Gani Mehmetaj: A ka përfunduar lufta civile ndër shqiptarët
| E Hene, 02.10.2017, 08:05 PM |

Margaritarë ballkanikë

A ka përfunduar lufta civile ndër shqiptarët

Nga Gani MEHMETAJ

- A e dinë në Paris se Shqipëria është i vetmi vend në kontinentin e vjetër, ku nuk ka përfunduar lufta civile? pyesja veten, ndërsa shihja kalimtarët i shpenguar para Muzeut të Luvrit. Nuk më linte të qetë as këtu rrjeti social, që më bezdiste çdo sekondë në celular, duke më sinjalizuar për lajme a debate të reja nëpër portalet shqiptare. Partizanë e ballistë rrinë në gatishmëri lufte, gazetat dhe militantët rinisin polemika të përgjakshme sa herë bëhet ndonjë përvjetor a kur rikujtohet ndëshkimi partizan ndaj veriut "tradhtarë të vendit". Ashtu e tha jugosllavi, ashtu e zbatuan partizanët shqiptarë: vranë e burgosën nacionalistë shqiptarë.

Ne zemëroheshim pse Greqia mbi gjashtëdhjetë vjet nuk e hoqi gjendjen e luftës në Shqipëri. Por vetë Shqipëria nuk e heq gjendjen e luftës në mes të partizanëve e nacionalistëve. I pari i vendit Meta ua kujtoi sivjet humbësve nacionalistë se partizanët ishin me fitimtarët ruso-jugosllavë (tash përmenden edhe amerikanët, atherë ishin armiq ), ndërsa nacionalistët ua kujtojnë partizanëve se fitimtarë ishin jugosllavët e rusët, sepse për shqiptarët në të dyja anët e Drinit lufta e përgjakshme nisi kur ikën okupatorët gjermanë. Fajin për luftën civile gjithnjë ua lëmë dy partizanëve, Dushanit e Miladinit.

Parisieni nga Beogradi kur ia përmenda fajtorët e luftës civile shqiptare më tha se këta dy emra nuk i thoshin asgjë, as mirë, as keq.

-Shumë merreni me ta. Dy zbulues (spiunë) të zakonshëm partizanë të dërguar nga Shtabi i Titos, që ta bënin Shqipërinë rrëmujë. Ju i bëtë faktorë, sepse u duheshin. Tito dërgoi spiunë edhe në Bullgari, por bullgarët i zhdukën nëpër malet e Rodopeve. Pse çka prisnit? Kërkuat ndihma vëllazërore ta luftonit armikun e brendshëm, u dhanë ndihma. U ngjallën nacionalistët tuaj, që erdhën deri në Pazar të Ri e Podgoricë. Prandaj Tito duhej t’i ndalte disi qeleshebardhët, që donin ta bënin Shqipëri deri në Nish, - ma priti ai, ende pa ia treguar bëmat e dy serbo- malazezëve.

- Luftën civile nuk e nxitën ata, mos ia futni kot, luftën civile e kishit në mendjet tuaja, vdisnit për Jugosllavinë e për serbët, - më tha me cinizëm therës.

Mbeta i hutuar.

Nuk ia thashë margaritarin tjetër se Shqipëria është i vetmi vend në Evropë ku nuk i kanë hapur dosjet, ku nuk janë dënuar krimet komuniste, as kriminelët, ku xhelati e viktima punojnë në një institucion a parti. Po t'ia thosha druaja se do të na trajtonte komb i sëmurë.

- Lërini të prehen të qetë Mugosha e Miladini, kanë kaluar shtatëdhjetë e sa vjet, ju vini edhe tash në Beograd e kërkoni Miladina të rinj, besa kërkoni edhe pak para, se jeta është bërë e vështirë, ankoheni.

- Por nga të gjithë shqipot tuaja dy Nanot nuk i duroj dot, - më tha paksa i acaruar, që nuk ishte në natyrën e tij të edukatës parisiene.

-I pari ia la Milosheviqit kosovarët në dorë, tuajt janë, i tha, bëju çka të duash, ndërsa ky s'diti ç'të bënte tjetër me shqiptarë Kosove, pos t'i vriste e t'i dëbonte në Perëndim.

I dyti, Nano me kokën e muzhikut, na e bëri Skënderbegun të gjakut tonë! Çfarë maskarai ky Nano muzhiku! Edhe më maskara se Nano i Gjoanës.

Skënderbegun, cubin shqiptar, sikurse e quan Shmidi, ndërsa ju Shmidin e mbani anëtar nderi të Akademisë, pra heroi juaj e dogji e përvëloi Serbinë me cubat e vet arnautë 550 vjet më parë, kurse Nano muzhiku thotë se nëna e Skënderbegut qenka serbe. Do të na bëjë lajka servile, ndërsa na fyen. Pu, pu çfarë turpi. Kush ia kërkon këtë marrëzi? Ndonjë propagandist i bodrumeve të lagshta buzë Savës, ku vijnë shqiptarët tuaj dhe na e kërkojnë ndihmën.

Më shumë e bezdiste parisienin nga Beogradi Nano muzhiku se sa Nano i Gjoanës. Ndonjëherë emrin ia ngatërronte me mbiemrin e regjisorit sllav, Mustafiq. Prandaj kur më pyeti në fillim të bisedës: si e keni muzhikun Mustafiq Nano, nuk e kuptova.

Nuk harroi të ma thoshte se M. Nano tezën e kopjoi nga Drashkoviqi, ashtu sikurse të njëjtin shkrim të Drashkoviqit për nënën e Skënderbeut e kopjoi e përvetësoi edhe Fatos Lubonja me 1999. Edhe ai donte t'ua bënte qefin serbëve.

- Drashkoviqi ynë është i krisur, ma tha pa ngurrim. - Duhet të kenë dërrasa mangu edhe këta kopjuesit tuaj.

Mbeta gojëhapur.

Ai ishte cinik edhe ndaj islamo-osmanologut Olsi Jasexhi.

- Erdhi Olsiq Jasexhi në Beograd, u betua në allah e në iblis se i do serbët, se nuk i urren si ata palo kosovarët që nuk dinë gjë tjetër pos të urrejnë serbë. Me pështiroste përulja e tij, sikurse e të gjithë shqiptarëve që vijnë në Beograd. Nuk i kuptoja as serbët e mi ç'u duhen tipa të tillë të marrë? Pale qenka bërë yll televizioni. Se ku i gjejnë këta të sëmurë, nuk e kuptoj, apo mos jemi të gjithë të sëmurë?

Ai nuk e duronte as Spahiq Nedjon, sikurse i thoshte analistit tonë, ‘’yll’’ i medieve të Kosovës.

- Lëre që ishte i shëmtuar si djalli, ishte edhe budalla. Se si e fliste gjuhën serbe si dikur shqiptarët tuaj kur vinin në Beograd "dru me pre!". Më vinte ta thyeja televizorin sa herë e nxirrnin në ekran. Ai më fyen mua, sepse ma fyen gjuhën time që e flet copë-copë. Ndërsa bashkëkombësit e mi kënaqen duke e dëgjuar: ja-ja shqiptari, qeshin e bëjnë me gisht nga televizori si dikur kur e shikonim e qeshnin me majmunin Çita. Nuk ka ndryshuar shqiptari juaj i eksportit, është ai që e kërkonim me qiri e me pishë: majmun e servil.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: