http://www.zemrashqiptare.net/
Zemra Shqiptare

Elvi Sidheri: Mitizimi i martirizuar i Çe Guevarës
| E Hene, 09.10.2017, 07:22 PM |

Fotoja legjendare e Çe Guevarës

Mitizimi i martirizuar i Çe Guevarës

Nga Elvi Sidheri

“E di se të dua dhe sa të dua, por lirinë time të brendshme për ty nuk e flijoj dot; sepse kjo do të thoshte ta flijoja vetveten, unë që jam gjëja më e rëndësishme në botë”.

Pjesë nga letra që Çe Guevara i dërgon të fejuarës së vet Chichina Ferreyra më 5 dhjetor 1951.

Tashmë është fakt i ditur se shekulli XXI do të na shpërfaqte plot utopi tejet të përgjakshme. Për fat, shumica e tyre prej kohësh kanë marrë dënimin e duhur historik nga shumica e opinionit publik, së paku në botën e qytetëruar perëndimore. Ndërkaq, protagonistët e tyre kryesorë, Hitleri, Lenini, Stalini, Musolini, Sadam Huseini apo Pol Poti, të gjithë kanë përfunduar nëpër gjirizet e historisë. Por sakaq, njëri syresh habitshmërisht ka ditur t’i mbijetojë epokës së vet (të largët tashmë, pa vrasjes së tij në humbëtirat e Bolivisë më 9 tetor 1967) dhe gjithaq edhe vdekjes së tij, duke arritur njëkohësisht të shndërrohet në një simbol aktualiteti dhe mit martirizimi që  akoma sot e kësaj dite shërben si shembull për të ilustruar mendimet revolucionare të gjindjes përmes pankartave të ngritura protestueshëm nëpër manifestime të përhershme rrugëve e rrugicave nga tërë sektorët e së majtës.

Bëhet fjalë padyshim për Çe Guevarën.

Ishte pikërisht El Che, i cili qysh në moshën 21 vjeçare do të niste të ndihej si qendra e universit dhe që, si e pat gjetur veten krejt të paaftë që ta formësonte apo përshtaste botën me vizionin e tij të gjërave që duhej të ndodhnin, paskëtaj do të zgjidhte vetëdijshëm të kërkonte vdekjen, jo pa miratimin edhe të disa prej ish shokëve të tij të luftës dhe përpjekjeve (me Fidel Kastron në krye). Çe Guevara ishte një produkt dhe bir i borgjezisë argjentinase, lojtar i zoti i regbit dhe golfit (sporte jo pikërisht “të popullit” nga ato anë, siç do të mund të quhej futbolli, për shembull), që gjithmonë do të vuante nga azma kronike. Kur në verën e vitit 1955 do të njihej në Meksikë me Fidel Kastron, takim që do të pasohej me një shkëmbim të thellë idesh e mendimesh mes dy revolucionarëve të ardhshëm, udhëheqësi karizmatik kuban do t’i bëjë aq shumë përshtypje Guevarës, saqë ky i fundit do të dalë në përfundimin e pakthyeshëm se për ideale kaq të dëlira sa ç’qenë ato të Kastros “ia vlen plotësisht të vdiset në zbarkim e sipër në ndonjë plazh të huaj e të panjohur” (si ato të Kubës, ku dyshja në fjalë do të vërë në jetë me sukses Revolucionin Kuban ndaj regjimit të Batistas, të nisur nga malet e Sierra Maestra-s, të vijuar me betejën e Santa Clara-s nën drejtimin e trupave të komanduara nga vetë Ernesto Çe Guevara dhe mbaruar me hyrjen triumfale në Havanë).

Qysh nga ai takim i parë mes të dyve, dallohet qartë se Çe Guevara është një komunist i bindur dhe i patundur, ndërsa Fideli nga ana tjetër, gjer aty nga dhjetori i vitit 1961 nuk është se shquhet botërisht për ndonjë bindje të thellë marksiste-leniniste, thuajse tre vite pas ngadhënjimit të Revolucionit Kuban. Deri në atë pikë, Çe Guevara do të dallohej në udhëheqësinë kubane si mbështetës i flaktë i vijës komuniste sipas modelit sovjetik. Kalimi i tij si Ministër i Industrisë në Kubë do të shenjohej nga katastrofa e pashmangshme.

Periudhë ministrore e nisur me një ngjarje kurioze, kur, sipas fjalëve të vetë Çe Guevarës, një ditë Fideli duke përshkruar aftësitë e ministrit që kërkonte për këtë qëllim, pati përmendur nevojën e një komunisti të bindur e të përkushtuar, dhe Çe-ja thjesht kish ngritur dorën duke dalë si vullnetar për këtë post të lartë, si dhe atë të drejtuesit të Bankës Popullore të Kubës, ndonëse nuk ia kishte as largësisht idenë ekonomisë, gjë që nuk do të mungonte të vërehej në pasojat e drejtimit të tij të kësaj ministrie kyçe.

Katastrofë e theksuar edhe më tepër për shkak të faktit se nën kompetencat ekskluzive të Çe Guevarës kish mbetur kështu krejt industria jetike e kallamit të sheqerit, ajo e telefonisë, prodhimi elektrik, industria minerare, tërë industria e lehtë, etj.

Bëhej fjalë për fatet e mbi 150 mijë punonjësve të ndarë nëpër 287 ndërmarrje shtetërore.

Gjithashtu edhe idetë e tij politike do të përfundonin në një dështim të jashtëzakonshëm. Të vjen turp sot të lexosh fjalimet e tij triumfaliste si ministër kuban kur shpallte botërisht në Montevideo, aty nga gushti i vitit 1961, se “shkalla e rritjes ekonomike që thonë se qenkësh e mrekullueshme për tërë kontinentin amerikan dhe që arrin në nivelin e 2.5%, ndërkohë që neve në Kubë flasim për një nivel zhvillimi prej 10% pa na u dridhur syri fare”.

Kur e pyesin se si e imagjinon ekonominë e Kubës në 1980-ën, ai përgjigjet se përfytyron të ardhura prej 3000 dollarësh për frymë, më shumë se ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në atë periudhë”.

Bëhej fjalë për një udhëheqës shpesh gjakatar dhe pa asnjë fije mëshire, siç dëshmohet për një episod në vitin 1961, një grua do t’i lutej Çe Guevarës për djalin e saj 15 vjeçar që ishte burgosur në kazermën La Cabaña në pritje të pushkatimit për shkak të disa parrullave të shkruara në mur kundër regjimit. Gruaja pat kërkuar të fliste me Çe-në personalisht dhe ai e kish pritur në zyrën e vet. Me këmbët majë tavolinës, e pat pyetur atë: “Zonjë, çfarë mund të bëj për ju?” Ajo e kish lutur: “Komandant, im bir është shumë i ri, ai as që e dinte se çfarë po bënte, të lutem falja jetën dhe unë ju garantoj se ai nuk do t’i bëjë më kurrë këto gjëra”. Më pas Çe-ja do t’i kërkonte gruas se si quhej biri i saj dhe kur do ta pushkatonin atë. Ishte e hënë dhe urdhëri për ekzekutim ishte për të premten. Sipas të ëmës së djalit, Çe-ja pat thirrur ndihmësin dhe ajo kish menduar se djalit i shpëtoi jeta. Por urdhëri i tij do të ishte: “Kërkoje birin e zonjës dhe pushkatoje menjëherë që ajo mos të rrijë të presë deri të premten”.

Dëshmi këto të dhëna pas bisedave me Çe Guevarën në ditët e tij të fundit të jetës në Bolivi (në një shkollë në La Higuera) ku Çe Guevara kish rënë në duart e ushtrisë boliviane pas përpjekjes së dështuar për revolucion në këtë vend) të bëra nga ish agjenti i CIA-s Félix Rodríguez.

I njëjti Guevara që krenarisht i pohonte të atit “se i pëlqente të vriste njerëz” apo edhe se “Ia vlente plotësisht që të vdisnin miliona të pafajshëm me qëllim që të përçohej socializmi edhe në Shtetet e Bashkuara”.

Pas vdekjes së tij do të krijohej një mit që s’kishte aspak të bënte me idetë e tij të vërteta politike që tanimë duken krejt të harruara. Është ky një mit i ushqyer gjithashtu fort nga një foto me reminishenca të fuqishme martirizuese, e realizuar nga Alberto Korda në Havanë në vitin 1960, por që do të publikohej vetëm pas vdekjes së tij. Një foto rastësore në të cilën fytyra e komandantit me cullufet që i dalin poshtë kasketës me yll dhe mjekrën e tij rebele, bie në kontrast me qiellin në sfond. Fotografi nga më të njohurat e historisë e shndërruar në ikonë kulturore që vijon të mbetet në modë, pa patur asnjë lidhje me njeriun real Çe Guevara.


El Che dhe Fidel Castro në vitin 1959


Çe Guevara ditën e vdekjes