Shkreli: Ditë Kombëtare e Viktimave të Komunizmit
| E Diel, 12.11.2017, 12:20 PM |

SHTËPIA E BARDHË SHPALLI DITËN KOMBËTARE TË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT

Nga Frank Shkreli

Shtëpia e Bardhë ka shpallur 7 Nëntorin - 100-vjetorin e Revolucionit Bolshevik Rus më 1917 – si Ditën Kombëtare të Viktimave të Komunizmit, në kujtim të 100-milion personave të vrarë shekullin e kaluar nga regjimet komuniste, anë e mbanë botës.

Ishte 100-vjet më parë që një grup i vogël rojesh të kuqe nën udhëheqjen e Vladimir Leninit morën nën kontroll Pallatin Dimëror në Petrograd të Rusisë, duke themeluar kështu regjimin e parë komunist në botë, bazuar në një ideologji që shënoi fillimin e masakrimit, prej pothuaj një shekulli, të më shumë se 100-milion viktimave të regjimeve shtypëse të bazuar në ideologjinë komuniste, e të cilat kryen disa prej krimeve më të tmershme që ka njohur historia e njerëzimit.

Në një artikull mbi këtë ngjarje kam shënuar muajin e kaluar se me rastin e këtij përvjetori, Fondacioni Amerikan për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit me qëndër në Washington, me 7-9 të këtij muaji organizoi në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, ceremoni përkujtimore dhe konferenca akademike, ku morën pjesë anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe një numër ekspertësh dhe historianësh të dalluar në këtë fushë, të ardhur nga Evropa dhe nga Amerika.   Në njoftimin për zhvillimin e punimeve me rastin e 100-vjetorit të Revolucionit Bolshevik, Fondacioni në fjalë është shprehur se “Do të mblidhemi për të nderuar kujtimin e më shumë se 100-milionë viktimave të komunizmit, njëkohësisht, edhe për të festuar lirinë atje ku ka triumfuar tanimë, por edhe për të vazhduar përpjekjet tona, për një botë të lirë nga komunizmi.”

Këtij kujtimi treditor në Washington, të Viktimave të Komunizmit, iu bashkua edhe Administrata e Presidentit Trump me një deklaratë që lëshoi në emër të admnistratës, me këtë rast, për medien, Zyra e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë duke deklaruar se, “Sot, është Dita Kombëtare e Viktimave të Komunizmit, ditë e cila shënon 100-vjetorin e Revolucionit Bolshevik në Rusi.  Revolucioni Bolshevik themeloi Bashkimin Sovjetik dhe shënoi fillimin e disa dekadave të errëta të komunizmit shtypës, një ideologjie politike, e papajtueshme me lirinë, begatinë dhe dinjitetin e jetës njerëzore”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë me të cilën u njoftua shpallja e 7 Nëntorit si Dita Kombëtare e Viktimave të Komunizmit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Gjatë shekullit të kaluar”, thuhet mëtej në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, “Regjimet totalitare komuniste anë e mbanë botës kanë vrarë më shumë se 100-milion veta dhe kanë shfrytëzuar, dhunuar dhe shkaktuar dëme të papërshkrueshme për miliona të tjerë.  Këto lëvizje, nën pretendimin se ishin lëvizje çlirimtare, kanë shkelur, sistematikisht, të drejtat e njerëzëve të pafajshëm dhënë atyre nga Perëndia, siç janë liria e fesë, liria e asociimit dhe një numër lirishë të tjera bazë të njeriut që ne i konsiderojmë si të shënjta.”

Në deklaratën e Zyrës së Shtypit të Shtëpisë së Bardhë kujtohen  viktimat e komunizmit si dhe ata që trimërisht dhe me kurajo kanë përhapur fjalën e lirë anë e mbanë botës, duke theksuar se, “Sot ne kujtojmë ata që kanë vdekur si dhe ata që vazhdojnë të vuajnë nën komunizëm.   Në kujtim të tyre dhe në nder të atyre që kanë luftuar trimërisht për të përhapur lirinë dhe mundësitë për një jetë më të mirë anë e mbanë botës, Kombi ynë rithekson angazhimin e patundur për të mbajtur të ndezur dritën dhe flakën e lirisë, për të gjithë ata që dëshirojnë dhe shpresojnë për një të ardhme më të mirë dhe më të lirë”, përfundon deklarata me të cilën Shtëpia Bardhë njoftoi shpalljen e 7 Nëntorit si Ditën Kombëtare të Viktimave të Komunizmit, anë e mbanë botës.

Fondacioni Amerikan për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit, që për tre ditë me radhë mbajti ceremoni dhe konefernca akademike përkujtimore në Washington me pjesëmarrës nga mbarë bota, --përfshirë edhe Gentiana Sula, Drejtoreshë e Autoritetit të Informimit mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit dhe Simon Mirakaj, anëtar i këtij institucioni, ardhur nga Shqipëria – duke  reaguar ndalj njoftimit të administratës Trump,tha se në Shtetet e Bashkuara nuk kishte, deri tani, një ditë kushtuar kujtimit të viktimave të komunizmit në botë.  Si rrjedhim, Marion Smith Drejtori Ekzekutiv i këtij Fondacioni, një ent i të drejtave të njeriut dedikuar kujtimit të atyre që vdiqën dhe vuajtën nën regjimet komuniste, si dhe atyre që vazhdojnë të jetojnë nën regjime komuniste, e priti mirë deklaratën e Shtëpisë së Bardhë që caktoi 7 Nëntorin si Ditën Kombëtare Në Amerikë,të Kujtimit të Viktimave të Komunizmit në botë.   Në një deklaratë për medien, Fondacioni në fjalë u shpreh se, “Amerika nuk ka pasur kurrë më parë një ditë të tillë dedikuar viktimave të komunizmit.   Për këtë arsye,nuk mund të kishte një datë më të përshtatshme se këtë ditë për të njoftuar këtë vendim – me rastin e 100-vjetorit të Revolucionit Bolshevik.”  Presidenti i Fondacionit Amerikan për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit shfaqi gjithashtu solidaritetin e tij me, “të gjithë ata që vazhdojnë të vuajnë nën komunizëm.”

Shtëpia e Bardhë e bëri deklaratën me të cilën shpalli Ditën Kombëtare të Kujtimit të Viktimave të Komunizmit një ditë para se Presidenti Trump të nisej për në vizitën e tij 12-ditëshe në Azi, përfshirë Kinën komuniste.  Kur u pyet nëse deklarata e Shtëpisë së Bardhë me rastin e përvjetorit të Revolucionit Bolshevik dhe për dënimin e komunizmit mund të shkaktonte ndonjë problem në takimin e Presidentit Trump me udhëheqsin kinez Xi, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë i tha revistës së njohur  amerikane Njusvikë, se deklarata mbi viktimat e komunizmit u bë në kohën e duhur, “për të venë në dukje angazhimin tonë ndaj lirisë dhe të drejtave të njeriut.”

Megjithëse dy tre javë më parë kur kisha shkruar një artikull mbi 100-vjetorin e Revolucionit Bolshevik, nuk e dija se Shtëpia e Bardhë do të shpallte 7 Nëntorin si Ditën Kombëtare të Kujtimit të Viktimave të Komunizmit, por po e përsëris pretendimin tim se edhe Shqipëria dhe Kosova, por edhe shqiptarët anë e mbanë trojeve të tyre në Ballkanin Perëndimor -- si komb -- kanë vuajtur më së shumti në Evropë nga komunizmi sllavo-aziatik.   Pas më shumë se një çerek shekulli ç’prej shembjes së komunizmit, të pakën de jure në mos de facto, udhëheqsit e këtij kombi e kanë për detyrë që, të pakën, aq sa bëri Washingtoni zyrtar, që nuk ka vuajtur kurrë nga komunizmi, të tregojnë më në fund, gatishmërinë dhe seriozitetin e tyre moral, si përfaqsues të këtij kombi sot dhe t’i kushtojnë rëndësinë e duhur kujtimit të viktimave të komunizmit dhe si rrjedhim edhe pajtimit kombëtar, duke venë në vend drejtësinë për viktimat e atij regjimi -- të gjallë e të vdekur në Shqipëri dhe në Kosovë -- ashtu siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste të Evropës Lindore dhe Qendrore.  Ky duhet të jetë një obligim solemn mbarë kombëtar shqiptar, një angazhim serioz dhe i pa hile i autoriteteve qeveritare dhe shtetërore, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, nëqoftse kombi shqiptar dëshiron të shkojë përpara, krah për krah, me kombet që kanë vuajtur nga ai regjim.   Caktimi i një Dite Mbarë Kombëtare për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit në Shqipëri dhe në Kosovë, nuk kushton asnjë lek, por kërkon kurajo morale, vendosmëri dhe vullnet serioz për të kujtuar viktimat e shumëta të komunizmit, anë e mbanë trojeve shqiptare, duke u përballur gjithashtu edhe me të kaluarën komuniste, me qëllim për të zbardhur njëherë e mirë krimet dhe viktimat që e pësuan edhe me jetë nga ai regjim i imponuar sllavo-aziatik.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: