Frank Shkreli: Në mbrojtje të Lirisë së Shtypit në Rusi
| E Diel, 08.10.2017, 12:20 PM |

RIANGAZHIMI I KONGRESIT AMERIKAN NË MBROJTJE TË LIRISË SË SHTYPIT NË RUSI

Nga Frank Shkreli

Kohët e fundit vihet re një aktivizim i ri nga ana e Kongresit amerikan në lidhje me lirinë e shtypit në botë, në përgjithësi dhe mbi masat shtypëse të Moskës ndaj gazetarëve dhe organeve të pavarura të medias në Rusi, në veçanti.   Vetëm gjatë dy javëve të fundit, në Kongresin amerikan u mbajtën dy sesione që kishin të bënin, njëri me keqinformimin rus anë e mbanë botës dhe tjetri me lirinë ose më mirë të themi me mungesën e lirisë së shytpit në Rusi.   Sesioni i fundit, i organizuar nga Komisioni Amerikan i Helsinkit dhe Grupi i Kongresit për Mbrojtjen e Lirisë së Shtypit në botë, u mbajt të mërkurën e kësaj jave.   Në diskutime morën pjesë, ndër të tjerë, edhe anëtarët e Kongresit, Demokrati Adam Schiff, bashkë themelues i një Grupi Dypartiak të Kongresit për Mbrojtjen e Lirisë së Shtypit në Botë dhe Republikani Steve Chabot dhe përfaqsues të organizatave qeveritare dhe jo qeveritare, të interesuara për fatin e lirisë së shtypit anë e mbanë botës.

Vihen re gjithnjë e më shumë përpjekje, në radhët e disa anëtarëve të Kongresit amerikan – si rrjedhim i shtypjeve të lirisë së medies sidomos në Rusi, por jo vetëm atje --për një mbështetje më të madhe  për transmetimet e financuara nga qeveria amerikane, siç janë Zëri i Amerikës dhe Radio Evropa e Lirë.

Grupi dypartiak i Kongresit për Mbrojtjen e Lirisë së Shtypit në Botë është themeluar në vitin 2006 nga kongresmeni Adam Schiff dhe nga ish-kongresmeni Mike Pence, sot Zëvëndës President i Shteteve të Bashkuara.   Me rastin e themelimit të Grupit të Kongresit për Mbrojtjen e Lirisë së Shtypit në Botë, Kongresmeni Schiff kishte deklaruar se, “Shtypi i lirë dhe i pa penguar është jetik për një demokraci të shëndetshme.   Është e pa pranueshme që gazetarët të punojnë në një atmosferë ku kanë frikë nga qeveria se për arsye të punës së tyre, ata mund të burgosën ose ata vetë dhe familjet e tyre mund t’a pësojnë keq vetëm e vetëm se bëjnë detyrën e tyre si gazetarë të lirë.”   Ai pat thënë me atë rast gjithashtu se objektivi i krijimit të këtij grupi ligjvënësish amerikanë për mbrojtjen e lirisë së shtypit anë e mbanë botës -- duke nënvijuar censurimin e lajmeve kudo që ndodhë në botë -- ishte jo vetëm mbrojtja e gazetarëve nga persekutimi për punën e tyre që bëjnë, por njëkohësisht synon të mbrojë edhe të drejtën e qytetarëve për të qenë të mirë-informuar dhe për të pasur në dispozicion lajme të lira dhe të pakontrolluara nga autoritetet.   Ndërsa ish kongresmeni Mike Pence (sot Zëvendës President i Amerikës), si bashkë themelues i këtij grupi të Kongresit për mbrojtjen e lirisë së shtypit anë e mbanë botës, pat deklaruar me rastin e themelimit të këtij grupi se, “Aty ku nuk ekziston liria e shtypit, aty nuk ka as liri.   Nëqoftse Amerika do të vazhdojë të jetë dritë e shpresës në botë, ne duhet ta mbajmë lartë si ideal dhe ta mbrojmë shtypin e lirë dhe të pavarur, duke e avancuar dhe duke e përhapur nëpër botë, ndërkohë që ta mbrojmë edhe në vendin tonë.   E kam për nder të jem anëtar i këtij grupi burrash dhe grash të Kongresit amerikan të dy partive, qëllimi i të cilëve është mbrojtja e lirisë së shtypit për mbarë njerëzimin”, kishte deklaruar para pak më shumë se 10- vitesh, ish-kongresmeni Pence, sot numri 2 i Shtëpisë së Bardhë.

Ishte pikërisht në këtë frymë të mbrojtjes së lirisë së shtypit anë e mbanë botës dhe të qarkullimit të lirë të lajmeve dhe informacionit—deklaruar një dekadë më parë nga Kongresi amerikan -- që këtë javë në  njërën prej sallave të Kongresit u mbajt sesioni i organizuar së bashku nga Grupi i Kongresit për Mbrojtjen e Lirisë së Shtypit në Botë dhe nga Komisioni Amerikan i Helsinkit -- kësaj radhe mbi lirinë ose mbi mungesën e lirisë së shtypit dhe mbi sulmet kundër gazetarëve në Rusi dhe në shtetet ish-sovjetike.  Sesioni i Kongresit mbi sulmet ndaj lirisë së shtypit dhe medias së pavarur në Rusi, u mbajt një ditë para se policia të fillonte të ënjtën, bastisje me dhunë kundër një numri aktivistësh, gazetarësh dhe kundërshtarësh të regjimit të Presidentit Putin, anë e mbanë Moskës, përfshirë edhe apartamentin e gazetarit të njohur Andrei Konyakin, i cili raporton mbi raste të mëdha të korrupsionit në vend, njofton portali amerikan i lajmeve Daily Beast.

Tema e diskutimeve nga pjesëmarrës të ndryshëm mbi shtypjet ndaj lirisë së shtypit në Rusi, përfshirë Drejtoren e Zërit të Amerikës, Amanda Bennet dhe Drejtorin e Radios Evropa e Lirë, Thomas Kent, ishte se shtypi i lirë është gurthemeli i demokracisë, detyra e të cilit është për të mbajtur qeveritë përgjegjëse dhe llogari-dhënëse për punën e tyre ndaj qytetarëve dhe njëkohësisht të shërbejë si mjet informimi të saktë dhe objektiv për qytetarët.   Historikisht është provuar se qeveritë diktatoriale dhe autoritare e konsiderojnë lirinë e shtypit si ferrë në sy dhe përpiqen gjithmonë të kërcënojnë, të frikësojnë dhe t’i mbyllin gojën gazetarëve dhe shtypit të lirë, duke i bërë gazetarët subjekt të sulmeve të vazhdueshme të tyre.

Gjatë diskutimeve, pjesëmarrës të ndryshëm theksuan se gazetarët në Rusi, në periferi dhe në shtetet post-sovjetike përballen me frikësime, bezdisje të lloj-llojshme, me arrestime e madje edhe me vrasje për kryerjen e detyrës së tyre si gazetarë të lirë.   Sipas të dhënave nga media që morën pjesë në sesionin e Kongresit, diskutimet nenvijuan faktin se sa të përhapura janë masat që ndërmerr Kremlini kundër zërave të pavarur si dhe ndaj shtypit të lirë dhe të pavarur.   Debati u përqendrua, jo vetëm për masat që duhen marrë për mbrojtjen e të drejtave dhe të sigurisë së gazetarëve, por edhe mbi ndihmën në të ardhmen dhe për promovimin e lirisë së medies në përgjithësi nga Organizata për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë dhe nha ente të tjera qeveritare dhe jo qeveritare perëndimore.

Për të ndihmuar në luftën kundër këtyre përpjekjeve – raporton VOA – kongresmenët Steve Chabot dhe Adam Schiff i thanë Komisionit të Helsinkit se Bordi i Guvernatorëve të Transmetimeve Ndërkombëtare, agjencia ombrellë e Zërit të Amerikës, është thelbësore.   Demokrati Schiff, bashkëthemelues i grupit dypartiak të Kongresit për mbrojtjen e lirisë së shtypit në botë, u zotua se do të mbështesë përpjekjet e Bordit dhe të Zërit të Amerikës, ndërsa republikani Chabot u angazhua për mbështetjen e tij dhe të kolegëve në Dhomën e Përfaqsuesve, “Për një shtyp të lirë e të pavarur, si në Evropën Lindore ashtu edhe në Rusi”.

Fatkeqsisht, në shumë vende të botës, përfshirë Rusinë, megjithëse ligji ndërkombëtar qartazi garanton lirinë e të shprehurit dhe të drejtën e lirisë së medies, këto të drejta vazhdojnë të shtypen gjerësisht dhe pa asnjë ndëshkim.   Sipas disa statistikave të fundit të Komisionit për Mbrojtjen e Gazetarëve, deri më tani këtë vit, anë e mbanë botës janë vrarë 25 gazetarë, ndërkohë që vitin që kaloi ishin arrestuar 259 dhe 55 të tjerëve nuk u dihet fati.   Riangazhimi i Kongresit Amerikan në mbështetje të lirisë së medies në Rusi dhe anë e mbanë botës është i mirëseardhur dhe do të ndihmojë për të bërë të njohura për publikun e gjërë botëror, kërcënimet ndaj lirisë së shtypit dhe ndaj rreziqeve me të cilat përballen gazetarët, sidomos ata që veprojnë nën regjime autoritare, në vende dhe në kushte të rrezikshme pune.

Kongresmeni Adam Schiff gjatë sesionit të Kongresit mbi lirinë e shtypit në Rusi -Photo credit @JBANCchatter

Ndër pjesëmarrësit, Amanda Bennett, Drejtore e VOA-s dhe Drejtori i Radios Evropa e Lirë, Thomas Kent




(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: