Sejdi Berisha: Pyetja zemërplasëse e vajzës sime!
| E Enjte, 12.10.2017, 07:59 PM |

Sejdi BERISHA:

ESE I “VONUAR” PËR DHEMBJEN APO LUMTURINË

KAH PO SHKOJNË KËTA NJERËZ APO PYETJA ZEMËRPLASËSE E VAJZËS SIME...!

Historia është e pamëshirshme, sepse, ajo tregon, tmerron, fsheh, gënjen, thotë saktë e pasaktë, dhe me të gjitha këto veti e veçori lë gjurmë, që njeriun e qon peshë me të kaluarën nëpër shekuj e periudha, e të cilat rrugëtime, disa popujve u kanë sjellë dhe ua sjellin tragjeditë me sindromën e përsëritjes por në forma e mënyra të ndryshme.

Njëherë më pat pyetur me zemërim ime bijë: babë, njeriu i ynë a është i lindur dhe i gjykuar historikisht për t’i bartur, por edhe vetë për t’i shkaktuar të gjitha këto vuajte me te cilat janë ngarkuar edhe shekujt, me të gjitha këto padrejtësi, shpifje, veprime e tradhti, apo, çfarë na ka gjetur kështu?!...

Kjo pyetje e vajzës sime, që posa ma shtroi, më dolën para etapa e etapa historike, kohëra, vite, decenie e shekuj, nëpër të cilët jemi të kapërthurur sikur, siç thonë, si zorrët e barkut nëpër këmbë! Dhe, besoni, sot e kësaj dite nuk ia kam gjetur përgjigjën kësaj pyetjeje zemër plasëse të vajzës sime. Çfarëdo përgjigje që do t’i jepja, , nuk do të ishte e saktë, nuk do të ishte as rrenë, por as e vërtetë. Dhe, kështu pyetja e vajzës, jo vetëm se ngeli pa përgjigje, por, sikur u shndërrua në histori të hidhur, e cila dot nuk mund të shkruhet dhe as të shpjegohet...

_______________

Sa herë që bisedojmë për historinë, për fatin e kombit dhe për situatat edhe të sotme, menjëherë më kujtohet pyetja e vajzës, por edhe “mëkati” im që nuk e gjeja përgjigjen për këtë “sindromë”, që ma kishte shtruar ajo. Por, kështu e ka rrugëtimi i njerëzimit, më falni, i njeriut tonë, i kombit tonë, të cilit, sikur formulën e fatit dhe të lumturisë ia ka vjedhur apo fshehur dikush, e ajo, sikur gjendet edhe përbrenda mendjes dhe karakterit tonë...!

Është kështu, sepse, sikur ta analizosh çdo periudhë kohore e historike, ajo “trajtohet” dhe karakterizohet me heroizma, me burrëri, dhe padyshim edhe me atdhedashuri. Por, asnjë periudhë nuk na ikën pa e “spërkatur” vetveten me ligësitë dhe me “afinitetin” për ta nënçmuar njëri-tjetrin, për ta përdhosur njëri-tjetrin dhe pa ia mëveshur rrugëtimit tonë shumë “atribute” të cilat neveritin me intriga, rrena, trillime e përçmime, e që, gjithnjë, por edhe sot, e lëkundin dhembjen e tokës, e çartin dhe e bëjnë droçka gjakun e derdhur, të cilin toka e ruan nëpër damarët e vetë, por edhe ushqehet me te, e aty ka dhembje e krenari që shoqërohen gjithnjë bashkë!...

Nuk di se çfarë më shtyri ta shkruaj këtë ese të vockël dhembjeje. Por, këtë, nëse doni analizojeni Ju vetë, dhe do ta shihni vetë se çfarë do të dalë...!

Për këtë shkrim më intrigoi shumë një ngjarje tash e njëzetë e gjashtë vite më parë në truallin e atdheut tim, i cili edhe sot e kësaj dite është aq i etur për drejtësi, për liri të plotë, për mendimin e dëlirtë, për dritën me të cilën ngrohet vetë, për lumturi dhe për këngën që ta këndojë pa u trembur.

Ikja për ta gjetur ëndrrën e lumturisë

Nga të gjitha këto llahtari dhe tragjedi të ngjarjeve të vitit 1991, mijëra e mijëra njerëz ia kishin mësyrë anijeve, dukeshin si krimbat kur kalbet trupi i njeriut,... Çdo gjë zhvillohej si në kataklizmat e papara kurrë ndonjëherë. Mendoja, po kah ia kanë mësyrë këta njerëz... Sigurisht për ta kapë fatin e tyre, për gjetur ëndrrën dhe lumturinë e humbur...

E tërë kjo skenë, pa asnjë fjalë komentimi, kishin nxjerrë në shesh qelbin e jetës dhe të rrugëtimit të kombit, edhe pse në shtet të vetë, edhe pse në tokë, në atdhe e vendlindje të tij!

Këtë ese dhembjeje apo lumturie, nuk si është më e drejtë për ta “pagëzuar”, e që tanimë po e ilustroj me disa nga shumë foto të atyre momenteve të trishtueshme, të cilat vetë janë fjalë, vetë janë tekst, vetë janë pasqyrë, vetë janë shëmti, që kanë lënë e mbesin damkë, plagë e pashëruar. Plagë e cila përgjithmonë provokon mendjen dhe arsyen e njeriut, dhe nxjerrë pyetjet e gjeneratave të reja, me siguri edhe atyre që do vijnë, të cilat nuk do të mund ta marrin por as ta gjejnë përgjigjen e saktë dhe as të sinqerte jo se jo!

Sepse, të rinjtë edhe sot, në heshtje por me plot indinjatë ikin duke i “tkurrur” ëndrrat dhe perspektivën e tyre në një çantë mërgimi, të mbushur më shumë me lot, me mall por edhe me zemërimin, sepse, kthimi i shpinës vendlindjes dhe atdheut, është ai mallkimi dhe pesha më e rëndë që njeriut përgjithmonë i lë plagë e këngë kurrë të pa kënduara, që padyshim i ngjajnë ngjyrave të ylberit i cili dot nuk kapërcehet...! Dhe, kështu, ndoshta gjeneratat do ta mallkojnë tokën e njeriun, gjë e cila kthen tek pyetja pa përgjigje e vajzës sime, që e theksova në fillim.

Kthimi i shpinës vendlindjes dhe atdheut, ky mallkim dhe plagë që kurrë nuk shërohet

Kah kishte shkuar, kah ka shkuar, kah po shkon njeriu i ynë, të cilin toka dhe qielli e duan dhe e përkëdhelin aq shumë kurse ai digjet i tëri për zjarrin e atdheut....!

E kam pas shkruar një poezi jo fortë moti, nuk e di, por vetë dolën dhe u shkapërderdhen vargjet si prushi që të bën zharavë, “Kah po shkojnë këta djem të ri...”!

Po, pse kështu edhe sot, ore Zot, edhe pse, njeriu duhet të jetë i lirë, të jetojë i lirë, të udhëtojë e shëtisë lirshëm. Por,... dheun dhe tokën e vetë kurrë për ta mos harruar as kurrë për ta mos braktisur. Këtë veti e kanë të gjithë njerëzit e botës, e gjithë njerëzia...! E, jo që të shkrihen, të tretën, të ndrydhen e shtrydhen rrugëve të botës, kurse vendlindja e tyre sikur qanë e mallkon që po braktiset dhe në vend të gjallërisë, heshtja dhe qetësia e pakuptimtë e kaplojnë bjeshkën dhe majat mbi të cilat fluturojnë me krenari shqiponjat, fushat e pllajat, shpirtin e nënave që jetën kalojnë me mallin për fëmijët, duke kullotur një lopë për bishti, duke i lëshuar gjithnjë perdet në dritaret e dhomave ku mbretëron vetëm heshtja e kaplojnë rrjetë merimangash, por në shumë sosh, në dyert e tyre rri ngjitur edhe nga një flamur me shqiponjë, që ngjyra ua është zbehur, por qortimi u është shtuar...!

Nuk është as tubim, as protestë, por ikje...!

Pse kështu?! Kah po shkojnë këta njerëz... Pyetja e vajzës sime ngelet si tren i mbushur me hidhërim e pa asnjë përgjigje, binarët e të cilit dot nuk bashkohen...!

Nuk e di a është pra ky ese i “vonuar a është i dhembjes apo i lumturisë. Sido që të jetë, edhe Ju mendoni dhe nëse doni e vëni gishtin në tëmth, si detyrim mendimi...



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: