Fran Gjoka: Sistemi arsimor dhe drejtuesit
| E Diel, 24.09.2017, 10:18 AM |

SISTEMI YNË ARSIMOR DHE DREJTUESI NË ARSIM

= MENDIME RRETH PUNËS DHE ZGJEDHJES SË DREJTUESVE NË SISTEMIN TONË ARSIMORË=

NGA FRAN GJOKA

Viti i ri shkollorë pritet të rifillojë së shpejti, por problemet në drejtimin e shkollës me kualitet dhe cilësi, përsëri janë evidente. Reformimi i pandërprerë i sistemit tonë arsimor, na sjell si domosdoshmëri të mendojmë se theksi para së gjithash duhet vendosur në sistemin e drejtimit të arsimit tonë në pergjithësi dhe shkollës sonë në veçanti.Si institucion bazë i sistemit tonë arsimor, shkolla është vendi ku mësohet dhe edukohet brezi i ri, derdhet mundi dhe djersa e armatës së madhe të mijera mësuesve për të përgatitur njerëz me vlera që ti dalin zot fateve të vendit, parametrave të zhvillimit ekonomik dhe teknologjik të tij, prandaj ky system së pari duhet të nisi me reformimin e thellë të konceptit dhe menyrës së drejtimit në arsim.

Shkolla jonë, në të gjitha hallkat, ka nevojë për drejtues të aftë sot, më tepër se kurrë.Këtë e diktojnë kushtet e zhvillimit, metodat dhe kurrikulat e reja mësimore të eksperimentuara dhe sanksionuara në sistemin tone arsimor. Në këto drejtuesi në arsim i të gjitha niveleve duhet të jetë i vetëdijshëm për misionin e tij, ai nuk duhet të jetë vetëm njeri i urdhërave, i dhënies së porosive dhe detyrave, por në radhë të pare duhet të jetë njeri i përgatitur profesionalisht, metodikisht dhe i përkushtuar për të kryer detyrën që i ngarkohet.Një drejtuesi i mire, me kulturë dhe i përgatitur krijon atmosferë miqësore me mëmuesit dhe nxënësit në kolektivin, në institucionin ku punon dhe vepron, që punët të kryhen me dëshirë, me vullnet dhe jo me detyrim.Jemi të detyruar ta theksojmë këtë fakt, sepse vitet e fundit është vënë re se drejtuesit në arsim kanë qënë disi të paprekshëm në detyrën e tyre,rrallë janë bërë lëvizje dhe emrime të reja, megjith zhurmën marramendëse qe u bë sidomos në media, prandaj në shumë raste tek drejtues të ndryshëm janë vënë re dukuri të tilla si paaftësia për të kryer detyrën në lartësinë e duhur,liberalizmi deri në kufijtë e anarkisë mediokriteti, qëndrimi liberal, por shpesh edhe arroganca ndaj vartësit, ndjenja e inferioritetit e disa prej tyre vuajnë edhe nga deliri i madhështisë. Në këto kushte, drejtuesit tanë të institucioneve arsimore nuk kanë mundur të bëhen shembull pozitiv në institucionet dhe mjediset ku kanë punuar.

Në arsim, drejtuesi duhet të jetë mjeshtër jo vetëm në punën mësimore dhe edukative, por edhe në metodën e drejtimit dhe komunikimit me mësuesit dhe aq më tepër me nxënësit, apo me komunitetin.Një drejtues i përgatitur dhe me personalitet duhet të jetë i thjeshtë, i qeshur, i zgjuar, i vëmëndshëm, i dashur, i pezemert, në një fare menyre tu imponohet me kulturën dhe vlerat e tij intelektuale dhe personale kolektivit mësues – nxënës të institucionit ku punon. Duhet ta vlerësojë, dojë dhe respektojë profesionin e mësuesit, misionin e tij fisnik, kolegun, bashkëpunëtorin dhe nxënësin.Duhet të komunikojë vazhdimisht me ta dhe të vlerësojë punën e tyre duke stimuluar vazhdimisht përpjekjet dhe sakrificat e kolektivit për të arritur rezultatet e duhura në lëmin e mësimit dhe të edukimit.Vetëm nëse krijon atmosferë unitare dhe harmoni në kolektiv, marrdhënie të ngrohta dhe të sinqerta, themi se një drejtues është i aftë dhe i përkushtuar ndaj kryerjes së detyrës. E themi këtë sepse në fakt punën në procesin mësimorë e bën mësuesi, i cili sa më i përgatitur dhe i kulifikuar të jetë ai, aq më shumë rezultate të mira ka shkolla, aq më të përgatitur janë nxënësit dhe per hir të së vertetës, mësues të tillë ka shumë në shkollat tona.Por në kushtet e sotme kur pothuajse kemi drejtorë arsimi apo drejtues shkollash “veteranë” dhe të paprekshëm, qe në fare menyre pothuajse e kanë harruar  profesionin e shenjtë të mësuesit, njerëzve të tillë u krijohet mundësia të abuzojnë me detyrën, të sillen ashpër me mësuesit dhe me nxënësit, të abuzojnë në marrëdhënie me kolektivin, të mos respektojnë sa e si duhet normat e punës në shkollë, frymën e kolektivitetit, mendimin e pavarur dh eta ngushtojnë punën e tyre vetëm në dhenin e urdhërave, kërkesën e llogarisë me vend e pa vend etj.Nga anatjetër kemi edhe mësues mediokër që nuk e kanë arsimin dhe nivelin e duhur për të mos thënë se disa prej tyre kanë përfunduar studimet e larta pa pasur ëndë as shkollën e mesme, kjo e dëmton rëndë sistemin tonë arsimor dhe i hap rrugë ndërhyrjes me urgjencë të hetimeve nga krimi ekonomik.Për të mos folur pastaj për pazaret dhe kompromiset qe bëhën me notat nga mësuesit, sidomos në shkollat e mesme dhe të larta, duke cenuar rëndë integritetin e arsimit tone kombëtar.Këto fenomene dhe shumë të tjera janë të njohura nga institucionet dhe autoritetet tona, por endë jemi në kuadrin e amullisë në arsim.Kjo ka çuar shpeshherë në zbehjen e marrëdhënieve institucioneve tona pedagogjike e si pasojë edhe në rënien e nivelit të punës mësimore dhe edukative në shkollë.

Është folur shumë dhe me të drejtë për emrimin apo shkarkimin e drejtuesit në arsim, u hartuan edhe kriteret bazë për rekrutimin e drejtuesëve të rinj me anën e konkurseve, madje u tha se ata do të specializoheshin për të persosur menyrën e drejtimit, por në të vërtetë mbetemi në të njejtën gjendje siç kemi qenë vite të shkuara.Deri tani janë emëruar drejtues në arsim edhe njerëz që nuk kanë patur lidhje me arsimin prej shumë vitesh, sepse kanë punuar dhe milituar në poste të tjera drejtuese politike dhe ekzekutive larg shkollës, shkurt janë bërë emrime në poste drejtuese totalisht të pamerituara sepse, këta drejtues nuk njohin në thelb programet e reja mësimore, nuk njohin kurrikulat, planet dhe tekstet e reja mësimore.Këto metoda formale të padrejta emërimesh e kanë dëmtuar sistemin tonë arsimor dhe kanë dobësuar të ardhmen e shkollës sonë në ditët e sotme.Drejtuesi në arsim duhet të jetë vizionar, autoritar, largpamës, i përgatitur dhe tolerant.Nuk duhet të punojë kurrë për momentin, por të ndërtojë punën dhe të hapë perspektiva për të ardhmen, të njohë shqetësimet që lindin në sektorin e tij, të njohë mirë  problemet që dalin në komunitet, nivelin e çdo mësuesi, nivelin dhe sjelljen e çdo nxënësi dhe ti analizojë e zgjidhë problemet qe e shqetësojnë bashkë me kolektivin.Në këtë kontekst edhe MAS duhet të ushtrojë kontrolle të rrepta ndaj DAR të qarqeve ndaj kritereve të zbatuara për emërimin e këtyre drejtuesëve në fushën e arsimit dhe punë qe bëjnë këta të fundit pë rekrutimin e mësuesëve të rinj ne rradhët e arsimit.Vetëm kështu mund të shpresohet në arritjen e një rezultati pozitiv në lëmin e mësimit dhe të edukimit në shkollat tona.

Jemi të vetëdijshëm se monopoli politik në drejtimin e shkollës ka qenë dhe është një problem tjetër tepër shqetësues në institucionet tona arsimore.Të gjitha instancat drejtuese në sistemin tonë arsimor nga DAR e qarqeve deri tek drejtori i një shkolle të rëndomtë fshati janë quajtur pozicione politike nga strukturat partiake të ardhura në pushtet.Madje, shpesh për të shperblyer militantët në arsim, gjendej pozicioni i drejtuesit të ZA, ZAR, dhe drejtuesi i shkollës. Nga kjo skemë nuk ka si mos të ketë emrime militanteske.Kjo e ka dëmtuar shumë punën drejtuese të arsimit dhe të shkollës sonë.Kështu, vendi i drejtorit, nëndrejtorit apo inspektorit të arsimit u dhurohej dhe ndoshta edhe u dhurohet edhe sot në ditët tona militantëve politikë që kishin kontribuar për fitoren e partisë.Me kalimin e kohës këta persona “betonoheshin” në këto pozicione drejtuese dhe bëheshin të paprekshëm, sepse i mbronte miqësia, shoqëria, militantizmi në parti dhe për më shumë politika.Prandaj edhe sot në institucionet tona arsimore kemi persona që kanë vite të tëra në ato vende pune, drejtorë arsimi dhe inspektorë arsimi me 10, 15 vjet në të njëjtin pozicion ose drejtorë shkollash të përjetshëm me 15, 20 dhe deri në 25 vjet në detyrë.Karakteristik është fakti se të gjithë këto njerëz janë militantë, anëtarë ose dhe kryetarë të grupseksioneve të partive politike të aktivizuar haptaf në zgjedhje, megjitha ligji e ndalon rreptësisht një akt të tillë e për më tepër shperblehen edhe me postin e kryetarit ose anëtarit të këshillave të bashkive të një subjekti të caktuar politik.Ajo çka është më e rendësishme, flitet në zë të lartë se ata nuk e kryejnë si duhet detyrën e tyre.Shpesh këta persona duke qenë nën mantelin partiak, bëhen të paprekshëm, por edhe të dëmshëm për individët, kolektivin dhe shoqërinë, bëhen pengesë për realizimin me ritme të shpejta të reformës në të gjitha hallkat e shkollës sonë.

 

Është me vend t’i shtrojmë këto çështje sa nuk është vonë, jo se nuk njihen problemet nga opinioni i mësuesve apo komuniteti, por që organet kopetente të marrin masa që fenomene të tilla të mos ndodhin më në sistemin tone arsimorë.Shkolla jonë e shenjtë duhet depolitizuar duke e vënë arsimin tonë mbi baza shkecore dhe pedagogjike, profesionale dhe jo politike.U fol shumë për politizim tekstesh, për pjesëmarrje të drejtorëve, mësuesëve, nxënësve dhe studentëve në mitingje të partive të ndryshme politike brenda orarit të mësimit e deri tek presionet e shumë drejtuesve ndaj mësuesve për të votuar sipas preferencave të tyre politike, madje pati edhe pezullime dhe pushime nga puna.Këto kanë qënë plagë të pashërueshme në arsimin tonë që kanë lënë shije të hidhur për një kohë të gjatë.Normalisht, dukuri të tilla nuk duhet të ndodhin në sistemin tonë arsimor, sepse dëmtojnë rendë procesin në konsolidimit të reformimit të programeve, teksteve, shkollës dhe ndoshta edhe vetë drejtuesëve.

Në kushtet e demokratizimit të plotë të sistemit tone arsimor dhe reformimit me hapa të shpejta të tij, duhet qe patjetër të përkrahën drejtues me vizion të qartë dhe të gjërë, dije të sakta shkencore, duhet të kërkohen dhe gjenden njerëz të ditur, të përgatitur dhe të sakrificës për të ndihmuar reformat e rëndësishme qe po bëhen në arsim dhe jo drejues të paditur qe shpesh i  pengojnë ato.E themi këtë, sepse kemi vënë re se në shumë raste të zgjidhjes së problemeve qe dalin në shkolla, shpesh bëhen pengesë drejtuesit.Duhen përmendur këtu seminaret formale të organizuara nga disa institucione arsimore, njëanshmëria në përzgjedhjen e teksteve mësimore, mungesa e predispozicionit në zgjidhjen e problemit të transportit të mësuesve dhe të nxënësve që e kanë shkollën larg vendbanimit të tyre, kompletimi i shkollave me kabinete informatike dhe me sinjal interneti, përsosja e shpërndarjes së teksteve shkollore në kohën e duhur dhe shumë probleme të tjera që duhen parë më me prioritet këtë vit shkollor.Para ca vitesh u tha se kurrikula e re do të pilotohej në 26 shkolla të vendit.Mirë u bë, por nuk u diskutuan avantazhet dhe disavantazhet e saj, nuk u parapërgatit infrastruktura pedagogjike-mësimore dhe nuk u njohën faktorët pozitive qe do të ndikonin në realizimin me sukses të kurrikulës së re në këto shkolla.Nga ana tjetër u tha se numri i provimeve të matures shtetërore mund të reduktohej, qe t’i jepej mundësi “Maturës l2” të prihej drejt arsimit professional, në të vërtetë numri i provimeve u shtua.Në këtë pikë duhet të tregohemi tepër të kujdesshëm pasi mund të dekurajojmë studentët në rrugën e tyre, thjesht për të marrë një zanat.Këto janë probleme emergjente që duhen diskutuar dhe trajtuar gjërësisht nga dikasteret, drejtuesit dhe institucionet arsimore përkatëse që të shpresohet në zgjidhjen perfundimtare të tyre.Kjo është detyra e drejtuesit në arsim dhe jo ajo e nxjerrjes përpara punonjësve e njëmijë e një justifikimeve dhe pretendimeve për të vërtetuar një padrejtësi, për të fshehur një çështje, për të mbuluar dobësitë që po vihen re në shkollën tonë dhe maturën shtetërore qe për fat të keq edhe këtë vit nuk u ngrit në nivelin që duhej megjith numrin e madh të nxënësve të penalizuar për faj të sistemit, për faj të punës së dobët dhe menyrës së organizimit të provimeve të matures shtetërore.Shumë prej tyre rezultuan mbetës dhe për këtë gjendje shkolla të ndryshme duhet të mbajnë pergjegjësi për situateën e krijuar.Para kësaj gjendje nuk duhet të heshtet kurrsesi nga drejtuese të arsimit në qëndër dhe në bazë, pasi dëmtohet e ardhmja,dëmtohet perspektiva e shkollës sonë.Shtrohet pyetja: - A duhet të ndryeshojë modeli i organizimit të testimeve si për klasat e 9 – ta dhe për mature shtetërore? Mendoj se jo vetëm aq, por duhet të ndryshojë edhe sistemi i provimit në klasat e 9 – ta, në përgjithësi edhe matura shtetërore në veçanti, pasi rezultatet e saj kanë qënë të nivelit minimal dhe cilësia e studentëve qe shkojnë në shkolla të larta, teper e ulët.Duke investuar gradualisht mund të kalohet në sistemin elektronik të dhënies së provimit të shtetit, sidomos në shkollat e mesme dhe të larta, pasi kjo metodë po rezulton e suksesshme në shume vende të Evropës.

Zhurma mediatike për përzgjedhjen e drejtuesit të arsimit me konkurs qe në rend të ditës për shumë kohë, madje para ca vitesh edhe u aplikua për disa drejtues të DAR dhe ZAP dhe drjtorë shkollash të disa rretheve, që në fakt rezultuan tërësisht formale, pasi pati shumë kontestime.Në konkurse paten marrë pjesë njerëz të politizuar, militantë, madje paten fituar më të preferuarit e organeve drejtuese në bazë dhe qendër.Por edhe kjo menyrë zgjedhjeje në fakt nuk është zgjidhje.Drejtuesi në arsim, fitues i një konkursi sipas kritereve të përcaktuara më parë nga dikasteri përkatës, mund të jetë e keqja më e mire, por duhet ditur se ai testohet vetëm në njohuritë shkencore, ndërkohë që ai duhet të ketë edhe shumë cilësi të tjera njerëzore, të ketë njohuri të sakta metodike, pedagogjike, psikologjike për të qënë një person juridik i kompletuar në profesionin e vet.U hodh ideja se në rastin e emërimit të drejtuesëve në arsim duhej marrë edhe mendimi i komunitetit.Ishte ide pozitive në dukje që nuk u realizua kurrë, megjithëse ky proces ka edhe anët e tij negative.Drejtuesi në arsim duhet të realizojë detyrat e vëna në zbatim të reformës në arsim me ambicje pozitive, të verë në lëvizje forcat krijuese, të respektojë dhe të përgjithësojë shembullin pozitiv të mësimdhënies dhe të mësimnxënies.Është detyrë e drejtuesit të mbajë gjithnjë gjallë dëshirën e kolektivit mësimor për punë dhe mësim,të stimulojë kurdoherë shembullin pozitiv dhe të motivojë trupën arsimore për realizimin e objektivave dhe detyrave të ngarkuara.Drejtuesit të mire, korrekt, të komunikueshëm dhe të përkushtuar, i duhet gjetur vendi i duhur, nga ana tjetër nuk mund të ngrihet në detyrë një militant partiak mediokër sado i njohur dhe me influence të jetë.Në këtë kontekst jemi të detyruar të pranojmë se një drejtues i paaftë e dëmton rëndë jo vetëm punën e mësuesit, por edhe sisemin tonë arsimor, kjo u pa qartë edhe në rastin e organizimit të provimeve t klasave të 9 – ta dhe maturës shtetërore, ku zorëroi një rrëmujë e vërtetë nëpër shkolla, vetëm për faj të paaftësisë së drejtorive dhe administratorëve për të organizuar sa e si duhet këtë process të rendësishëm në arsimin dhe shkollën tonë.Këtë fakt e kemi njohur edhe më parë, por e kemi patur të vështirë ta pranojmë, se drejtues të tillë në shkollat tona mjerisht kemi shumë.Le të punojmë për t’i eliminuar sado pak këto dukuri, për t’ia zbutur në minimum plagët arsimit tonë.Për të mos folur më tej për politikat e gabuara qe ndiqen në përgatitjen e mësuesëve të ardhshëm nga shkollat tona të mësuesisë, ku ka supërprodhim të mësuesëve në lëndët shoqërore dhe mungesë të theksuar në lëndët natyrore sidomos në profilin matematikë-fizikë.Mësues të këtyre lëndëve numërohen me gishta, ndërsa të lëndëve shoqërore janë pa punë.

Ne e dime se institucion arsimorë të vaçantë për përgatitjen e drejtuesve në arsim në vendin tonë nuk ka patur, as nuk ka, por kurse kualifikimi për të përgatitur drejtues qe të afirmohen dhe të njihen me të rejat dhe problemet që dalin në arsimin tone, menyrën e komunikimit me të tjerët mund të ngemë, sepse potencialet i kemi,fundja njerëz të aftë dhe të ndershëm që qëndrojnë larg politikës, larg konflikteve, njerëz të përkushtuar dhe punëtorë kemi, mësues të aftë që e njohin mirë artin e dhënies së mësimit dhe të drejtimit të arsimit kemi.Le t’i afrojmë ata në punën drejtuese, t’i vlerësojmë në punën e tyre të mundimshme dhe do të shohim se mund të ndryshojë shkolla dhe sistemi ynë arsimor në të ardhmen.Mendoj se ky problem mund dhe duhet të shihet më me prioritet në sistemin tonë arsimor në vitet e ardhshme, sepse fryma e re, reformat e reja duhet të mbizotërojnë kudo në shkollën tonë.Mbase mund të jetë ky një motiv për fillim të mbarë të këtij viti të ri shkollor qe flitet se mund të ketë disa ndryshime dhe risi.Shpresojmë për mirë…



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: