http://www.zemrashqiptare.net/
Zemra Shqiptare

Elvi Sidheri: Dragoi i së vërtetës dhe Drakula i legjendës
| E Enjte, 09.11.2017, 09:00 PM |

Dragoi i së vërtetës dhe Drakula i legjendës

Nga Elvi Sidheri

Nëntori na sjell shumë përvjetore e përkujtimore, veçanërisht ditët e para të tij, qysh nga Formula e Pagëzimit e Pal Ëngjëllit e vitit 1462, e deri te themelimi jugosllav i PKSH në vitin 1941.

Por, së paku duke u mbështetur në shumë supozime, diku nga fillimi i nëntorit të vitit 1431 do të vinte në jetë edhe një njeri që do ta shenjonte thellësisht e thelbësisht epokën e tij, me shpatë (edhe hunj duan të thonë) dhe vendosmëri të paepur.

Një kryetrim e luftëtar i popullit rumun e Vllahisë mesjetare, që do ta drejtonte vendin dhe popullin e vet për një periudhë të gjatë thuajse 30 vjeçare në rezistencën ndaj pushtuesit gjakatar turk dhe shpesh duke u përplasur edhe me emigrantët gjermanikë saksonë në tokat rumune.

Bëhej fjalë për Vlad Tepeshin, të ashtuquajturin Drakula.

Princi i Vllahisë Vlad III, i mbiquajtur Drakula (Dragoi), i përkiste  degës Drakuleshti të familjes Balsarab. I lindur në vitin 1431 në Sighisoara, për shkak të prirjes së tij të theksuar për t’i ngulur në hunj armiqtë që zinte rob në betejë, ai do të quhej Tepesh (Ngulësi në hunj). Babai i tij Vladi II, kish qenë themelues, bashkë me të tjerë princër të krishterë i Urdhërit të Dragoit që synonte mbrojtjen e trojeve të krishtera nga zgjedha turke.

Vladi III do të bëhej Vojvoda i Vllahisë nga viti 1448 gjer në vitin 1477, ndërkohë që trojet e tij ndodheshin nën kërcënimin e hungarezëve që tashmë sundonin në një pjesë të madhe të tokave rumune, si dhe nga turqit e Perandorisë Osmane, të drejtuar nga Muhameti II, që synonin të sundonin krejt Ballkanin. Vlad Tepeshi do të luftonte si fillim në aleancë me osmanët për të mposhtur hungarezët dhe përforcuar pushtetin e tij në Vllahi, e më pas, si kish arritur të krijonte një hapësirë jetësore për veten e tij, ai do të bënte aleancë me hungarezët për të luftuar synimet pushtuese të Muhametit II.

Në këto luftëra të shumta të tij, ylli i tij shpesh shndriti në fushëbetejë, e jo rrallë u venit krejt, deri kur në një betejë me osmanët pranë Bukureshtit hamendësohet se ai humbi jetën në moshën 47 vjeçare.

Vladi III, do të bëhej krejt trishtueshëm i famshëm ndërkombëtarisht falë romanit “Konti Drakula” i irlandezit Bram Stoker dhe i shumë filmave që kanë të bëjnë me figurën e tij, duke e përçudnuar dhe tjetërsuar tërësisht karakterin dhe personazhin e vërtetë të Vlad Tepeshit, dhe e shndërruar atë nga një princ luftëtar për lirinë e popullit të vet (sado gjakatar qoftë, duke patur mirë parasysh se të qenët gjakatar në Mesjetë përbënte diçka tejet normale e të rëndomtë në luftë), në një gjasme-vampir gjakpirës që endet netëve në kërkim të gushave femërore për të thithur gjak të ëmbël dhe trembur gjindjen e kalamajtë nëpër kinema e faqe librash.

Vlad Tepeshi ishte njëkohësisht edhe bashkëkohës i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut, ashtu si edhe i kryetrimit hungarez Janosh Huniadit.

Dihet gjerësisht se qoftë Gjergj Kastrioti, ashtu edhe Vlad Tepeshi (Drakula), historikisht kanë mbetur në kujtesën historike të popujve të tyre si heronj kombëtarë, si  mes shqiptarëve, ashtu edhe rumunëve, pasi e patën kaluar jetën duke luftuar në mbrojtje të atdheut dhe krishtërimit.

Fakti për të cilin më pak flitet ndërkaq, është se të dy këta udhëheqës të jashtëzakonshëm ushtarakë, bënin njëkohësisht pjesë në Urdhërin e Dragoit që ishte një urdhër ushtarak kalorsiak, një lloj lidhje ku ofrohej mbështetje e ndërsjellë mes antarëve të saj në përpjekjet për t’u përballur me zgjerimin e pushtimeve turke.

I themeluar në vitin 1408 nga perandori i Perandorisë së Shenjtë Romake Sigismundi i Luksemburgut, nga Alfonsi i Aragonës mbreti i Napolit, nga babai i Gjergj Kastriotit, Gjon Kastrioti, si dhe nga Vladi II, të cilin do ta pasojë Vlad Tepeshi i cili do të marrë nofkën Drakula pikërisht për shkak të faktit se bënte pjesë në Urdhërin e Dragoit dhe meqënëse në emblemën e tij kish vendosur simbolin e dragoit. Ndër kalorësit e tjerë anëtarë të Urdhërit të Dragoit vlen të përmendet edhe Ferrante i Aragonës, “pronari” i kështjellës-burg të Kastrovilarit. Urdhëri i Dragoit kishte si qëllim përforcimin e mbrojtjes së komunitetit të krishterë nga sulmet e mundshme të turqve dhe gjithashtu përmbante edhe disa detyrime për anëtarët e tij, përfshirë këtu edhe detyrimin për t’u veshur me petka të zeza të premteve në shenjë pendimi dhe të mbajtjes përherë të emblemës së Dragoit. Kjo emblemë tregonte një Dragua të gjunjëzuar me flatrat e hapura, që varet nga një kryq i gjelbër ku shkruhej moto “O quam misericors est Deus, justus et pius” (Sa mëshirëplotë është Hyu, i drejtë dhe i stërfalë). Një simbolikë kjo që përkujtonte faktin se Jezusi e pat mposhtur Princin e Territ me vdekjen dhe ringjalljen e tij. Familjarët, të vejat dhe bijtë e anëtarëve të Urdhërit të Dragoit gëzonin të drejtën e azilit dhe mbrojtjes në rast nevoje. Pas vdekjes të bashkëshortit, në vitin 1479 e veja e Skënderbeut, fisnikja Donika Arianiti Komneni Kastrioti, që vinte nga një familje e fisnikërisë së lartë arbërore-bizantine që mund të krenohej me plot pesë perandorë të Kostandinopojës, do të gjente strehë në Napoli pranë oborrit mbretëror të mbretit Ferrante të Aragonës. E krahas saj, në shpurën e vet, përveç birit të saj Gjonit, ajo kish marrë me vete edhe një vajzë shtatë vjeçare.

Faktikisht, nga shumë burime të kohës dhe të sotme, pohohet se Vlad Tepesh kishte një vajzë të quajtur Maria, që pas vdekjes të tij do t’i besohej familjes princërore arbërore të Skënderbeut, meqënëse këta të fundit qenë anëtarë të Urdhërit të Dragoit njëlloj si vetë Vladi III.

Marian ajo e prezantonte botërisht si vajzën e motrës së saj, por në fakt ajo nuk ishte gjë tjetër veç vajzës së Vladit III, mbiemri fisnik i familjes së të cilit ishte Balsarab, nga ku vinte edhe mbiemri i vajzës së mitur Balsa. Maria kështu do t’i jepej në përkujdesje familjes së Skënderbeut. Ndërkaq nuk mund të merret aspak parasysh fakti që ndoshta Maria të mund të ishte realisht mbesa e Donika Kastriotit, ngaqë sakaq është verifikuar historikisht se mbesa e vërtetë e saj, që gjithashtu quhej Maria, do të martohej më pas me Bonifacin e Monferratos. Gjithaq përjashtohet mundësia që kjo vajzë të ishte pasardhësja e fundit e familjes së Balshajve arbërorë, që njëkohësisht kishte një degë familjare në Napoli të mishëruar nga familja Del Balzo, sepse në këtë rast vajza e mitur padyshim që do të ishte marrë në përkujdesje nga kjo familje tejet e fuqishme edhe sikur thjesht për të ruajtur nderin familjar. Maria Balsa paskëtaj do të birësohej nga Ferrante i Aragonës dhe do t’i jepej për grua nipit të mbretit, Xhiakomo Alfonso Ferrilos, që vinte nga një familje fisnike napoletane me origjinë spanjolle dhe që pallatin e vet të familjes e kishte në Rrugën Tribunali pranë kishës së Shën Marisë së Shpirtrave, që do të ndërtohej sipas iniciativës pikërisht të Maria Balsas.

Në stemën e familjes, emblema e Ferrilove ndodhej nën atë të Maria Balsas për shkak të rangut të saj më të epërm fisnik, e ndërkaq emblema e Balsas shpërfaqej nga një Dragua me flatrat e një lakuriqi nate, i njëjti simbol i princit Vlad III të Vllahisë. Si konfirmim i mëtejshëm i përkatësisë familjare të Maria Balsas me Vladin III, është gjetur gjithashtu një dokument zyrtar në të cilin vetë Maria Balsa, tek përcakton pasuritë që do të trashëgonte e bija e saj Beatriçja që do të martohej me princin Andrea Orsini, do të radhiste edhe disa prona të saj në Rumani.

Ndërkaq në manastirin e Kishës së Santa Maria La Nova në Napoli ( i spostuar brendapërbrenda vetë kishës) ndodhet edhe një monument funebër i ndërtuar në vitet 1400 nga familja Ferrilo. Varri që aktualisht është i zbazët në fasadën e tij ka një basoreliev ku shpërfaqet pikërisht një Dragua, simbol i familjes së Vladit II dhe krah tij dy kulla, të njëjta me ato që simbolizojnë qytetin e Tebes, që në gjuhën e vjetër rumune shkruhet pikërisht Tepesh, njëlloj edhe si nofka e Vladit III, Tepesh (pra, Ngulësi në hunj). Ndërsa brenda kishës, aty ku më parë ndodhej ky momument funebër, ka edhe një mbishkrim në një gjuhë të panjohur që akoma nuk është deshifruar dhe që do të mund të shërbente si zgjidhje për misterin e këtij varri. Menjëherë në të djathtë të varrit në fjalë ndodhet edhe një monument tjetër funebër me një mbishkrim ku thuhet se aty ndodhet varri i Andronika Arianiti Komeneni Kastriotit, të vesë së Skënderbeut. Në pjesën e sipërme duket qartë i skalitur emri Maria pikërisht sikur ky vend të ishte përdorur edhe për t’u prehur aty eshtrat e bijës së Vlad Tepeshit Drakulës.

Meqënëse nuk ka asnjë dokumentim të qartë që të faktojë vdekjen e Vladit në betejën e Bukureshtit, mund të hamendësohet se vetë Vladi III, pas humbjes në fushëbetejë, për t’i shpëtuar armikut të tij Muhametit II, mund të ketë gjetur strehë në Napoli nën mbështetjen e mbretit Ferrante. Ose, si hipotezë alternative, e bija e tij Maria, pasi qe ngritur në rangun fisnikëror të konteshës, ndoshta i pat transferuar eshtrat e të atit në kishën e Santa Maria la Nova.

Një grup studiuesish, mes të cilëve Xhiandomeniko dhe Rafaele Glini, Nikola Barbateli dhe studentja napoletane Erika Stella, tanimë pohojnë se e kanë gjetur monumentin funebër të Vladit III në Napoli.

Si konfirmim i mëtejshëm i origjinës së Marias, edhe katedralja e qytezës Acerenza, që ishte restauruar tërësisht në kujdesin e vetë Maria Balsas dhe bashkëshortit të saj Xhiakomo Alfonso Ferrilo, paraqet shumë basorelieve me simbole që të sjellin dukeshëm në mendje trashëgiminë familjare të konteshës nga Vladit Tepeshi, pasi në fasadën qëndrore shpërfaqet emblema e Ferrilove me stemën e Vladit III, kurse në kriptë, krahas basorelievëve të vetë Marias dhe Xhiakomos, ndodhet edhe një skulpturë që duket sikur mishëron princin Vlad III (ai qëndron me kurriz nga altari si për të treguar shkishërimin e tij, ka flegrat e zgjeruara tipikisht siç i kishte princi Vlad III, mjekrën e dalë dhe gjithashtu dhëmbët e theksuar).

Kjo është pra historia e vërtetë e Vladit III Tepesh, alias Drakula, dragoit të fushëbetejës dhe mbrojtësit të vendit, popullit e trojeve të veta nga pushtuesi turk, mikut e bashkëkohësit të Skënderbeut, bashkëshortja e të cilit Donika Kastrioti, me shumë gjasa ia mbrojti atij të bijën Marian, edhe pas vdekjes në Napoli.