Zymer Mehani: Këngë veç për një atdhe
| E Diel, 01.10.2017, 10:12 AM |

VARGJET E POETES LUMTURIJE S. DRENICA – KËNGË VEÇ PËR NJË ATDHE

Shkruan Zymer Mehani

Tanimë, emri i poetes Lumturije S. Drenica sigurisht se  është i njohur për lexuesit tanë. Kjo poete është nga Kukësi (Shqipëri) dhe në horizontet e letërsisë sonë shqipe erdhi dhe u fut nga diaspora jonë. Pikërisht vjen nga Athina e Greqisë fqinje, me një numër të madh poezish të shkruara për të rritur. Kryesisht shkruan vargje atdhetare.

Kryemotiv i poezive të poetes Lumturije S. Drenica, janë qëndresa dhe atdhedashuria. Por, poeja preokupohet edhe me problemet tjera, si plagët e luftës së fundit, të kurbetit, problemet e ndryshme shoqërore etj., prandaj edhe do ta quajmë poete shpirtërore të popullit, e që me penën e saj po e ndërton mjeshtërisht fortesën enigmatike të shprehjes dhe të fjalës artistike.

Poetja Drenica me vargjet e saj lexuesve po u ofron ngjyrosje emocionale të fjalës dhe të mendimit. Disa prej poezive të saj shëmbëllejnë si fragmente ditari të shkruar me vargje dhe mendime të skalitura bukur, që lënë impresione të forta te lexuesit.

E veçanta e poezive të kësaj poeteje është gjuha dhe stili, përdorimi i figurave të ndryshme letrare, siç janë epitetet, metaforat, krahasimet dhe metri e rimimi i vargjeve. Pra, vargu, fjala, fryma dhe të shprehurit poetik janë veçoritë kryesore që veprës ia shtojnë vlerën. Dhe ne përmes këtyre vargjeve do të mund të futemi brenda botës krijuese, duke e deshifruar si botën poetike, ashtu edhe atë njerëzore të  poetes Lumturije Drenica.

Kjo poete e talentuar shquhet për poezi të bukura, me mesazhe të qarta që na përcjell dhe mendimet e saj i mbështjell dhe i përmbledh me pak fjalë, çka edhe ia arrin kësaj pune me sukses. Zotësia dhe talenti i saj është pikërisht fakti, që me pak vargje të thotë shumë, madje edhe të shprehet bukur. Gjithashtu, poetja Lumturije S. Drenica i ka përdorur për mrekulli edhe figurat e ndryshme letrare, po ashtu ka përdorur edhe fjalë e shprehje të bukura, pa e rënduar vargun, por edhe pa rënë në thjeshtëzime. Vargjet e saj janë kuptimplota. Ato i shquan mendimi, ritmi dhe rima, elemente të mjaftueshme që ua shtojnë vlerën artistike. Poetja Drenica është humane dhe gjithmonë gjërat i sheh me syrin e humanistes e të atdhetares duke depërtuar  thellë në shpirtin e lexuesve.

Marrë në tërësi, poezitë e poetes Lumturije Drenica, janë një thesar letrar me vlerë shumë të çmuar për kulturën tonë.

Poezitë e kësaj  poeteje kryesisht janë të frymëzuara nga jeta dhe historia jonë kombëtare dhe janë dëshmitare për kohën, për fatet e atdheut dhe për dëshmorët e atdheut. Këto poezi sjellin frymë atdhedashurie, duke e thënë vetëm të vërtetën dhe si të tilla shpresojmë se do t’ju lënë mbresa gjatë leximit tuaj.

Lumturie S. Drenica u lind në fshatin Borje të rrethit të Kukësit, më 1 gusht 1973. Pa e pasur fatin që të lindet e jetojë në trojet e gjyshit të saj, Rexhep Drenica...i biri i Tafil e Sadije Drenica, që lindi më 18 mars  1907 në fshatin Lubinje të Drenicës së Kosovës....Që në moshën 12- vjeçare, për të shpëtuar nga duart e shkaut, i drejtohet nënës Shqipëri, ku punon dhe jeton e krijon familje të përkryer në Fshatin Borje të rrethit të Kukësit, duke marrë për grua mbesën e dëshmorit Zahim Hamza nga Topojani i Kukësit...Ashtu fillon dhe zgjerimi i familjes duke u mbushur plot me nipa e mbesa. Familje e madhe me besë e mikëpritje dhe duke u edukuar me dashuri të madhe për atdheun.

Lumturia ishte  një fëmijë me ëndrra për jetën, duke mbaruar shkollën tetëvjeçare në fshat me nota të shkëlqyera. Donte të vazhdonte edhe në lart, nga pamundësia për t’u larguar nga familja, vazhdoi gjimnazin në një fshat fqinjë, në fshatin Shishtavec të rrethit të Kukësit....Tri vitet e para i mbaroi aty dhe vitin e katërt e mbaroi me korrespondencë në Kukës me rezultat të lartë. Në vitin 1991 emërtohet Komandante e Çetës Vullnetare në fshatin  Borje.Po në vitin 1991 martohet dhe ëndrrat e saj për vazhdim studimesh marrin fund...Krijoi familje ...M 1995 merr rrugën e mërgimit me familjen si shumë të tjerë duke lënë prapa gjërat më të çmuara...atdheun dhe njëzit e saj më të dashur.....Sot 22 vjet banon e jeton në   Greqi, duke shpresuar se një ditë do të kthehet në atdhe.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: