Ndue Dedaj: Kërcimtari i Tërbunit
| E Premte, 03.11.2017, 05:58 PM |

KËRCIMTARI I TËRBUNIT

(Riza Hoxha)

NGA NDUE DEDAJ

Në Pukë Riza Hoxhën e njohin të gjithë, si artist të kërcimit (herët edhe si futbollist), po dhe gjithandej në mjediset koreografike dhe të folkut kombëtar, ku Ansambli “Puka” ka dhënë shfaqje me sukses, në Gjirokastër, Tiranë, Shkodër, Berat, Lushnje, Kosovë, apo jashtë vendit, në Mal të Zi, Austri, Poloni, Egjipt etj. Rresth 45 vite në skenë si kërcimtar dhe koreograf, duke prirë grupet e valltarëve pukjanë. Rizai u lind në fshatin Buhot të Pukës me 24 tetor 1947, shkollën fillore e kreu në Kabash dhe arsimin e mesëm në Pukë si konviktor. Pas një kursi koreografie pranë Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore në Tiranë në fillim të viteve ’70 nisi punën në Pallatin e Kulturës Pukë në sektorin e valles, duke u bërë një mjeshtër i vërtetë i valles pukjane. Përherë pjesë aktive e Ansamblit “Puka” të drejtuar nga Artisti i Popullit, gjeniu i çiftelisë, Ndue Shyti, por dhe artistë të tjerë si muzikantët: Nut Tahiri, Sabrie Nushi, Afrim Kalenja, rapsodët Frrok Haxhia, Tom Nikolla e Fran Pali, regjisori Fran Vukaj, skenografi Gjon Curri, etnografi Mustafë Beqiri etj., në gjurmë të rapsodit të njohur të Kabashit Prendush Gega. Puka e shkëlqimit të femrave artiste, si Mariana Leka, Mirela Sulo, Dava Gjergji, Vitore Rusha, Vitore Matoshi, Zojë Pali etj.

Në larminë e valles pukjane mund të veçohen ato që kanë mbetur në kujtesën e publikut shqiptar si vallja e besës, valle me motive të Veriut, valle me motive kosovare, vallja e zogut, motive dasme pukjane, vallja e nuseve, valle me çifteli, vallja e gjarpërit, valle humoristike burrash, valle për të vegjëlit e gjer tabllotë koreografike. Rizai ka në arkivin e tij një mal me valle të trevës nga vjen që i bëjnë dhe iu bën nder, përpos ngjitjes në skenë të dhjetëra valltarëve, por do të mjaftonin një valle dhe dy inskenime rituale gjenerale për ta shënuar atë si një nga pasuruesit e fondit të folkut kombëtar, “Vallja e Kabashit” dhe ritualet “Gjama e Burrave” dhe “Buzmi Bujar”. Vetëm një artist i formuar dhe me intuitë orientohet kah vlerat e sipërme të trashëgimisë popullore shpirtërore dhe arrin t’i nxjerrë ato nga “provinca” e t’i vendosë në altarin e visarit kombëtar.

Vallja e Kabashit është valle burimore, që kërcehet nga katër burra, që përfaqësojnë katër fiset e fshatit, që ishte më tepër se kaq, një qendër e banuar që në hershmëri dhe e përshkuar nga një rrugë kryesore që e lidhte atë vendbanim me të tjerët, ku veç të tjerash zhvillohej dhe një panair i pasur si në qytete. Kabashasit kishin shumë tipare identitare dhe një valle në atë mozaik ishte e nevojshme. Koreografi e ka shpjeguar kuptimin e saj përmes lojës në skenë. Ai shkruan se “lëvizjet dhe ritmet e kësaj vallje përmblidhen në tre momente kryesore: me hapjen e krahëve anash, rrahjen e këmbës për tokë dhe shkëputjen për t’u ngritur e hedhur përpara”. Për të vallja, nga më të bukurat shqiptare, është imitim i shqiponjës, çka ai e sheh në hapjen e krahëve të valltarit njëlloj si shpendi krenar me vështrimin larg mbi kreshta. Kurse rrahja e këmbës për trolli tregon njeriun e lidhur ngushtë me ashtin e vet, i cili ashtu si Anteu, sa herë prek tokën, merr forcë e energji për t’u shkëputur prej saj kah e mbara e jetës.

Përpos valles së mirënjohur të Kabashit, që është lokale, dy ritualet e tjera janë thuajse mbarëveriore, ku gjamët kanë qenë të praktikuara veçanërisht në Dukagjin. Gjama e Burrave është ndër ritualet më të pastudiuara, ku megjithatë është përkitur herë pas here dhe përshkruar nga fretërit që kanë shërbyer në kishat e atjeshme, si At Zef Pllumi. Ajo është një shprehje e fortë e dhimbjes për vdekjen e dikujt nga fisi apo të afërmit. Sa më e re të ishte mosha e të vdekurit, aq më kumbuese ështe gjama, si me qenë tue e ngjallë të vdekunin. Një kumt që vetëm te shqiptarët mund të gjendet kaq ekspersiv, dramatik, aktorial, mbartës i një pikëllimi të madh kolektiv për njeriun. Padyshim që vjen nga kohët me të vjetra ilire, greke e romake, si një thirrje e jashtëzakonshme jo për vdekjen, por për jetën! Artistë që maja të tilla etnografike i ngjisin në skenë janë si ata restauratorët që na i rikthejnë kalatë në shkëlqimin e tyre të parë, të motmotshëm. Buzmi Bujar është rituali kryesor i mbarësisë dhe pjellorisë së tokës, për të cilin është shkruar nga autorët e vjetër, por pak kush e di se ai ishte një spektakël mahnitës tejet origjinal ndër malet tona në ditët e Kërshëndelleve, me origjinë pagane, që po të inskenohej sot për turizmin kulturor, veçanërisht për të huajt do të ishte ekzotik dhe i papërsëritshëm.

Ustai i valleve pukjane, koreografi Riza Hoxha, nuk është ndalur vetëm në këto perla të valles e ritualeve të rajonit të tij, por ka qëmtuar në të gjitha nëntrevat e rrethit valle të spikatura lirike, epike dhe ajo çka është më interesante, ka sjellë dhe plot valle humoristike. Një vlerë e valles shqiptare të dasmës, pra, edhe asaj pukjane, është prania e femrës si kërcimtare brilante lirike, që dëshmon se vajza dhe gruaja në ceremoni të tilla gëzonte qysh herët një popullaritet të njësojtë me burrat, ajo qeshte, lozte, këndonte, bënte hoka pa droje, përndryshe i shpaloste lirshëm hirët e saj artistike femërore.

Një valltar e përfytyron më së shumti si një shqiponjë gjithnjë në “fluturim” me krahët hapur, që aty për aty kap qiellin dhe tokën. Askush më shumë se valltarët nuk ta krijon ndjesinë e “mbinjeriut”, që përmes lëvizjeve të tij harmonike me mjedisin dhe të tjerët bën gjithçka, tund malet, pushton kështjellat, luan tangon e jetës dhe fiton në duelin e përjetshëm të dashurisë. Për këto ai bëhet zog, skifter, por dhe iriq... Kjo është bota e artit magjik të valles, që mjeshtri pukjan e ka sjellë për vite e vite në skenat shqiptare e jashtë tyre, si një pikturë në lëvizje.

*

Në 70-vjetorin e lindjes së Riza Hoxhës këtë të dielë (29 tetor 2017) mblidhën në Pukë artistë vendës, të ardhur nga Tirana, Lezha, Kosova e të tjerë, miq e shokë të tij, ku në edicionin e radhës të “Sofrës Pukjane” promovohet dhe një botim kushtuar pinonierit dhe mjeshtrit të valles pukjane, shkruar nga studiuesi i njohur Mark Mesuli, njëherësh autor i disa monografive kushtuar artistëve të shquar të kësaj treve, si Ndue Shyti, Frrok Haxhia dhe Mark Nikolla. Nga monografia e tij kushtuar Riza Hoxhës shkëputëm për lexuesin e NACIONAL disa pasazhe nga artistë dhe studiues të njohur të vendit.

Besim Zekthi, Mjeshtër i Madh: “Riza Hoxhën e Kabashit të Pukës e kam njohur shumë herët si pionierin e valles tradicionale të Kabashit. Ishte kjo valle, që më bëri përshtypje për karakterin e saj epik, ku si bartës i saj ishte valltari, djaloshi i asaj kohe, Riza Hoxha. Duke parë interpretimin e atyre djaloshëve më lindi interesi i një ekspedite për ta vënë në skenë me grupin e valltarëve të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve dhe kështu u realizua, prandaj dhe i jam mirënjohës koreografit të Pukës. Ai ishte pasionant, energjik, i cili punoi një jetë të tërë duke e pasqyruar dhe përpunuar vallen pukjane...”

Prof. Dr. Yllka Selimi:

Në njërin nga festivalet folklorikë grupi i Pukës do të vinte me “gjamën e burrave”. Rizai erdhi disa herë në Tiranë në Institutin e Kulturës Popullore, ku unë punoja dhe bëmë shumë biseda rreth temës. Mori literaturë, lexoi mjaft. Kur vajtëm si specialistë për të parë përgatitjet, të them të drejtën u befasova! Në atë spektakël të vërtetë ndjehej dora e koreografit, i cili me përpikmëri dhe me profesionalizëm kishte përgatitur gjamën, sikur të qe e vërtetë. Kujtoj, që atë vit Puka mori Flamurin e Festivalit. Po kështu, në një festival tjetër grupi i Pukës u paraqit me ceremoninë e Buzmit Bujar (rit që kryhet më 25 dhjetor). Me plot gojën, mund të them, se nga mënyra si u paraqit në festival, e përgatitur për një kohë jo të shkurtër, nga grupi me në krye Rizain ishte një mrekulli. Aty, koreografi vjen si një njohës i mirë i etnografisë, folklorit gojor, atij muzikor dhe koreografik. Me pak fjalë një etnokoreograf i vërtetë.

Sabrie Nushi, muzikologe: Koreografi i njohur Riza Hoxha është një artist që me forcën e tij krijuese dhe interpretuese ka marrë pjesë dhe ka debutuar në të gjitha aktivitetet më kulmore të përfaqësimit të trashëgimisë shpirtërore të popullit shqiptar, si në Festivalin Floklorik Kombëtar të Gjirokastrës ku për herë të parë mori pjesë në vitin 1973 e në vazhdim, në Festivalin Folklorik Kombëtar të Beratit, në Festivalin Tipologjik Kombëtar të Lushnjes, në Festivalin Kombëtar të klasës punëtore etj. duke patur përherë sukses artistik, por vlerat e vallëzimit pukjan janë prezantuar jo vetëm në skenat tona shqiptare, por edhe në Kosovë e jashtë atdheut nga Ansambli Popullor “Puka” si në Mal të Zi, Zvicër, Egjipt, Austri etj. E këto arritje e suksese të koreografit Riza Hoxha janë rezultat i një pune të vazhdueshme kërkimore e studimore në hulumtimin e valleve burimore e tipologjike pukjane, i një bashkëpunimi të ngushtë me koreografët më të njohur e më të shquar të vallëzimit shqiptar, të një bashkrëndimi e një mirëkuptimi me të gjithë drejtuesit e krijuesit pukjanë e në mënyrë të veçantë me valltarët që ishin forca kryesore e realizimit të vlerave krijuese, përpunuese të koreografit Riza Hoxha në skenat shqiptare.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: