Tefik Selimi: 'Sabri Maxhuni – zbërthyesi i kodeve'
| E Diel, 08.10.2017, 10:59 AM |

Sabri Maxhuni është i vetmi intelektual që ka bërë historinë të flasë me gjuhën gjithëkohore...

Demir Behluli: “Sabri Maxhuni – zbërthyesi i kodeve”, Prishtinë, 2017

Gjilan, 1 tetor 2017

Shkruan: Tefik Selimi, prof.

Ditë më parë, Demir Behluli, krijues, botoi me veprën më të re“Sabri Maxhuni –zbërthyesi i kodeve (2017). Është kjo një vepër publicistike dhe eseistike, e cila, në ngërthen në vete një materje shumëdimensionale dhe të rëndësishme për çështjen tonë kombëtar. Me fjalë të tjera, kjo vepër flet apo “rrëfen” për personazhin kryesor, Sabri Maxhunin, i cili, me veprat e tij publicistike, dokumentare dhe polemiste, po tregon se është njohës i mirë i çështjes sonë kombëtare. Me këtë rast, më ipet ta zë në fjalë, Rexhep Qosjen, kritik yni, i cili, duke e analizuar një vepër letrare, autorit i thotë: “E dua Platonin, por të vërten e dua më shumë”! Kjo është e rëndësishme, për taktin se, jeta jonë është stërmbushur me lloj-lloj historianë diletantë, intelektualë pa dituri, profesorë me diploma falëse dhe me të tjera “sende”, të cilët, historinë tonë shqiptare po e falsifikojnë dhe po e  bëjnë sipas qefeve të tyre.

Duke lexuar veprën e D. Behlulit “Sabri Maxhuni – zbërthyesi i kodeve”, sikur e ndërrova “petkun’ dhe po e shoh dritën e jetës më mirë se dje. Vërtet, kjo është drita e jetës. Tek vepra në fjalë, shoh një lloj “veprimi” iluminist të pesonazhit kryesor (Sabri Maxhunit), i cili po reflekton me ngulm për një ndryshim të kësaj “gjendje”.

Sabriu është largpamës dhe i sheh gjërat më mirë se çdo kush tjetër. Nga veprat e para e gjer në të fundit, ai nuk dhënë  mesazhe kutur e me hamendje, por gjithnjë ka dhënë dhe po jep edhe sot mesazhe në të mirë të çështjes sonë kombëtare. Ai është  njohësi më i mirë i  realitetit tonë. Vetëm njerëzit me përvojë dhe ata që kanë shfletuar vepra të ndryshme për historinë e shqiptarisë, ata sot e rrëfejnë në mënyrën më të mirë të realitetit tonë.

Vepra e D. Behlulit, flet për të shërbyer si një pikë e zgjidhjes së nyjeve të pazgjidhura. Tani është kohë tjetër. Tani nuk ka kamfluazhe, as mbulesa të tjera, që të krijohet historia sipas tekeve të ndokujt që i pëlqen. Historia e shqiptarëve duhet të jetë e gjithëmbarëshme. Ajo nuk duhet të shkëputet nga trungu ynë shekullor. Sabri Maxhuni është njëri i pasionit që po e ndriçon këtë segment më të ndjeshëm të popullit shqiptar. Jo vetëm kaq.

Sabriu e do Konicën, por e ka idol At Fishtën, poet e dijetar i madh i kombit. Ky njeri po hapëron drejt rrugës së kërkimtarit për t’i interpretuar e qartësuar me thellësi e me fakte ngjarjet, të  bëmat, lëshimet, fasadat dhe thelbin e tyre mbi të ndodhurat  e kombit shqiptar. Prandaj, duke parë këtë “mjerim” të tjerëve se nuk po ia dalin ta gjejnë rrugën e kthesës për kombin tonë shqipar, Sabri Maxhuni, prej mjeshtrit me përvojë e me dije  të gjerë, përdor zbërthimin e kodit për t’i hapur dyert e një intepretimi të ri të së kaluarës “duke synuar që hiostorinë ta vështrojë njëherësh në rrafshin sinkronik dhe diakronik, si një mundësi për ta përdorur atë për të sotmen dhe të nesërmen”(f.9).

Maxhuni, sipas D. Behlulit është njohës i mirë i të gjithave rrethanave tonë, edhe kur flet “për çështje kombëtare nuk njeh asnjë lloj kompromisi. Sepse, sipas tij, çështja kombëtare është e shenjtë dhe e pa prekshme”(f.16). Ai për kombin dhe tokat shqiptare e ka një moto: kombi dhe Atdheu nuk duhen vetëm me fjalë, por duhen me vepra. Pra, mbroje, zhvilloje dhe gëzoje! Sikur ky personazh i veprës në fjalë hyn nëpër galeri të errta në kërkim të ndriçimit të realiteteve në hije. Kjo është filozofia e tij diturore. Këtu ai përdor kodin e zgjidhjes së problematikave të personazheve të historisë apo edhe ngjarjeve madhore, të cilat  janë kulmorja e identiteti  tonë shqiptar.

Maxhuni është një njohës i madh i dijeve historike. Ai e ka përvojën e dijes. E kap kohën, nyjet e pazgjidhura, dhe stopimin e gjërave të pavërteta. Dijetarët e mëdhenj, si personazhi i veprës, nuk flasin për shkaqet, por flasin për pasojat. Ky personazh (Sabriu) ka  dije, ka fuqi, por ka edhe intuitën për refletim kah një epokë e re, e cila, sipas tij, do punë dhe artikulim real. Vepra e tij kulmon. Bën  dritë dhe rrezaton. Rrezaton, sepse ka  fakte, aty gjejmë ngjarje, ide, thellësi kohe, vëzhgim, analiza, përballje me lexuesin dhe nyjen lidhëse të epokave apo ngjarjeve në kohë.

Sipas  autori, dija nuk vjen nga qielli, por nga librat. E, librat, për Maxhunin janë mbi tavolinë, të cilat, referuesi i kodeve i shërben për përballje me historinë tonë, ku gjenden të deshifruara kodet e mbijetesës historike të shqiptarëve, të cilët rezistuan gjer tek mbijetesa e tyre.

Pandaj, kur pesonazhi shton: “Kur  historia nëpërkëmbet e bastardhohet, Sabriu bën zgjidhje, polemzon, kritikon me të tjerë. Kjo “rrethanë” e reagimit është një lloj mrekullie. Bëhet zgjidhja. Zgjdhja me anë të kodeve apo zbërthyesit të nyjeve kohore. Aty është fjala. Sipas D. Behlulit, Sabriu është një zbulues i kodeve. “Ai na mëson se arsyeja duhet vënë në bazë të çdo përceptimi e gjykimi mbi historinë dhe përditshmërinë tonë(f.23). Pra, Sabriu na flet për krizën në Shqipëri, Kosovë e në  Maqedoni, ku njerëzit nuk mund të afrohen dy bashkë. Pra, jo të mirën e kemi brenda vetit! Ajme për shqiptarët!?

Siç dihet, personazhi i veprës është marrë me çështje madhore e me ekonominë kombëtare. “Ai i fton qeveritë shqiptare, intelektualët e shquar dhe elitat e shoqërisë që me realizëm e kthjelltësi, të  bashkohen si bashkëidealistë të vizionit euro-atlantik të shqiptarëve”(f.34). Në të tilla raste, ai reagon për ata që nuk dinë ta lexojnë historinë, për ata që e përdorin historinë për të shantazhuar secilin. Për këta emra të mos dijes, personazhi i veprës i quan”bukëshkalë, dhe në rastin tjetër më djallëzor i quan “pjella e tradhëtisë e konspiracionit” (f.36). Me fjalë të tjera, ky idealist e mendimtar, ngjarjeve historike, të shkaqeve, rrethanave dhe personazhet e tyre i interpreton në mënyrën e re të rrjedhave kohore.

Behluli, autor, shton se, Maxhuni, “ndryshe nga gjithë historiografia zyrtare, por më ndryshe dhe nga shumë idealistë të historisë jo zyrtare, ai vështron Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në rrjedhat e kohëve, Lidhjen e Prizrenit, Kuvendin e Taksimit, Shpalljen e Pavarësisë, Marrëveshjen e Mukjes etj” (f.39). A thua pse vepron kështu ky mentor i ditëve të sotit? Kjo është e qartë. E para se,  të gjitha kërkimet të tij qojnë drejt burimit apo realitetit. Dhe, ky burim është çelsi që shkon drejt suksesit dhe zbërthimit të kodit të tij të dijes. Pra, të gjitha këto “suksese”, autori i mëse 20 veprave dokumentare e publicistike, i ka arritur duke gjetur burimin e shkaqeve, por gjithnjë duke gjurmuar, krahasuar, zbërthyer enigma e dilema gjer tek realiteti i kërkuar. Këtë “udhëtim” të vështirë, personazhi i veprave i ka bërë vetëm për të ardhur tek e vërteta e nyjeve tona të pazgjidhura.

Edhe pas kësaj, Sabriu, na ka dhuruar vepra që janë margaritarë që sjell “bashkimin e shqiptarëve në një shtet brenda kufijve të tyre natyralë”?(f.51). Prej dijetari e mendimtari, ai “ka prekur plagët e politikës, ekonomisë, elitës shoqërore, cenet e intelektualëve që janë kthyer në shërbëtorë të liderëve partiakë për përfitime personale etj”(po aty f.51).

Ai shtron pyetjen: Pse nuk i gëzohemi atdheut tonë?  Ai shton se, “Është mëkat të jeshë në zemër të Evropës, me troje të bekuara nga Zoti dhe natyra, me bukuri e pasuri të mëdha, e të jeshë një popull i varfër, më i varfër në Ballkan dhe në kontinentin e vjetër”!(f.52). E, autori i veprës shton fjalë miradije: “Mua pesonalisht, jeta dhe vepra e mendimtarit të nderuar shqiptar Sabri Maxhuni-Novosella, më ka shërbyer më së miri për diçka të tillë. Më ka vlejtur qartësia dhe larpamësia e tij për shumëçka për punën, biznesin, lirinë individuale dhe shoqërore, gurin e themelit dhe të pragut” (f.55). Pra, autorin shton se ka filozofi ekzistencialiste, ka dinjitetin intelektual dhe njerëzor. I pëlqen perzonazhi i tij, i cili ka aftësi edhe kur gjërat janë “lëmëshë”, ai u ka bërë zgjidhje në të mirë të të gjithëve.

Kur bëhet fjalë për njeriun si qenie njerëzore, Sabriu në asnjë shkrim nuk ka thënë: “Ti vrasim fqinjët”! (f.55). Ai e ka në mendje aforizmën: “Nëse nuk e do vetën, nuk e do as Zotin!. Kjo është filozofia e tij prej mendimtari dhe intelektuali. Filozofia e Sabri Maxhunit është një  filozofi e lirisë njerëzore. Vetëm njerëzit e lirë bëjnë histori reale dhe të vërtetë, vetëm njerëzit e lirë, zhvillojnë ekonomi të fortë e të pavarur.

Duke e interpretuar At Fishtën, Sabri Maxhuni shton se, At Fishta nuk është Profet i fesë, por është profet i Kombit, ku i bashkon shqiptarët në tri fe. Këtu perzonazhi i D. Behlulit, e përdor kodin ose zbërthyesin e tij. Kur i referohet At Fishtës, Maxhini e përdor thënien e fishtiane, “Ma mirë me dek/ Nën dhe me u kja/ se për të gjallë/ Me mbet nën shkja...”(f.57). Lirisht, këtë personazh kryesor mund ta quajmë qiri që po rrezaton dhe po bën  dritë.

Sipas Demir Behlulit, veprat e  Sabri Madhunit,  ngërthejnë në  vete shumë tema aktuale. Njerëzit, duke punuar në jetë, sjellin të mira jete, por  edhe bëjnë gabime. Gabimet janë më të ndryshme, si bie fjalë, nga politika e keqe dhe nga personazhet mediokre publike të vendit. Nga gabimet e politikave jo të qëlluara, njerëzit zhgënjehen. Ikin nga vendi i tyre. Krijohet një gjendje amullie në popull dhe një gjendje e pasigurtë për ta.

Në veprën “Sabri Maxhuni – zbërthyesi i kodeve”, D. Behluli shton se, personazhi i veprës, me intuitë të mprehtë, depërton në thelbin e të ndodhurës, prek “taktet” e historisë. Maxhuni, “kryefjalë të mendimit e ka shqiptarinë, edhe kur ia cek plagët, edhe kur ia “lëndon” sedrën, edhe kur ia ledhaton bëmat dhe ia nxjerrë në pah heronjtë dhe maritat”(f.77). Pra, është “prodhues” i denjë i zgjimit të vetëdijes kombëtare, i cili e ka bërë historinë të flasë me një gjuhë gjithëkohore. Pra, Maxhuni e ka guximin e intelektualit, është vizionar dhe largpamës i një historiani dhe mendimtari elitar, ku noton në rrjedha të panjohura dhe ka guximin t’i thyejë tabutë dhe skemat bardhë e  zi në këndin e vështirimeve historike e më gjerë.

Ai (Sabriu), kur flet për xhamia, kisha, teqet, ai është për t’i respektuar këto vende të shenjta dhe fton popullin për bashkim në emër të kombit shqiptar. Maxhuni nuk thotë braktisne fenë, as ndërrojeni fenë e as normat fetare, të cilat i konsideron të shenjta për njeriun. Ai është për njerëzit e bashkuar, sepse, si të bashkuar, fitohet dhe ruhet liria, ku në liri punojnë e veprojnë më mirë  kisha e xhamia. Maxhuni e do At Fishtën dhe identifikohet me te. Ky nuk është për mure shqiptare. I tillë ishte edhe At Fishta, i cili i luftoi ndasitë ndërmjet popujve. Andaj, nxitjen e kësaj fryme konfliktuoze, sidomos atij fetar, Maxhuni i denocon në disa shkrime polemika, “të cilat i quan si inteprete të kësaj mendësie primitive deri në barbari”(f.122). Andaj,  At Fishta, në  veprën e S. Maxhunit vjen me tërë madhështinë e të drejtës historike shqiptare, për të dëshmuar mbijetesën e kombit shqiptar ndër valët më të egra të rrebesheve e kohërave të këqinja.

D. Behluli, me këtë vepër publicistike e eseistike, është ndalë tek disa çështjeve thelbësore që i ka trajtuar Sabri Maxhunit në veprat e tij publicistike e dokumentare. Me këtë punë, autori i veprës na ka sjellur thelbin esencial të personazhit, i cili, në momente kyqe, si mendimtar, intelektual e publicist, ka zbërthyer kodet e ndryra. “Maxhuni nuk pretendon të ndryshojë botën, por të ndryshojë kursin e gabuar të historisë së popullit të tij”(f.160). Pra, personazhi i veprës (Sabriu), e adhuron shkollën esencialiste të themeluar nga  i madhi dijetar, Aristoteli, ku sipas tij, kjo shkollë “ duhet të depërtojë në thelbin e sendeve, me qëllim që t’i shpjegojë ato” (f.165).

Vepra e Demir Behlulit, “Sabri Maxhuni – zbëthyes i kodeve”, meriton jo vetëm të  lexohet e të vlerësohet, por ajo duhet të adhurohet, interpretohet nga të gjithë. Është vepër me mesazhe të forta për të gjithë njerëzit që ia duan të mirën vendit dhe popullit të tij.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: