Dukagjin Hata: Zëri i veçantë i një profesionisti
| E Merkure, 01.11.2017, 06:12 PM |

Zaim Tollja, zëri i veçantë i një profesionisti

Nga Dukagjin HATA

Muzika është arti i dashurisë, që buron nga shpirti dhe derdhet në mijëra tinguj e nota, në ujëvarën e së bukurës, që na joshë të bëhemi pjesë e saj, thotë një i urtë i kësaj bote.

“Muzika është gjuhë botërore që s'duhet përkthyer” thoshte Auerbahu. “Atje ku ndërpritet biseda, atje fillon muzika”, shkruan Lunaçarksi, një nga kritikët më të mëdhenj të artit në të gjitha kohërat.

Këto të thëna dhe të tjera që burojë nga mendjet e shquara të njerëzimit më vijnë në mendje ndërsa bisedoj me këngëtarin dhe kantautorin Zaim Tollja, një zë origjinal, me një timbër dhe profil të veçantë muzikor. Zaim Tollja duket se ka lindur për të kënduar, pasi në repertorin e tij ka këngë të veriut e të jugut, të Shqipërisë së Mesme e të trevave të Kosovës, jaret shkodrane dhe këngët e vjetra të odave shqiptare,  që vijnë që nga koha pagane e eposit dhe parahistorisë.

Të lindësh dhe të rritesh atje, mes lëndinave që fëshfërijnë dhe krojeve ujëftohtë që akullojnë, duke ndjekur meloditë sharmante dhe gjithë freski të ahishteve që fëshfërijnë, në Lurën e bukurive dehëse dhe magjive që nuk kanë të sosur, është një favor që jo gjithkush mund ta ketë. Në këtë natyrë që shpaloset e virgjër dhe madhështore, njeriu lind vetvetiu poet, piktor, këngëtar, bisedon me valët dhe dialogon me fëshfërimat e drurëve. Nuk është rastësi që në këtë mjedis idiliko-romantik, kanë lindur dhe janë formuar poetë, shkrimtarë, piktorë, njerëz të artit, që kanë bërë emër, jo vetëm në Lurë por në mbarë Shqipërinë. Në fushën e muzikës kanë lënë gjurmë të pashlyeshme Beshir Laçi, Ilmi Kolgjegja, Arif Tollja  dhe këngëtari virtuoz, bardi i këngës epike të maleve shqiptare, uragani i praglirisë së Kosovës, Arif Vladi.

I lindur dhe i formuar në këtë mjedis poetik, këngëtari Zaim Tollja e mori Lurën me vete, si një gur Sizifi dhe kudo që vajti, në çdo cep të shqiptarisë, i ktheu ujëvarat e saj në tinguj, e bëri melodinë ndjesi, kujtesë, dhimbje e krenari, emocion e shpagë dhe e nisi si mesazh dashurie drejt çdo zemre që dashuron këngën dhe muzikën.

Zaim Tollja karakterizohet nga një zotërim që i bën objektit muzikor, këngës, melodisë, tekstit, duke i shkrirë në një, në ansamblin e një këngëtari të përgatitur shpirtërisht e profesionalisht për të kënduar, me një zë të ngrohtë lirik, me jone që thyhen dhe pasqyrojnë një spektër të gjërë të qasjeve të tij ndaj këngës, që nga magjia sentimenatale-romantike e Tefta Tashkos deri tek, bie fjala, jaret shkodrane.

Ai ka një zë të të papërsëritshëm, që nuk ngjet me asnjërin nga këngëtarët e tjerë dibranë, pasi e ka thyer tonalitetin folkorik me ritmet e modernitetit, për shkak të rrekjes së tij për ta tejkaluar cakun trevor.

Megjithëse ngjyrën dhe dritën e tingujve ia jep Lura dhe Dibra, Zaim Tollja me këngën e tij, me aftësitë si kant-autor, falë dhe studimeve të tij të thelluara në fushën e muzikës, i kalon caqet e Dibrës, endet nëpër Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Çamëri etj.

Ishte fare i vogël, aty tek dymbëdhjetë vjeçët, kur doli për herë të parë në skenë dhe që atëhere e gjer më sot, ai ka kënduar qindra këngë, kryesisht këngë të Dibrës ku ka derdhur sharmin e një shpirti të përmalluar, bukuritë e Lurës e të Dibrës, historinë e madhe të Dibrës e të gjithë shqiptarisë. Zëri i tij  brilant, shpirti i tij krenar e kanë shtyrë gjithmonë në kërkim të përvojave të reja muzikore.

Në fillim të viteve ’80, vite varfërie ekstreme që tentohej të zbuteshin me pak “krem artistik”, në Lurë patën mbërritur në kërkim të vlerave artistike dhe talenteve të reja, kompozitorët e mirënjohur Sokol Shupo dhe Përparim Tomçini. Ata po kalonin pranë shtëpisë së kulturës, teksa dëgjuan tingujt e një firzamonike, që luante pjesë nga kompozitorët e mëdhenj Bethoven, Moxart dhe Brams.

“More, kush i bie kësaj firzaormonike?”-pyeti kompozitori Shupo.

“Është Zaim Tollja, një këngëtar i ri dhe instrumentist i talentuar”, iu përgjigjën. Kompozitori i ardhur ng Tirana, që nuk po iu besonte veshëve,  u shpreh para publikut: “Se do të dëgjoja ndonjë çifteli apo lahutë, këtë e prisja, por se do të dëgjoja Bethoven, Moxart dhe Broms në Lurë këtë s’e kisha menduar”.

I pranishëm në disa shfaqje dhe interpretime, në skena dhe ekrane televizive, me atë zërin e tij të ëmbël e profesional, Zaim Tollja është një këngëtar me sqimë dhe përgjegjësi artistike e profesinale para shikuesit artdashës, që i pëlqen këngët dhe interpretimet e tij.

Rrugëtimin drejt këngës dhe muzikës, drejt botës së veglave muzikore, ritmeve e melodive të ndezura nga pasioni e nisi që fëmijë, për të vazhduar në adoleshencë shkollën e mesme artistike “Jordan Misja” Shkodër, ku për herë të parë u ngjit në një skenë me këngën emblematike të këngtares së shquar Fitnete Rexha “Bubullimë te shkëmbi i Kavajës”, për të vijuar më tej me këngën e virtuozes Vaçe Zela “Këngët e popullit tim”, këngë këto të vështira për një fillestar, por që ai i këndoi aq bukur sa zgjoi kërshërinë dhe entuziazmin e skenës dhe të profesionistëve.

Në zërin e tij spikat një timbër i ngrohtë dhe plot thyerje,  që duket sikur zbret nga kataraktet e akullta të Lurës e shkrihet e gurgullon bashkë me ujëvarat e bjeshkëve, me shushurimën e Mallës dhe të ujërave që zbresin nga Runja, ashtu si shpirti i tij poetik, që vazhdimisht kërkon emocione të reja dhe këto emocione di që t’ia përcjellë më së miri shikuesit.

Ka një repertor të pasur këngësh, që nga këngët për fëmijë, këngët partizane, këngët qytetare që anojnë nga moderniteti, sidomos dashuron këngët shkodrane, këngët korçare, këngët dibrane dhe ato kosovare.

Zaim Tollja kreu studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Shkodër, në vitin 1981-1984, në degën e kantos e më pas do të merrte pjesë në grupin artistik të Lurës, për të vijuar me koncertet dhe turnetë e ansamblit “Dibra, gjersa në vitin 1987, në përbërje të Ansamblit të Ushtrisë merr pjesë në Ansamblin e Majit, një eveniment i rëndësishëm kulturologjik për kohën.

Në vitin 1995 Zaim Tollja mori pjesë në Ansamblin “Shqiponja”, në përbërje të së cilit do të jepnin disa koncerte, brenda e jashtë vendit si Kroaci, Turqi dhe Izmir, ku ishin pjesëmarrës gjshtë shtete. Këngët e tij u pritën me interesim të veçantë nga publiku, vecmmas në Izmir, ku përveç këngës, do të luante në bilbil vallen kosovare, të ekzekutuar nga trupa e baletit profesionist.

Ndiqen me interes nga shikuesit debutimet e vazhdueshme në këngë të krahinave e niveleve të ndryshme muzikore, si Jare shkodrane, Dasma e malësorit”, “Një këllëf me art a çova”, “ “Shkon syzeza”, që u bënë dhe pjesë e cd-së së tij të parë me dhejtë këngë, që u mirëpritën nga artdashësit e muzikës. Në konkursin e TV Publik shqiptar dhe TV Tirana debutoi me këngën “Dasma e malësorit”, ndërkohë që me këngën “Një këllëf me art a çova” mori pjesë në maratonën e tretë të këngës, organizuar nga Televizioni Kombëtar “Klan”. Mjaft i “kompleksuar”, në kuptimin e fiksacionit estetik është me jaret shkodrane, që kërkojnë një vokal mjaft fin e të përpunuar nga ana artistike, me të cilat Zaim Tollja do të mahniste dhe suprizonte këngëdashësit e shumtë që kishin mbushur teatrin “Migjeni” në Shkodër dhe sheshin qendror të qytetit turistik të Ulqinit. Kjo maratonë magjepsëse, ku u përcollën këngët më të bukura të botës shqiptare u finalizua në Lezhë, ku teksa këndonte këngën dibrane “Shkon syzeza”, të pranishmit u ngritën në këmbë duke duartrokitur me ovacione.

Ka marrë pjesë në shumë evenimente artistike si si Festivali i këngës burimore të rethit të Matit, veprimtari të organizuara nga Qendra e Veprimtarive Folklorike dhe Unioni artistik i Kombit shqiptar, ku këngët e tij janë mirëpritur dhe është nderuar me çmime për cilësinë e interpretimit të këngës shqiptare.

Në spektaklin “Albania Got Talent” në vitin 2010, organizuar nga kanali televizi Top Chanal, prania e tij dhe mbi të gjitha interpretimi krejt i veçantë do të ishin një suprizim për teleshikuesit, që do të shikonin tek këngëtari dhe kantautori Zaim Tollja një cilësi artistike të pazakontë, një vlerë të shtuar të interpretimit muzikor shqiptar.

Zaim Tollja e dashuron këngën, tekstin, melodinë, muzikën, poetikën dhe romantikën e artit, magjinë e krijimit dhe interpretimit, me të cilat është i lidhur pazgjidhshëmrisht dhe gjithçka duket si pjesë të kredos së tij jetësore, si sendërtim i talentit dhe formimit të tij kulturolgjik dhe estetik, nëpër shkallët e shkollimit dhe përgatitjes së tij si artist.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: