolla e kudo, kur vendësit e huaj më kanë folur me respekt të veçantë për virtytet e çmuara të shqiptarëve, për zgjuarësinë e cilësi të tjera tonat.

Prandaj, pa u zgjatur, i këshilloj të rinjtë e të rejat tona, pra dhe të krahinës së bukur të Nikaj-Mërturit, që të mos lakmojnë për të emigruar jashtë  Shqipërisë! Sepse atje, gjithnjë e në breza, do ta ndiejnë veten “të huaj”! E kanë thënë aq saktë të parët tanë: “Guri peshon më rëndë, në vendin e vetë!”

10.Ju lutem, jashtë pyetjeve të mësipërme, a keni ndonjë problem ose merak tjetër,te cilin deshironi ta shprehni ose ta ndajmë me bashkëkrahinasit tanë dhe lexuesit, në përgjithësi?

-Nga përvoja  e deritanishme, kam mësuar se jeta e njeriut është: sa e gjatë dhe aq e shkurtër!? Deri sa kam menduar e vepruar kështu edhe vetë, i këshilloj të gjithë bashkëkrahinasit dhe lexuesit e këtyre radhëve, që kurdoherë të  bëjnë vetëm të mira ndaj të tjerëve dhe mos të lakmojnë për pasuri e para, se ato shkojnë e vijnë! Bazojuni në aftësitë tuaja, punoni me ndeshmëri dhe fitoni me djersën e ballit, se kështu do të jeni më të qetë në ndërgjegje e në jetën familjare! Krijoni dhe ruani të shenjtë e deri në fund, një familje sa më të shëndoshë, bazuar në dashurinë, respektin dhe besimin e ndërsjelltë. Se kështu do të trashëgoheni  me pasardhës të  denjë, djem ose vajza qofshin, brez pas brezi!

Në tërë jetën time, unë kam patur mikun më të mirë dhe më të sigurtë: Vetëveten!  Mos t’ua marrin mendjen propaganda boshe të partive politike dhe premtimet e  tyre për lëshime e poste të ndryshme! Këtu, më kujtohet një mendim i vyer i babait tim: “Sa më lart të ngjitesh, kur të biesh poshtë, aq më shumë vritesh!?”

Ndërsa për brezin e ri, që sot rritet në kushtet e një shoqërie demokratike, këshilloj që të mësojnë sa më mirë në shkolla të kategorive të ndryshme dhe të bëhen profesionistë të aftë, në pështatje me kërkesat e kohës!

-Në mbyllje të kësaj Bisede, për të cilën ju falënderoj përzemërsisht,  i nderuar bashkëkrahinas Dedë Zhivani, dëshiroj t’i përshëndes të gjithë banorët e krahinës atdhetare, liridashëse e përparimtare të Nikaj-Merturit, kudo që ata ndodhen! Në vatrat e tyre familjare të ketë kurdoherë: vetëm fatbardhësi, begati, gëzime e lumturi, brez pas brezi!

Tiranë-Shkodër, nëntor 2017

…………………..

x)-Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë.

-Përgjegjës seksioni, në Institutin e Integrimit të Kulturës Shqiptare.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: