http://www.zemrashqiptare.net/
Zemra Shqiptare

Armela Hysi: Dritëhijet e medaljes enigmë
| E Merkure, 11.10.2017, 08:11 PM |

Dritëhijet e medaljes enigmë

Nga Armela Hysi

Romani i një Zonje të Letrave Shqipe, autores Vilhelme Vranari Haxhiraj, “Dritëhijet e medaljes enigmë”, botuar në korrik të 2010-ës, më erdhi në dorë para dy ditësh. Në fakt më erdhi në dorë bashkë me një sërë syresh të autores, të gjithë të nënshkruar për personin tim nga znj. Vivra me mirësjellje, delikatesë në fjalë dhe fisnikëri në mendim, të cilët mezi pres t'i lexoj, që padyshim nuk mund të mos ishte një moment fatlumë për të gjithë të dashuruarit me librat. Aq më tepër që me zonjën Vilhelme jemi bërë miq kibernetikë, meqë ende s'na ka rënë rasti të takohemi fizikisht. Miq zemre, ndonëse jam e mendimit se një lexues është gjithmonë mik shpirtëror me autorin që pëlqen sepse duke lexuar krijimet e tij jeton në botën e personazheve të tij, krijon intimitet, absorbon ndjenjat e tij, shëtit brenda imagjinatës dhe potencialit të ndërgjegjes së tij, takohet me të njohurit e tij të mbetur të pa cënuar apo të ndryshuar nga koha, ndoshta të deformuar sipas rastit të rrëfimit, të bashkuar shumë shpirtra në një trup, a të idealizuar sipas ndjenjës së veçantë që kanë lënë brenda autorit. Formulon bindje ose pozicionohet, debaton, por në fakt, sigurisht, gjithmonë flet me vetë autorin pa asnjë devijim nga e vërteta, pa asnjë rezervë, megjithë fshehjen e domosdoshme pas artit, përvojës dhe talentit për të bërë një letërsi të tillë mjeshtërore, pas historive dhe fytyrave të të tjerëve dhe për të tjerët. I tillë pra ishte, përcjellës dhe plotë rryma vërtetësie për autoren, edhe ky libër.

“Dritëhijet e medaljes enigmë” qe i pari që vendosa të lexoj dhe përzgjedhja qe veçanërisht shpërblyese. Ndahet, në se mund ta quajmë një ndarje, në dy pjesë kohoro-vendore, ku ngjarjet që ndodhin plotësojnë personazhet, jo vetëm me një dramacitet të përligjshëm për tu ndeshur me një prizëm koherent dhe të përvetshëm në secilin rast, por dhe për të pasuruar hapësirën e librit me një paralelizëm aktiv, që do të shndërrohet në një armë frymore letrare në duart e autores Vranari-Haxhiraj. Kjo, sepse ky paralelizëm përdoret për të dritësuar në mënyrë të mençur dhe me art ngjarjet që evolojnë faqe më faqe plotë gjallëri lëvruese dhe me interes për të përmbushur edhe botën e brendëshme të personazhit kryesor, por dhe figurimin e karakterëve të tjerë ndërmjet tij (përderi sa vjen si një rrëfim në vetën e parë); edhe ballancimin logjik reciprok për secilën anë të këtij paralelizmi, edhe për të ndërthurur artistikisht e realisht një reliev kulmor që për mua është fundi i librit. Fund, ku shkrimtarja me një pasazh prej diçka më shumë se një faqe, vendos ta bëjë librin më real dhe më pranë fasadës konkrete të së vërtetës. Bën, ama, gjithashtu të mundur të kuptojmë qëllimin e vërtetë të artit: të përçojë problematika, të shkatërrojë digat e blloqet që zënë përçimin e së vërtetës që vetë i vëmë vetes duke lejuar sistemet e mirëthurura të mbufatin origjinalitetin e gjithë secilit dhe të përçundojnë karakteret e qëllimet, (vyrtytet po e po). Të derdh kështu ujrat e ndenjur të mendësive të xhunglës.

Pjesa e parë me detaje flagrante ndërmjet mendimit, veprimit dhe ndjenjës, që sjellin dhe kontradita të qarta dhe peshë të veçantë në rrjedhojën analitike, ka ngjyrimet e një historie që evolon dhe përfundon, ndaj dhe me të drejtë zemrën dhe një përgjithësi detajike të veprës, autorja e ka rivënë më vete, në përjetim edhe në një tjetër fëmijë të saj letrar, në novelën “Çmimi i Dualizmit” (Sh.B. Nacional 2012) duke i dhënë peshën totale në këtë titull.

Tek “Dritëhijet e medaljes enigmë” secila nga ndërthurjet e lartëpërmendura veçon në trajtimin e problematikës, siç veçon për hatër të vendodhjes gjeografike, kulturore dhe tradicionale. Ato trajtohen kështu për të pasur thelbin kryesor të njëjtë, një bosht kurrizor për skeletin e romanit ku përfshin ide themelore sic janë të drejtat legjitime të njeriut, padrejtësitë (të, apo të pa kushtëzuara nga shkaqet), mos mohimin e fajit dhe gabimeve, reciprokisht edhe tek vetë viktimat, që bën të gërshetohet brenda edhe një analizë e brishtë e vetë shoqërisë. Sipas rastit, herë-herë kjo përshkohet me thjesht disa detaje si veshja, reagimi i mimikës, reagimi instiktiv i personazhit, e herë të tjera me analizim konkret të vendosur si një dialog apo si një monolog të brendëshëm, por mjaft udhërrëfyese të gjitha këto, për origjinalitetin dhe konceptimin e gjendjes nga lexuesi.

Në të njëjtin prizëm edhe rrjedhja e rrëfimit pikëson një tempo të përcaktuar ndryshe, në segmente të ndryshme të librit. Kur e sheh nga jashtë, pasi e përfundon të gjithë historinë dhe e rikthen në mendje duke nënvijëzuar brenda vetes, si lexues, kupton gjithashtu se tempoja e veprimeve u ngjan asaj të muzkës simfonike, me shënimet e lartëcaktuara partiturave, se me ç'frymë e ritëm të luhet secila pjesë e të tërës. E them këtë sepse libri “Dritëhijet e medaljes enigmë” ka harmoninë e nevojëshme dhe të perceptuar mjeshtërisht nga shkrimtarja Vranari-Haxhiraj për tërësinë; por ka dhe një manivelë të sajën kohore që e lëviz plot hire letrare sipas rëndësisë së thelbit në secilën figurë të personazheve të saj dhe ndodhive, duke bërë që pjesë të ndryshme t'i përshkruajë gjallërisht, plot emocione dhe drita të ndezura, apo nuanca gjuhësore të hollësishme e pjesë të tjera t'i përshkruajë si një përgjithësim, më pak elokuent, por më tepër si përcipshmëri të mjaftueshme për të lënë hapësirën e nevojshme të vazhdojnë ngjarjet. Shkimtarja ndalon në mënyrë klasike në përshkrimin e qytetit, natyrës, pamjes së parë me njohje të veçanta, por përgjithëson muaj të tërë në një rutinë kohore një a dy fjalishë. Akoma dhe p.sh. pasazhe intime, procese të gjykimit juridik, (që duhet përmendur se janë kryer me përpikmëri profesionale të lartë – që vë në dukje hulumuntim cilësor për pasqyrimin) momente familjare, apo çaste të vetmisë e të polemikës së brendëshme të personazhit kryesor, si dhe mardhëniet bashkëshortore, në raste të veçanta përshkruhen hap pas hapi, detaj pas detaji, e herë të tjera vetëm me një a pak të dhëna. Kjo padyshim ndihmon qartë për tu dhënë rëndesën e rëndësinë e objektive, jo vetëm për ta përjetuar thellësisht dhe përpikmërisht nga lexuesi, por edhe si një shumllojshmëri aktive, në mënyrën e shkrimit të shkrimtares vlonjate. Bindëse në çdo rast, gjithësesi. Madje edhe kur në horizontin narrativ lexuesi pret ndonjë konflikt të mundshëm, ballafaqim, a reagim të indinjuar të rastit, (mes personazhit kryesor dhe të tjerëve përreth, kryesisht – të shoqes, të ëmës, të njohurës së rastit, etj.) ai vazhdon me pak fjali, dialogje të shkurtëra, vetëm të nevojshmet dhe të siturat mirë, si një konceptim e koncentrat respektues për autorin e lexuesin bashkë. Mundohem t'i them këto pa shumë shembuj konkretë nga lënda e librit, por veçse si të dhëna nga skema e tij, që të mos zbuloj aspak nga ngjarjet që zhvillohen dhe përfundimin e tyre, për të gjithë ata që nuk e kanë lexuar ende “Dritëhijet e medaljes enigmë”, (por duhet, sa më parë) dhe të kuptohem nga lexuesit për vlerat që mbart dhe frymon.

Zonja e Letrave Shqipe Vilhelme Vranari Haxhiraj, ka sjellë edhe në këtë libër një realitet, që di të kritikojë dhe t'i kundërvihet, por pa dogmatizëm skeptik dhe ideologji stoike të panevojshëm dhe të lodhëshëm. Ajo me talent e bën lexuesin, përveç se të lexojë me ëndje çdo faqe të librit, të kulturohet, do e mos, dhe të mirëpërdori kohën e tij për blerjen e leximin e librit edhe të dialogojë me problemet që enden në Shqipëri pa fre, në shoqërinë globale, tashmë, në kulturën perëndimore etj. të krijojë polarizim, të mendohet, të zgjohet.

Vlerësime të veçanta dhe kritika profesionale cilësore gjen brenda të dy librave nga Dr. Fatmir Terziu, që të mahnit si gjithmonë me përzgjedhjet e tij gjuhësore.