Gani Mehmetaj: Pogradeci i Lasgushit, i Kutelit dhe i mbretit ilir Klit
| E Enjte, 26.10.2017, 07:42 PM |

Pogradeci i Lasgushit, i Kutelit dhe i mbretit ilir Klit

Nga Gani MEHMETAJ

Pogradecin gjithnjë e kam lidhur me poetin e madh, Lasgushin. Kuteli më rrinte në cep të liqenit me legjendat për peshkatarët desarë e enkelejdë, ndërsa rrëfente për legjendat ilire e të Bukurën e Dheut.

Duke iu kthyer vargjeve të Lasgushit imagjinoja liqenin, sipërfaqen e qetë e të lëmuar, herë ujin e trazuar me ngjyrën e errët. Nga buzët më dilnin vargjet për liqenin, për nositin, për vallen e yjeve apo për qiellin e rëndë si tunxhi. Kur nuk më zinte gjumi përpiqesha të flija duke i grishur pamjet e ujit ashtu si u këndonte Lasgushi. Drinin e Bardhë e Lumbardhin e vendlindjes sime do t'ia këmbeja me liqenin e me Drinin e Zi, sikur të pranonte, sepse ai i bënte aq të magjishme.

Lasgushin e kam kënduar herë zëshëm, herë në mendje, edhe atëherë kur nuk e imagjinoja liqenin.

Poezitë e tij më ndiqnin në gjimnaz, kur dashurohesha në vajza që jo rrallë nuk ma kthenin me të njëjtin afsh mu si poeti im i preferuar që vraponte nga një cep i kontinentit në tjetrin pas së zgjedhurës së zemrës. Aq pak dija për poetin, ndërsa aq shumë doja të dija. Libri shkollor me të dhëna të thata nuk ma plotësonte kërshërinë. Nga poezitë e ndieja që është më i vetmuari dhe më i braktisuri në botë. Megjithatë sa shumë ia kisha lakmi për ata margaritarë. Mbi ato korniza përpiqesha të shkruaja edhe unë për dashurinë e vetminë e moshës, për yjet, doja t'ia dhuroja ndonjë gjimnazisteje frymëzimet e mia, por nuk më shkonte as poezia, as dashuria. E braktisa poezinë, ashtu si më braktisën të dashurat.

Shumë vjet më vonë e plotësova kërshërinë time për jetën e Lasgushit, por më sëmboi ajo që mësova. Sa do të doja të mos i dija kurrë.

Këto mendoja, përderisa vështroja liqenin e qetë në Pogradec, në tetorin e vitit 2017. Deri tutje në Strugë, Tushemisht e Ohër shtrihej uji, i rrethuar me kodrinat e zhveshura, i mbështjellë me qetësinë e bukurinë e vjeshtës me ngjyra të mahnitshme. Asnjë nosit nuk e pashë, korani i famshëm nuk doli në sipërfaqe sa të ma shuante kërshërinë.

Pogradeci ishte i bukur, i qetë dhe i këndshëm për pushime e frymëzim krijues. Lum ai që ka kohë e mundësi të pushojë ndonjë javë në këtë parajsë kontinenti, të heqë stresin e neurozat që na kanë mbërthyer. Qyteti ishte ai që e kisha imagjinuar, por i varfër pa Lasgushin e qenin e tij, Cucin.

Pista e rregulluar të ofronte qëndrim të këndshëm. Qetësi të ofronin edhe restoranti e hoteli fare buzë liqenit, përderisa gjelbërimi ma pushonte shpirtin e paqetë e ma fashiste neurozën e jetës në transicion që po na e hante shpirtin. Dy shtatoret e kolosëve të letërsisë, Lasgushit përballë Kutelit, e plotësonin alenë buzë liqenit, i jepnin sharmë të veçantë qytetit.

Shkrimtarin tjetër të Pogradecit, Mitrushin, e njoha nga tregimet e moçme shqiptare. "Vjeshta e Xheladin Beut" qe bërë skenar filmi për Televizionin e Prishtinës qysh në fund të viteve 70 të shekullit të kaluar. "Vjeshta..." më bëri ta lexoja e rilexoja Kutelin. Më mrekulloi ajo që lexova, i kam përsëritur disa herë gjatë fazave të ndryshme të jetës sime këto tregime, i kam plotësuar informacionet e mia me tregime tjera, gjithnjë duke mësuar për jetën e tij që ishte interesante e dramatike. Por “E madhe është gjëma e mëkatit” më ka mrekulluar më shumë se çdo tregim tjetër në gjuhën shqipe. Është përjetim i veçantë ta lexosh. Sa herë e kam imagjinuar ta bëj skenar filmi, sa herë më ka dëshpëruar kinematografia shqiptare e varfër me para, ndërsa kineastët në varfërinë materiale e imagjinative janë kapur në rrjetin e temave të kota a të “modës” postkomuniste, duke i shpërfillur tregimet e Mitrushit. Nuk kërkojnë frymëzim as në filmat poetikë me vargjet e Lasgushit.

Nga tregimet e Mitrush Kutelit mësova për dramën e shqiptarëve gjatë historisë, nga tregimet e tij mësova për jetën e fiseve ilire buzë Liqenit të Ohrit. Më tronditi me fuqinë e fjalës së shkruar shqipe, që nuk e kisha lexuar tek asnjë tregimtar tjetër. Poema kosovare më la pa frymë me dramaticitetin e dinamikën. U desh të rrënohej një sistem që ta lexonim perlën e poemës shqiptare.

Mitrush Kuteli në një fytyrë sublime e të butë fshihte dhimbje e dramë të paskajshme. E mobilizuan në Rumani për ta dërguar në frontin sovjetik, e emëruan guvernator të Bankës Kombëtare Rumune, pastaj guvernator të Bankës Kombëtare Shqiptare falë gjenialitetit të tij në ekonomi, por pastaj nazistët e ndoqën që ta pushkatonin. Fati e shpëtoi edhe nga pushkatimi i pushtetit popullor, sepse nuk shëmbëllente me ta dhe sepse u tha pushtetarëve shqiptarë se jugosllavët po i plaçkitnin me barazimin e dinarit me lekun, meqë leku ishte më i fortë, sepse Shqipëria kishte më shumë mallra në depo se sa Jugosllavia.

Kuteli e Poradeci ishin gjeni, ndërsa mediokrët nuk duronin njerëz të mëdhenj.

Vazhdova i thelluar në kujtime dhe i vërshuar nga peizazhi tutje qytetit, e pashë edhe kështjellën e vjetër. Heshtje e përjetshme. Heshtje që mbërthente në vete shumë histori e drama të patreguara. Dashuri të panjohura që u ndezën e u shuan brenda mureve të qytetit. Heroizma që i fshiu koha, luftëra të përgjakshme, mësymje e tërheqje, jetë e vdekje. Se si pulsonte dikur ky qytet i vjetër me mijëra banorë që e shijonin lindjen e perëndimin e diellit, qiellin në buzëmbrëmje, liqenin kur flakëronte. Anijet e peshkimit lundronin në mëngjes e në mbrëmje në liqen, diku në horizont shkriheshin siluetat e dy të rinjve të dehur nga mosha e stina.

Kur e shikon qytetin nga rrënojat antike e mesjetare, sepse kështjella kishte edhe vazhdimësi mesjete, pamja të mrekullon, por diçka të ndrydhë në këtë heshtje torturuese.

Në Pogradec një herë u futa nga Tushemishti, herën e dytë nga Kapshtica, pastaj nga Qafa e Thanës, dy herë erdha nga Tirana. Gjithnjë kërkoja diçka që më shpëtoi herën e parë.

Në rrënojat e qytetit antik afër Pogradecit e kërkova mbretin ilir, Klit, por nuk e gjeta. Nuk e pashë as shtatoren e tij në qytet. Askush nuk e dinte me saktësi ku është varri i mbretit ilir, Klit, ashtu sikurse nuk i dimë asnjërin nga varret e njerëzve tanë të mëdhenj. I kërkova edhe enkelejdët që jetuan, sipas arkeologëve, brenda mureve të kështjellës së ndërtuar në majë të kodrës pranë qytetit. I kërkova banorët e lashtë ilirë buzë liqenit, nëpër nekropole të ndryshme, por gjeta vetëm rrënojat. Pasardhësit kishin zbritur fare buzë liqenit.

Pogradeci ka histori të lashtë, të kaluar të lavdishme me dëshmi të shumta artistike, thonë historianët. Gërmimet arkeologjike në kodrën mbi qytet kanë zbuluar vendbanimin ilir të shekullit V para Krishtit, që u përket fiseve të lashta desarëve dhe mbase enkelejdëve. Gjatë shekujve në vazhdim njerëzit e fshatit zbritën poshtë në rrëzë të kodrës dhe krijuan qytetin e Pogradecit, përgjatë bregut të Liqenit të Ohrit, vazhdon më tutje kronika. Kjo trevë ka qenë e banuar nga fiset ilire mbi 2000 vjet para lindjes së Krishtit. Në fund të shekullit V u formua shteti i fuqishëm ilir, me vendbanime e kështjella rrotull Liqenit të Ohrit si: Enkelana, Lyhnidos, Pelion, Sation, Baos etj. Këto qendra kanë pasur ndikim të fuqishëm në luftërat ilire-maqedonase dhe ilire-romake. Këtu kalonte rruga e famshme “Egnatia”, e cila lidhte Romën me Kostandinopojën.

Zbulimet arkeologjike nxorën në dritë mozaikun e veçantë të kohës së sundimit të perandorit romak me origjinë ilire, Justiniani.

Sa shumë ta zgjon fantazinë “lugina” e mbretërve ilirë, apo qendra ku janë gjetur aq shumë raritete arkeologjike që e krijojnë imazhin e veçantë për ilirët dhe Ilirinë. Ngado që shkel, ecën mbi rrënojat e qytetërimit të kaluar, prandaj gjenitë letrarë, Lasgushi dhe Kuteli, nuk ishte e rastësishme, mbështeteshin në një traditë të gjatë parahistorike, antike e mesjetare të vazhdimësisë ilire-arbërore-shqiptare.

Pogradeci i mbërthen të gjitha këto shtresime në një të vetme.



(Vota: 4 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: