Elvi Sidheri: Detaje (turke)
| E Marte, 14.11.2017, 08:47 PM |

Detaje (turke)

Nga Elvi Sidheri

Të them të drejtën nuk e kam idenë, pavarësisht njëfarë njohje jo edhe aq të përciptë të gjuhës turke, se si i thonë “detajit” apo “hollësisë” në këtë gjuhë.

Gjithësesi, mënjanë këtij misteri jo edhe aq kozmik apo jetësor, do pranuar që mbrëmë, në natën e triumfit të radhës shqiptar në tokën turke (që vjen në radhë pas së paku 4-1 të 98-s dhe 2-0 të 2001-it) në futboll, më shumë përshtypje se golat prej bomberi race të Armando Sadikut dhe pagëzimit me golin në kombëtare të sulmuesit tonë premtues Grezda, më la një detaj turk.

Ai i regjisë që edhe për shikuesin shqiptar, ndeshjen e transmetonte nën siglat “TUR – ARN”, duke më ngjizur shumë pikëpyetje të njëkohshme.

Së pari, si qysh e tek paskësh qëlluar që në fushë të luante kombëtarja e Shqipërisë, kur në ekran neve shikuesve dhe sportdashësve e tifozëve shqiptarë na thuhej me gërma të mëdhaja se aty endeshin në fushë ndoca topkëmbësa të një entiteti shtetëror të që përmblidhej me shkurtesën “ARN”?

Sepse ndërkaq sigla vendase “TUR” padyshim që të linte të kuptoje se atypari po gjëmonin pas topit rrëmujshëm dhe me vrullin e tyre të zakonshëm lojtarët turq, të cilët gjatë tërë ndeshjes u gjendën në disavantazh dhe ndjekje të dëshpëruar e të pafrytshme të lojtarëve të ekipit që përfaqësohej nga regjia turke dhe ndërkombëtare nën siglën “ARN”.

Sigël “ARN” që habitshëm në fushë mishërohej nga lojtarë qartësisht shqiptarë si dy golëshënuesit e përmendur më sipër, por edhe nga gjithë lojtarët e tjerë aq të njohur e të dashur për ne të kombëtares së Shqipërisë.

Kishte ndonjë mos(keq)kuptim ekzistencial vallë në këtë katrahurë?

Ndonjë lapsus?

Ndonjë gjë të pakuptueshme e paperceptueshme nga mendjet tona të pafajshme e të papjekura vallë?

Mos ndoshta regjia ndërkombëtare dhe turke, dinte ndonjë gjë më tepër që shkonte më larg se aftësitë tona logjikuese duke na shpalosur një emërtim krejt të panjohur për shtetin dhe kombëtaren tonë?

Padyshim që edhe Frojdi dora vetë do ta kish patur fort të koklavitur zgjidhjen e këtij misteri e do të ishte zhytur në teori konspirative psikopatologjike që veç andej nga anët e Azisë së Vogël arrijnë të gjejnë përgjigje.

Sidoqoftë çështja doli të ishte më e thjeshtë seç pata hamendësuar.

Nuk luante në fushë as Armenia që ndoshta do të mund të ishte përmbledhur nën këtë lloj sigle televizive, e as Azerbajxhani, aq më pak Argjentina (se “ARN” ka në emër secili prej këtyre vendeve), por veç Shqipëria jonë e dashur.

Pikësëpari, gjasat për një përballje futbollistike mes Armenisë dhe Turqisë janë nule po të kihet parasysh e shkuara e tyre e turbullt dhe marrëdhëniet e tyre të akullta ndërshtetërore si pasojë e Genocidit Armen të kryer dhe të papranuar akoma pas një shekulli nga turqit.

Kështu që kjo mundësi nuk merrej dot kurrësesi parasysh.

Një ndeshje Turqi – Azerbajxhan do të kish qenë thagmë madhore të qe transmetuar “live” në TV shqiptare për shkak të mosrëndësisë universale të një përballje të tillë për publikun tonë, ndërsa padyshim që Turqi – Argjentinë do të kish zgjuar vëmendjen e publikut, po të mos ishte për një detaj themelor (s’na u ndanë detajet more), që në fushë nuk vërehej as hija e Messi-t me shokë.

Kështu që, kuptueshëm bëhej fjalë veç për Shqipërinë dhe pikë.

E “Arkadashërit” turq nuk kishin munguar të na nderonin duke na paraqitur ndërkombëtarisht si “ARN” pra shkurtesa e emërtimit të tyre për ne “Arnavutluk”.

Një emërtim gjithësesi jo edhe aq origjinal nga ana e tyre, që vjen nga greqishtja bizantine “Arvanit”, duke u shtrembëruar me një “U” në vend të “I-së” dhe rezultuar kështu si mënyra sesi turqit na quajnë prej shekujsh.

Nuk do shumë mend se nuk përbën aspak problem fakti se si mund të na quajnë turqit neve apo çdo popull e vend tjetër në gjuhën dhe komunikimin e tyre të brendshëm të përditshëm.

Fundja, edhe Gjeorgjinë e quajnë “Gürçistan”, Greqinë “Yunanistan”, Egjiptin “Misir” etj.

Këtë “privilegj” pra, e gëzojmë edhe ne si shqiptarë duke u shndërruar në “Arnavutluk”!

Asgjë e habitshme apo që meriton ankesa përkatëse.

Çështja është që gjatë një ndeshje (ndonëse miqësore) ndërkombëtare, regjia turke, kur bën transmetimin përtej Turqisë, nevojitet, është e detyruar që shkurtesat e ekipeve që përballen në fushë, t’i emërtojë sipas rregullave ndërkombëtare.

Në këtë frymë vetë Turqia ndërkombëtarisht nuk njihet si Türkiye, por si Turkey, ndërsa Shqipëria nuk njihet as në mënyrën si ne e quajmë veten dhe mëmëdhenë tonë, por si Albania, e askund e aspak si Arnavutluk.

Nëse ligjësitë dhe rregullat ndërkombëtare do t’i liheshin në dorë të interpretoheshin sipas ëndjes regjisë dhe oreksit turk (në çdo aspekt), atëherë shumë gjëra në botë, për të përdorur një eufemizëm kinematografik shqiptar: “Do të venin çorap”!

Po të merrnim në konsideratë dëshirat dhe shijet ekskluzivisht turke, atëherë jo vetëm që nuk do të kish patur fare ndonjë ngjarje të ngjashme me Genocidin Armen, por sakaq edhe Perandoria Osmane do të kishte qenë thjesht një bujtës mëshirëplotë dhe shpirtmirë në viset shqiptare dhe kudo tjetër ku pat shkelur këmba gjakatare e osmanëve ndër shekuj.

Sipas këtyre dënglave, sot shqiptarët për shembull do të mund të cilësoheshin vetëm si ndonjëfarë nënspecie turqish ballkanikë që rastësisht përdorin si gjuhë të përditshme shqipen, duke qenë kulturalisht e gjenetikisht tërësisht turq, po aq sa çdo anadollak tjetër i Azisë së Vogël.

Jo rastësisht pra, regjia turke mbrëmë u rrek ta impononte edhe ndërkombëtarisht emërtimin e saj për Shqipërinë “Arnavutluk”, sepse në fund të fundit, kjo është plotësisht mendësia e historiografisë së neo-otomanizmit të sotëm në çdo nivel e aspekt.

Sipas kësaj vije mendimi, logjike krejt otomaniste histori-mohuese e shtrembëruese, termi Shqipëri e Shqiptarë nuk vlen aspak, maksimumi përbën njëfarë teke idiote e tundimi kombëtarist antiosman të Pis Arnavutëve, të cilëve seç u paskësh shkrepur në mendje prej shekujsh që të mos e pranojnë identitetin e tyre thelbësisht turk sipas nënseksionit turkoman të Arnavutlarëve mosmirënjohës.

Kështu përçohet fare qartas ideja se Arnavutër jeni e Arnavutër mbeteni more “Şerefsiz Milet” (Popull i pandershëm), prandaj edhe ndërkombëtarisht kështu duhet të njiheni.

Por, ja që, në fushë 3-2 fitoi Shqipëria, Albania, për më tepër me dhjetë lojtarë në fushë.

Mbajeni me shëndet atë “ARN” qesharake!



(Vota: 12 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: