Tahir Bezhani: Në Lezhë
| E Hene, 27.11.2017, 09:22 AM |

Tahir Bezhani

 

Dy poezi për Tropoja Poetike

 

NË LEZHË

 

Atë ditë në Lezhë

Sytë e mi puthen kalanë

Drini gurgullonte  këndshëm

Në heshtje ecte

Recitonte poezitë e kohëve të ikura..

 

Fletët e një shelgu dridheshin

Si valltaret e Tropojës, hareshëm

Puhia i miklonte fytyrat tona

Poetë të tubuar nga  gjithë vendi

Buzëqeshnin përqafimeve të gjata

 

At Gjergj Fishta në bronz

Përkushtim i krenarisë    takimit

Aty afër,gjithmonë kokën lart

Një shatërvan derdhte ujin nga gurrat

Flladiste zemrën time gëzueshëm

Para se t’i dilte flaka...

 

Si hije pranë vërej një siluetë

Më shitoi  bukuri e saj

I ngrirë mbeta para atij afshi

Tym më dilte para syve

Përqafoj shatërvanin  statujë

E shtërngoja si i gurëzuar dyshimeve

Do të doja ta puthja,kisha frikë nga zjarri

T’ia puth  sytë që shpojnë thellësive

Ato buzë shije  mjalti

 

Në kullë dëshirash  u ngujova

Kujtim i gjatë mbetët kallja

Gërvishtjet e shpirtit shprushin dhimbjeve

Shikimet  më vijnë pas

Përcjellin psherëtimat e enjtura

Më shoqëron përmallshëm  bukuria

Lezhë moj

Muza ime....

 

LEZHE, TETOR 2017

 

FTOFTËSI  BRENDA VETES

 

I lodhur nga vajet e ditës

Shtrij trupin  e lodhur

Në shtratin e dhimbjeve

Si në syprinën e akullt ,gjerë e gjatë

Fjalët dalin  heshtazi

Krismave të dhëmbëve pa zë

Zhurmë helmuese fëshfërin

Vrapoj pas xixave që më lëbyrin sytë

Nuk vërej rreze dielli as sonte

Dridhje trishtuese deteve

Si vetmia ime humbur në erë...

 

Shumë gjatë ka që pres

Sa rrapëllimën e dëgjova sonte

Kullës sime po ia hiqnin trarët

Ata që punojnë vetëm netëve të zeza

Nuk desha të flë pa dëshmi terri

Pa dashje m’u kujtua djepi

Kur pushonte lodhja e fëmijës

Nëna përkund ëmbël

Në djepin e gëzimit

Rritur me ninulla e duhma amnore

Janë  erë toke e lot nëne

Nuk harrohen kurrë....

 

Gjakovë, 2 Nëntor, 2017



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: