Zija Lika: Situatë jo normale në arsimin publik
| E Merkure, 04.10.2017, 05:56 PM |

Domosdoshmëria  e  rregullimit  ligjor të një situate jo normale  në arsimin publik parauniversitar

Nga Zija Lika

Duke filluar prej vitit 2014 sistemi arsimor parauniversitar, ndryshe nga sa më parë kur ishte në varësi administrative dhe institucionale vetëm nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) e më vonë Sportit (MAS), u vendos në varësi  të kësaj të fundit dhe Ministrisë së Mirëqënies Sociale e Rinisë (MMSR) deri në datë 13.09.2017 dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit e Rinisë (MASR), si dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë  (MFE), pas kësaj date, që përkon me fillimin e veprimtarisë së qeverisë Rama 2. Qeveria e mëparshme dhe ajo aktuale e morën  dhe e lanë në fuqi  një vendim të tillë, duke e kaluar në varësi të MMSR-së dhe MFE-së, arsimin e mesëm profesional, me qëllim që t’i  jepnin këtij të fundit më shumë akses për nxënësit,  për sa i  takon kryerjes më me efektivitet të praktikave profesionale dhe punësimit të mundshëm të tyre, menjëherë pas përfundimit të programeve përkatëse sdudimore.

Sqarojmë se deri tani, nuk ekziston ndonjë studim apo analizë serioze e zyrtarizuar, që të provojë dhe argunentojë krahasuar me më parë, rezultatet konkrete pozitive të arritura, si pasojë e ndarjes në dy pjesë të sistemit arsimor parauniversitar dhe vendosjes së tij për qëllimin e lartëpërmendur, në varësi institucionale  të dy ministrive  të lartëpërmendura.

Ndërsa avantazhet ende nuk janë provuar, një problemtikë me pasoja negative shumë serioze është shfaqur, në lidhje  me mirëmenaxhimin në përputhje me legjislacionin në fuqi të burimeve përkatëse njërëzore, të punësuara më parë me kohë dhe normë  të plotë mësimore, në arsimin e mesëm të lartë të sistemit arsimor publik parauniversitar, të ndarë sikurse themi më sipër në pjesën e edukimit të përgjithshëm dhe atij profesional.

Cila është situata  jo normale e shfaqur në sistemin arsimor publik parauniversitar në lidhje me atë çka themi?

Në bazë të akteve përkatëse ligjore e nënligjore dhe atyre ende në fuqi, që kanë vepruar më parë në sistemin arsimor publik parauniversitar të unifikuar, ajo pjesë e mësuesve në marrëdhënie pune me kohë dhe normë të plotë mësimore (kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar), që për arsye të ndryshme nuk e plotësonin normën përkatëse javore në shkollën ku ishin emëruar,  me orët e nevojshme mësimore në lëndët dhe profilet shkencore ose të përafëta me to (në varësi me diplomat universitare të zotëruara prej tyre), mund ta plotësonin atë në shkolla të tjera të mundshme, duke ruajtur emërimin e tyre në shkollën (institucionin arsimor), ku realizonin pjesën më të madhe të kësaj norme mësimore.

Me ndarjen në dy pjesë sikurse themi më sipër të sistemit arsimor publik parauniversitar dhe vendosjen e tij në varësi institucionale të dy ministrive (MAS, MMSR dhe MASR, MFE), rregulli i mësipërm funksionon vetëm brenda çdonjërës prej këtyre dy pjesëve të këtij sistemi, ndërkohë që çuditërisht  nuk funksionon si duhet në marrëdhënie midis tyre, duke sjellë pasoja tepër negative që rrezikojnë padrejtësisht vazhdimin e marrëdhenieve të punës, për një pjesë të mësuesve të emëruar me kohë dhe normë të plotë mësimore, madje edhe për ata të cilët kanë mbi 20 vjetë vjetërsi pune në këtë profesion dhe që zotërojnë kategorinë e parë të kualifikimit “mësues mjeshtër”.

Më konkretisht bazuar në të dhënat përkatëse të marra në rrugë konfidenciale, aktualisht në shkallë vendi  janë disa dhjetra mësues në marrëdhënie pune të deritanishme  me kohë të plotë (kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar), në shkolla të arsimit publik parauniversitar në varësi të MASR-së, të cilët nuk plotësohen me normë të plotë mësimore në shkollat e tyre dhe në shkolla të tjera të mundshme brenda kësaj pjese të këtij sistemi arsimor, por që mund të plotësohen me orë mësimore në lëndët dhe profilet përkatëse shkencore (Gjuhë Shqipe, Letërsi, Matematik, Fizik, Kimi, Biologji, Histori, Gjeografi e të tjera) në  shkolla të tjera         të mundshme të arsimit të mesëm profesional, në varësi institucionale të MFE-së, ndërkohë që disa dhjetra të tjerë mësues në shkallë vendi e kanë këtë problematik në drejtim të kundërt me atë çka themi më sipër.

Ndërsa praktika e deritanishme që amortizon pasojat negative të kësaj problematike, përmes plotësimit të normës mësimore të mësuesve edhe  me lëndë jashtë profilit, bije ndesh me rekomandimet dhe udhëzimet përkatëse lidhur me performancën dhe standardet e mësimdhënies, plotësimi me orë mësimore i tyre në përputhje me profilin përkatës shkencor, në shkolla të tjera të mundshme të pjesës tjetër të arsimit publik parauniversitar të varësisë së ndryshme ministrore, ndonëse është i  lejueshëm ligjërisht dhe i aplikueshëm, dëmton rëndë në mënyrë të paligjshme interesat e tyre ekonomike, pasi duke u paguar me orë pune nga ana e dy shkollave të ndryshme, megjithëse në total ato janë jo më pak se norma përkatëse mësimore, pagesa dhe kontributi i sigurimeve shoqërore që përfitohet dhe derdhet realisht, janë  rreth 2.5 herë më pak se ato respektive, të cilat  rezultojnë në kushtet e pagesës me pagë  të plotë mujore, të përllogaritur konformë legjislacionit përkatës në fuqi.  Kështu për shembull, aktualisht një mësues që punon në arsimin e mesëm të lartë, me vjetërsi pune jo më pak se 25 vjetë,  me shkallën e parë të kualifikimit “mësues mjeshtër”  dhe me normë  mësimore javore 20 orë, merr një pagë neto mujore  rreth 54.000 lekë të reja dhe nga ana tjetër derdhet për llogari të tij në organet përkatëse tatimore, shuma prej 18.440 lekë të reja. Nga ana tjetër nëse ky mësues, do të kryej çdo javë 20 orë mësimore dhe do të paguhet jo me pagë mujore si më sipër, por mbi bazën e orëve të punës, atëhere ai përllogaritet të marrë shumën neto mujore prej 22.500 lekë të reja dhe nga ana tjetër derdhet për llogari të tij në organet përkatëse tatimore, shuma prej 7.069 lekë të reja.

Përveç diskriminimit    dukshëm negativ në  lidhje me sa më  sipër, mësuesi që  paguhet kundrejt orëve mësimore të realizuara përgjatë  vitit shkollor (edhe pse këto të  fundit janë  jo më  pak se norma përkatëse mësimore), ndëshkohet padrejtësisht edhe me humbjen e të  drejtës    konsumimit prej tij të  pushimeve vjetore të  paguara, të  përcaktuara në  ligjin 7961, datë  12.07.1995 “Kodi i Punës në  RSH-së” i ndryshuar dhe aktet e tjera nënligjore, ndërkohë      heshtje me kalimin e kohës i shfuqizohet në  mënyrë  krejt arbitrare dhe të  pajustifikuar ligjore, emërimi    ka patur prej shumë  vitesh pune në  këtë  profesion, si mësues në  profilin e tij shkencor me kohë  dhe normë    plotë  mësimore, apo sikurse përcaktohet ndryshe    kodin e lartëpërmendur të  punës  “me kontratë  pune me kohëzgjatje të  pacaktuar”.

Si mund të zgjidhet problematika e lartëpërmendur, përmes akteve përkatëse nënligjore të pëbashkëta, që duhet të nënshkruhen prej dy ministrave respektivë?

Së pari, është e domosdoshme njohja përmes një akti nënligjor të përbashkët të nënshkruar prej dy ministrave përkatëse të MASR-së dhe MFE-së, e plotësimit të normës mësimore të mësuesve (në marrëdhënie pune me kohë të plotë), me orë mësimore të profilit të tyre shkencor ose të përafrt me të (kur aktet nënligjore e lejojnë një gjë të tillë), jo vetëm midis shkollave (institucioneve arsimore) të së njëjtës pjese të sistemit arsimor publik parauniversitar, por edhe kur ato u përkasin dy pjesëve të ndryshme të këtij të këtij sistemi, të vendosura në varësi institucionale të dy ministrive respektive, MASR dhe MFE. Sqarojmë se ky akt nënligjor jo vetëm eleminon ose të paktën minimizon pasojat e paligjshme tepër negative te sipërcituara, por është edhe plotësisht i mundshëm për t’u realizuar pasi në analizë të fundit kemi të bëjmë  vetëm me arsimin publik parauniversitar, që financohet nga i njëjti buxhet i shtetit shqiptar, pavarësisht detajimeve të tij sipas ministrive dhe dikastereve përkatëse, ndërkohë që kjo zgjidhje nuk dëmton ekonomikisht qoftë dhe 1 qindarkë këtë buxhet.

Duke qenë se kemi të bëjmë me dy pjesë të ndryshme të të njëjtit sistem arsimor publik parauniversitar, drejtoritë e financës dhe buxhetit të këtyre dy ministrive,    në zbatim të aktit nënligjor përkatës dhe në funksion të mirëadministrimit e ndjekjes korrekte të fondeve buxhetore, duhet të kryejnë midis tyre në afate të caktuara periodike, likujdimin për diferencë të detyrimeve e të drejtave financiare reciproke, apo transaksionet financiare të kalimit të fondeve buxhetore në funksion të pagesës për shërbime arsimore në të tretë, mbi bazën e të dhënave faktike të orëve mësomore të zhvilluara në shkallë vendi, nga mësuesit e njërës pjese të sistemit arsimor publik tek tjetra dhe anasjelltas, të cilët figurojnë me emërim me kohë të dhe normë mësimore të plotë, pasi pagesa e tyre  duhet të përfshihet në listpagesën e institucionit përkatës mësimor, ku ata kanë respektivisht emërimin.

Në këtë rast është e kuptueshme se kategoria tjetër e mësuesve, të cilët janë në marrëdhënie pune me kohë të pjesshme dhe me normë mësimore të paplotësuar, trajtohet me pagesë nga fondet  financiare të pjesës përkatëse të sistemit arsimor publik parauniversitar, ku ata kanë punuar mbi bazën e orëve mësimore faktike të zhvilluara prej tyre.

Së dyti, duke qenë se bazuar në aktet përkatëse nënligjore në fuqi, trajtimi financiar i kategorisë së  mësuesve të përmendur në paragrafin e mësipërm,  mbi bazën e orëve mësimore faktike të zhvilluara prej tyre, ka qenë dhe vazhdon të jetë diskriminues negativ, për sa i takon pagesës dhe derdhjes së kontributit të sigurimeve shoqërore në favor të tyre, aq më tepër që janë të përjashtuar nga e drejta e përfitimit të pushimeve të paguara në raport me kohën e punës së kryer, është e nevojshme që dy titullarët e këtyre dy ministrive përkatëse (MASR e MFE),  ta eleminojnë këtë diskriminim negativ, duke përcaktuar kritere të drejta nënligjore  të trajtimit financiar, të cilat konsistojnë në pagesën financiare të çdonjërit prej tyre, të barabartë me jo më pak se 75% të pagës korresponduese (nëse do të ishte i emëruar me kohë dhe normë të plotë mësimore), shumëzuar me raportin midis normës mësimore faktike të realizuar dhe asaj të kërkuar nga akti respektiv nënligjor në fuqi. Bazuar në praktika dhe raste të ngjashme që u përkasin disa prej vendeve europiane, në lidhje me trajtimin financiar të mësuesve të kësaj kategorie,  rezulton se kjo pagesë nuk mund të jepet në masën 100%, të pagesës  respektive për orë mësimore, që do të rezultonte nëse ata do të ishin në marrëdhënie pune me kohë dhe normë të plotë mësimore, pasi në këtë rast bazuar në ligjin dhe dispozitat përkatëse normative “mbi sistemin arsimor parauniversitar”, atyre nuk iu  shtohet detyrimi ligjor për të respektuar të gjithë orarin zyrtar në ambintet e shkollës, si dhe për të kryer detyra të tjera shtesë të parashikuara në legjislacionin arsimor.

Vetëm duke vepruar në këtë mënyrë bëhet e mundur, që standardet bashkëkohore të kërkuara në sistemin arsimor parauniversitar të vendit tonë, të mos jenë vetëm në pjesën e detyrimeve ligjore që duhet të përmbush mësuesi i këtij sistemi, por edhe në pjesën e të drejtave të tij të ligjshme, të cilat duhet të vendosen e respektohen në përputhje me të drejtat kushtetuese, duke eleminuar çdo lloj padrejtësie në trajtim, apo arbitrariteti dhe diskriminimi negativ, sikurse themi për kategorinë e sipërcituar të atyre mësuesve.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: