Bejtush Isufi: Dëshmitari i vrasjes së një qyteti
| E Diel, 05.11.2017, 12:32 PM |

Dëshmitari i vrasjes së një qyteti

Nga Bejtush Isufi

Edhe mëngjesin e sotëm i kishte kthyer shpinën banesës së tij dhe lëvizte po asaj rruge së cilës kishte kaluar me qindra e mijëra herë… I hidhte hapat njërin pas tjetrit dhe dëshironte të bindej se rruga dhe qyteti, po edhe ai vetë ishin po të njëjtit e ditës dhe mbrëmjes së mëparshme, por vetja nuk i bindej se nuk i bindej… Andaj u pajtua se qielli i asaj dite kishte hapur tjera dyerë, tjera dritare… Dhe  sikur të shkelte për herë të parë në trotuaret e këtij qyteti po fiksonte gjithëçka, siç i ngjan një të huaji… Po ri-zbulonte të gjitha kubëzat e qara, dritaret e pluhërosura dhe degët e thyera të drunjëve…

Nuk mund të jetë ky qyteti im i lindjes sikur donte ti kundërshtonte dikujt- sepse nuk kishte kaq shumë shëmti dhe gjithë këto plagë atij nuk do të mund ti shkaktoheshin kaq shpejt…dhe papritmas.

Ashtu siç dallojmë gjithëçka nga krahasimet, edhe kësaj rradhe po i mbante në duart e tij dy skajet e kësaj ndjenjeje, adhurimi i djeshëm apo zhgënjimi i sotëm?!

Kaluan shumë kohë dhe ai filloi të shohë gjithë një e më qartë dhe të ndjej gjithnjë e më pak… Zemra po i dobësohej, ndërsa përkundrazi i ngjante me sytë, si për hakmarrje ata arrinin të zinin të gjitha të zezat e botës që kishin pllakosur këtë qytet, këpucën në trotuar, brekët e vendosura në verigë për tharje, marimangat, shpezët e ngordhura në rrugë…Dhe flamujt e zhubrosur e  të nxirë nga pluhuri që ende valviteshin në një qytet që dukej si i braktisur kaherë nga një luftë e humbur përgjithmonë.

Po ashtu si kur nuk mund të pajtohemi lehtë me pamjen tonë nga pasqyra, ai deshi të shkëputej nga pamjet e nga mendimet e zymta dhe dyshoi se ndoshta ndjenjat e tilla vinin nga mosha e shtyrë, e cila po e befasonte me gjëra të reja…

Gjithë jetën e tij kishte dashur, çmuar dhe ishte frymëzuar nga dashuritë e të tjerëve për vendet e tyre dhe kishte besuar se edhe ky i takonte këtij grupi njerzish, se kishte dashurine për dheun e prindërve dhe fëmijëve të tij…. E sot? Një mendim vetëtimthi i iku në një skaj të errët të trurit dhe u dridh nga përballja se ai ndoshta po ikte prej këtyre njerzëve të lumtur…

Nuk dinte të fshihte gëzimin e pikllimin sepse fytyra e tij dëshmonte për të gjitha kthesat… friksohej se që në hapin e parë të gjithë do ti lexonin shpirtin e thyer në dysh...

Ai nuk e kishte besuar kurrë, e madje edhe po të rrokullisej bota, se do të mund të mos shprehej me fjalët më të zgjedhura për qytetin e tij të lindjes…

Edhe shpirti e edhe shqisat e tij sikur kishin ngritur shtizat e luftës në mes tyre dhe aty pastaj mbërthehej e kaluara dhe e ardhmja... ziheshin dhe përballeshin dhembja e të sotmes me mallëngjiminpër të djeshmen, frika për fëmijtë me përgjegjësinë për atdheun, ndërgjegja e prindit me  nderin e qytetarit…

Këto dhe mendime tjera tjera e kishin futur në një lloj labirinthi nga i cili dyshonte se do të mund të gjente daljen…

Nuk ishin më ato të vërtetat e mëdha në mes të cilave ai ndjehej i sigurt si në dritën e diellit, e i qetë si në shtëpinë e tij… tani kish nisur një erë  e fuqishme që po i thyente drunjët dhe mbyllte rrugët me gurë...

Më në fund mendoi se kishte mbledhur arsyen dhe përqëndruar sytë, por e kotë, askund nuk dukeshin pamjet e bukura të së djeshmes…Ajo dritarja e qiellit ishte ende e hapur, ndërsa të ftohtit kish depërtuar thellë në zemër, sytë ishin liruar nga pesha e dashurisë dhe tani ata po shinin më qartë…Dhe ajo që tani dukej e dëgjohej ishte një botë tjetër, e panjohur dhe e ftohtë. Trualli i një botë tjetër ku këmbët e tij duhej të ndalonin dhe preknin, sytë e tij të shihnin dhe veshët e tij të dëgjonin… sikur një turist i rastit që kishte humbur fluturimin dhe pa dashje duhet  të fiksoj gjiçka si me gjilpër, vetëm sa për të mbytur kohën.

Ngadal dhe këmba- këmbës, rrëshqiste rrugës prej nga kthehej ti takonte fëmijët dhe gruan, por frikësohej se ata do të mund ta hetonin se ai kishte shtegtuar një toke të panjohur dhe të frikshme.

Duke ngjitur shkallët sërish ju shfaq para syve fusha e braktisur e betejës e cila e priste për ballafqimin e ardhshëm dhe e kuptoi se ky ankth do ta ndiçte edhe sonte si peshkaqeni prenë.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: