Nebi Dragoti: Poeti pa ditëlindje
| E Diel, 08.10.2017, 11:45 AM |

NEBI DRAGOTI

POETI PA DATËLINDJE

ESSE VETES

Në Dragot të Dumresë të Elbasanit, por , ekzaktësisht, kur linda as dita , as data , as viti nuk dihet. Në dokumentin zyrtar dhe pashaportë është fiksuar data 15 Maj 1947. Kjo datë është vendosur nga gjykata e Elbasanit, pasi, kur isha në klasën e pestë, aq i vogël në trup, më thirrën për t’më mobilizuar ushtar. Thonë se kam lindur në muajin maj. Dardha më hidhte mbi djep petalet e bardha. Bilbila e shpendë të tjerë këndonin nëpër degë. Babai më kish lënë të vogël. Nëna ishte e pashkollë dhe për rregjistrimin në Gjendje Civile s’e kishte vrarë mëndjen ta bënte. Sipas zakonit nuk më është bërë as darka e emrit. Edhe sot që shkruaj këtë esse për veten nuk kam festuar ditëlindje. Mbaj emrin Nebi të ish vëllait të vdekur. Pra, për humor, jam Nebiu i dytë dhe prandaj e quaj veten poeti pa ditëlindje. Kur më pyesin për moshën, nguroj t’ua them, se, sipas meje, duhet thënë përgjigje e sinqertë. Jam rritur në familje tejet të varfër, (vuanim për bukën e gojës). Me nënën jam larguar nga fshati e kemi vajtur në Shtëpanj, po në këtë rreth, tek vëllazërit e nënës. Lahesha katër herë në ditë në Devoll, ku i dilja not kredhash nga një anë në anën tjetër. Në 84 liqenjtë e Dumresë (pasuri e rrallë kjo, që edhe  bota nuk e ka) jam larë pothuajse tek të gjithë si notar i mirë dhe i zoti. Mbaj mend demin kuqalosh, që më iku dhe të qarat e mia, demin që vraponte e që unë e kisha kapur për bishti. Nuk e lëshoja, e, ai më tërhiqte zvarrë nëpër pluhurin e rrugës. Që në arsimin 8-vjeçar rroka për bishti demin tjetër, demin e poezisë. Më vonë mësova se demi duhej kapur për brirësh. Për këtë luftoj që ta mbaj fort.

Tetor, 2017.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: