Violeta Allmuça: Vetëdija e një dukurie letrare
| E Diel, 12.11.2017, 09:00 AM |

VETËDIJA E NJË DUKURIE LETRARE

(Shqyrim letrar mbi romanin e Vilson Culajt ,,I Dëbuari,,)

SHB. ,, Rozafa – 2015 - Prishtinë

Nga Violeta ALLMUÇA, Shkrimtare

Në brendësinë e tij ky roman i shkruar nga një shkrimtar i emancipuar artistikisht dhe estetikisht përfshin ngjarje shqiptare të kohës që ruante komplekset e së shkuarës, dhe kohës së re të krijuesëve të rinj. Meqenëse na paraqitet një shtjellim dhe krijim me kontekst prozaik, autori lëviz në udhën letrare për të na sjellë një roman po aq të vërtetë sa edhe jeta e paraardhësve të vërtetë. Duke përzgjedhur temën e qenësisë dhe qëndresën e njeriut shqiptar në shekuj, para lexuesit materializohet një realitet i strukturuar, ku në esencë shfaqet historia e prekshme shpirtërore me elementë të gjallimit në kohë dhe hapësirë. Autori përcjell një vetëdijësim të zbuluar në ekzistencën njerëzore, të një kohe e cila kërkon të gjallojë po të njëjtin sistem të kujtesës, tanimë në rrafshin artistik ku na rishfaqet drama e jetës shqiptare. Në thelbin e një ngjarjeje historike për ta zhveshur njeriun nga mbulesa e heshtjes, autori ka krijuar realitetin shpirtëror, pra, një qenësi të dalë nga tragjikja.

Ngjarjet konkrete në roman lëvizin përmes personazheve konkretë të cilët çuditërisht përshkruhen qysh nga qenësia e së shkuarës e deri e së tashmes. Teksa rrëfen jetën e dyfishtë të konkretes me tragjiken autori e kthen në një qasje të përjetshme historinë njerëzore. Projeksioni i rrëfimtarit dhe personazhit kryesor reflekton një zhvillim letrar me përmasa kundërthënëse qysh në rrënimin e viteve të ikura, ideve dhe traditave ku objekti artistik bëhet i pakohshëm duke ngritur një epokë tjetër, e cila në të vërtetë nuk ishte harruar as në rrjedhën e shtetit më të vjetër. Koha dhe njeriu ecnin përkrah njëri tjetrit me të njejtin mesazh tipik, gjetjes së thelbit të përbashkët. Qëndresa dhe sakrificat e tyre qartësojnë fakte historike duke përcjellë ide të thella që nuk ishin rrënuar nga koha, por nga vetë njerëzit, të cilët nuk mund të jetonin pa të ardhmen. Secili kishte heroin dhe librin e jetës së vet, secili udhëtonte, rrëzohej dhe ngrihej përsësri në këmbë. Autori Vilson Culaj e gjen objektin artistik nëpërmjet shtjellimit të strukturës së tekstit dhe mënyrës së të shprehurit. Rrëfimi është i njejtë me rrëfimin e personazhit kryesor si të ketë jetuar brenda tij, duke krijuar një roman të veçantë me forcë shprehëse artistike në letërsinë shqipe. Trajtimi në vetën e parë të një drame njerëzore ku lëvizin personazhe të rrethuar nga e shkuara dhe e tashmja, brenda dramës e fenomenit të një jete misterioze rrotullohet rreth një bërthame qendrore. Ajo përbën jetën dhe dashurinë si tërësi estetike. Monologu dhe dialogu i përdorur në temën e njohur të Kanunit në zhvillim të ndërsjellë me jetën e njeriut si personazh edhe me jetën reale, kushtëzohet nga funksioni shpirtëror që kundërvihet mbi dhimbjen e vuajtjet e kohës. Duke na shpallur realitetin e mungesës së lirisë si një kushtëzues të jetës njerëzore, episodet lidhen me njera tjetrën duke formuar ndërtimin tekstor, jo në formën tradicionale, por si perceptim modern i një realiteti të ri. Është e natyrshme që krijuesi cilësor e përçon realitetin artistik nëpërmjet sistemit gjuhësor dhe atij kuptimor si përkushtim estetik e origjinal i thyerjes së kohezionit në unitet me strukturën artistike. Historia e UNIT lëviz brenda personazheve në realitetin e Krahinës dhe traditës ku individi nëpërmjet artit letrar kërkon atë çfarë ka humbur në histori.

Dëbimi emocional arrin deri në dëbimin real` drejt një rruge pa adresë të personazhit duke bërë që vetmia të mbetet një aleat i vështirë, një botë e frymë tjetër që e shtyn njeriun të mendojë për ekzistencën. Kjo ndodh sepse njeriut ashtu si personazhit kryesor i kishin mohuar lirinë. Ngjarja e lindur në tokën e të parëve e ndjek personazhin nga fillimi i romanit deri në fund të tij. Autori duke dashur të zbulojë të vërtetën njerëzore të Gjon Kekës na sjell një figurë krejt ndryshe në ide, në dhimbje apo në ndryshim, i cili gjatë historisë së jetës kërkon të gjejë thelbin e saj. Bashkëngjitjen e jetës personale me jetën `hije` që e ndjek pas, ai e shndërron nga një botë e vogël rreth tij në një botë të madhe me kujtesë, ku nata i dukej shekull dhe dita e vuajtur, sepse i mungonte e realitetit historik. Nëse personazhi gjatë gjithë leximit të romanit endet në kërkim të së vërtetës së rrënjëve e trungut të tij, kjo mbetet një dilemë e thellë për ta çuar figurën qendrore të romanit, Gjonin, në hapësirat e lirisë. Duke kërkuar vetëveten njeriu duhej të luftonte me perandorinë e heshtjes dhe kujtimeve për të gjetur gjurmët e gjakut të tij. Ideja se njeriu mund të vdiste vetëm njëherë i sillet përqark si një zjarr poshtë qiellit të dashurisë dhe Atdheut të zaptuar nga qenie pa atdhe. Kjo filozofi e copëtimit të tokës së paraardhësve kthehet në një ide që përçon romanin në udhëkryqin e të shkuarës dhe të së ardhmes. Procesi filozofik dhe tematik i romanit thellohet teksa jeta njerëzore në pafundësi krijon raporte me strukturën shprehëse artistike si forcën e personazhit, dallimin e tij, formës së rrëfimit në funksion të plotë të vijimit qenësor dhe krijimit letrar.

Duke kërkuar rrënjët e kahershme midis jetës dhe vdekjes, këtij kontrasti të njohur, ku humnera e territ dhe rrëmbimi i trojeve simbolizojnë kërkimin e shenjtërisë së kombit të humbur apo plisat e gjakosur në shekuj për qëndresë, lindin elementë artistikë që na zbulojnë esencën e kujtesës. Realiteti historik e shtyn personazhin kryesor Gjonin të zbulojë një realitet tjetër brenda vetëdijes së tij duke u ballafaquar me të vërtetën e jetës së të parëve që nuk kanë vetëm rrënjë historike por edhe shpirtërore. Koha e zbulimit të së shkuarës dhe koha e rrëfimit të së tashmes krijojnë një realitet artistik, pasi autori i romanit hyn brenda botës së disa personazheve në roman si Fana, Atë Artur Konica, Shpresa, Frati i krahinës Pashku, Gjina e të tjerë zëra që dëgjohen duke shpalosur botën e vërtetë të jetës së tyre. Mitizimi gjithkohor i rrënjëve të atdheut të përjetshëm shfaqet në nivel të lartë artistik dhe estetik duke e bërë romanin ,,I dëbuari,, shkruar me një stil europian dhe modern në zbulimin e qenësisë, një dukuri të re në realitetin e letërsisë shqipe.


24.10.2017

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: