Fatmira Veseli: Pse futem në mendime?
| E Hene, 25.09.2017, 08:13 PM |

PSE FUTEM NË MENDIME?

Meditim rreth botimit, “Kur lexoj një libër”, të Autorit Kadri Tarelli

Nga Fatmira Beqja (Veseli)

Disa ditë radhazi lëçita me ëndje dhe me laps në dorë, korrektova librin “Kur lexoj një libër” të autorit Kadri Tarelli. Rrallë ndodh, po ja që ndodh e të bëhen bashkë, nderimi, mirënjohja dhe kënaqësia për autorin dhe librin e tij. Jam e nderuar që m’u besua ta studjoj e të them pak fjalë për këtë botim me vlera letrare, artistike, historike dhe edukative-pedagogjike. E gjitha kjo për shkak të njohjes, pasi kam punuar me autorin disa vjet në shkollën “B. Curri” në Durrës.

Libri, për nivelin e të shkruarit, gjuhën që përdor, për gjeografinë e të rendurit brenda trojeve arbnore dhe më përtej nëpër botë, për materialin e bollshëm, të gjetur e të ujdisur bukur, për domosdoshmërinë e dëgjimit të “këmbanave të alarmit” dhe dashamirësinë me të cilën e vesh dhe e përcjell lëndën, më bëri të mendoj:

Vjeshtën e trembi gjethja e kadifenjtë, rënë për tok.

Lulja e kthyer në frut të ëmbël, pranverën e përlot.

Por dimri me erë e suferinë, që plot thinja duket sot

Krenar tha: Unë, tani udhëtimin nisa pak nga pak.

Mos guxoni të më thoni kurrë, se jam plak!

Vetëm dy fjalët e fundit të kësaj poezie të thjeshtë, që më lindi rëmbimthi, ngaqë më përfshiu arti dhe magjia e fjalë, i japin përgjigje atij frymëzimi të autorit. - Shkaku? - Do të thotë dikush. - Është shpirti i artistit dhe shkrimtarit, që nuk plaket as nga mosha, madje edhe dehet nga shija e poezisë, që nuk ka moshë. Besoj se cilido më kupton, kur po citoj vetëm dy vargje të thurrura nga autori, të përdorura për ilustrimin e një shkrimi të tij: “I trishtuar trazoj prushin, fshehur nën hi/ S’më vjen ligsht se u plaka, më vjen keq që s’jam i ri”.

Në librin e parë, “Misionarë në udhën e dijes”, publikuar para do kohësh, autori përqëndrohet kryesisht te problemet arsimore, fushë të cilën e prek dhe njeh mirë. Ndryshe në këtë libër të ri, në të katër kapitujt, Kritikë letrare, opinione, intervista, reportazhe, hasen e shtjellohen të tjera probleme të kohës. Megjithatë, fillim dhe fund, çdo faqe përshkohet nga fisnikëria dhe humanizmi, pa mohuar aspak shërbimin me tepri, që ua bën me dashamirësi kolegëve, mësues e drejtues shkollash, miqëve të shumtë krijues, gjuhëtarë, filozofë, poetë dhe shkrimtarë. Vetëm paraqitja dhe vlerësimi që u bën librave të tyre, me bindje them që, z. Tarelli është një kritik zë bukur dhe i veçantë, që duhet përshëndetur.

Shumica e materialeve, janë shkrime, që duan një lexues të dashuruar me leximin dhe letërsinë e mirë, një lexues që i dhimbset kultura dhe kombi, një lexues që ndjehet keq, kur shikon se cënohet e preket historia dhe gjuha shqipe, ashti i shqiptarisë. Nuk e teproj të shprehem, se analizat letrare dhe veçanërisht mendimet mbi historinë dhe gjuhën, të thëna qartë dhe prerë nëpër intervista dhe konferenca shkencore, i shërbejnë tërësisht kulturës dhe arsimit tonë. Pikërisht këtu godasin mendimet e autorit, që kërkon nga secili, të ndjejë përgjegjësi e të marrë përgjegjësi. Vetëm kështu i shërbehet ruajtjes, mbrojtjes, zhvillimit dhe saktësimit të gjuhës dhe normave të saj letrare, të historisë dhe kulturës.

Shqetësime të mëdha e ngacmojnë autorin, por e drithërojnë edhe lexuesin e thjeshtë, kur njihet me problematikat që i hasim çdo ditë, por që rëndojnë të ardhmen. Gjykoni vetë dhe më gjykoni edhe mua, kur të lexoni shkrimin kushtuar Motrave Qiriazi, mësuese dhe atdhetaret e para, që i kushtuan jetën çështjes kombëtare shqiptare. Aty do të ndjeni t’u rrahë pulsi i shqiptarizmës, që mos venitet e mos rronitet nga vitet.

Kultura që bart z. Tarelli dhe njohja me problemet e kohës, bën që të ngulet fuqishëm në to, aq sa zëri bëhet ulëritës për ne shqiptarët, për lexuesin, kushdo e kudo qoftë. Ai, si mësues i vjetër, ngulmon që brezat e rinj të kujdesen për “pasuritë” kombëtare, sepse janë trashëgim i ardhur nga të parët tanë dhe të mbrojtura në shekuj me mund e gjak. Është, si një porosi e thënë disa here, që këto visare kombi e shpirti, nuk duhen lënë të na i grabisin të tjerët, ca nga mosdija, ca nga pakujdesia dhe ca nga lakmia.

Autori, bëhet një me akademikun Gjovalin Shkurtaj, më tej bëhet tok edhe me letrarë e gjuhëtarë të Kosovës. Aty lexuesi e ndjen, si u rrahin tamthat si me tokmak, të dyve dhe me të tjerët bashkë, që të mos keqpërdoret pozicioni i dialekteve, si pasuri e prurje gjuhësore me shumë vlerë. Ai me forcë i bie këmbanave të alarmit, për futjen dhe përdorimin, si pa të keq, të “fjalëve të jashtme”. Kështu shpesh, ai i quan me shaka fjalët e huaja, sepse e ndjen dëmin e madh dhe përmasat shkatërimtare të tyre në kulturën tonë gjuhësore.

Jam e bindur se të gjitha shkrimet do t’u pëlqejnë, sidomos ato që i kushtohen poezisë, por po kaq, mbase edhe më shumë do të qëndroni tek opinionet dhe intervistat, pasi aty ai shpreh vetveten, përballë figurave të njohura të shkencës dhe të letrave shqipe.

Nuk e kam gabim të them, se Z. Tarelli bashkëbisedon natyrshëm me të gjithë personazhet e librit, madje shtoj pa droje se, duke folur me ta, secili ndjen se, po kuvendon edhe me ne lexuesit. Gjykoni vetë kur në çdo shkrim të ndesheni me shumë pyetje, që kërkojnë përgjigje nga vetë ne. Kjo formë të shkruari, një dialog me këndonjësin, nuk e kam ndeshur kurkund. Është mjaft interesante, shumë e bukur, por edhe e dobishme, pasi na bën të ndjehemi rrehat në vatrën tonë, të futemi në bisedë me mendimet dhe gjykimet tona. Natyrshëm e pa sforcim, të gjithë ne bashkarisht bisdojmë, flsim e dëgjojmë, shqetësohemi, trishtohemi e gëzohemi dhe, shpesh nga forca dhe bukuria e fjalës, frymëzohemi.

Tërësia e panumërt e çështjeve që kap dhe synon të shpalosë në analizën e tij, na flet me qetësi të admirueshme, për kulturën vetiake, e më së shumti për dhembjet, që e drithërojnë në shpirt, që po aq qetësisht na përfshijnë edhe ne. Pa anashkaluar analizat letrare, që unë si njohëse e mirë e letërsisë artistike, i çmoj si krijime të mirëfillta me frymëzim poeti, pa çka se nuk e quan veten të tillë, fusha ku shpërthen analiza e tij shkencore, është historia. Nuk e kuptoj nga i vjen gjith ai qëndrim e frymzim atdhetar, mbase nga formimi profesional, mbase më shumë nga edukata dhe bindjet e tij të formuara që nga fëmijëria. Po huazoj një shprehje nga libri i tij “Misionarë në udhën e dijes”, ku thotë: “Për kombin asnjëherë nuk është vonë dhe gjithçka nuk është e tepërt!”. Faqe 304. Këto fjalë më bëjnë të mendoj, se zëri i Durrësit që “hesht nën dhe”, më duket se gjumin ia ka çuar në anën tjetër të globit. Prandaj “flamurtarët” e këtyre studimeve historike, i analizon me një dashuri e mirënjohje të paparë. Me syrin e një vëzhguesi të stërvitur, mundohet që të kapë çdo fill të krijimtarisë së tyre në dobi të çështjes shqiptare dhe t’i vendosë në lartësinë që u takon. Vetë emrat e studjuesve të përmendur në faqet e këtij libri, flasin më shumë se shkrimet kushtuar krijimtarisë dhe veprimtarisë së tyre, duke u kthyer në vlera shoqërore e atdhetare: Çifti dr. prof. Hava e Sali Hidri, dr. prof Murat Gecaj, akademiku Gjovalin Shkurtaj, shkrimtari Viron Kona, dr. Stavri Llambiri, Xhafer Sadiku, Bardhyl Xhama, Bajram Gashi, Halim Maloku, gjuhëtari Sadulla Zendeli-Daja, veprimtari poet e publicist Sokol Demaku, këta të dy mërgimtarë në Suedi dhe më tej Ëllmar Qvick, suedezi i dashuruar me shqiptarët dhe Shqipërinë.

E admiroj autorin, kur lexoj sa bukur e shkërmoq kallirin e grurit të pjekur, kur flet për miqtë veprimtarë në Suedinë e largët. Çdo kokërr është një dukuri, është një vlerë, është një dorë e shtrirë miqësie dhe ndihme, një thesar demokracie e urtësie, për të cilën kemi aq shumë nevojë. Duke i mbledhur në dorë, një nga një të gjitha “farat” e shpërndara në tokën suedeze, na i sjell në sofrën shqiptare, me bujari durrsake dhe urtësi e finesë korçare. E gjitha e përmbledhur në dy fjalë magjike: Ta zhvillojmë e ta mbrojmë kulturën shqiptare, kurdo e kudo që ndodhemi.

Në larësinë e një krijuesi të mirëfilltë, e gjejmë autorin kur futet me aq siguri e frymëzim në bukuritë dhe ndjesitë e librave, në fshehtësinë dhe drithërimën e krijimeve artistike, qoftë në prozë, apo në poezi. Të gjitha vepra të kolegëve tashmë të njohur në fushën e letrave, si, Vaso Papaj, Vilhelme Vranari (Haxhiraj), Agim Bajrami, Mimoza Berisha, Sejdo Harka, Shpendi Topollaj, Dritero Agolli, Kristaq Turtulli, Merita Thartori (Kuçi), Delo Isufi, etj, etj. Këtu, më duket mua, se z. Tarelli gjen rast dhe po zbulon e krijon bukurinë e shpirtit të tij. Mendoj, se ai gjeti lëndinën plot lule në bjeshkë, shëtit aty ku edhe vetë ka mbjellë disa, të bukura e me ngjyra të ndezura, plot aromë dehëse dhe të mbushur nektar, për të gatuar mjaltin e fjalës e të mendimit.

Në fushën e letërsisë artistike, ai, me penel piktori futet nëpër labirinthet e “ndjenjave të fjetura” dhe na zbulon një botë magjike. Një botë të bukur e të shëmtuar, të thurrur gërshet me shumë halle e të papritura. Një botë, që i jep zë të shkuarës, rinisë së hershme, por edhe mendimeve të sotme, tashmë të pjekura, të qeta, të matura, me kahje të thekur atdhetarie e shqiptarie. Mbase këtu duket se e tepron disi, por askush nuk është i humbur, kur i shërben sado pak problemit madhor që kemi ne shqiptarët, bashkimit të kombit në gjuhë, kulturë e kufinj. Më vjen mirë ta them se, në të gjithë shkrimet që përcillen në këtë liber, ai nuk bën moral e mësim mësuesi, por godet e gdhend të bukurën e të mirën, për gjithkënd që i thotë vetes shqiptar, sepse lexuesin e sheh jo si nxënës, por si bashkëudhëtar e bashkëveprimtar.

Në këtë hulli, çdo kush nga ne me lehtësi do të zbulojë, se në libër ka shumë shkrime për Kosovën dhe me shqiptarët kosovar, të cilëve u ka lënë një hapsirë të madhe. Nuk më çudit aspak përqëndrimi, ca më shumë dashuria, për këtë copë Shqipërie e vatër shqiptarie. Them nuk më çudit, pasi unë e kam johur Z. Tarelli jo vetëm si drejtor, por edhe si veprimtar i orëve të para për çështjen e Kosovës që në vitet 1995-1996, ku zyra e tij në shkollë, u bë qendër takimi për shoqatat atdhetare të Durrësit. Veprime këto që i paraprinë ngjarjeve madhore që ndodhën e rrodhën aq vrullshëm pak vite më pas, që kulmuan në vitet 1998 – 1999, me çlirimin dhe më pas me pavarësinë e Kosovës, më 17, të shkurtit 2008.

I them këto, pasi i kam përjetuar edhe unë shumë veprimtari të zhvilluara në shkollën “B. Curri”, me nxënës e mësues kosove, të shpërngulur nga zjarri i luftës. Kam qënë e pranishme edhe në takime e tubime të zhvilluara në qytetin e Durrësit, madje edhe në dy metigjet madhështor, ku ushtonte thirrja qytetare, “Një komb një qëndrim”. Thirrje në mbështetje të luftë së drejtë të shqiptarëve të Kosovës. Aty, mes tre-katër nismëtarëve, organizatorëve dhe drejtuesve, ishte edhe drejtor Kadriu. Edhe tani që po shkruaj këto radhë, e admiroj, pasi ai nuk mburret, por veç tregon, madje për të tjerët më shumë. Në të gjitha shkrimet do të ndjeni atdhetari, dashuri, fisnikëri e shqiptari pa kufi. Besoj se kështu është bukur.

Gjatë leximit të librit, pa mundim do të vini re, se çdo shkrim përshkohet nga tehu i të mirës, të dobishmes dhe të bukurës. Kjo vjen, sipas mendimit tim, nga kultura, bindjet, bota shpirtërore dhe frymëzimi atdhetar i vetë autorit.

- Kush punoi për kombin dhe nuk mbeti idealist!? – Është një pyetje që shpesh i bëj vetes. Çuditërisht ka një përqasje të bukur mes portetit të autorit të këtij libri, si njeri, si veprimtar, si publicist, si kritik e shkrimtar, dhe krijimeve plot hijeshi e mendim të pjekur, thurrur me art fjale e magji shpirti. Do të bindeni në çdo faq të librit, ca më shumë kur ta mbaroni së lexuari.

Duke i dhënë fund këtyre përjetimeve të herëshme dhe të tanishme, dua ta përshëndes autorin për sinqeritetin e paanë që shoh, në falënderimet që u ka dhënë kolegëve dhe atyre krijuesve të palodhur. Atyre kokëkrisurve, që nuk i ze gjumi kërrusur mbi letra, por që e duan Shqipërinë dhe i japin asaj pakëz dritë, pakëz jetë dhe përpiqen të ngjallin shpresë e besim. E gjitha kjo përbën një vlerë të shtuar të librit dhe misionit të tij.

Dua të jem pranë jush të shoh, se kur ta mbaroni së lexuari, nuk do të guxoni ta mbyllni kapakun, sepse do të futeni në mendime, për t’i dhënë përgjigje shumë çështjeve të hedhura e të mbetuar mes nesh.

Urime autorit Kadri Tarelli, për vepra të tjera në të ardhmen!

Fatmira Beqja (Veseli)

Durrës më: 19, të vjeshtës së parë, 2017.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: