Idriz Zeqiraj: Jep dorëheqje, Kadri Veseli!
| E Diel, 05.11.2017, 12:40 PM |

JEP DORËHEQJE, KADRI VESELI!

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Kadri Veseli ka pohuar vet se ka qenë në krye të SHIK-ut. Kolegu i tij në SHIK dhe Kuvend, Xhavit Haliti, e mohon të këtë qenë Kadriu në udhëheqje të SHIK-ut. Por, ai nuk jep ndonjë emër tjetër, për drejtimin e SHIK-ut. Pse e gjithë kjo lojë e mjegullnajë?!

SHIK-u i krijuar në Tiranë nën instruktimin e Sigurimit Shqiptar, LPK-së dhe dy "lojëtarë" anësor, UDB-a e Serbisë dhe Sigurimi sekret francez. Qëllimi bazë ishte sabotimi i luftës në Kosovë dhe marrja e pushtetit, qoftë ai edhe gjysmak e fiktiv, duke luftuar kundërshtarët politikë, brenda Kosovës, qoftë edhe me eliminim fizik.

Kadri Veseli ka pranuar se  SHIK-u kishte 92 anëtarë. E vërteta është se SHIK-u ka mijëra anëtarë. Financimi i tij ka qenë dhe mbetet supërkriminal. SHIK-u as nuk e ka përgjuar armikun, Serbinë dhe as nuk e ka luftuar atë. SHIK-u është marrë me: përgjimet, ndjekjet, rrahjet, kidnapimet, haraçet, nxjerrje të borgjeve me përqindje, kontrabandime me lëndë narkotike, tregtinë me armë, duke sabotuar armatosjen e luftëtarëve në aksione, plaçkitje, hajni gjithëfarëshe, eksplodime, shantazhime, kërcënime, maltretime, burgosje, perdhunime të femrave shqiptare e rome, e deri edhe me vrasjet politike të kundërshtarëve politikë shqiptarë, sidomos të ushtarakëve të FARK-ut dhe veprimtarët e LDK-së. Pra, SHIK-u është marrë me të gjithë katalogun e krimeve dhe të poshtërsive. SHIK-u ka administruar burgjet dhe nuk është trazuar dhe as penguar nga Serbia, edhe pse ajo ishte në dijeni, për gjithëçka ndodhte në Kosovë.

Deklarata e Kadri Veselit në Parlament, në përgjigje të akuzës të deputetit brilant të LDK-së, Lumir Abdixhikut, më 25 tetor 2017, se "nëse është dënuar, qoftë edhe një anëtar i SHIK-ut për vrasje, unë jap dorëheqje nga kreu i Kuvendit", është sa skandaloze, aq edhe tallëse me shqiptarët. Opinioni shqiptar, madje, i kudondodhur, tashmë, është në dijeni se në prag lufte, përgjatë lufës dhe pas luftës, ka ekzistuar dhe ka vepruar, përgjakshëm, një oranizatë ilegale, e jashtëligjshme, kriminale e terroriste, me emrin SHIK (Shërbimi Informativ i Kosovës).

(Akuza e Veselit, për Abdixhikun, se ai e ka mendjen andej Presheve, pra, në Serbi, është adresë e gabuar. Votat nga Serbia i erdhën Kadrisë dhe jo Lumirit. Edhe projekti i SHIK-ut të Veselit, nga Serbia ka ardhur.)

Emërtimi është i natyrshëm, sepse një organizëm i tillë është normal për çdo shtet. Por, ky institucion është kudo legal, i ligjshëm, me personel drejtues dhe seli të njohur. Ndërkohë, SHIK-u i Kosovës, qysh në nismë, ndryshon nga misioni që kanë shërbimet informative të ligjshme të vendeve të tjera. Misioni i SHIK-ut, në vend të hulumtimit të informacioneve për armikun, u përcaktua për goditjen e kundërshtarëve politikë, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë, nga një grup njerëzish, që ishin në shërbim të SHISH-it shqiptar dhe të UDB-së, alias, BIA-s të Serbisë.

Hartimi i listave vrastare të SHIK-ut, të bëra nga një shtab dhe hiç më pak se Shtabi i Përgjithshëm të UÇK-së, është shumë domëthënës. Rrjedha e ngjarjeve përgjatë luftës, e dëshmon qartë misionin kundra-kombëtar të LPK-së, të SHISH-it shqiptar, infiltrimin e Shërbimit Informativ të Serbisë, me aleatët e saj, për ta sabotuar luftën në Kosovë, duke intriguar deri në vëllavrasje ndërshqiptare.

Atë që bëri Ibrahim Rugova me Anton Çetën dhe me atdhetarët tjerë, pajtimin e gjaqeve në vitet 1990-a, tani, e zhbënte  SHIK-u, në prag të viteve 2000-a, për ta vazhduar edhe më pas. Shkarkimi i Kryesisë së vjetër të LPK-së, futja nën kontroll, nga Tirana zyrtare social-komuniste, e LPK-së, të gazetës të saj, "Zëri i Kosovës", Fondin "Vndlindja thërret", arriti t`i kanalizojë edhe veprimet, që duhej t`i bënte LPK-ja mëtej. Në mënyrë të njëanshme prishi Marrëveshjen e Osllos, duke e ndarë faktorin ushtarak të Kosovës; ekzekutoi Ministrin e luftës, Kolonel Ahmet Krasniqin, në mes të Tiranës; filloi ndjekjen dhe vrasjen e ushtarakëve të FARK-ut, (Forcat e Armatosura të Republikës të Kosovës), duke i pushtuar, përgjakshëm, kampet ushtrimore ushtarake, të organizuara nga Ministri Krasniqi; duke vrarë kuadrot dhe veprimtarët e LDK-së.

Rrjedhimisht, SHIK-u e sabotoi dhe e dështoi luftën në Kosovë. UÇK-ja, tashmë, e SHIK-ut, e proklamuar me aq bujë e pompë, nuk arriti kurrë të futet në luftë, si një organizim i mirëfilltë ushtarak, nuk zhvilloi asnjë betejë kundër armikut. Disa individë e grupe të SHIK-ut, provokuan disa pika policore. Kundër-përgjigjia e policisë serbe ishin masakrat masive, ndaj popullatës shqiptare. Dhe, e gjithë kjo ishte, paraprakisht, e planifikuar nga SHIK-u dhe tutorët e saj SHISH-i dhe UDB-a.

Dhe, po të mos ishte organizimi ushtarak FARK, me UÇK-në e tij, të cilën, profesionalisht, e vuri në lëvizje e veprim, askush në Kosovë dhe botë, nuk do të kishte fytyrë, për të përmendur as luftë dhe as UÇK-e. Kjo është e vërteta e faktuar. Të gjitha të tjerat janë sajime propagandistike, lehaqene alla komuniste, enverhoxhiste, gënjeshtra e falsifikime, mashtrime, broçkulla, pallavra të SHIK-ut.

SHIK-u është një organizatë-bandë e madhe, kriminale e terroriste:

1) Themi kriminale, se ka ekzekutuar, të paktën, 1.820 shqiptarë të pafajshëm: ushtarakë luftëbërës të FARK (UÇK-së); bashkëpunëtorë të Ibrahim Rugovës; veprimtarë të LDK-së; gazetarë të "Bota sot" dhe të tjerë, duke filluar nga shefi i QIK-ut, (Qendra Informative e Kosovës), Enver Maloku, kuadro të hershëm të LPK-së, të cilët kundërshtuan veprimet kriminale të SHIK-ut. Ka vrarë edhe anëtarë të SHIK-ut, ekzekutorë të kuadrove të LDK-së, për të humbur gjurmët e krimit: ekzekutorin e Komandant Drinit (Ekrem Rexhës), shefin e grupit ekzekutues të Avokat Shaban Manaj, tre pjesëmarrësit e grupit atentatorë të Fetah Rudit, Heroi i gjallë i Kosovës, i cili e mbijetoi atentatin, por mbeti në karrikën invalidore. Pasi i vranë tre atentatorët e porositur vet, SHIK-u ua bëri një kompleks memorial, buzë rrugës nacionale, në fshatin Mërçinë!!!

Ka edhe raste të tjera të kësaj natyre. Vetëdenoncimi publik i anëtarit të SHIK-ut, Nazim Bllaca, është rrjedhojë e zbulimit të njeriut, të paguar nga SHIK-u, më 200 mijë marka gjermane, për ta vrarë Bllacën. Gjuajta me granatë nga SHIK-u, në shtëpitë e anëtarrëve të SHIK-ut, Nazim Bllacës dhe të Naim Miftarit, pas denoncimit të veprimtarisë vrastare të SHIK-ut, është një dëshmi tjetër kriminale e vrastare e SHIK-ut.

2) Themi terroriste, sepse ekzekutimet e zhurmshme, me armë të rënda, në mjeside të populluara, kanë terrorizuar shqiptarët. Pastaj, rrahjet masive publike, kidnapimet, maltretimet, burgjet çnjerëzore, deri në mbytje e fshehje të kufomave. Rasti i mbytjes dhe djegies të kufomës të Shaban Manaj, kuadër i LDK-së, nga një grup i SHIK-ut, në Ozdrim të Drenicës dhe e gjithë sjella e tyre kriminale e rrugaçërore ka qenë terror. Gjuajtja me granatë, në shtëpitë e dy anëtarëve të cituar të SHIK-ut, janë akte të terrorizmit, sepse brenda shtëpisë janë gratë dhe fëmijtë, aq më keq, kur sulmi, gjuajtja është bërë përgjatë natës. Pra, kemi të bëjmë me tentim vrasje masive.

Ky terror shtrihej edhe në Shqipëri, në Portin e Durrësit, ku "Shqiponjat e zeza", degëzim kriminal i SHIK-ut, dje të dënuar me burg, për - Krime vrastare kundër njerëzimit"-, sot deputetë në Parlamentin e Kadri Veselit!!! Kriminelët e SHIK-ut u konfiskonin pashaportat mërgimtarëve, pse kanë paguar në Fondin shtetëror legjitim 3%-in dhe jo në Fondin jolegjitim "Vendlindja thërret".  Moteli "Drenica", tej "Urës së Dajlanit", në plazhin e Durrës, ishte baza e SHIK-ut terrorist.

SHIK-u terrorizonte, në vijimësi, personelin e Përfaqësisë të Kosovës ose Zyrë së Kosovës, duke i kërcënuar me letra të llojit: "Për veprimtari armiqësore kundër popullit të Kosovës, jeni të dënuar me vdekje. Në rastin e parë të mundshëm, do të ekzekutoheni. SHP i UÇK-së". Ishte ky kërcënim, që njëri nga shefat e Përfaqësisë të Kosovës, u largua nga Tirana. SHIK-u vepronte edhe në Diasporë. Shantazhet e kërcënimet telefonike, sidomos përgjatë natës, me presionin "për t`u larguar nga LDK-ja, ose UÇK-ja ju ekzekuton", kanë qenë bërë problem edhe për policinë e vendeve strehuese të shqiptarëve. Kriminelët e SHIK-ut, për të mbetur anonim, i përdornin telefonat publikë, të vendosur në rrugë.

Janë shumë qindra anëtarë të SHIK-ut të arrestuar, për krimin e kidnapimit, perdhunimit, torturës, të vrasjes, madje, edhe të vrasjeve masive. Prej tyre, disa dhjetra militantë të Organizatës kriminale e terroriste SHIK, janë dënuar me kohëzgjatje të pakët e qesharake, edhe pse krimi i vrasjes është kryer ngeshëm e me dashje, paramendim, siç përdoret në fjalorin e drejtësisë. Por, ka anëtarë të SHIK-ut, të dënuar deri me 30 vjet burg, për krimin vrastar. Tashmë, opinioni është i njohur për proceset dhe dënimin e banditëve të SHIK-ut: E para, banda e Dukagjinit; e dyta, banda e Llapit; e treta, banda e Drenicës, të gjithë anëtarë të SHIK-ut. Janë dënuar edhe kriminelë të tjerë të SHIK-ut, si në procesin Bllaca 1 dhe 2. Leshataku "për ibret", Fahrudin Gashi-Faruku, me shokë, të gjithë SHIK-as të rreshkur.

SHIK-u, si organizatë e krijuar nga LPK-ja, SHISH-i dhe UDB-a, është tipik organizim komunist, stalinist, metodë sovjetike, e Luftës së Dytë Botërore. SHIK-u i ka lëshuar disa libreza, me emërtesa të ndryshme e kamufluese, por, që, ka vetëm një shtab dhe një qëllim: për të sabotuar luftën në Kosovë, duke i vrarë kundërshtarët politikë dhe duke i denoncuar e vënë në pritën e policisë serbe, luftëtarët, pavarësisht përkatësive partiake, për të ardhur në pushtet, madje çfarëdo që të ishte ai pushtet, autonomi apo diç tjetër.

Nazim Bllaca ishte anëtar i SHIK-ut, ishte i pajisur edhe me librezë të SHIK-ut, të cilën e shpërfaqi para kamerave televizive. "Çdo anëtar i SHIK-ut duhet me vra", i kishte thënë shefi i tij, kuadri i lartë i SHIK-ut, Azem Syla, kur ia kishte dhënë armën "skorpion", për ta vrarë një person të listuar, më parë. Dhe, Nazimi e ekzekutoi atë, në prezencën e familjes. Bllaca e pranoi krimin, si SHIK-as, i mashtruar nga shefi i tij, sikur po bënte vepër patriotike, u dënua me burg, duke i kërkuar falje, në gjyq, familjes të viktimës. "E vrava familjarin tuaj, por, kam zbatuar urdhrin e shefit tim, të organizatës time - SHIK".

E gjithë kjo, tashmë, është e faktuar dhe publike. Zoti Veseli, keni premtuar publikisht se nëse SHIK-u ka vrarë dhe është dënuar, qoftë edhe njëri prej anëtarëve të SHIK-ut, "unë jap dorëheqje nga kreu i Kuvendit". Atëherë, mbaje fjalën e dhënë publikisht, madje, nga foltorja shenjtërore e Parlamentit të Kosovës, jep dorëheqje, Kadri Veseli, nëse të ka mbetur një fije burrërie!



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: