Milazim Kadriu: 'Dita e Plisit' në kullën e Azem Galicës
| E Enjte, 02.11.2017, 10:43 AM |

NË KULLËN MUZE TË  AZEM GALICËS U MBAJT  MANIFESTIMI  " DITA E PLISIT "

Kumtesa, këngë e valle, anekdota, mirënjohje,… në  Ditën e plisit në Kullën e Azem Galicës

Nga Milazim F. KADRIU

Grupi i valltarëve të AKV “Hasan Prishtina” nga Vushtrria të përgatitur nga koreografi i njohur Agim Munishi hapi Manifestimin tashmë tradicional “Dita e plisit” që kësaj radhe u mbajt në  Kullën Muze të  Azem Galicës në Galicë, komuna e Vushtrrisë. Ky manifestim edhe kësaj radhe pati një program të larmishëm me pjesëmarrës të veçantë si për nga mosha  ashtu edhe nga viset e ndryshme shqiptare dhe nga diaspora  por që të gjithë ishin me plisa të bardhë në kokë. Në manifestim u paraqitën kumtesa lidhur me plisin, u këndua dhe u vallëzua, pati edhe fjalë përshëndetëse dhe ndarje  të mirënjohjeve dhe të gjitha lidheshin me tematikën për plisin.

Në këtë manifestim tradicional që e organizon Ismet Krasniqi -  Lala i ndihmuar nga  njerëz të kulturës dhe artit nga Klina, pjesa kryesore përbëhej nga kumtesat që i kushtohen plisit. Kështu Prend Buzhala  u paraqit me kumtesën  "Dekalog për plisin shqiptar”,  Dr. Mehmet Rukiqi ligjëroi për simbolikën dhe rëndësinë etnografike të plisit dhe evokoi figurën historike të Azem  Galicës. Galicasi Bedri Tahiri foli për  figurën historike të Azem Bejtës dhe kullën si vend qëndrese e kuvendesh. Daut Demaku foli lidhur me përqasjen e  shëndetit dhe ndërkomunikimin kulturologjik të bartjes së plisit. Brahim Avdyli foli për lashtësinë e plisit shqiptar, ndërsa Muhamet Rugova paraqiti kumtesën  "Teknika e përpunimit të plisit nga zejtarët e Gjakovës". Në mes të kumtesave publiku freskohej nga këngët e dy rapsodëve Nazmi Hajdari nga Ferizaj që u paraqit me këngë malësorçe, pastaj këngë me lahutë e  me sharki dhe rapsodi nga Shkupi Tahir Seferi, që këndoi këngë me çifteli. Po ashtu  edhe paraqitja e Salih Zogianit me disa anekdota u prit mjaft mirë nga të pranishmit.

Vlen të ceket se në manifestim ishin të pranishme edhe poeteshat që kësaj radhe merrnin pjesë në manifestimin tradicional të  poeteshave që mbahet për çdo vit në Vushtrri e që edhe ato mbanin plisin e bardhë në kokë.

Duke i përshëndetur  të pranishmit e organizatorët për manifestimin “Dita e Plisit” dhe duke i përgëzuar për punën e deritashme dhe duke iu dëshiruar sukses edhe në manifestimet e ardhshme me dëshirën që ky manifestim të zgjerohet dhe të bëhet manifestim mbarëkombëtar  dhe të  përkrahet nga institucionet shtetërore, uruan në fjalët e tyre përshëndetje kryefamiljari i Jasharëve të pavdekshëm, Bacë Rifat Jashari, përfaqësuesi i  shoqatës atdhetare “Dukagjini” nga Shkodra, Ndue Sana  përfaqësuesi i shoqatës mbarëkombëtare “Bytyqi” nga Tirana, Agron Isa Gjedia dhe Remzije Zekolli në emër të poeteshave .

Autortë e librit Prend Buzhala e Ismet Krasniqi “Dita e plisit” I, II, III të tri vëllimet ia dhurun Rifat Jasharit

Shoqata atdhetare “Dukagjini” nga Shkodra, në krye me drejtuesin e saj Ndue Sana, ndau medaljonin për merita historike e atdhetare “Mehmet Shpendi” për Kullën-muze të Azem Galicës, si dhe mirënjohje për rezultate në art e kulturë Ismet Krasniqit – Lala dhe Idriz Berishës – Xhixhi : " Mirënjohja e Shoqatës Atdhetare Dukagjini" me motivacion: " Një jetë të tërë në shërbim të kulturës dhe shkollimit, ruajtjes së vlerave kombëtare, përmes bashkëpunimit, integrimit në kulturë dhe krijimtari poetike" Mirënjohjet i dorzoi Ndue Sana,dhe Prele Milani .

Përfaqësuesi i shoqatës mbarëkombëtare “Bytyqi” nga Tirana, Agron Isa Gjedia,për të pranishmit ndau nga një ekzemplar të gazetës “Bytyqi”,ndërsa përfaqësuesi i shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi nga një foto të presidentit Bil Klinton  me plisin e bardhë në dorë, kurse përfaqësuesit e e shoqatës “Dukagjini “ nga Shkodra për organizatorët  dhuroi nga një libër.

Për të pranishmit ishin përgatitur ushqime tradicionale dhe pije.

 



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: