Kalosh Çeliku: Veja e pulës qafërjepur
| E Marte, 21.11.2017, 08:41 PM |

VEJA E PULËS QAFËRJEPUR

NGA BABA DOVLETI

NGA KALOSH ÇELIKU

Përderisa, dje, e kam pasur frikë Nëntorin e Kuq Komunist, sot e kam frikë edhe Nëntorin Neokomunist “Shqiptar” euforik, krah për krahu me “vëllezërit” e Njerkës?! Edhe dje, edhe sot si shqiptarë lojal e kemi pritur për çdo vit me fotografi dhe poezi për shokun Tito mbi banga të shkollave fillore. Fatkeqësisht, edhe në faqen e parë të Librit Leximit. Nuk do t’i përmend në këtë shkrim publicistik planprogramet dhe lektyrat shkollore nën një cenzurë të rreptë dhe të paparë të asaj kohe. Mos them se, edhe në muret e klasave të shkollave me nxënës shqiptar ende i kemi fotografitë e shokut Tito si torturë  arsimore politike, që nuk e kemi hequr qafe edhe sot e kësaj dite. Kohë, kur dje edhe sot kemi hëngër, dhe ende hamë dajak e burg.

Sot, për Nëntorin e Kuq dhe Neokomunist, shqiptari nuk “ha” dajak dhe as “burg”?! Ama, i ha që të gjitha nga partitë politike shqiptare me “vëllezërit” e Njerkës. Dhe, askushi nga ndërkombëtarët nuk e di për dënimin e kësisoji të shqiptarit (artistit). Manifestimet kulturore - “artistike” plot zhurmë kulturore politike me veshje partiake. Përurimet e titujve të librave dhe autorëve të njëjtë për çdo javë gjatë një viti e Nëntori Historik (veshur me petka anadollake) nëpër Bit-Pazar të Shkupit shqiptar. Dhe, Çmimet letrare shtetërore pa asnjë struke krahëve shqiptare me të cilët “nderohen” artistët e merituar shaqiptar. Hënorja, kur në shenjë proteste copë-copë e bënë dajren në një Orë poetike letrare partiake:

Erdhën lakraxhinjtë, lakra me na shitë

Lepuj, jeni vetë! Ujqër, jemi ne!

Thyeni qafën! Mjaftë luftuat për Mëmëdhe!...

Erdhën lakraxhinjtë me “tallava” kulturë folklorike e pushtuan Shkupin, Tetovën e Gostivarin. Sherif Zhelina, po të ishte sot gjallë, padyshim do ta nxirrte “nagantin” nga brezi, do t’i palonte këto “patriotë” shqiptar në qerre duaj-duaj tek Sheshi “Skënderbeu” para këmbëve të Kalit, Heroit tonë legjandar me shpatën në brez. E, dorën e ngritur lartë për paqe: Ndaluni, o lakraxhinjë! Durim, me thirrje për luftë! Mjaftë më luftuat për Mëmëdhe e Atdhe! U arratisët me vite si kaçakë turku e argati në Qeveri. Që, sot edhe Skënderbeut ia ndërruat pusinë e luftës paqesore. Nuk shikon me dorën lartë matanë Urës Gurit - Vardarit (Shqipëria), por e turr kalin me të katra në Lindje, nga Bullgaria. Tymemjegull drejtë Marrëveshjes Historike Shqiptaro - Bullgare: “Shqipërisë Madhe”.

Lakraxhinjtë në këtë Nëntor të sotshëm Shqiptar, që dalin si xhuxhe qyteti në vorbën e dikurshme me groshë komuniste mbi zjarr para kamerave televizive, ende vazhdojnë ta lëvdojnë veten si “patriotë” pa fije turpi para popullit shqiptar. Aqmëpak, kur sot ka nevojë populli shqiptar për këto dudumë të dalldusur Shkupi me ferexhetë hedhur krahëve. Patriotë të rrejshëm, që në bagazhin e tyre “patriotik”, nuk kanë as një janxhëk me fishekë?! E, ku më një thesë me libra, për të cilët nuk ka rafte biblioteka e shtetit të “përbashkët”. Ndoshta, këto lakraxhinjë që sot na “shesin” arsim, kulturë dhe art, janë mu ato rrufjanë që e fshinë dhunshëm, pa asnjëfarë paralajmërimi adminstrator nga Regjistri qëndror i IRJ të Maqedonisë: SHGB “ASDRENI”, në Shkup.

Rrufjanë të lindur brez pas brezi, që sot ende u shesin lakëra  kopështi shqiptarëve: politikë, arsim, kulturë dhe art shqiptar. Heroikisht vazhdojnë t’i dalldisin shqiptarët me Nëntorin e Madh Historik të Rilindasëve, dje me gunën e kuqe komuniste dhe sot me ferexhenenë Neokomuniste. Pavetëdije, se: shqiptarët nëpër shekuj kanë pasur plot Nëntorë Historik. Edhe rrufjanë me veti në çetë, e pas shpine.

Lakraxhinjtë, që gjatë gjithë vitit kanë fjetur nëpër kabinetet e Qeverisë, sot në kët Nëntor të kuq partiak, u delë gjumi, e ngrejnë zërin duke përuruar veten si “patriotë” kuqezi dhe “artistë” partiak para kamerave televizive me tri - katër vende pune. Nëntor ky historik, kur edhe pas 25 viteve në “demokraci, shqiptarët ende i gjen pa gjuhë shqipe, tekste e lektyra shkollore. Dhe, kur shumë artistë me vlera të arrira botërore, jo që nuk kanë vende pune, por nuk u përmendet as edhe emri në shtetin e “përbashkët”.

Edhe, e marrin barrën patriotike historike mbi shpinë. Dudumi i Lakraxhiut Shkupit, poashtu rrufjan i stolisur me vende pune e poste politike në çerdhet e “vëllazërim-bashkimit”. Kalorësi i arratisur me “amin” të Nënës Parti, i cili sipas mjeteve propagandistike të informacionit duheshte t’i strehojë në Shtëpinë Publike edhe dy kalorës të arratisur shqiptar: Rrufjanin dhe Halldupin e shaluar me vite në luftë për të drejta kombëtare dhe liri nëpër poste politike jugosllave dhe sot Neokomunsite. Punë “patriotike” partiake, që nuk e bëri në mandatin e tij politik. Lepuri sotshëm i “flijimeve artistike”, para kamerave televizive, në vend të tyre i reklamoi pa “pagesë” televizive: Don Kishotin Shqiptar (mikun e Rrufjanit) dhe një Sanço Panço shqiptar të arratisur e dalldisur mbi gomarin e partive politike si “artist” shqiptar.

O Imzot! Amani, m’i hiqni këto rrufjanë mos i shoh para syve! Edhe, Nëntorin e kuq festiv “historik” të këtyre dudumëve! Shkaku, se: do t’i vjell edhe zorrët.

Lakraxhinjtë, (rrufjanët) e djeshëm dhe të sotshëm me diploma shkollore komuniste të Kumrovecit, ulen në ballë të politikës shqiptare, kulturës dhe letërsisë shqiptare me afate të skaduara si zarzavate koperative komuniste dhe neokomuniste pa asnjë gram bagazhi kulturor mbi shpinë. Lakërat e Kopështit, që dje i hante pa përtypë Lepuri, sot i hanë Lopa e Qytetit. Papritmas, edhe dalldisen, krenohen dhe harrohen me orë të tëra para kamerave televizive, se: e kanë bërë një ve “historike”, mu si ajo pula e vjershës të Rexhep Hoxhës tek Libri i Leximit, tra më tra duke i përdredhur bythët para gjelave kryngritës të kësaj ane duke kakarrisur dhe çuditë Katundin, e tjetër hiç.

Përmëkeq, e kanë bërë një ve nga pula qafërjepur e Baba Dovletit…



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: