Dedë Preqi: Kulaq që nuk kapërdihet lehtë
| E Diel, 19.11.2017, 05:10 PM |

DEMARKACIONI ME MALIN E ZI, NJË KULAQ I NXEHTË QË NUK DO KAPËRDIHET LEHTË

Nga Dedë Preqi

“Shto miell e shto ujë” kulaqi  s’është gadi , sikur që thotë një fjalë popullore, poashtu edhe çështja e demarkacionit me Malin e Zi, vetëm po shtohen fjalët dhe po shkallëzohen problemet, ndërsa koha po kalon, pa ardhë deri te një marrëveshje përfundimtare për zgjidhjen e demarkacionit në mes Kosovës dhe fqinjëve malazez.

Sëcili vend, apo shtet në kushte të tilla, sikur që është edhe Kosova, do të reagonte në këtë mënyrë dhe do t’a  shqyrtonte çështjen e kufinjëve të vet më hollësishëm, që përcaktojnë vijën kufitare me vendet fqinjë, por çështja e Kosovës dhe e kufinjëve të saj është më shumë se delikate dhe politike, që duhet të tregojmë shumë kujdes, pjekuri politike dhe durim, për të mos dështuar  në përfundim të kulmit shtetëror.

Mund të thëmi se dikush e ka përgaditë me qëllim këtë “kulaq” aqë të nxehtë, përmes të cilit do i shkakëtojë Kosovës, shumë probleme në realizimin e politikave të saj, por, politika kosovare nuk duhet të bie në grackën e atyre që nuk e duan Kosovën nën kufinjt e vet administrativ dhe shtetëror, dhe shikuar në parim dhe realisht, as kufiri në mes Kosovës me Maqedoninë, nuk është përcaktuar në përpikëri dhe në mënyrë të drejtë.

Është fakt se brengosja e popullit dhe shtetit kosovar është prezente dhe i ka arsyet e veta, duke ditur se deri këtu ku jemi ardhë, që sot të përcaktojmë kufinjt real shtetëror, shikuar në pikpamje historike, copëzimi i trojeve tona etnike asnjëherë nuk është ndalur dhe ka qenë apetit i pa ngopshëm i armiqëve, por edhe pse nuk e ka lehtë Kosova, duhet të bëjë përpjekje, që mos ti frenojë “proceset demokratike”, ato të cilat po i pranojnë edhe të tjerët, apo miqtë tanë, të cilët na këshillojnë për mirë dhe të cilët na ndihmuan në kohët më të jashtëzakonshme.

Sot brengosjen e popullit kosovar e nxisin edhe shumë probleme ekonomike brenda shtetit të vet dhe kur i shtohen edhe ato politike, të cilat edhe këto lidhen me fatin dhe jetën e tyre, sidomos me lëvizjen e lirë,  që një situatë e tillë është e pa kuptimtë dhe e pa pranueshme, sikur që është kjo e jona, në të cilën kthesat mund të ndodhin të pa pritura, kur gjysma e popullatës përballet me kushte jo të mira dhe nuk ka përspektivë në punësim dhe vetëm ushqehemi me iluzione e gënjeshtra e përralla politike nga njerëzit e politikës pa programe të qëlluara dhe të artikulluara.

Duke pasë parasysh përvojën që na ka sjellë historia deri këtu, prej atyre që Kosovën e kanë dëshiruar ndryshe, apo edhe asgjësimin e saj, prej atyre që nuk u ngopën kurrë me tragjeditë dhe gjenocidet që ia shkakëtuan këtij populli dhe vendi, atëherë problemet do të ngarkohen edhe më shumë prej të tillëve edhe pse shtetin e Kosovës e pranuan si shtet të pavarur, sikur rasti i Malit të Zi, me arsyen e tyre politike dhe strategjike, për të qenë anëtar i NATO-s, dikur edhe i BE-së, pse jo, për të mbetë edhe mik i Serbisë, një plotësim i dëshirës së saj, duke e lënë popullin kosovar të izoluar dhe të nëpërkëmbur në këtë mënyrë.

Dhe sa që do të mundohemi që fajin të ia hudhim njëri-tjetrit, që në fillim z.Hashim Thaçi, i cili e ka nënshkruar marrëveshjen, apo z.Isa Mustafa, i cili e ka trashëguar marrëveshjen dhe tani kryeministri Ramush Haradinaj, i cili do duhej të vendos për këtë çështje shumë delikate dhe se është vetëm një humbje kohe, duke ditur se brumi i këtij kulaqi është gatuar më herët pa u bërë Kosova shtet.

Në këtë laberinth të këtij demarkacioni do lansohen edhe shumë e shumë komente të tjera, të cilat vetëm se do e marrin kohën për të penguar proceset e integrimeve dhe zhvillimeve të vendit. Por, një gjë është me rëndësi se, Kosova që tani ka mundësi të vendos për kufinjt e vet, duke e ditur se më herët as që jemi pyetur për kufinjt dhe shtetin tonë, për të cilin ka vendosë dhe vulosë dikush tjetër, dhe sot nuk e kemi lehtë, por duhet të jemi vigjilent dhe të bindur se, edhe ky projekt ka mundësi të kalohet me Malin e Zi, por na pret një projekt tjetër, demarkacioni i kufirit me Serbinë, i cili nuk do të kalohet lehtë dhe dhashtë zoti pa pasoja.

Por, ajo që nuk e lë të qetë dhe krijon habi te opinioni kosovar dhe më gjerë, është kushti i Bashkësisë Evropiane, të cilin ia vendosi Kosovës, përshkak të mos ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, nuk do bëhët as liberalizimi i vizave për qytetarët e saj, të cilin kushtëzim nuk e patën të tjerët.

Apo, diç e pa kuptimtë, ndoshta edhe si pjesë e paramenduar e së njëjtës shfaqje politike, ky plan i ri i BE-së, për Kosovën, si një inkarnim i moderuar i strategjisë së një klubi politik, për t’a izoluar një popull pa të drejtë, i cili e meriton edhe më shumë, dhe jo vetëm lëvizjen e lirë dhe të drejtën e vet sikur popujt tjerë të rajonit dhe botës.

Nuk është largë logjikës, që  Kosova edhe pse nuk e ka lehtë, duhet ta kapërdijë këtë çështje të demarkacionit me Malin e Zi, por ajo që është më brengosëse dhe shumë e diskutueshme për Kosovën dhe popullin e saj, do të jetë demarkacioni i kufirit me Serbinë, një “kulaq” i përgaditur shumë më herët nga Serbia, për ta ndarë Kosovën me pjesën veriore të saj, të cilin e ka ricikluar dhe e ka futur në furrë, por kulaqi i saj, nuk do të piçët mirë dhe as që do të kapërdihet kurrë...



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: