Fritz Radovani: 23 tetor 1871 asht le At Fishta
| E Diel, 22.10.2017, 06:00 PM |

FERRAT TREGOJNË SE KËTU ASHT LE I MADHI  POET...

23  TETOR  1871  ASHT  LE  AT  GJERGJ  FISHTA

Nga Fritz RADOVANI

HISTORINË  E VERTETË TË VERIUT KERKONJE NDER FERRA!..

Asht kenë një thanje e moçme: “Asht e vështirë me gjetë me mend shka bahet pa mend!”

Livadhet e kodrat e Zadrimës apo të Bregut të Bunës, aty – këtu të ndame nga lumej aq të rrembyeshëm e t’ egjer si gjarpij që, pa pikë dhimbje të marrin gjak në vetull, janë të pafund derisa në mbramje dielli u thotë me shumë dashni: “Ma bafshi atë natë të mirë!”

Tokat e bukës të duket se prodhojnë bereqet e shka i lypë sofra rrumullake stajanicave që pa lindë dielli, kanë vue nder çarranikë sahanat e qumshtit të mjelun pa dalë drita.

Aty kur dielli ka perfshi rruzullin të sheh syni ndonjë portare që hapet e çobajtë, kah ju prijnë bagtive aq të dashtuna me zagart ase rojet e natës t’ atyne krahinave...

Vetem pemët me degët e varuna prej frutash ishin kufijt e tokave të tyne, ku dora e njomë e ndonjë fëmije ua lagte gojen e thame nga rrugët e largëta ndonjë udhtari, që me aq andje vrojtonte se me sa kujdes gjithshka dukej se asht vue nga dora e njeriut.

Shpesh ngjante që Burrat e atyne krahinave të ulun nder hijet e atyne frutave, harronin shka kishin mbi kokat e veta tue ndrrue kutijat e duhanit e tue dredhë cigare. Mështetë per trungun e pemës që bante hijen ma të madhe ishte ma plaku me llullen e vet, që ia kishte lanë gjyshi kushedi sa vite perpara, kur bisedonin per ligjët e kanunit të Maleve.

Shpesh ka ngja që shishja e rakisë së rrushit besa, ka zevendsue edhe ujin e prronit...

Pranvera ua shpervjelte mangët e këmishave dhe kamcat e brakeshave. Shamija e kokës ua pritte rrezet djegëse të diellit, kur i grahnin pendës së qeve me livrue arat pjellore.

Vetem kësulat e bardha kujdesëshin per trunin e atyne brezave që bulonin nder ata kodra e fusha të bukra, ku asnjëherë nuk mungonin lulet e freskëta si t’ ishte pranverë. Ishte fyelli dhe brisku i çobanit që zbuste edhe gjarpijtë e pabesë t’ atyne kaçubave, ku shpesh mëshefeshin trishtilat e bukur e mullizezat e dimnit, me të cilat argëtoheshin fëmijët e atyne krahinave, tue gjuejtë me lastika gushakuqat e shkretë... Dikund, pak ma larg, një fëmijë thërriste: “O Nanë, eja se më ka hy një ferrë tek kamba!..” E ajo, ulte buljeren e ujit e vraponte, me i hjekë ferren me gjylpanen që kishte në xhamadan...

Në mengjes, drekë e darkë mbasi camerdhokët e vegjel rreshtoheshin tek sofra e tyne e rrumullakët, ku i priste psheshatamli dhe luga e vogel e tyne, banin Kryq dhe fillonin me ngranë, “shka u kishte dhanë e falë i Madhi Zot !”... Papritmas shpesh kriste e qeshuna, mbasi ma i madhi nder ta, kishte mendue edhe gzimin që sjellë sofra e perditshme...

Sa e bukur dukej ajo dhomë me atë sofer ku fëmijët shtoheshin perditë! Pak ma andej, ishte edhe vatra me zjarrin e ndezun ku ma plaku e rrëmonte me mashë prushin që nuk i mungonte kurr atyne dhomave të pritjes, që sa hynte një mik, mbi zjarr shtohej një cung, e karrshi t’ zot të shtëpisë shtohej një stol dhe një gotë, që mbushej plot me raki, tue ia vue Mikut perpara dhe tue i urue: “Mir’ se pruni Zoti e, mirëse erdhe...!”

***

1871 “Mir’ se të pruni Zoti, e mirë se erdhe o Zefi i vogel... E kjofsh me jetë!” – Ishin fjalët që Zefit foshnje, i uruene mërritjen në Prakun e shtëpisë, në Fishten e Zadrimës bash atë ditë me 23 Tetor 1871...tek Ndok Simon Ndoci dhe Prenda e Lazër Kaçit.

Zefi i vogel tue u rritë, e kaçubat e ferrave tue u rritë edhe ma fort se Zefi.

Besa, Zefi, as nuk ua pat friken ferrave, madje, edhe kambët gjithmonë i mbajti zdathë, veshi edhe zhgunin e Shën Françeskut, e ku ishin kaçubat ma të mëdha me ferrkuqe, aty shkonte e vente kambën... Ata there, Ky bjeri Lahutës, ata there, Ky bjeri Fyellit, ata there, ky ban vjerrsha... Ata there, ky ço peshë Male e fusha... Ata there, Ky shkeli me Sandalet e Fratit, ata there, Ky rrahi në Konop të belit, ata there, Ky hypi në “gomarin e Babatasit, e shetiti nder parlamente t’ Europës... Ata there e shembi shtëpijat jo vetem Gjergjit, po edhe Atij Luigjit Gurakuqve e Prekë Calit në maje të Vermoshit, e Ky shiko me habi ku ka vojtë Shqipnia nga shegertat e “Ballkanit Perëndimor” që i patne dhunue edhe Flamurin, me “yllin e kuq” të serbit gjakbasë, kur i pat hy pabesisht mbas shpine.

Ata there, e Ky Lut Zotin per Shqipni!

Ata there, e Ky rritu me Lisat e Alpeve Tona...

Ata there, e mbuloje edhe me Ferrat e Rrëmajit...

E Ky, i mështetun per Dy Çinarët... I drejtohet Gjergjit Kastriotve që i pat falë Emnin:

Bash atë ditë të bukur Qershori të së 13 vjet të Shekullit shkuem, kur mbi kompanjel të Kishës së Vet, së ciles, Ai i kushtoi gjithë jeten, në Gjuhadolin e Shkodres plakë i Këndoi...            “Porsi fleta e Ejllit t’ Zotit

Po rrehë Flamuri i Shqypnis,

E thrret t’ bijt e Kastrijotit

Me u mbledhë tok nder çetë t’ ushtris.

Bini, Toskë, ju, bini Gegë!

Si dy rrfé, qi shkojn tue djegë!

A ngadhnjyes’ a t’ gjith deshmorë!

Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!

Per mbas Flamrit t’ vet Shqyptari,

Kur rrokë armët per t’ drejta t’ veta,

Atje lufta ndezet zhari,

Atje anmiku vehet m’ t’ leta.

Bini, Toskë!...

Mbi njatë Flamur Perendija

Me dorë t’ vet Ai e ka shkrue:

“Per Shqyptarë do t’ jét Shqypnija;

Kush u a prekë, ai kjoftë mallkue!”

Bini, Toskë!... “Hymni i Flamurit” vazhdon…

Në 1946, Kuvendi u kthye në burg,  Në 1967 Kisha u shkatrrue e Kompanjeli u shem!

Varri At Gjergjit u boshatis... Pritet tashti edhe shemja e shtëpisë së Tij …

Melbourne, Tetor 2017. 



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: