Ymeri: Të deleguarit e Zotit për çrobërimin e Kosovës
| E Diel, 12.11.2017, 08:44 AM |

Të deleguarit e Zotit për çrobërimin e Kosovës dhe pavarësimin e saj

(Faridin Tafallari, Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme, Tiranë 2010)

Nga Baki Ymeri

Memorjet janë një degë e veçantë e letërsisë autobiografike ku evenimentet apo ngjarjet historike ose të ndonjë natyre tjetër, janë të rikomponuara sipas vërejtjesh dhe përvojash strikt personale. Memorjet krijojnë një nënklasë të gjinisë autobiografike. Autori i kësaj vepre (Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme), vjen para nesh me kujtime dhe regjistrime ngjarjesh kushtuar tre veteranëve të pavdekshëm të diasporës sonë, apo siç thekson Faridini: Homazh Shokëve të mi të Idealit, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. „Në këtë libër, Faridin Tafallari jep me vërtetësi dhe korrektësi, nëpërmes kujtimeve dhe dëshmive reale, se çfarë ndikimi pati në jetën dhe veprimtarinë e tij atdhetare takimi dhe njohja jo vetëm me Vëllezërit Gërvalla, por edhe me Kadri Zekën“, thekson Ardit Guri në një shkrim të tij.

Autori i kësaj vepre është një nga veteranët e atdhetarizmit shqiptar që ka luajtur një rol pozitiv në kuadrin e lëvizjes sonë për liri dhe pavarësi. Ai i ka vërejtur për së afërmi evenimentet historike të asaj kohe, ndërsa qëllimi i tij elementar është t'i interpretojë dhe përshkruajë ato në mënyrë reale dhe objektive. Duke u nisur nga ky motiv, libri i Faridinit respekton kriteriumet e një vepre të mirëfilltë, duke i strukturuar ngjarjet me një realizëm që i ka hije. Ai koncentrohet në disa epizode të rëndësishme të jetës së tij e të bashkëluftëtarëve të tij. Janë ngjarje historike që i ka përjetuar duke qenë dëshmitari më besnik i vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës. Ngjarjet përshkruhen në mënyrë kronologjike duke i rradhitur ato që nga lindja e deri në vdekje. Për ilustrim po japim një nga fragmentet e panumërta të kësaj vepre historike:

„Në ato vite isha i ri e i fuqishëm, por me zemër e mendje atje, në vendlindjen time, në  atdheun e largët, në tokën time stërgjyshore, me zjarrin e atdhedashurisë në zemër, me IDEALIN e MADH, që më vlonte në gji, me ndjenjën patriotike të mëkuar në gjakun tim, që në fëmijëri në atë  familjen e thjeshtë malësore, ku u rrita, nga patriotizmi dhe guximi i babait tim, i të parëve të mi, i axhës së shtrenjtë të maltretuar nga serbët, që kurrë nuk e hoqi plisin e bardhë nga koka dhe veshjen e malësorit shqiptar nga trupi i tij, i cili njihej si burrë zakoni, i ashpër por i drejtë, si në fshat ashtu dhe në rrethinë, i të gjithë atyre bashkëfshatarëve të mi, të varfër, por trima,  burra  të besës e  njerëz tepër bujarë, atje në Struzhën e bukur të Prizrenit të lashtë, nën këmbët e Sharrit kurorëbardhë, që me krenarinë e shqiptarit të thjeshtë e të  ndershëm, nuk u përkulën kurrë në vite e vite nga dhuna e shkjaut, nga dhuna serbomadhe.“

Për dallim nga biografitë, memorjet u referohen veçanërisht evenimenteve politike apo historike në të cilat ai që i shkruan ka qenë i implikuar në mënyrë direkte. Autori i trajton ngjarjet duke e përkuajtuar atë kohë me një gjuhë të qartë dhe me një imagjinatë të veçantë meditative. Bashkimi kombëtar ka qenë dhe është ëndrra e çdo shqiptari. „Endërroja e ëndërroja natë e ditë, muaj e vite të tëra, sikundër ëndërroj dhe sot,  për një bashkim të atdheut amë me Kosovën, me të gjitha viset etnike shqiptare në ish - Jugosllavi, si dhe me Çamërinë motër që mbahet e pushtuar dhe sot e kësaj dite nga shovinizmi grek! Me shokët  e mi, bashkëmendimtarë e bashkëveprimtarë, donim të bënim çdo sakrificë, pa u ndalur nga asnjë vështirësi për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb, në dobi të Çështjes Kombëtare, në dobi të atdheut të copëtuar, prandaj një pjesë të mirë të ditës punonim (në atë kohë ishim të punësuar në dy vende pune) dhe në pjesën tjetër lexonim rregullisht letërsi shqipe.“

Autori prek çdo shfaqje të jetës shqiptare, sidomos nga 30 vitet e fundit të  shekullit të shkuar. Pikërisht nga këndvështrimi patriotik i atdhedashurisë dhe aspiratës kosovare për një pavarësi të plotë kombëtare, për shkëputjen e Kosovës nga kthetrat e hegjemonizmit serb dhe bashkëngjitje me trungun e atdheut mëmë, për të realizuar ëndrrat e bekuara të rilindësve tanë. Sipas tij dhe sipas aspiratave të trojkës Gërvalla-Zeka, ky bashkim do të ishte hyjnizimi i identitetit shqiptar, respektivisht i shqiptarizmit si një ideal i shenjtë: “Në ballë të këtij populli dhe te këmbët e këtij populli, flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij, do të na vijnë si përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën. Dhe s’do të ketë forcë, që të na ndalë në rrugën tonë.” (Jusuf Gërvalla). Pse? Sepse “Vetëm bashkimi i të gjithë shqiptarëve, pa dallim feje, klase  a  pikëpamjesh politike mund të shpëtojë atdheun tonë nga kthetrat e përgjakshme të armiqve. T’i bashkojmë grushtat e zemrat tona në këtë luftë të shenjtë” (Kadri Zeka). “Do të luftoj vetëm kundra armikut, kundra atij, që po na i burgos e po na i vret motrat e vëllezërit tanë, vetëm atë armik ka, se ditët e mira do të vinë, se LIRIA do të agojë dhe malli, që na djeg për atdheun e robëruar, do të shuhet” (Bardhosh Gërvalla).

Libra me memorje mund të shkruhen jo vetëm nga liderët politikë apo ushtarakë, por edhe nga çdo qytetar i rëndomtë që ka qenë pjesëmarrës i ngjarjeve respektive që ndërlidhen me interesin kombëtar. Autori i kësaj vepre është njëri nga ta. Njihen te anglezët Memorjet e  Edmund Ludlow dhe të Sir John Reresby. Francezët kanë shkëlqyer në këtë gjini me njërin nga memorialistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, duke qenë duka Saint-Simon,  libri i të cilit „Mémoires” mbulon periudhën mes viteve 1690- 1723. Është i famshëm për portretizimin e personazheve etij, duke na ofruar një vepër të çmuar, siç vepron edhe Faridin Tafallari me memorjet e tij, duke na dhënë një burim të begatshëm informatash të asaj kohe të artë: „Për jetën time mërgimtare kam shkruar  tashmë pothuajse në të  katër librat e mi, të botuar më herët. Por kjo jetë, asesi nuk mund të mendohet dhe të kuptohet e ndarë nga ajo më e shtrenjta, veprimtaria ime atdhetare, në ato vite të stuhishme të luftës, të akivitetit tim legal dhe ilegal me shokët e mi bashkatdhetarë mërgimtarë drejt qëllimit final, drejt Lirisë e Pavarësisë së Kosovës, si dhe për Çështjen Kombëtare, atë të Bashkimit të të gjithë Trojeve Etnike Shqiptare në një atdhe të vetëm me Shqipërinë Amë!“

Bashkimi kombëtar dhe evenimentet historike me karakter patriotik

Autori përshkruan klimën e vështirë dhe të favorshme të asaj kohe për mbrojtjen e shqiptarizmit, duke nënvizuar faktin se toka shqiptare ishte e jona dhe jo e tjetërkujt. Kështu patën vepruar me memorjet e luftës edhe sir Winston Churchill, dhe gjenerali Charles De Gaulle me veprën „Mémoires de guerre (1954-59). Nacionalizmi shqiptar gjetë periudhës së romantizmit dhe ai kosovar gjatë robërisë jugosllave, ishte një ideal gjithëpërfshirës, i plotë dhe pa kompromis: „Ata janë atje, në ballë të historisë  së popullit tim. Të tre së bashku, të skalitur në  monument graniti, që nuk mund ta shemb asnjë stuhi e kohës, sado e fuqishme që të jetë ajo. Ata janë atje, në vendin e Nderit, të pandarë, të gjallë, të pamposhtur, me fjalën e tyre çelik, me forcën e luftëtarit të paepur. Zemrat e tyre rinore dhe sot frymojnë. Jo! Ato nuk kanë pushuar. Frymojnë me hapin e kohës, me hapin që hedh Lokja Kosovë, me hapin e gjithë shqiptarisë së ndershme që  mundohet edhe të shpërndajë ca re të zeza, që shfaqen herë  herë aty  këtu, për të mbuluar  rrezet e forta të diellit, që lindën nga vepra e tyre e pavdekësisë“. Dhe më tej:

„Në rrugëtimin tim, gjatë veprimtarisë patriotike e atdhetare në mërgim, jeta më dhuroi  gjënë më të çmuar, që do ta dëshironin shumë të tjerë ta kishin. Ishin vitet e paharruara të kësaj veprimtarie me Tre Yjet e Pavdekësisë, me  dëshmorët e Kombit, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Dora gjakatare e UDBE-s, e ndihmuar nga spiunët udbashë shqipfolës, i preu jetët e tyre rinore në mes, në atentatin tragjik të 17 janarit të kobshëm të vitit 1982, në Untergrupenbach të Gjermanisë! Të flasësh për Aata  është pak. Të shkruash për Ata, përsëri është pak. Vepra e tyre qe e madhe, e çmuar, e paharruar në breza„. Virulenca e patriotizmit shqiptar e kishte prejardhjen në faktin se identiteti kombëtar u ishte mohuar vezhdimisht shqiptarëve, që nga koha e Perandorisë Osmane e deri te ajo e hegjemonizmit serb. Pothuajse vazhdimisht kanosej ekzistenca e shtetit shqiptar. Historia ka qenë e padrejtë për shqiptarët, por ata arritën më në fund të krijojnë shtetin e tyre më 28 Nëntor 1912 dhe Kosovën e pavarur (17 Shkurt 2008), me heronj të pavdekshëm, që nga Gjergj Kastrioti e deri te vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka, pa e harruar Adem Jasharin me një gamë dëshmorësh tjerë që dhanë pikën e fundit të gjakut për liri dhe pavarësi.

Jeta dhe vepra e treshit respektiv e ka impresionuar autorin në mënyrë të veçantë. Pse? Seapse ata ishin të dërguarit e Perëndisë në kohën e duhur:  „Emrat e tyre janë  gdhëndur me shkronja të arta në historinë e kombit tim, në historinë e rrugës drejt Lirisë, drejt Bashkimit Kombëtar... Ju ishit tre shokët e mi të idealit të shenjtë, shokët e mi të luftës për Lirinë e atdheut të  robëruar, të përpjekjeve për Çështjen Mbarëkombëtare! Ndaj unë, malësori struzhian, biri i thjeshtë i popullit tim, bashkëveprimtari dhe shoku juaj i ngushtë, shoku juaj i Idealit të Shenjtë,  bisedoj shpesh me Ju! Kthehem në ato vite të stuhishme, e shkruaj dhe shkruaj, ashtu thjeshtë e realisht, duke ju thirrur në emër njëherish, të Treve së bashku!“ Siç duket, për autorin e kësaj vepre Atdheu, Nderi dhe Dinjiteti qëndrojnë mbi të gjitha. Pastaj vijnë të jerat, familja, ekzistenca, humanizmi, solidariteti, me Zotin në ballë. Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ishin të deleguarit e Zotit për çrobërimin e Kosovës dhe pavarësimin e saj.

Edhe Faridini me qindra dëshmorë e mijëra ushtarë të çlirimit kombëtar hynë në këtë korpus të patriotizmit shqiptar: „Në vendin tim isha i papunë, por dhe i përndjekur nga regjimi serb i ish-Jugosllavisë. Në Gjermani më caktuan të punoja në rrethinat e Shtutgartit, ku. njoha shumë shokë të mirë e të pandarë gjatë tërë kohës, bashkatdhetarë të mi, të cilët edhe ata kishin ardhur për të punuar si unë, larg familjes dhe njerëzve të tyre të dashur, larg vendlindjes, larg Kosovës, që në atë kohë ende lëngonte  nën pushtimin e urryer serb të Jugosllavisë titiste.“ Libri i strukturuar në disa pamje dhe josh vëmendjen e lexuesit që nga faqja e parë e deri te ajo e fundit. Atë e mundon heshtja e institucioneve tona shtetërore për zbardhjen e likuidimit të martirëve të lirisë: „Ndaj përderisa të jetë kjo garniturë pushtetarësh ku asnjëri prej tyre nuk i përmend, nuk i ze në gojë Yjet e Lirisë, as që do të mendojnë të përpiqen për të zbardhur të vërtetën e vrasjes së Trimave të Pavdekësisë.“

Ja edhe një fragment që meriton të mbahet mend! „Fill pas ardhjes së Jusufit në Gjermani, grupet e mërgimtarëve, që ishin të përkushtuar për Çështjen Kombëtare zakonisht takoheshin mbrëmjeve dhe në rrethe më të gjëra në fundjavë, ku ishin më të lirë nga puna e përditëshme. Fjala e tij burrërore, e vendosur, e folura e bukur, maturia në të shprehur dhe vizioni i qartë  bëri për vete, në një kohë shumë të shkurtër, shumë prej bashkatdhetarëve tanë mërgimtarë. Ata prisnin me ëndje dhe me padurim të takoheshin me Jusufin e të merrnin prej tij detyra dhe porosi për të vazhduar më tej veprimtarinë patriotike në dobi të atdheut.“ Ka edhe shumë fragmente tjera interesante dhe impresionuese lidhur me përpjekjet e tyre, lidhur me përkushtimin e tyre, lidhur me shqiptarizmin e tyre, por këto ia lëmë lexuesit dhe kritikës letrare për deshifrim. (Bukuresht, 7 Nëntor 2017)



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: