Gani Mehmetaj: Korça e rinisë sime
| E Hene, 16.10.2017, 06:56 PM |

Korça e rinisë sime

Nga Gani MEHMETAJ

Të vizitosh Korçën është si të kthehesh prapa në kohë, të djegë malli i pashpjegueshëm, të duket sikur e ke braktisur qytetin për t'u kthyer i penduar shumë vjet pas. Me të shkelur në trotuar të vërshojnë kujtimet që nuk e di nga vijnë, të pushtojnë emocionet. Kisha lexuar e dëgjuar aq shumë për qytetin e Rilindjes Kombëtare, për rrugicat e serenatave, të karnavaleve, të Shkollës së Parë rilindëse shqipe, të kulturës që po ngjizej në kapërcyellin e tretë të shekullit XX. Kisha aq shumë çka të kujtoja, sa druaja se do të rrëshqisja në patetikë e melodramë. Megjithatë pamjet më vërshonin të pashkëputura, shkriheshin njëra mbi tjetrën si imazhet e filmave.

A ishte Korça qyteti që e prisja? Qyteti që e kisha imagjinuar në rini? Atëherë kur më gërryente malli ta vizitoja, ndërsa s'kisha mundësi, atëherë kur doja të isha në mesin e personazheve të librave të lexuar, të merrja pjesë në jetën e tyre. Sa shumë gjakoja të më dashuronte e ta doja një korçare.

Korça e tetorit 2017 ishte dhe nuk ishte ajo që e kisha imagjinuar. Natën e parë na priti një i ftohtë fundvjeshte. Të ftohtit e bora na ndoqi nga Prishtina. Korça më shpalohej e më ikte. I kërkoja personazhet e romaneve të fëmijërisë sime. Në çast e kapja refleksin e një buzëqeshjeje në cepat e syve të mbresave të personazheve të mia, pastaj më iknin tutje edhe reflekset, edhe mbresat tunduese të buzëqeshjeve enigmatike.

Herën tjetër Korça më dilte e qetë e moderne. Dallon nga shumica e qyteteve shqiptare që pësuan ndryshime të pakthyeshme, gati shkatërrimtare, në kaosin e ndërtimeve të rrëmujshme. Korçën e ka kursyer rrëmuja, ka ruajtur shumë nga tiparet e qytetit të dikurshëm.

Dy ditë eca këmbë. Shihja qytetin e pritur e megjithatë të ndryshuar, shihja me sytë e mendjes atë që nuk e shihnin të tjerët, përpiqesha të rrëmoja kujtimet për gratë e sofatë e vjetra që nuk ishin më, kërkoja kurorat e flokëve të vajzave të druajtura. Por nuk takova as plakat që dikur rrinin përpara pragjeve të portave, nuk pashë as vajzat e druajtura me flokë të dendur. Njerëzit ecnin të qetë e të shkujdesur, femrat shkelnin të sigurta trotuareve, të shihnin me kërshëri e vazhdonin tutje. Rrugicat e vjetra që i ndajnë rendet e shtëpive deri te kodra aty ishin, sharmi i vjetër m’i përkëdhelte shqisat. Por sa të heshtura ishin. Njeri nuk shihej atyre rrugicave. Ku të kenë shkuar vallë? Nuk kishte as drita prapa mureve.

Nuk doja ta ktheja kohën mbrapshtë, por kërkoja rrugicat e serenatave nga imagjinata ime, vdisja të ndieja psherëtima dashurie, prisja të shihja lulet e kujtimit, digjesha të takoja Olimbinë e Dhimitrin, Tuçin e Nuçin. Prisja të më dilte përpara Mihal Grameno, Themistokli Gërmenji a Sali Butka, mbase të më dëshironin mirëseardhje, sepse vija nga Rrafshi i Dukagjinit pas më shumë se gjysmë shekulli mall për qytetin, ndërsa Sali Butka, i frymëzuar nga kryengritësit e Pejës, ku ndenji dhe u mor vesh për luftë kundër turqve, e ndezi flakën e lirisë.

Megjithatë, dikush duhej të më dilte përpara, bëra shumë rrugë nëpër borë e shqotë, kalova dy shtete e katër pika doganore. Rruga ishte e lodhshme. Nuk e di pse, mbase i ngarkuar me histori, kërkoja gjurmët e ushtrive të huaja që u futën e dolën nga qyteti, kërkova edhe ushtarët e Sali Butkës e Themistokli Gërmenjit.

Nga Pirgu pashë tërë qytetin me fushë e kodra rrethuar. Korça reale shtrihej para meje e njëjta dhe e ndryshuar, e bukur dhe e rregulluar. Ajo të grishte me aletë e kultivuara, lagjet e sistemuara, bistrot që shkëlqenin në buzëmbrëmje, rakinë e verën që ta ndizte gjakun, ndërsa të dyja i shijova me kënaqësi deri në tepri. Doja t'i mbysja kujtimet, por jo të dehesha.

Pazari i Vjetër i rinovuar më la mbresa derisa pinim verë të zezë vendëse, duke e festuar përvjetorin e Klubit Rotarian të Korçës. Ishim mysafirë të korçarëve, e kaluam një mbrëmje të paharrueshme në një kënd të mbyllur të Pazarit të Vjetër, pastaj në restorantin modern jashtë qytetit, ku u këndua e u festua deri në orët e hershme të mëngjesit. Për herë të parë i shihja të gjallë këngëtarët, violinistët e maestrot korçarë të këndonin e të na përshëndesnin nën tingujt e muzikës vendëse, nën efektin e dritave farfuritëse. Vera e zezë rrëkëllehej lumë. Lum si ata që mund ta mundnin gjumin, t'i përballonin lodhjes e tundimit të verës. E përgëzova veten, sepse e munda gjumin deri pas orës 2.30 të mëngjesit. Ishte një natë e paharrueshme.

Të nesërmen prapë e kërkova qytetin e Shkollës Shqipe të rilindësve, ndërsa e gjeta godinën ku u mbajt mësimi, kërkova qytetin e serenatave, por ishte ditë me diell sa të ndeshja ndonjë dashnor të vonuar që t'i këndonte së dashurës afër dritares.

Korça e ka bazamentin e sharmin e qytetit të Gadishullit Ilirik, por edhe evropian njëkohësisht, është qytet i provincës shqiptare, ku jeta nuk e ka shpejtësinë marramenthi të qytetit të madh që të streson, por ka edhe një jetë të veçantë që dallon.

"Qenke në Parisin shqiptar", më tha një mik në rrjetin social, derisa falënderoja për urimin e ditëlindjes.

Ndërkaq, Pazari i rinovuar, që e vizitova të nesërmen, nuk i ngjasonte Çarshisë së Gjakovës, nuk kishte përngjasime as me pjesën e vjetër të Prizrenit-Anadollin e vogël.

Në "Bazarin"e Korçës ta kishte ëndja të pushoje në një kafene, të sodisje kalimtarët nga pushimorja e rregulluar, të futeshe në shitore ku të ofronin mjaltë, uthull molle e barishte vendëse të kultivuara me finesë e jo mallra serike turke që të dëbojnë. Në Korçë e ndien veten në një qytet mesdhetar e kontinental njëkohësisht.

Në qendra e qytetit me ushtarin kombëtar të panjohur, me rrugën e drejtë, mund ta gjesh edhe Shkollën e Parë Shqipe, Muzeun e Mesjetës, Shëtitoren, Kishën Ortodokse Shqiptare që i jep vulë sheshit. Duke i kërkuar ndihmë një prifti për historinë e kishës, nuk e kishim idenë se ai ishte Mitropoliti i Korçës. Kierarku i lartë kishtar, që kishte durim së bashku me një korçar civil, nisi të na shpjegonte mua, prof. Mazllum Belegut e Xhemail Krasniqit gjërat me hollësi. Përpiqeshin të na i zhdavaritnin paragjykimet e krijuara në mungesë të komunikimeve të ndërsjella, ishin të bindur ata. Dardanët shkojnë shpesh në Korçë, na thanë vendësit. Athua a vijnë korçarët në Dardani? Kam takuar dy korçarë dhëndurë Prishtine, që ishin të lumtur me të zgjedhurat e tyre.

Vizita e parë në Korçë më 1991 nuk quhet e tillë. Ishte rrëmujë, mezi u futa brenda territorit shqiptar nga Kapshtica. Unë vija nga një pushimore e Egjeut. Kalova qindra kilometra nëpër Greqi për ta parë shkurtazi Korçën, por më mirë të mos e shihja, erdha kur nuk duhej të vija.

Ndërkaq në tetor të vitit 2017, në të kthyer nga qyteti askujt nuk iu kujtua episodi i dhimbshëm i tharjes së kënetës së Maliqit. Mua më mundonin pamjet e mijëra skllevërve të komunizmit që i lanë kockat në fund të lymit. Rrëqethesha edhe kur e kujtoja romanin "Këneta" të Fatmir Gjatës, që atëbotë i këndonte himne krimit për të cilin mora vesh shumë vjet më vonë. Po këtu gati la kockat Mitrush Kuteli. Asnjë shenjë a përkujtimore nga ky krim!

Por këneta e Maliqi nuk ishte e njohur për kampin e përqendrimit komunist (Aushvicin shqiptar), këtu është zhvilluar jetë dinamike e ilirëve nga neoliti, antika e deri në mesjetë.

Korça është e lidhur edhe me familjen e vjetër shqiptare, Muzakaj, zotëruese e shumë qyteteve shqiptare dhe e këtij qyteti që sapo e lashë prapa.



(Vota: 5 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: