Sejdi Berisha: Lotët e babait përcëlluan faqet e mia
| E Hene, 06.11.2017, 08:31 PM |

FRAGMENT NGA LIBRI AUTOBIOGRAFIK NË DORËSHKRIM, “NJERIU “PA” VENDLINDJE OSE MADHËSHTIA E JETËS” I SHKRIMTARIT DHE PUBLICISTIT, SEJDI BERISHA

Sejdi BERISHA:

Nuk di pse po ngutëm, pse po nxitoj, që sa më shpejtë t’ua dhuroj këtë libër. Por, kujtoj e besoj se do të kënaqemi duke rrugëtuar së bashku nëpër jetën time, besoj, edhe tuajën... Dhe se, ka kohë e vite që vras mendjen se si t’i qasem shkrimit të kësaj vepre. I thash vetvetes, se këtë vepër nuk do ta shkruaj me qëllim e synim për ta hapur Kutinë e Pandorës, por për ta hapur defterin e kujtimeve që do t’i ngjajë një kutie tjetër, e cila përbrenda, si thesar do të ketë etje shpirti, mendjeje, arsyeje dhe historie me peshën dhe mesazhin e njerëzores e të lumturisë, e që do t’i ngjajë një lapidari të praruar e të shtrënguar fortë me amanetin dhe me peshës e fjalës së ëmbël e cila do ngelet edhe këngë e kënduar por edhe këngë e pa kënduar, që do t’i shërbejë njeriut, nga e cila do marrin diçka gjeneratat që vijnë e do vijnë, për çiltërsinë e shpirtit dhe të mendjes.

Ndoshta, këtij synimi do t’ia arrij deri diku, dhe këtë thesar, nëse mund të quhet kështu, do t’ia dhuroj lumturisë dhe të së ardhmes për jetë pa brenga por të begatuar me madhështinë që quhet jetë apo rrugëtim, si të doni...

Këtu, do të takoheni me rrugëtimin jetësor, me sinqeritetin dhe dëlirësinë shpirtërore. Këtu, do të hasni në shumë gjëra dhe do të komunikoni me rrëfimin tim të sinqertë dhe të saktë, aq sa kam ditur për jetën dhe fatin tim dhe të familjes, por, edhe të kombit dhe të atdheut, gjë të cilën jam përpjekur ta përjetësoj pas asnjë ngarkesë të çfarëdo lloji qoftë. Me siguri, edhe Ju do të debatoni me vetveten, dhe besoj se do nxirrni komente si provokim shpirtëror për ta kërkuar e gjetur atë formulën e shenjtë që fati i njeriut të jetë vetëm liria, dashuria dhe lumturia e tij.

Do jemi së bashku me ngjarje, me rrëfime, me dhembje, gëzim e hare, me krenari e madhështi, do shoqërohemi me lot edhe me rënie e ngritje, që, gjithsesi janë mësues dhe edukatorë që çdo gjë e shndërrojnë në ushqim shpirti por edhe në përgjegjësi për qëndresë e dritëjete...

________________

LOTËT E BABAIT QË PËRCËLLUAN FAQET E MIA DHE TË PLAKUT TIM MADHËSHTOR, SI U PËRJASHTOVA NGA GJIMNAZI DHE SI E FSHEHA KËTË “TRAGJEDI”...!

...Një ditë prej ditësh, në një “lojë” me shokun e bankës, Xh. M., duke vrapuar shkallëve për në katin e parë të ndërtesës së gjimnazit, morëm “n’thua” në bustin e një prej figurave politike të ish Jugosllavisë. Dhe,... ndodhi më e keçja: busti u bë copë e grimë. Ishte kjo ngjarje që ndodhi “pa dashje”. Pas kësaj, sikur i tërë gjimnazi u trondit, dhe, normalisht, pasoi përjashtimi im dhe i shokut të bankës nga procesi mësimor!

Isha maturant, dhe më së shumti më dhembte zemra e shpirti, kur për këtë ngjarje do ta merrte vesh babai. Por, pasi na kumtuan përjashtimin përmes librit të shpalljeve dhe njoftimeve klasë për klasë, sikur e zgjodha problemin me babanë: për çdo mëngjes dilja nga shtëpia si gjithnjë kur shkoja për mësim në gjimnaz. E bëja këtë, për ta mos kuptuar babai këtë, sepse, më kishte djalë hasreti, dhe më kishte thënë se do ta hiqte nga goja edhe kafshatën e bukës vetëm e vetëm që të shkollohesha dhe të mos vuaja si ai që ishte punëtor krahu por bujk i përkryer.

Pas disa ditësh që isha përjashtuar, i kishte “shkuar” haberi se unë isha përjashtuar nga gjimnazi. Por, babai im, si gjithnjë që ishte shumë i kujdesshëm dhe ruhej që të mos ma lëndonte as karakterin, as zemrën, as shpirtin dhe as rritën time në lulen e rinisë! Kështu, atëbotë ishte ditë e hënë, ditë vjeshte e vitit 1968, dhe, si çdo ditë, dola nga shtëpia kinse po shkoja në shkollë. Kur arrita tek Shatërvani”, ose, atëherë tek pompa e benzinës “Jugopetrol”, pa ndonjë qëllim, veç hajt, ktheva kokën pas dhe kur e pashë babanë që më vinte pas, më përcillte se a më të vërtetë shkoja në shkollë, apo ishte vërtetë ajo që kishte dëgjuar: isha përjashtuar nga shkolla?!

M’u bë se i tërë qyteti së bashku me Bjeshkët e Nemuna më ranë mbi mua dhe ma ndrydhen e shtrydhen çdo qelizë gjaku e trupi. Në atë moment sikur m’u kujtua e tërë jeta e babait tim, djersa e tij, qëndresa por edhe vuajtjet, që atë, por edhe neve na bënë të fortë. Këtë rast, vetëm shpirti im e ka brenda të mbyllur si momentin më të rëndë, si momentin më të dhembshëm, por që brenda tij sikur ndriçonte diçka e lumtur dhe hyjnore.

Dhe, aty për aty, pa kontroll, pa marrë parasysh se kishim dallim të madh në moshë dhe që e doja shumë dhe pamasë, iu kam “vërsulur”: çfarë je zgjuar kaq herët,... Ku je duke shkuar...?!

Babai, nuk reagoi fare, por duke i buzëqeshur pleqëria e tij, më tha:

-Pashë të Madhin Zot, biri im, a je duke shkuar në shkollë apo të kanë përjashtuar?!!- dhe, përnjëherë iu kanë mbushur sytë me lot, kurse, edhe njëherë gjithçka dhe e tërë bota u rrënua mbi mua, ndërsa, lotët e babait i përcëlluan faqet e mia dhe të plakut tim madhështor...

Në atë mëngjes, te Shatërvani, ia shtrëngova duart dhe e përqafova duke i thënë:

-Për të Madhin Zot, më kanë përjashtuar nga gjimnazi, por, po ta jap besën se do të diplomoj përnjëherë më shokët e klasës...!

Nuk e kisha idenë se si dhe çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por vetëm m’u dha t’i them dhe t’i premtoj ashtu. Shpirti ashtu ma diktoi t’i them plakut tim, themelit të jetës dhe të lumturisë sime.

U buzëqesh, dhe në ato faqe plot rrudha, m’u bë se pashë amanetin tim për fatbardhësinë e jetës dhe për kryerjen e obligimit ndaj zemrës, shpirtit dhe madhështisë së tij që e kishte edhe në mua.

Edhe njëherë e përqafova duke i thënë që të mos merakoset. Më shikoi gjatë pa ma thënë asnjë fjalë dhe u kthye për në shtëpi. Ndërsa, unë vazhdova rrugën për në qendër të qytetit, sepse, nuk kisha ku të shkoja diku tjetër. Lotët më tradhtonin, siç e kanë shprehi gjithherë, e edhe tash!

Prej asaj dite, pasi kuptova se babai veç e kishte marrë vesh se isha përjashtuar nga shkolla, më nuk dilja në mëngjes nga shtëpia kinse të shkoja në shkollë. Por, tash më doli një tjetër problem. Sikur ngulfatesha derisa përfundonte mësimi në gjimnaz, sepse, isha mësuar ta kaloja ditën në mësim së bashku me shokë. Kisha mendjen se si ta mbaroja gjimnazi ashtu siç i kisha premtuar babait, sepse, nga gjimnazi më kishin përjashtuar pa të drejtë regjistrimi edhe një vitë tjetër. Kjo, me siguri ishte një metodë perfide, që pas një viti, praktikisht të rinjtë ftoheshin nga mësimi dhe kështu ngelnin pa u shkolluar, që ishte edhe synim i pushtetit serb.

Megjithatë, provova ta vazhdoja shkollimin në gjimnazin “Hajdar Dushi” të Gjakovës, dhe, edhe përkundër ndalesave ligjore, drejtori i atëhershëm i këtij gjimnazi, që për fat të keq emri i tij më ka ikur nga mendja, me gjithë rreziqet ma mundësoi vazhdimin e shkollimit. Por, pas një jave, këtij drejtori iu falënderova dhe e njoftova se nuk isha në gjendje t’i vijoja mësimet për shkak të kushteve të vështira sociale; sepse, duhej të udhëtoja për çdo ditë nga Peja në Gjakovë dhe e anasjelltas. Kurrë nuk e harroj mirësjelljen e këtij drejtori, i cili, kur ia tregova shkakun dhe arsyen, u përmallua, bile edhe iu përvodhën lotët. Më tha: më vjen keq, në aspektin material nuk mund të të ndihmojë...!

Më tha edhe këtë: mendo edhe pak dhe mos i tërhiq dokumentet! Por, isha i prerë, të cilës gjë i “kontribuonte” edhe rebelimi im shpirtëror.

I tërhoqa dokumentet. Edhe njëherë u përshëndeta me drejtorin, i cili më përqafoi si fëmijën e vetë.

U ktheva në Pejë, dhe tash kishte ngelur vetëm një shpresë; që ta lusja sekretarin e gjimnazit të Pejës, z. Xh. Gj., që disi të ma mundësonte që vitin e katërt ta kryeja privatisht, edhe pse, sipas vendimit të kësaj shkolle nuk kisha të drejtë.

Një ditë prej ditësh, ktheva në Gjimnazin “11 Maji” në Pejë, edhe pse tani, dorën në zemër, edhe shokët dhe shoqet frikoheshin apo edhe nuk kishin dëshirë të takoheshin me mua. Bile, edhe disa nga profesorët bëheshin sikur kurrë nuk më kishin parë edhe as sikur kurrë nuk kisha qenë nxënës i tyre dhe as ata profesorë të mi!

Hyra në zyrën e sekretarit të shkollës, dhe kur më pa, më duket se nuk i erdhi fare mirë pse kisha kthyer tek ai. Andaj, pak si i befasuar, më pyeti:

-Hë, çfarë ka të re?!...

I rrëfeva për tërë atë problemin tim dhe e luta se nëse ka ndonjë mundësi të ma mundësojë që privatisht t’i kryeja provimet e vitit të katërt të gjimnazit.

Në fillim, desh i doli flaka.

-Nuk bën! E din se edhe një vit nuk ke të drejtë shkollimi në këtë gjimnaz?!...

Por, preras i thash:

-E di. Por, nëse mund të bësh diçka në këtë drejtim, kurrë në jetë nuk do ta harroj! Për asgjë tjetër nuk do të lutesha dhe as nuk do të të përkulesha, por për këtë, po...! Sepse, i kam premtuar plakut tim se përnjëherë me shokët e mi do ta mbaroj gjimnazin.

Për disa minuta më shikoi, më dukej se sikur të tërin më maste, sikur ma shprushte mendjen e synimin. Pas një kohe, më tha:

-Nuk mund të të premtoj asgjë, por eja edhe njëherë nesër...!

Shumë u gëzova dhe m’u shtua shpresa se do të ndodhte diçka mirë.

U ktheva në shtëpi plot shpresa, por asgjë nuk i bisedoja plakut. Të nesërmen, edhe me gëzim, edhe me shpresë, që më ishin të mbërthyera në frikë, ktheva në gjimnaz te sekretari. Nuk më shikoi fare dhe sikur nuk ma vente në fare zuzë. Nuk bëzaja as unë, dhe deri sa i rregulloi disa letra mbi tavolinën e punës e pasi u ul, as tash më shikoi, mu sikurse dje, dhe më tha:

-Nuk kam çfarë të të bëj... Nuk kam kurrfarë mundësie, prandaj më vjen keq...!

Tash, m’u bë se m’u mbyllen të gjitha rrugët dhe dyert. Nuk di si më erdhi, dhe ia drodha:

-Sikur të ishit Ju si unë, e unë në vendin Tuaj, do të bëja çdo gjë dhe do t’i hapja rrugët e shpresës dhe të ardhmërisë, edhe sikur të më kushtonte shumë një gjë e tillë...

Nuk më ecnin këmbët për të dalë nga zyra e tij. Por, çfarë ndodhi. Nuk e kisha të qartë se si iu ndërrua mendja, dhe më tha:

-Prit!... Sjelli nesër dokumentet për gjysmën e lëndëve-provimeve!

U dridha. Tash, nuk di si u shlirova, dhe i thash:

-Jo gjysmën, por të gjitha lëndët-provimet...

-Si?!!... A je në vete...!

-Unë, nesër do t’i paraqes të gjitha provimet...

-Shiko, pra. Për këtë, askujt asnjë fjalë, dhe kur t’i sjellësh dokumentet, hynë atëherë kur nuk të sheh askush...

Ashtu edhe ndodhi. Kur erdhi koha e provimeve, asnjë prej profesorëve nuk bëri pyetje se pse e si për çështjen time.

Të gjitha provimet i kalova për mrekulli. Dorën në zemër, disa profesorë edhe e kishin në konsideratë edhe çështjen e rastin tim, për çfarë edhe atëherë por edhe tash u jam mirënjohës dhe u falënderohem.

Tash, i erdhi radha e temës së diplomës. Kishin ikur të gjitha temat nga lista e ngjitur në mur nga lënda e gjuhës dhe letërsisë shqiptare, në ç’drejtim unë jetësisht isha i interesuar, sepse, edhe kisha afinitet të jashtëzakonshëm nga kjo fushë.

E, për temën e diplomës kisha problem. Sepse, arsyetimi ishte se i tërë viti i katërt i gjimnazit dhe diplomimi, të jepeshin - të kryheshin përnjëherë privatisht, nuk kishte kuptim që të përfundonte kështu. Megjithatë, edhe ky problem u zgjidh. Por, nga gjuha dhe letërsia shqiptare kishte ngelur vetëm një temë, të cilën nuk kishte pasur guxim ta merrte askush. Ishte tema “Fati i femrës dhe i nënës në letërsinë shqiptare”.

Me të vërtetë ishte temë e gjerë por edhe kërkonte leximin e shumë veprave. Për atë, për te edhe nuk ishte për caktuar askush. Vërtetë ishte temë e rëndë, por shumë interesante dhe joshëse, që linte përshtypjen e diçkaje si nismë për një studim të mirë dhe të rrallë në letërsinë kombëtare. Më provokonte dhe më grishte me të vërtetë fati i nënave, i motrave, i vajzave dhe i gruas shqiptare.

U përcaktova për te, dhe se një muaj e kam “humbur” duke e përgatitur këtë temë, sepse, libra dhe vepra kushtuar femrës sonë kisha lexuar bukur shumë, për të mos thënë edhe më shumë se që e kërkonte tema, dhe, isha shumë i lumtur, sepse, për mua tema kishte rëndësi të dyfishtë; një, sepse, diplomoja në të njëjtën kohë me shokët e klasës, ashtu siç i kisha premtuar edhe babait tim. Dhe dy. Sepse, ishte një temë për mua monumentale, një temë e prekshme, aktuale, mbase ndoshta edhe shumë e veçantë.

Për ta pagatitur temën, gjatë tërë kohës, për çdo ditë kam kthyer në Patrikanën e Pejës, dhe aty përbri Dudit Plak, atëherë 200-vjeçar, e pranë ujit që kalon përmjedis oborrit të Patrikanës. Aty, që nga mëngjesi e deri vonë lexoja, studioja dhe kënaqesha por edhe u frymëzoja për shumëçka duke punuar në temën e diplomës së maturës. Kisha material të bollshëm, bile bile, edhe më shumë se që ndoshta do të kërkonin profesorët dhe komisioni gjegjës.

Një muaj, që nga mëngjesi çdo ditë qëndroja në oborrin e Patrikanës, të këtij kulti historik të tokës shqiptare, dhe askush asnjëherë nuk më ka pyetur se përse isha aty aq i rregullt. Nuk më ka pyetur askush as nga personeli i Patrikanës por edhe as nga ndokush jashtë. Bile, përshëndetja ime e mëngjesit sikur e kënaqte personelin e këtij tempulli me histori të veçantë, me histori interesante, të drejtë, të shtrembëruar, mbase edhe jo të saktë...!

Në këtë Patrikanë, si nxënës i gjimnazit kisha punuar edhe në cilësinë e punëtorit fizik për ndërtimin e Kambanarit, për çfarë kishte financuar Dimitrije Funduc, një gjakon që atëherë kishte shkuar për të jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky njeri, e kishte financuar ndërtimin e këtij objekti, dhe prej themelit e deri në kulm të këtij kambanari, derdha edhe djersën time, për njëzetë e pesë dinarë të atëhershëm në ditë. Kuptohet, kjo ishte kënaqësi imja, sepse, edhe unë, përveç babait, e fitoja një “grimë” bukë për familje. Por, për këtë do të flasë më vonë.

Dhe, mori fund përgatitja e temës së diplomës. Gjatë mbrojtjes së temës, në komision ishin pesë profesorë, më shumë se zakonisht se deri atëherë! Më sa më kujtohet mua, në komision ishin: prof. Xh. B. (Kryetar komisioni), prof. S. B.(anëtar komisioni), prof. S. Gj.(profesor i gjuhës serbokroate-anëtar komisioni), prof. Ismet...(profesor i artit figurativ-anëtar komisioni) dhe një tjetër profesor, i cili ishte sa për formalitet, sa për ta kënaqur numrin e anëtarëve të komisionit.

Më pyeten se a isha përgatitur për ta mbrojtur temën. Po, u thash. Dhe vazhdova: unë sot përgjigjem vetëm për notën pesë, ose për notën e dobët-njësh!

Edhe pse nuk ishte i mirë nga ana ime ky “kushtëzim”, unë këtë ua thash me gjithë mend. Po ashtu, u thashë se brenda temës mund të pyesnin gjithçka dhe çfarë të donin, ndërsa, jashtë temës nuk do të përgjigjem!

Pas kësaj, kryetari i komisionit ndërroi në fytyrë, por nuk foli. Më pyetën për gjithçka e për çdo gjë. Por, pa modesti po them se isha shumë i përgatitur. Dikur, nuk patën se çfarë të pyesnin gjë tjetër, por, kryetari i komisionit më pyeti: cili personazh tek letërsia serbe mund të krahasohet me Hajrijen e romanit “Malësorja” e Nazmi Rrahmanit?!...

I thash se kjo pyetje që ma kishte drejtuar ishte jashtë temës, por megjithatë, po të përgjigjem: është Sofka te romani “Gjaku i papastër” i Bora Stankoviqit. Atëherë, profesori i gjuhës serbokroate, S. Gj., tha: “Pse po e mundoni djalin, a nuk po e shihni se temën e ka përgatitur për mrekulli!

Pastaj, sikur të gjithë anëtarët tjerë të komisionit që ishin shqiptarë u shliruan, kushedi nga ndonjë ankth i mundshëm. Dhe vetë, S. GJ. tha: unë e vlerësoj me notën pesë! Atëherë “krisën” pesat edhe nga anëtarët tjerë të komisionit, dhe diplomova në Gjimnazin “11 Maji” në Pejë, me rezultat të shkëlqyeshëm përnjëherë me shokët e klasës me të cilët, para përjashtimit tim, e kishim vijuar mësimin e rregullt. Bile, unë diplomova dy-tri ditë më përpara.

Pas këtij akti, mëzi prisja të shkoja në shtëpi dhe ta gëzoja babanë duke ia komunikuar se kisha diplomuar ashtu siç ia kisha dhënë fjalën.

Ashtu, pjesë të shpirtit dhe shok siç e kam pasur por e kam edhe tani edhe pse nuk është në këtë jetë, iu afrova dhe i thash:

-Babë, zgjate dorën!

Ma zgjati dhe ia shtrëngova e ia shtrëngova tej mase. E putha në të dy faqet, atëherë ia komunikova premtimin të cilin në atë moment nuk e kishte në mendje:

-Babë, unë sot diplomova!...

-Si...?! –ngeli pa tekst, por në vend të fjalëve e shoqëruan lotët, prapë të dyfishtë; lotët e tij që kishin aromën e peshën e moshës dhe të kohërave, dhe lotët e mi, që ishin si larje e borxhit ndaj babait, nënës dhe motrës Sofije.

Ishte një gëzim i përzier, i bërë “katralëmsh”, që sikur tani ndezi dritën e rrugës sime por edhe të familjes, e cila familje e tëra më bëhej se më ishte përkushtuar mua dhe vetëm mua...!



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: