http://www.zemrashqiptare.net/
Zemra Shqiptare

Dukagjin Hata: Kandidati që prek 'plagët' e Strugës
| E Merkure, 11.10.2017, 08:01 PM |

Për kë do të votojnë struganët më 15 tetor

Ramiz Merko, kandidati që prek “plagët” e Strugës

Nga Dukagjin Hata

Zgjedhjet lokale në Maqedoni janë në pikun e tyre, në kurbën më të lartë të mundshme dhe disa nga komunat me shqiptarë janë kthyer në fushëbeteja politike midis partive shqiptare dhe kandidatëve përfaqësues, për të siguruar mandatin e qeverisjes për katër vitet e ardhshme në këto njësi administrative vendore.

Në këto zgjedhje vendore të radhës, që do të mbahen më 15 tetor, po zhvillohet një garë e nxehtë mes subjekteve politike shqiptare, që po tentojnë të japin maksimumin në kërkim të drejtimit të komunave shqiptare. Pa u bë një vit i plotë nga zgjedhjet parlamentare, me BDI dhe ASH në pushtet dhe BESA e PDSH në opozitë, këto zgjedhje vendore, që po njohin ritme vlimi, tashmë  po konsiderohen si test për mbështetjen e tyre në elektoratin shqiptar, por po shihen dhe si një mundësi për të treguar performanca të mira në komunat shqiptare në dobi të qytetarit shqiptar.

Struga, si një nga qytetet strategjike, perlë turistike dhe historike jo vetëm në Maqedoni por në gjithë Ballkanin, është me shqiptarë dhe meriton të qeveriset nga shqiptarët. Meriton vëmendje dhe përkushtim, dashuri dhe mirënjohje, sendërtim të ideve e projekteve serioze, që do ta ngrenin Strugën në nivelin e potencialeve dhe resurseve që mbart si dhe të prishmërive të banorëve të saj.

Dy kandidatët kryesorë për kreun e komunës së Strugës janë Ziadin Sela I Aleanca për Shqiptarët dhe Ramiz Merko i BDI-së, të dy politikanë aktivë në partitë kryesore shqiptare në Maqedoni dhe ish kryetarë të Strugës.

Ramiz Merko përfaqëson partinë historike të Ali Ahmetit, dega lokale e të cilës, dega e Strugës, e zgjodhi atë thuajse unanimisht të ishte zëri i tyre dhe i struganëve që duan ndryshimin, në këtë garë të vështirë, por që ata e konsiderojnë si krejt të mundshme për t’u fituar dhe për të krijuar një model qeverisje pranë qytetarit dhe për qytetarin.

Ziadin Sela, që vjen nga pozicioni i deputetit në Kuvendin e Maqedonisë ka shpalosur si “epërsi” të tij në këtë garë, në vend të projketeve dhe alternativave, rrahjen publike ditën për diell në këtë tempull të përdhosur nga barbaria.

Këtë rrahje, ai e përshkroi me nota groteske dhe sarkastike në emisionin “Zona e lirë” të Arian Çanit në Tiranë, i cili, falë kompleksit të viktimës që diti ta sevirte mjeshtërisht gjatë emosionit kandidati Sela, (duke u vetëparaqitur si një farë “heroi” (“gjysëmhero” e “gjysëmshoumen”), i bëri thirrje liderit të UÇK-së Ali Ahmeti që të tërhiqte kandidatin e tij nga Struga e t’ia lironte “fushëbetjën” e garës këtij “supermeni”!...

Ziadin Sela, nuk lë rast pa “gjezidisur” në diasporë, për të “kënaqur egon” e tij apo për të lypur vota,  herë si kryetar për të ujdisur problemet e qytetarëve të Strugës, herë si zv/kryeministër “për interesa të larta kombëtare”, por mjerisht nuk ka zgjidhur kurrëfarë gjëje,  përveç interesave të tij të ngushta. Këtë herë, në një takim sallën në qytetin e Ëinterturit, ai nuk ia doli të mblidhte as 20% të pjesëmarrësve nga Struga, duke e mbushur sallën me shqiptarë të tjerë, që nuk ishin votues të tij.

Larg zhurmës dhe bujës mediatike, kandidati tjetër, z. Merko, vjen nga një përvojë e gjatë në politikë dhe në administrimin privat e publik, ku gjurmët e punës së tij pasionante e përkushtuese janë të dukshme. Ai ka themeluar Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, të njohur ndërkombëtarisht në Evropë  e SHBA e ku kanë studiuar qindra djem e vajza nga të gjitha trojet etnike të shqiptarisë, të cilëve diplomat iu njihen kudo në Perëndim e gjetkë. Katër vjet si kryetar komune në Strugë, Merko ka bërë shumë për struganët, ka qenë dhe vazhdon të jetë pranë tyre, me projekte konkrete që synojnë përmirësimin e jetës së bashkëqytetarëve të tij. Katër vjet në Kuvendin e Maqedonisë ka qenë një zë i fortë për Strugën dhe tani si ministër Investimesh në qeverinë e re tëZaevit, në qendër të agjendave dhe projeketeve ka Strugën.

Ramiz Merko po këmbëngul që të prekë nga afër, me duart e tij, terrenin konkret të dhimbjeve dhe plagëve të Strugës, të cilat i njeh me detaje mjaft të holla dhe ka treguar se ka përkushtimin e duhur për të bërë më të mirën e mundshme për Strugën dhe struganët.

Struga aktualisht është një bukuri që “bie erë”. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se tani Struga është kapluar nga deponitë e egra, që po iu marrin frymën, po “mbysin” qytetarët e kësaj komune për shkak të ndotjes dhe erërave të këqija, gjë që mund të shkaktojnë edhe helmimin e qytetarëve.

Në kohën kur ishte kryetar komune Ramiz Merka ky problem nuk ekzistonte më, pasi qe bllokuar, por rinisi të ngrejë krye më vonë, duke u thelluar ditë pas dite e vit pas viti, aq sa sot është kthyer në një çështje ulëritëse, që kërkon zgjidhje të menjëhershme.

Ramiz Merko, në raport me Strugën dhe struganët është i njëjti: si kur ishte kryetar komune, deputet, tani ministër. Nuk ka llomotitur nëpër kafenetë luksoze të Shkupit, duke treguar barcaleta dhe duke “tjerrë ujë në havan”, siç themi ne shqiptarët e siç mund të bëj rivali i tij, po ka jetuar në Strugë, ka qarë hallet e struganëve, ka qenë pjesë e shqetësimit dhe shpresës së tyre për një jetë më të mirë në këtë trevë të bekuar nga Zoti, por të refuzuar nga platformat shndërruese, që mund të nxirrnin në pah dhe të vinin në shfrytëzim resurset e saj të plota.

Kudo në kafe, rrugës me taksi nga Qafë Thana në Strugë, kur i pyet për kandiadtët, struganët të thonë: “Ramizi na duhet, se ai na i di hallet dhe di të na i prek plagët”. Kur ishte kryetar, pati bërë më të mirën e mundshme, i pati hapur një dritë jeshile projeketeve urbanizuese e emancipuese, që lypset të vazhdojnë”.

Do të ishte në dinjitetin e një treve të mrekullueshme të bukurisë dhe sharmit atdhetar shqiptar, të kishte në krye të vendit një njeri po aq dinjitoz sa Ramiz Merko, që la postin e ministrit dhe erdhi të garonte për kreun e komunës, se e thirrën struganët dhe ai do të dijë të projektojë e të realizojë një realitet tjetër dhe një të ardhme ndryshe për Strugën, këtë perlë shqiptare, një perlë e refuzuar nga neglizhenca dhe apatia, por që pret një dorë të ngrohtë përkushtimi e përkujdesjeje…